E shtune, 26.11.2022, 06:53 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Edhe kështu është bukur!

E shtune, 01.10.2022, 06:50 PM


EDHE KËSHTU ËSHTË BUKUR!

Lindita Doda në librin: “Mitet mashtrojnë”

Nga Kadri Tarelli

Pak kohë më parë, Shpendi Topollaj, shkrimtar, kritik, dramaturg e publicist, më dha librin me poezi “Mitet Mashtrojë”, të autores Lindita Doda. Ballina nuk më thotë asgjë, veç një karikaturë e Perëndisë Poseidon, me hundë të zgjatur, huazuar nga figura e Pinokut gënjeshtar. Më duhej të ndryshoj mendje, sapo shfletoj faqen e parë, poezi me vargje të thyer, ndaj nxitoj t’i them mikut tonë Shpendit:

- Mos më lodh me libra të tillë. Ti e di mirë se nuk më pëlqen vargu i thyer, të cilit i kam kushtuar edhe një poezi: “Mos e thyej vargun, të lutem poet”, ku më tej them: “Poezia nuk është lojë…, lere fjalën të këndojë”. K. Tarelli. “Koha në vargje”. Faqe 43.

- Merre, se do të çuditesh nga metaforat që gjen dhe alegoritë që krijon Lindita.

Shpendi kishte të drejtë, pasi lumi i metaforave rrjedh rrëmbyeshëm duke mbushur detin e alegorive, ku era sjell puhi, kur valët përkëdhelen, por ngre edhe stuhi, kur godasin bregun me kamxhikun e Poseidonit.

Nëse një ditë do t’ia kthej librin Shpendit, e di që do më shajë në fillim, pasi e kam zhgaravitur me vija dhe komente të çastit, duke nënvizuar poezitë dhe vargjet që më pëlqejnë, por do të më lëvdojë, se kam ditur të zgjedh të bukurën mes ndjesive të holla. Besoj se kështu do të ndjehet edhe autorja, po të lexojë midis shkrimit të hallakatur, fjalët: Perlë, e bukur, porosi që nuk vdes kurrë, pak filozofi dhe shumë atdhetari, etj, etj. Do më pëlqente që kështu të kenë vepruar edhe të tjerë lexues.

Nuk jam i vetmi që e them, duke menduar se, libri pëlqehet, kur s’të lëshon nga dora dhe poezia këndohet. Por ndodh që libri mbyllet, heshtet dhe në çast harrohet. Ndërsa poeti nuk shahet as kritikohet. Ai veç adhurohet, lëvdohet e nderohet. Ndryshe mënjanohet dhe më pas nuk kujtohet.

Kështu që, në këtë hulli mendimi, nuk kam ndërmend të bëj analizë të librit, ku secila poezi ka kumtin dhe bukurinë e vet, fort të dallueshëm. Mendoj se do të përsërisja veten dhe autoren, duke i shtuar këndonjësit një barrë mërzitje më shumë. Veç më duhet të dalloj disa veçori që e përshkojnë tej e mbanë të gjithë shportën me poezi, që po i quaj të rralla.

Së pari, poetja i këndon me mall e zjarr, mjedisit ku ka lindur. E frymëzon rrjedha, gurgullima dhe vërshimi i lumit Mat. Mjaftojnë vetëm këto vargje, për t’u mrekulluar: “Bregu i Matit/ gurrat ia mblodha../ ia preka fytyrën e tij/ plasaritur epokash…/ Këta janë gurë legjendash…”. Poezia “Bregut të Matit”. Faqe 11. Më tej përballë qytetit, shpërfaqet madhështia e qetësia mitike e malit të Dejës, ku lindin legjendat dhe mitet. Legjenda që na shoqërojnë, na ngazëllejnë, na dëfrejnë e trimërojnë gjatë gjithë jetës, brez pas brezi, por shpesh, siç tregohet që në ballinë të librit, edhe na “Mashtrojnë’. Sa adhurim ndjehet në këto pak vargje: “Mbahu Dejë/ ti i ke qëndruar dimrit të gjatë,/ ku akulli të rëndonte në shpinë”. Mbahu Dejë. Faqe 31.

Lexoni dhe gjykoni këtë perlë të fjalës së shkruar. Një pikturë e gjallë, që madhërisht flet me ngjyrat e vargut: “Nëse s’keni qenë në Stelush/ s’e keni pa malin/ që u lut shqip për të parën herë”. Dhe vazhdon më tej: - “Në gji ia vuni medaljonin…./ Ma ruaj vashë/këtë copë atdhe, midis gjinit tand…./ veç aty/s’mundet kush me e marrë…! “Frymë e Skënderbeut”. Faqe 140.

Nuk është rast i rrallë kjo dashuri për mjedisin dhe vendlindjen, pasi të gjithë krijuesit, veçanërisht poetet, aty gjejnë ushqimin e shpirtit për t’u qetuar dhe shkruar. Aty gjejnë edhe përgjigjet e heshtura të pyetjeve dhe brengave. Mendoj se çdokush nga ne i thotë faleminderit poetes sonë.

Së dyti, poetja është e dashuruar me vjeshtën, si stinë e mendimit poetik, duke goditur vuajtjen, trishtimin, mërzitjen, pritjen dhe ikjen, si pjesë të jetës. Janë shumë poezi kushtuar kësaj stine, madje emri, freskia dhe ngjyrimi i saj, futet si metaforë mes vargjeve të poezive të tjera. Poetja nuk loton e vajton, as gjunjëzohet para të papriturave të jetës. Është optimiste për t’u ngritur mbi ngjyrën gri. Vargjet na e plotësojnë gjykimin: “Nëse ma kërrus kështu pragun vjeshtë,…./ përplasje xixash m’i flakërosh sytë,/ ballit t’më çelësh gonxhe mavi,/ po në gjunjë do më shohësh veç në lutje…”. “Nëse ma kërrus pragun vjeshtë”. Faqe 12.

Autorja çuditërisht, për t’i dhënë dritë e frymë jete, frymëzimit dhe artit të fjalës, ka gjetur pikturën e zbehtë të vjeshtës, ku mund të vendosë ngjyrat e shpirtit. Mbase qëllimisht ka gjetur stinën, që ngjason e dallon me pranverën, si dy gjymtyrë të universit, por që vuan e shtrydhet si sandviç, mes zjarrit të verës, që e djeg e përvëlon, ndërsa dridhet kur zhvishte për t’u takuar me dimrin e acartë e thinjosh. Metaforat dhe alegoritë, artistikisht të gjetura bukur, gjallojnë në këtë stinë të begatë, që i dhuron jetës frutat për vazhdimësinë e saj.

Së treti: “Heshtja as sonte s’më le vetëm strukur te malli/ kapërcen zhurmë puthjesh”. Me këto vargje poetja i këndon “Heshtjes”, që të trondit me piskamën deri në kupë të qiellit, ndaj këtij realiteti pa ngjyra jete, që poetja prek e “Shijonë”, çdo ditë. Mbase mjaftojnë vetëm këto vargje: “Asnjë fjalë/ mend s’mbaj…/ veç notat e heshtjes,/ që u tretën pas saj”. Poezia “Notat e heshtjes. Faqe 37.

Është shpirti i ndjeshëm që thërret e bërtet për dashuri e drejtësi, për paqe e urtësi, mes njëri-tjetrit, si individ, “Unë e ti”, e përmendur shpesh nga autorja, por edhe si shoqëri e ngarkuar me ndasi, përplasje, moskuptim e pakënaqësi, deri në marrëzi. Dukuri që jo rrallë, si pa dashje, mbijnë në këtë truall dhe na trazojnë, turbullojnë dhe na ndëshkojnë trup e shpirt. Mbase kam të drejtë kur them, se poeti vuan e dashuron dy herë. Një herë për vete dhe një herë për të tjerët. Ju pyes, si do t’i çmoni këto vargje?: “E përdalë kjo koha jonë,/ në flirt më erëra pabesish”. “Erëra pabesish”. Faqe 23. Më tej vazhdon: “Shpirti rebeluar/ s’derdh më lot.”. “Deti nuk vihet në gjumë”. Faqe 25. Pikërisht kështu po i ndodh e dhe poetes sonë, e cila nuk mallkon, por përpiqet që vuajtjen ta kthejë në këngë e vargje poezie, ku mirësia të ndjejë aromë lirie.

Renditja me disa piketa të vendosura në udhën e vlerësimit, nuk më pengojë të shprehem, se autorja brenda magjisë së mjedisit, natyrës, vjeshtës dhe heshtjes, i thur himn dashurisë, por me një mënyrë disi të veçantë, që nuk e kam ndeshur kund. Gjykoni vetëm këto pak vargje, që pavarësisht se janë nda dhunshëm, në brendësi kanë muzikë, që dëgjohet në heshtje:

“Malli më ka marr me t’pa, /e me të dasht…./ Një gllënkë jete me pi/ n’hijen tënde./ Një çast me ty kisha flirtue/ Zoti e dreqi kishin me fal…../ fundja me jetë,/ vetë kisha me pague! Poezia “Mote u banë”. Faqe 9..

Askush nuk çuditet, kur të lexojë këto vargje, ku ndjehet një çoroditje në mjedisin jetësor, rinor e shoqëror: “Deti më bindi një mëngjes/ mua/ as në poezi nuk zgjohet më fjala/ “Të dua”..! Poezia “Deti më bindi një ditë”. Faqe 33. Më pas vazhdojnë plot dhimbje, vargjet e një poezie tjetër: “Kurrë nuk mësova të dua më mirë/ hapat me rrahje zemre i mata/ njësoj si ti. Bota atë fjalë që ndihet/ s’e mban mend,/ duhet të shpikim një tjetër dashuri”. “Ne duhet të shpikim një tjetër dashuri”. Faqe 39.

Duke vazhduar kështu, s’do t’i gjej fundin bukurisë së vargut dhe kumtit që përcjell. Ndaj po ndalem në një problem tepër të dhimbshëm, siç është largimi i të rinjve nga trojet tona stërgjyshore. Vallë ç’do të thoshte Samiu, Naimi, Fishta e Migjeni, kur të dëgjonin këto vargje plot dhimbje e proteste? – “Kjo panoramë e ditës/ po na thinj dhe foshnjat/… ne pagëzojmë veten/ fajtorë të pafaj/… Nga neveritja/ edhe varreve… do tu mbijnë/ këmbët e ikjes”. “Panoramë e ditës”. Faqe 40.

Nëse nuk bindeni, lexoni më tej: “Mos i le…./mortit me i këndue ma fort se dasmës./ mos i le/ fëmijët me u ngjiz me trishtimin/ e me lind me këpucë vesh/ e sy nga deti”. “Ti mundesh Zanë”. Faqe 154. Këtu poetja gjen guximin të drejtojë gishtin dhe të protestojë fuqishëm në vargjet me vezullim perle: “Ky është ligj i shkretëtirës,/ ku s’ka etje më askush:/as për ajër, as ujë/as dashuri,/ Veç për UNIN, ky vend paska uri../ zot‼/ S’kërkojnë shumë,/ ngopi me UNIN,/ përpara se të vdesin”. “S’kërkoj shumë”. Faqe 59…… Sepse “Asnjë qindarkë s’na mbeti për lirinë”. Faqe 61

Më vjen mirë që poetja lindita Doda, hyn serbes edhe në mendimin filozofik, duke vargëzuar bukur, për t’i mbajtur mend si citate: “Frymë merr/ Thua…/ jeta a vdekja ka më shumë mister”. “Mister”. Faqe 138. Dhe diku më poshtë vazhdon: “Pa natë/s’mundemi me kuptua agun/ as lirinë…!”. “Jastëk lirie”. Faqe 171

Në këtë pështjellim e çoroditje mendimesh, poetja, duke ecur udhëve të qytetit me trastën e andrrave mbi shpinë, e mbyll librin me një amanet: - “Statujës së qytetit, po ia la andrrat,/ me u ba spektatore skenës/ ku vdesin të gjallët e rilindin të vdekurit./ Le t’i shohin”. “Me trastën e andrrave”. Faqe 177.

Urime poete Majlinda! Ju uroj sukses në udhën e vargut të thyer, pavarësisht se unë mbetem adhurues dhe besnik i vargut muzikor!

Edhe kështu është bukur!

Kadri Tarelli

Durrës. Vjeshta e parë, 2022.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora