Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Pasqyra ma objektive e rënies intelektuale e kulturore

| E hene, 03.10.2022, 06:54 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Isha në shkollë sot. E dërgova djalin tim gjashtë vjeçar në ditën e parë të shkollës. Mësuesit mundoheshin të krijonin një atmosferë festive. Edhe prindërit, derisa i drejtonin fëmijët drejt tyre me buqeta lulesh. Por atmosfera e zymtë ndihej nga të gjithë. Arsyeja dihet. Në ndërkohë, derisa po prisnim që fëmijët të futeshin në klasa, unë e hapa telefonin. Në ballinë të portaleve një deklaratë e Mimoza Kusarit. Në deklaratë ajo thoshte se për mësuesit grevistë nuk do të ketë pagë të shtatorit. U irritova dhe thash me vete : Qysh s’i vjen marre që pikërisht në këtë ditë të dalë me këtë deklaratë. Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve.

Pse?

Sepse, praktikisht, sot Kuvendi i Kosovës është një ndër institucionet më dembele dhe më joefektive në krejt sistemin institucional të Kosovës. Realizimi i agjendës legjislative është për faqe të zezë dhe nëse do të vendosej një standart për t’i paguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në bazë të realizimit të kësaj agjende, jo 2000 euro, por as 200 nuk do të mund t’i merrnin.

Debatet që bëhen aty në shumicën e kohës janë debate të një niveli shumë të ulët intelektual e profesional. Të vetmen punë që Mimoza Kusari e shumica e kolegëve e kolegeve të saj dinë ta bëjnë mirë është të prodhojnë akuza kundër njëri tjetrit, sa për të dalë në media dhe për t’i kënaqur militantët e shkretë të partive të tyre.

Me fjalë të tjera : ata janë pasqyra ma objektive e rënies intelektuale e kulturore, të cilën shoqëria kosovare është duke e jetuar viteve të fundit.