| E marte, 27.09.2022, 08:00 PM |
SHTETNDËRTIMI I KOSOVËS DHE FSHIRJA E KUJTESËS HISTORIKE!
(Një
reagim ndaj përpjekjeve që të anashkalohen datat historike që lidhen me
shtetndërtimin e Kosovës, ku ajo e Referendumit për Pavarësi e 26 shtatorit
1991 duhet të shpallet festë zyrtare)
Nga
Jusuf Buxhovi
“Hapi
i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni
librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë
libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se
të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është...”
Këto
fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Murrov, të cilat qëndrojnë si moto e
“Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e
kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e
një populli të gjykuar për t'u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me
gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.
Sigurisht
se metafora e Murrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e
saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të
mos u përsëritet. Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë
përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta)
i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të,
kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi,
lidhet liria e pa përfunduar ose e abuzuat, lidhet edhe demokracia, e mbi të
gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe
historike të shqiptarizmit.
Dhe,
kujtesa historike e shtetit të Kosovës, që si pjesë e Shqipërisë së natyrshme
lidhet me mbretërinë dardane si dhe strukturat e saj të shkapërderdhura nën
kurorën e Bizantit (principatat dhe zhupanitë e shumta),të cilat i rrënoi
pushtimi pesëshekullor osman, prore ushqeu lëvizjet për çlirim dhe liri. Të
tilla ishin ato gjatë pushtimi osman, ku Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit
1878 nxori në skenë nacionalizmin polititik (shqiptarizmin), që u kurorëzua me
qeverinë e përkohshme të Lidhjes Shqiptare (1881), të parin organizim shtetëror
pas shtetit të Skënderbeut, që i parapriu edhe pavarësisë së Shqipërisë në
vitin 1912. Edhe gjatë kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), lufta për
çlirim dhe bashkim kombëtar nuk reshti dot. Në përputhje me rrethanat, veçmas
ato ideologjike, ndryshoi formën por jo edhe përmbajtjen. Kështu, në vitet e
gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta dhe ato të tetëdhjeta të shekullit të kaluar,
koncepti i iredentizmit ideologjik, me kërkesën për Republikën e Kosovës, u
zëvendësua me atë për barazi në federatën jugosllave, me çka barazia kthehet në
një strategji të re për shkëputjen nga pushtimi i Beogradit. Dhe si e tillë, në
rrethanat e rënies së komunizmit dhe fillimit të shpërbërjes së federatës jugosllave,
me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të
nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën
pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale,
përfundimisht u vu në binarët e pandalshëm historik. Kjo lëvizje kombëtare ndër
më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të sukeseshmet e historisë sonë, ka
kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të
infrastrukturës demokratike të domsdoshme për një shtet të pavaur: Deklaratën
për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator
1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët
e Kosovës në rrethanat e një kërcënimi policor dhe ushtarak, që u vinte nga
soldateska e Beogradit, votuan për pavarësi, me ç'rast iu dha drita jeshile
themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e
para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën
krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, i cili mori
përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e
armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura të shkaktuara nga
përçarjet e brendshme nga rrymat e ndryshme ideologjike po edhe koninkturat e
jashtme për "politikën pa luftë dhe luftën pa politikë" me limitet e
së cilës kishte punë, në çastet e domosdoshme, me shfaqjen e UÇK-së, u kthye në
mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e
armatosur ndërkombëtare. Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit
të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Si e
tillë, kjo datë duhet të shpallet festë zyrtare.
Por,
kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më
lart anashkalohen, por edhe “harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e
historisë së njëmendtë brenda e jashtë, qëllimi i të cilëve është të
"dëshmohet" se shteti i Kosovës është një projekt i dështuar politik
që nuk e duan as shqiptarët! Në këtë
sfond gjithëses se 26 shtatorit 1991, dita e Referendumit për Pavarësi, si akt
historik dhe legjitim i vetëvendosje, ndonëse së voni shënohet kalimthi nga
drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit (presidentja dhe kryeministri),
vazhdon të injorohen nga
"historianët" si dhe institutet ( ai i Historisë dhe Albanologjisë),
gjë që me këto veprime shkëpusin qëllimisht
shtetndërtimin e Kosovës nga
proceset historike, që cilat e sollën në gjendjen e tanishme. Me këtë qëndrim
antihistorik dhe antikombëtar, që
ruan
diskurin e diktatit ahtisarian, me të cilën Beogradit në përputhje me
Memorandumin e Çubrilloviqit iu dhanë tapitë e drejtës historike mbi
trashëgiminë mesjetare, shteti i Kosovës, pa krishterimin mesjetar që ishte i
shqiptarëve nga shfaqja e tij në Ilirik dhe Dardani nga shekulli IV, kthehet në
një shtëpi pa themel, e mbi të gjitha në një feud pa kujtesë historike, pa
trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të
lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes otomane dhe hiç tjetër,
ku madje zhvlerësohen edhe konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen me ato
të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qendronte
shqiptarizmi si program politik, që nuk është përmbylllur ende, gjë që si po
sillemi ne me shtetin tonë sikur tumirë akuzat që Beogradi ka ngritur kundër
nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit
1986!
Dhe,
kur Murrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, te
ne, çuditërisht po ndodhë vetë-shkatërrimi i historisë nëpërmes vetë-harresës;
po ndodhë vetë-shkatërrimi i identietit kulturor dhe shpirtëror (duke u
zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizimin brutal të modelit të umës).
Pra,
po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës dhe karakterit të tij sekular
dhe arsimit laik në përputhje me planet e armiqëve të tij shekullor, e me këtë
edhe vetë-shkatërrimi ynë!
Dhe,
nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!...