E shtune, 20.04.2024, 02:38 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Kush urren, kë dhe pse?!

E premte, 30.09.2022, 08:30 PM


Kush urren, kë dhe pse?!

Nga Enver Bytyçi

Ka plas nje sherr, sipas të cilit presidentja Osmani e "urren" kryeministrin e Shqipërisë! Madje njerëzit e Edi Ramës po shkruajnë se shefi i tyre urrehet "kur e mbron Kosovën në OKB"! Me një gur ata duan të vrasin shumë zogj.

- Ta prezantojnë presidenten e Kosovës si politikane që urren e ndan!

- Ta lartësojnë Edi Ramën për gjoja "mbrojtjen" që i bëri Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së!

- T'I thonë Vjosës atë që ajo dhe të tjerë shqiptarë do ia thonin Edi Ramës, se ky i fundit është shqiptari më përçarës dhe urrejtës i shqiptarëve në historinë e shtetit tonë! Pra urrejtjen e Ramës për Vjosën, për kundërshtarët, për Kosovën, t'ia faturojnë zonjës Osmani!

- Të tërhiqet vëmendja në kurthin e ngatërresave tipike të modelit UDB-Sigurimi i Shtetit dhe të vijojë edhe më tej avokatia e zotit Rama për Aleksandër Vuçiq.

Por se çfarë fshihet pas gjithë kësaj historie e zbuloi analisti dhe diplomati amerikan Edëard Joseph, kur shkroi se "Lidhja mes Tiranës dhe Beogradit është e pashëndetshme, sepse Rama i thotë BE-së dhe SHBA-së që të ndalojë presionin drejt Beogradit, për të vendosur sanksione drejt Rusisë. Ky është një turp dhe ai po mbron hapur Vuçiç për politikën e tij pro-ruse. Aleksandar Vuçiç kërkon të krijojë Serbinë e Madhe. Dhe Edi Rama kërkon të krijojë Shqipërinë e Madhe"!

Pikërisht këtu lind konflikti midis politikanëve shqiptarë. Nga njëra anë kryeministri i Shqipërisë bëhet palë me presidentin e Serbisë dhe nga ana tjetër ata të dy diskutojnë për ndarjen e Kosovës. E njëjta histori si dikur Milosheviçi e Tuxhmani diskutonin ndarjen e Bosnjës midis tyre. Kjo është edhe arsyeja pse Edi Rama është bërë avokati më i madh i Aleksandër Vuçiq. "Kemi divergjenca edhe në raport me atë se si kryeministri (Rama) shpesh pa asnjë nevojë, bëhet avokati kryesor i (Aleksandar) Vuçiçit në vende dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare, duke i ndihmuar Vuçiçit të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë' i thoshte Donika Gërvalla "Zërit të Amerikës"!

Zonja Gërvalla thotë se avokatia e kryeministrit të Shqipërisë për presidentin e Serbisë bëhet "pa nevojë"! Por nuk është kështu. Edëard Joseph thotë se kjo avokati ka nevojën e zbatimit të projektit të përbashkët Rama-Vuçiq për krijimin e Serbisë së Madhe. Ata thonë se do të krijojnëedhe atë që Vuçiq e quan "Shqipëria e Madhe" me bashkimin e gjysmës së Kosovës me Shqipërinë.

Por kjo përpjekje e Edi Ramës bie në kundërshtim me interesat e Kosovës, sepse pjesa më e pasur e saj bëhet pjesë e Serbisë së Madhe. Njësoj siç ishte në dëm të BH përpjekja për marrëveshje midis Milosheviçit dhe Tuxhmanit të Kroacisë. Bie në kundërshtim edhe me parimet, sepse ndryshimi i kufijve në Kosovë sjell ndryshimin e kufijve në të gjithë Ballkanin e deri në Ukrainë e Krime. Europa dhe SHBA-të nuk preken nga ky precedent.

Por përfitimi është i Serbisë dhe i Rusisë. Rama joshet me një territor prej nja 20 mijë km katëror të Kosovës, me qëllim që të "shkruhet në histori se ai ishte kryeministri që zgjeroi territoret e Shqipërisë me kaq ose aq km2! Pra për Ramën nuk janë në pyetje interesat e kombit shqiptar e të shtetësisë së Kosovës. Në pyetje për të është vetëm lavdia e tij!

Por lavdia e Ramës paguhet me një çmim të jashtëzakonshëm nga ana e Kosovës. Atëherë a kanë të drejtë liderët politikë atdhetarë të Kosovës të reagojnë dhe të mos i besojnë kryeministrit të Shqipërisë?! Kryeministri Rama foli në OKB dhe e mbrojti Kosovën. Por aq sa mbrojti Kosovën me një retorikë të përgjithshme, po aq avokati i bëri Open Balkan dhe Serbisë së Vuçiqit. Nëse ai do ta kishte mbrojtur Kosovën më zellin me të cilin e mbron presidentin e Serbisë, atëherë me siguri që Vuçiq do të ishte gjunjëzuar dhe do ta kishte mbyllur kapitullin Kosovë.

Në kontekstin e këtyre qëndrimeve kemi një marrëdhënie të ftohtë midis presidentes Osmani dhe kryeministrit Rama. A urrehen midis tyre ata? Unë besoj se jo. Ata që u morën me këtë akuzë bëjnë argatin e Ramës dhe të Vuçiqit. Sepse të sulmosh në atë mënyrë presidenten e Kosovës, qëndrimet e pikëpamjet e së cilës dihet se janë në dobi të vendit të saj, do të thotë të lehtësosh pozitën e presidentit serb karshi këtij vendi në përpjekje për t'u njohur ndërkombëtarisht si shtet. Jam i bindur se nëse Rama do t'i kishte kërkuar takim Vjosa Osmanit në selinë e OKB-së, ky takim do të ksihte ndodhur. Që do të thotë se ajo nuk e urren kryeministrin e Shqipërisë. Por që dëshiron që ky kryeministër harbut e arrogant të mos nëpërkëmbë të drejtat e shtetit të saj, siç nëpërkëmben të drejtat e shqiptarëve në Shqipëri.

Me këtë dua të them se Rama është urrejtësi më i madh në historinë e këtij kombi. E shpreh urrejtjen e tij, sidomos kundër shqiptarëve që nuk mendojnë si ai, në të gjitha format, që prej mimikës e deri te fjalori denigrues i tejskajshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora