Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Damkosja e veseve tona

| E hene, 03.10.2022, 06:41 PM |


DAMKOSJA E VESEVE TONA

(Ibrahim Kadriu: “Njëmijë e një net /tonat/”, botoi “Pena”, 2020)

Nga Adil FETAHU

Vargut të veprave të tij të shumta, në prozë, në poezi e drama, shkrimtari Ibrahim Kadriu ia shtoi edhe një vepër, së cilës vështirë t’ia caktosh zhanrin: a është roman, novela, tregime, përralla, kritika…? E ka shkrua në stilin e tregimeve arabe të “1001 netë-ve.” Ashtu edhe e ka titulluar: “Njëmijë e një net (tonat)”. Në këtë libër autori i fshikullon e damkosë sjelljet, veset, shprehitë, dukuritë negative të individëeve e të shoqërisë sonë kosovare, duke i shtjelluar në stilin e tregimeve arabe të Sheherezades, prandaj nën titullin e librit, në kllapa ka shtuar: (Sheherezada në veten e parë).

Për lexuesit e shumtë të këtij vështrimi për librin e Ibrahim Kadriut, paraprakisht  duhet të japim një sqarim të shkurtër për tregimet arabe “1001 net” dhe të personazhit të Sheherezades,  sepse jam i bindur se as një përqind e lexuesve të këtij vështrimi nuk e kanë lexuar as kanë idenë për romanin historik e voluminoz, mbi 2500 faqe, të quajtur “1001 net”.

“1001 NET “ DHE SHEHEREZADA

Romani “1001 net”, është një  koleksion, një përmbledhje me tregime, përralla, legjenda, anekdota, humoreska dhe lloje tjera të krijimtarisë më interesante nga folklori popullor arab, persinan, indidan, etj. Kryesisht është prozë, por ka edhe shumë tregime në formë  poezie.  Ka shumë dialogje e monologje.  E gjithë ajo krijimtari lidhet me dy personazhe kryesore: me  perandorin e Persisë dhe të Indisë, Shahriari dhe me vajzen e bukur Sheherezada.

Për shkak të tradhtisë në maratesë që u kishin bërë gruaja e perandorit Shahriar dhe e vëllait të tij Shahzamanit,  perandori kishte fituar bindjen se të gjitha gratë tradhtojnë. Për t’u hakmarrë kundër tyre, kishte urdhëruar që për çdo natë t’ia sillnin nga një vajzë të re, të cilat në mëngjes i vriste. Kjo kishte zgjatur tri vjet, duke shkaktuar frikë e tmerr për vajzat dhe prindët e tyre.  Duke ditur për këtë mizori të Perandorit, e bija e vezirit, Sheherezada, një vajzë e bukur, e arsimuar, e cila kishte lexuar e mësuar shumë gjëra, kishte bërë një plan si ta ndërpriste atë kriminalitet  dhe  kishte vendosur të shkojë vullnetarisht për të kalua natën me perandorin. Sapo hyn në dhomë me Perndorin, fillon t’i tregojë një tregim interesant e të gjatë, sa që zbardhi mëngjesi pa e përfunduar tregimin në pjesën më interesante, të cilin do ta vazhdonte natën tjetër. Duke pritur me kurreshtje përfundinin e tregimit, perandori nuk e mbyti  Sheherazaden në mëngjes, siç bënte me vajzat tjera, por e la që natën tjetër ta vazhdojë tregimin. Kështu Sheherezada vazhdoi tregime të cilat e magjepsin perandorin, duke mos e përfunduar, natën e parë, të dytë, të tretë e deri sa kaluan njëmijë e një net, afro tri vjet. Në ndërkohë Sheherezada i kishte lindur tre djemë. Perandorit i kishte pëlqyer Sheherezada dhe në përfundim të natës 1001, jo se e vrau, por i fali jetën dhe e shpalli Sheherezden për grua të veten me kurorë. Edhe motren e saj, Dariazaden e mori për grua vëllai i perandori, Shahzamani.

Romani “1001 net” është përkthyer  dhe ribotuar shumë herë pothuajse në të gjitha gjuhët e botës dhe ka pasur një ndikim edhe te shkrimtarët më të njohur, si Monteskie, Dikens, Pushkin, etj.  Shumë tregime nga ajo përmbledhje janë ekranizuar e bêrë filma për fëmijë e për të rritur. Romani është radhitur në vendin e 6 (gjashtë) të librave më të lexuara në botë. Në gjuhën shqipe, prej serbishtes e ka përkthyer  profesori Hilmi Agani, ndërsa në një periudhë prej njëzet vjetëve e ka botuar “Rilindja” në 8 vëllime librash. Vëllimet janë ndarë sipas numrimit të netëve, kurse vëllimi i fundit përmbanë tregimet e Sherezades prej natës 871 – 1001.

“NJËMIJË E NJË NET (tonat)

Duke ndjekur imagjinatën dhe stilin e përdorur nga romani historik arab, “1001 net”, shkrimtari ynë i njohur, Ibrahim Kadriu, ka krijuar një vepër letrare të pashembëllt në letërsinë shqiptare, të cilën e ka emërtuar “Një mijë e një net (tonat)”. Por, derisa  romani “1001 net” përmbanë  imagjinata, përralla e tregime nga krijimtaria popullore arabe e persiane, libri i Ibrahim Kadriut përmbanë ngjarje, vende, objekte e subjekte, dukuri e personazhe reale bashkëkohore kosovare.

Në 69 ese a novela të shkurtëra, ka përmbledhur një kompleks gjendjesh e situatash nga përditshmëria jonë, duke kritikuar dhe ironizuar sjelljet dhe veset e qytetarëve,  veçmas  pangopësinë e njerëzve të pushtetit. Në këtë frymë, librin e hapë me poezinë e Ali Asllanit, “Maskarenjtë”:

Hani e pini e rrëmbeni,

Mbushni xhepa mbushni arka…

Të pa brekë ju gjeti dreka,

Milionerë ju gjeti darka!…

Lexuesit e gjeneratave më të vjetra e mbajnë mend, se Ibrahim Kadriu, në cilësinë e gazetarit dhe redaktorit të gazetës “Rilindje”, në vitet e shtatëdhjeta e mbante një rubrikë të emërtuar “Sheherezada”,  në të cilën botonte tregime të stilit të “1001 netëve”. Nën ato tregime nënshkruhej me pseudonimin Riukad im Rahib (që ishte angram i emrit dhe mbiemrit Ibrahim Kadriu), emër që tingëllon si emër arab. Personazhi kryesor i tregimeve në atë rubrikë ishte Sheherezada.

Dhe, në natën e parë, të “Një mijë e një netëve”tona, po e  njëjta Sheherezade e lidhë tregimin me ato të para pesëdhjetesa vjetëve, kur thotë: “…Dhe unë shqetësimet e mija ua rrrëfeja juve, dhe ju i kishit shqetësimet e jueja, që ishin të ngjashme. Dhe, pikërisht për këtë ngjashmëri shqetësimesh më bêtë shoqëri dhe ma mbajtët vullnetin e shkrimeve. Edhe sot, në këtë kohë të vonshme të cilën e kishim pritur me shekuj, siç po thonë do të mençur, dhe e kishim bindjen se do të jemi mirë, pa dhembje koke dhe me gjumë të rehatshëm. Dhe ky mendim ishte i rrejshëm, ashtu siç janë të rrejshme aq shumë premtime, dhe ato premtime sidomos bëhen para zgjedhjeve dhe me takatin e ministrave…”

Që në rrëfimin e parë, por edhe në disa rrëfime në vazhdim,  Sheherezada tregon shqetësimin e saj dhe të popullit, për: arsimin, hapjen e universiteteve e kolegjeve që janë bërë si fabrika për prodhimin e analfabetëve, pa menduar se ku do të punësohen e çka do të punojnë gjithë ata që kryejnë me diploma të blera, e që niveli i arsimit ka rënë edhe nën nivelin e disa shteteve të Afrikës.

Në vazhdimin e tregimeve, përmes Sheherezades në veten e parë, autori kritikon e dëmkos të gjitha prapshtitë, shprehitë, veset, gënjeshtrat, premtimet,  manipulimet, hajnitë, korrupsionin, keqpërdorimet e mjeteve të buxhetit, që financojnë vepra e gjithëfarë festivale të pa vlerë e nuk ndihmojnë krijuesit e veprave të mirëfillta.  Tregon shqetësimet e pensionistëve; shqetësimin për regjistrimin joreal të popullsisë dhe rënien e natalitetit; braktisjen e fshatit dhe mospunimin e tokës; ndojtjen e ambientit; aksidentet në komunikacion,  në rrugët e prishura dhe trotoaret e zëna;  përqindjet e “vjelura” nga tenderët; paratë e diaspores të humbura pa adresë; veteranët e rrejshëm; moskujdesi i fëmijëve ndaj prindërve; ndërtimet pa leje dhe projektet e parealizuara; moskujdesi ndaj personaliteteve të merituara; mospërkrahja e krijuesve; emërtimi i rrugëve me emra personash të cilët nuk njeh mahalla e vet; shkrimi i firmave në gjuhë të hueja;  padrejtësia ndaj diaspores lidhur me sigurimin e veturave; ngatërresat politike brënda partive;  kapardisjen me vlera të shpifura në art e letërsi; vërshimi i makinave të prishura si mbeturina;  peripetitë dhe pengesat për regjistrimin e veturave; puna e Trustit të pensioneve; investime të mëdha për punë të vogla (shembulli i objektit të Rilindjes); mosrealizimi i projektit të Gërmisë; mungesa e sundimit të ligjit; problemi i vizave; ejt. etj. Të gjitha këto i shtjellon përmes monologut të Sheherezadës dhe herë-herë  edhe përmes dialogut  me ndonjë mik a mike të saj (Haruni, Ali Duli, Gjylinazja etj.), duke marrë shembuj konkret nga jeta dhe (mos)puna e organeve dhe institucioneve tona. Novelizimin e situatës në Kosovë autori e bënë në mënyrë shkëlqyeshme, me humor e satirë,  duke marrë shembuj konkret e dëmkosë sjelljet, veset dhe dukuritë negative.

Në këtë libër autori ka përdorur gjuhë e fjalë ekzoktike, sikur ato të romanit “1001 net”, duke pëdorur fjalë, emra, mbiemra e folje, kuptimin e të cilave e di vetëm gjenerata e vjetër e lexuesve, si për shembëll: havadyze; kanagjeqe; iftijaqë; nur; jaratisë; sajgi; zijaret;  duhma; rraqe; petka; nijet; sehir; jesir; kuvet; firade; gjytyrim; shitoft;  tebdil; ymri; evlia; nafuz; çehre; kajstile;  estekfurullah; sajdisë;  sevda; tabijat; kajmekam; sejmenë; habere; gjymysh; munafik; teveqel;, hygjym;  kërname; fiqir; hisedar, e të tjera si këto.

Kronikën e tregimeve të Sheherezadës nga “Njëmijë e një net (tonat)”, e mbyll me intervistën që Sheherezada “e zhvillon” me dijetarin, diplomatin e shkrimtarin tonë, Faik Konica, i cili edhe vet ka marrë e përkthyer disa tregime nga “1001 net:, dhe i ka përfshirë në tregimet e tij: “Nën hijen e hurmave”. Dhe Sheherezada i bënë disa pyetje Faikut për aktualitetin tonë.  Me qenë se Sheherazada e zgjatë pyetjen, Faiku i thotë: “Më trego më shpejt se çka dëshiron prej meje, e mos e zgjat si deputetët që, edhe kur nuk dinë çka thonë, i sulen foltores. Dhe Shehezada fillimisht e lutë ta thotë mendimin e tij për mjerimin e shqiptarëve, dhe ai ia thot troç: Mjerimi ishqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhejo pas ideve. Historia e shqiptarëve është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përipiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. – Në pyetjen se çka mendon Konica për individët të cilët kanë fituar oroel pa pasur ide, merr këtë përgjigje: “Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhdukin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tonë të ardhshëm”. – Në pyetjen që ta thotë ndonjë mendim për shqiptarët që krenohen me veten, Faiku i jep këtë sqarim: “Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojrrumbullët tonë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen”. - Në pohimin e Sheherezades, se shqiptarët janë trima, Faiku i përgjigjet: “Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë…sado e madhe  (tingllon) në vetvete, është e vogël  në shkaqet që e ndezin…Trimëria e vërtetë është ajo  që vihet në shërbim të së drejtës dhe të Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie”.

Edhe disa pyetje të Shehrezades dhe përgjigje të Faikut për situatën aktuale dhe perspektivën tonë, si dhe shqetësimet dhe dëmkosjet e autorit të librit për dobësitë, prapësitë dhe veset tona,  do t’i mësoni poqese e lexoni librin e Ibrahim Kadriut: “Njëmijë e një net (tonat)”, libër që, përmes personazheve të imagjinuara ose atyre reale, me gjuhën figurative, jo vetëm ju zbavitë, por edhe ju shqetëson për prapësitë dhe veset e përditshmërisë sonë.

Dhe në faqen e pasme të kopërtinës së librit, sikurse edhe te “nata e pesëdhjetegjashtë”, i përëritë edhe njëherë vargjet e Ali Asllanit:

Hani e pini e rrëmbeni, mbushni xhepa mbushni arka…

Të pa brekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka.

Hani, pini e rrëmbeni, është koha e çakejëve,

Hani, pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjve…

Dallavere nëpër zyra, dallavere në pazar,

Dallavere me të huaj, dallavere me shqiptarë.

Dhe për një kërkoni – pesë, por më mirë njëzetepesë,

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!”