| E shtune, 01.10.2022, 07:33 PM |
Kërkoni të respektohet të paktën vullneti i Vladan Gjorgjeviçit!
Nga
Enver Bytyçi
Vladan
Gjoergjeviç, ish-kryeministër i Serbisë në fillim të shekullit XX, shkruan në
librin e tij "Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha" se "shqiptarëve do
t'u nevojiteshin së paku edhe 100 vjet që të kenë të drejtë të quhen
komb"!
Nëse
pranojmë formulën e njohur se komb pa shtet nuk ka, atëherë kjo do të thotë se
Gjorgjeviç në vitin 1912-1913 rekomandonte që pas 100 vitesh shqiptarëve do të
duhej t'u jepej e drejta të kishin shtetin e tyre.
Këtë
rekomandim ish-kryeministri i Serbisë e arsyetonte me atë se "shqiptarët
në jetën politike duhet të edukohen nga dikush, në rast se piqen, për
autonomi"! Dhe ky dikushi, duhej të ishte Serbia "e emancipuar"
për dhunë e terror! Pra, ai jepte recetën e edukimit të shqiptarëve nga Serbia.
Por, se si ata "u edukuan" nga Beogradi, këtë gjë e zbulon gjenerali
Wesly Clarc, i cili në librin e tij, "Të bësh luftë moderne", shkruan
se si Milosheviçi u mburrej atij dhe gjeneralit gjerman, Klaus Nauman, në
marsin e vitit 1999 për shfarosjen e shqiptarëve.
-
Ju e dini gjeneral Clarc, që ne e dimë se si duhet t'i qërojmë hesapet me
shqiptarët, me këta vrasës, me këta dhunues, me këta vrasës të fëmijëve të
tyre! Përpara ne jemi kujdesur për ta … Në Drenicë, më 1946, ne i kemi vrarë
ata. I kemi vrarë që të gjithë. Oh! Na janë nevojitur shumë vite! Por ne, në
fund i vramë që të gjithë! Kjo është formula serbe e "edukimit" të
shqiptarëve!
Çfarë
dua të them me këto shënime?
1.
"Edukimi" serb i shqiptarëve e ka emrin dhunë mbi njëshekullore dhe
gjithashtu quhet shfarosje e tyre, vrasje, krime kundër njerëzimit dhe
gjenocid. Askush nuk jep sot garanci, se Serbia nuk do të sillet njëjtë si
Serbia e mëparshme kundrejt shqiptarëve.
2.
Sipas ish-kryeministrit Vladan Gjergjoviç, shqiptarëve do t’i duheshin 100 vjet
që të quheshin komb. d.m.th të bënin shtetin e tyre kombëtar. Kur Kosova e
shpalli pavarësinë, kishin kaluar 96 vite nga ajo kohë. Nëse e marrim
deklaratën e Gjorgjeviç si një deklaratë marrëveshjeje ndërkombëtare, atëherë
do t'i takonte Serbisë që ta njihte pavarësinë e Kosovës së paku në vitin 2012,
vetëm katër vite pas shpalljes së kësaj pavarësie.
Në
fund të fundit shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare e respektuan pa vullnetin
e tyre arsyetimin e Serbisë së vitit 1912. Pritën një shekull që t'u jepnin
shqiptarëve lirinë e formimit të shtetit të Kosovës. Serbia e kishte për
obligim ta respektonte atë çfarë kishin projektuar udhëheqësit e saj para 100
vitesh, pra ta njihte shtetësinë e Kosovës! Këtë duhet ta kërkojë me ngulm
qeveria, institucionet dhe grupi negociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë:
Njohjen pa kushte të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, bazuar në angazhimin
e kryeministrit të tyre të para një shekulli! Ishte zotim i tij!