E premte, 19.04.2024, 07:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Lazër Stani: Një fakt tronditës nga jeta e Darvinit

E shtune, 01.10.2022, 06:54 PM


Një fakt tronditës nga jeta e Darvinit

Nga Lazër Stani

Për një njeri si unë, që librat me poezi gjithmonë i ka mbajtur në tryezë, në çantën e shkollës, në valixhen e udhëtimit, në xhepin e rëndë të palltos, siç mban një klerik librat e shenjtë, leximi i Autobiografisë së Darëinit, e shkruar në fundin e jetës së tij, ishte diçka tronditëse. Atëkohë, student ëndërrimtar i biologjisë, i kisha lexuar pothuajse të gjithë librat shkencorë të Darëin-it që gjendeshin në bibliotekë dhe nuk e vija në dyshim se ky shkencëtar gjenial, jo vetëm ishte Ati i teorisë së evolucionit, por edhe “Profeti” që dijet tona mbi “të gjallën” i shndërroi në shkencë, duke na dhënë çelësin magjik për të kuptuar historinë e jetës në tokë. Në një nga ditët, duke kërkuar nëpër raftet e mbushur me libra, që pak kush i trazonte në bodrumin e Bibliotekës së Fakultetit të Shkencave, gjeta Autobiografinë Charles Darëin-it, të botuar në rusisht.

E ndava menjëherë veç dhe e vendosa midis librave që do të merrja për të lexuar, ndoshta ngaqë më shkaktoi dhimbje një frazë e shkruar në faqen e parë të librit, ku Darëin-i nënvizonte se e kishte shkruar këtë libër, sikur ta vështronte jetën e tij nga një botë tjetër. “Dhe nuk e pata të vështirë ta bëj këtë se jeta ime thuajse ka mbaruar”, - shkruante.

Në orën e leksionit të radhës, gjeta një vend në fund të sallës dhe zura të shfletoj librin që sapo kisha zbuluar, pa e patur mendjen tek ato që profesori i paleontologjisë po shpjegonte në leksionin e tij për fosilet e mikroorganizmave. E shfletoja librin, duke lexuar fraza apo fjali të shkëputura nëpër faqe të ndryshme me një ndjenjë padurimi në zemër. Mezi po prisja të vinte mbrëmja që të mund ta lexoja nga fillimi në fund. Duke shfletuar librin andej nga fundi, papritur u ndala në disa fraza që në fillim më çuditën, por njëkohësisht edhe më shqetësuan:

“E kam thënë se në një aspekt mendja ime ka ndryshuar gjatë 20-30 viteve të fundit. Afër të tridhjetave apo edhe më pas, poezitë e formave të ndryshme si veprat e Miltonit, Greit, Bajronit, Uordsuorthit, Kolrixhit dhe Shellit më jepnin një kënaqësi të madhe, madje si nxënës shkolle më jepte një kënaqësi të thellë Shekspiri, sidomos dramat e tij historike…. Por tani, prej shumë vjetësh nuk duroj dot të lexoj qoftë dhe një varg poezie; jam përpjekur më vonë të lexoj Shekspirin dhe pashë se ai ishte aq i mërzitshëm, sa më shkaktoi të përziera”.

Darëin-i shkruante më poshtë se “nëse do ta jetoja jetën time sërish, do ta kisha bërë si rregull të lexoja ndonjë poezi dhe të dëgjoja pak muzikë, të paktën një herë në javë… Humbja e këtyre shijeve është humbje e lumturisë…”.

Ndala leximin i pushtuar nga paniku i një kërcënimi të fshehtë. Mua që më jepte aq kënaqësi të fshehtë leximi i poezive e për të cilën flisja me aq pasion me miqtë e afërt, sa asnjëri nuk e besonte se unë nuk shkruaja fshehurazi poezi, një ditë, ashtu si Darëin-i, mund ta humbja aftësinë për të lexuar poezi, madje mund të neveritesha edhe nga Shekspiri. M’u kujtua se në klasë të pestë, e kisha mësuar përmendësh krejt Makbethin, aq shumë më magjepste Shekspiri dhe si ia recitoja në atë kohë të vetmit spektator, të vetmit njeri që nuk u mërzit kurrë, duke më dëgjuar: nënës sime.

Kur mbaroi ora e leksionit, u shkëputa nga të tjerët dhe po ecja i vetëm në rrugë, gjithnjë duke menduar për atë që sapo kisha lexuar. Një pyetje këmbëngulëse më shponte në tru: a do të mundja unë të lexoja poezi edhe pas tridhjetë a dyzet vjetësh?…

Nga “Efekti Borhes”, libri “Rrugë pa krye”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora