E enjte, 28.03.2024, 06:02 PM (GMT)

Faleminderit

Albert Vataj: Robert Elsie, njeriu ndaj të cilit nuk na mjafton mirënjohja

E diele, 02.10.2022, 06:57 PM


SOT PESE VITE NGA VDEKJA E ALBANALOGUT

Robert Elsie, njeriu ndaj të cilit nuk na mjafton mirënjohja

Nga Albert Vataj

Robert Elsie, ishte një nga njerëzit më të devotshëm të albanologjisë, një nga kontributorët më të vyer të promovimit dhe njohjes së vlerave më të qenësishme dhe atributeve krenuese të shqiptarëve. Veprimtaria e tij është e gjerë dhe cilësisht nga më përfaqësueset në lëmin e albanologjisë. Vdekja e Robert Elsie ishte një humbje që krijoi një hendek të thellë në lëmin e studimeve hulumtuese dhe jetësimin në dritën e fakteve të figurave, etapave dhe momenteve kyçe të historisë, gjuhës dhe kulturës së identitetit shqiptar.

Ai ishte nga të paktët që luftoi me kaq përkushtim dhe devocion ndaj harresës, tjetërsimit dhe denigrimit të atyre visareve që ishin dhe mbeten të themelta në testamentin tonë si komb.

Humbja e Robert Elsie nuk ishte thjeshtë ndalimi i një hapi nga rruga e jetës, ishte shterrimi i atij dielli rrezet e të cilit nxorën në dritë nga errësira ekzekutuese e kohës një realitet të tillë vlerash dhe kapacitetesh përfaqësuese të atij shpirti pasurish që u mbrujtën, duke fituar identitet nën mëshirën e stuhive dhe rryma rrapëllitëse të kohës.

Gjuha, letërsia, folklori, fotografia, gojtaria, historia, etnosi, ishin disa nga shumësia e sferave ku ai ushtroi veprimtarinë e tij të ngulmët dhe të themeltë për të shqyrtuar dhe afirmuar gjithçka shqiptare, atë me të cilën pati mirësinë të na shpërblente dhe bujarinë ta bëntë të njohur ndërkombëtarisht si vlerë.

"Çdo njeri ka interpretimin e vet për albanologjinë por për mua, thelbi i punës sime është të prezantoj shqiptarët, t’i prezantoj Shqipërinë, botën shqiptare, gjithë botës. Unë përpiqem t’i transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët, historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i panjohur", është shprehur ai në një intervistë.

Shkrimtari, albanologu, përkthyesi dhe interpreti, Robert Elsie, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare duke lënë pas një vepër të vëllimshme dhe vlerëshumë. Ai ishte një emër i rëndësishëm dhe një zë i fuqishëm i albanologjisë. Materialet shkresore dhe ato fotografike, hulumtimet gjuhësore dhe historike, komentet dhe studimet, ishin një kontribut që qartësoi shumë momente që dendësia e mjegullave të kohës i kishte verbuar. Shkallmoi hamendësimet dhe sulmet denigruese të kohëpaskohëshme të armiqve historik të shqiptarëve, të cilët u përpoqën të tjetërsonin historinë, shpesh duke i dëmtuar seriozisht disa prej tyre. Ai erdhi për të treguar botës së qytetëruar mbi vlerat dhe atributet civilizuese të shqiptarëve. Kumtoi zëshëm për përkatësinë dhe vlerat europiane, për cilësitë dhe aspiratat e lartë të kësaj race vitale. I ndërkombëtarizoi dhe i mbrojti këto vlera në foltoret e botës së madhe duke i’u bashkuar armatës së albanologëve dhe historianëve, hulumtuesve dhe promovuesve, të cilët shkruan faqe të rëndësishme të veprës së tyre, faqe që mbeten kapituj potencues të njohjes dhe vlerësimit të shqiptarëve.

***

Robert Elsie u lind më 29 qershor 1950 në Vankuvër, Kanada. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, shkoi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (École Pratique des Hautes Études) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978.

Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e 'takimeve shkencore' midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës. Ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. U nda nga jeta më 2 tetor 2017, duke lënë amanet që të prehej në Shqipëri.

I përgjithmonshëm qoftë kujtimi ngaj Robert Elsie, ndaj atij burri të madh dhe të vlertë, atij që e deshi dhe bëri për shqiptarët më shumë se shumë shqiptarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora