Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Shqipëria po plaket me shpejtësi!

| E premte, 30.09.2022, 08:33 PM |


Shqipëria po plaket me shpejtësi

Të moshuarit në Shqipëri, 13% e popullsisë

1 tetori Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Përgatiti : Albert Z. ZHOLI

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për rritjen e pjesëmarrjes së grupmoshave të vjetra (moshuara) në popullsinë e përgjithshme dhe pasojave nga një zhvillim i tillë ,me qëllim të zhvillimit të një shoqërie për të gjitha moshat, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 14 dhjetor 1990 vendosi 1 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, si vazhdimësi e planeve dhe nismave, siç ishte Plani Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin, i cili u miratua në vitin 1982 në Vjenë. Shënimi i parë i kësaj dite fillon nga 1 tetori i vitit 1991, viti në të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Parimet e Kombeve të Bashkuara për të Moshuarit, ndërsa në vitin 2002, në Madrid u miratua Plani (II) Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin në kërkim të mundësive për përgjigje të këtyre sfidave.

Asambleja e Dytë Botërore

Asambleja e Dytë Botërore mbi Moshimin shënoi një kthesë të rëndësishme si bota duhet të përballet me sfidën më të madhe, që është ndërtimi i një shoqërie për të gjitha moshat dhe propozoi një orientim të ri e mjaft ambicioz për problemet e moshimit. Ky orientim ka nxitur edhe aktorë të ndryshëm në Shqipëri të bëjnë një rivlerësim të aftësisë të moshuarve, duke përcaktuar që kjo grupmoshë duhet të jetë aktive në komunitetin e saj për të përballuar me dinjitet sfidën që sjell realiteti demografik në mënyrën reale e të qëndrueshme për të gjitha brezat, por për moshën e tretë në veçanti. Aktualisht kërkohet që gruaja në moshë të ketë standarde më të larta në mënyrën e jetesës dhe të ndryshojë konceptin për jetën. Diskutimet rreth moshës së tretë synojnë të nxisin e të inkurajojnë politikëbërësit për ta parë konkretisht dhe për t’i dhënë vlerën e duhur dhe zgjidhjen e duhur problemeve të tyre. Ofrimi i një perspektive më të gjerë për kontributin e potencialin e njerëzve të moshuar jep një orientim të ri, një burim frymëzimi për të gjithë aktorët në rrugën drejt përmirësimit të perceptimit rreth çështjeve të personave të moshuar, të marrëdhënieve që duhet të vendosim me ta e ndihmën që ata duhet të marrin. Gjithashtu ndihmuese është trajtimi i temave që ekzistojnë në jetën e përditshme, historitë njerëzore dhe problemet e ndryshme që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. Media është padyshim zëri dhe shpirti ku mund të gjenden edhe art-kulturë-ngrohtësi-dashuri, për t’u qetësuar dhe argëtuar në mënyrë të kulturuar dhe bashkëkohore. “Moshimi Aktiv” trajton në vazhdimësi çështje dhe tema që kanë lidhje, jo vetëm me aspektin ekonomik, por edhe jetësor-socialo-kulturor, duke promovuar solidaritetin ndërbreznor, jetën aktive dhe pjesëmarrjen më të gjerë në shoqërinë shqiptare. Komuniteti duhet të ketë një reagim dhe mbështetje ndaj moshës së tretë.

Një nga problemet shëndetësore që hasen më shpesh tek të moshuarit

Të moshuar konsiderohen njerëzit që bëjnë pjesë në grup-moshën 60+ vjeç. Numri i të moshuarve po rritet shumë në mjaft popullsi kështu: në SHBA aktualisht 15% e popullsisë janë të moshuar, por kjo parashikohet të arrijë 22% të popullsisë në vitin 2030; në Shqipëri ka një rritje të ndjeshme të numrit dhe të përqindjes së të moshuarve, veçanërisht të personave mbi 80 vjeç, numri i të cilëve do të dyfishohet në vitin 2021. Të moshuarit janë të rrezikuar më tepër sesa të rinjtë ndaj sëmundjeve, prandaj ata duhet të kenë kujdes e njohuri në lidhje me problemet e rëndësishme shëndetësore që shfaqen në këtë moshë. Duke i njohur këto probleme dhe duke marrë masa parandaluese, rrjedhimisht ata do të gëzojnë një shëndet më të mirë. Problemet shëndetësore që hasen më shpesh tek të moshuarit janë: 1. Rrëzimet dhe dëmtimet që i pasojnë. 2. Ulja e mprehtësisë së shikimit dhe aftësisë së dëgjimit. 3. Efektet anësore të medikamenteve, ndërveprimi dhe mbidozimi. 4. Aktiviteti fizik dhe tonusi muskulor. 5. Kequshqyerja dhe humbja në peshë.

Efektet e moshimit

Si një nga vendet e fundit në Europë, Shqipëria po fillon të përjetojë efektet e moshimit të popullsisë - procesi sipas të cilit të moshuarit zënë një përqindje proporcionalisht më të madhe të të gjithë popullsisë. Në dy dekadat e fundit, ka ndodhur një transformim demografik i veçantë, ndërsa rritja e përqindjes së personave të moshuar - 65 vjeç e lart - shoqërohet me ulje të përqindjes së fëmijëve dhe të të rinjve. Politikëbërësit duhet të përgatiten që forca e plotë e këtij procesi transformimi të ndihet në dy dekadat e ardhshme dhe të prekë të gjitha sferat e jetës: ekonomike, sociale dhe politike. Asambleja e Dytë Botërore për Moshimin në prill 20021 trajtoi sfidat që paraqet ky proces i moshimit të popullsisë pothuajse për të gjitha vendet e botës. Këto sfida përfshijnë nevojën për të transformuar sistemin ekzistues të pensioneve dhe për të plotësuar kërkesat gjithnjë e në rritje për shërbime shëndetësore dhe shpenzime mjekësore, ndërsa të moshuarit janë më të rrezikuar nga sëmundjet kronike. Në zonën ekonomike, moshimi i popullsisë ka ndikim në zhvillimin ekonomik, kursime, investime, konsum, tregje pune, tatime dhe transferime ndërmjet brezave. Në sferën sociale, ndikon në përbërjen familjare dhe jetesën dhe kërkesat për strehim. Në fushën politike, moshimi i popullsisë mund t’i japë trajtë modeleve të votimit dhe përfaqësimit politik (Organizata e Kombeve të Bashkuara, 2009). Plani i Veprimit që u miratua në Asamblenë Botërore 2002 u fokusua në tre fusha prioritare, që orientojnë politikëbërësit të trajtojnë moshimin e popullsisë dhe mirëqenien e të moshuarve: (a) personat e moshuar dhe zhvillimi; (b) përmirësimi i shëndetit dhe mirëqenies në moshën e vjetër; dhe (c) sigurimi i mjediseve mbështetëse dhe mundësuese (Organizata e Kombeve të Bashkuara, 2002). Plani synon të garantojë që të moshuarit të kuptojnë plotësisht të drejtat e njeriut, të kenë moshimin e sigurt dhe larg varfërisë, të marrin pjesë plotësisht në jetën ekonomike, politike dhe sociale dhe të kenë mundësi për zhvillim në periudhat e tjera të jetës. Gjithashtu fokusohet në eliminimin e dhunës dhe diskriminimit kundër personave më të moshuar, barazinë gjinore, rëndësinë e familjeve, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale për personat më të moshuar. Ky raport prodhohet nga INSTAT në emër të UNFPA si input në diskutime për moshimin e popullsisë në Shqipëri, pasojat e tij dhe nevojat e politikave që lidhen me të. Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011 përbën shtyllën e analizës. Kur është e mundur, rezultatet e censusit të vitit 2011 krahasohen me rezultatet e censuseve të mëparshme për të përcaktuar tendencat e treguesve përkatës. Të dhënat administrative si edhe të dhëna nga anketime të ndryshme plotësuese dhe që japin më shumë detaje për informacionin e censusit. Për tema të ndryshme, informacioni i saktë i përditësuar është i pakët. Kjo ndihet veçanërisht në fushën e shëndetit dhe pjesëmarrjes në shoqëri.

Shqipëria po plaket me shpejtësi

Të moshuarit në Shqipëri, 13% e popullsisë

Shqipëria është një ndër shtetet e fundit në Europë që po përballon efektet e moshimit. Mosha mbi 65 vjeç përben 13% të popullsisë, ndërkohë që rreth 92 mijë persona të kësaj grupmoshe jetojnë të vetmuar. Rreth 50% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike, ndërkohë që 25% nuk kanë mundësi financiare të blejnë ilaçe.Popullsia në Shqipëri po plaket me shpejtësi dhe vendi ka nisur të përjetojë efektet e moshimit. Nëse në vitet ’90 mosha mbi 65 vjeç përbënte rreth 3.5% të popullsisë, sot ka arritur në 13% e saj. Ndërkohë që sipas Rrjetit Shqiptar te Moshimit 1/3 e të moshuarve e konsiderojnë veten të varfër. Mbi 15% nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku dhe rreth 25% nuk përballojnë dot financiarisht blerjen e ilaçeve, megjithëse 50% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike.