E shtune, 26.11.2022, 03:16 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Në kët qytet burrat shiten me thasë

E shtune, 24.09.2022, 06:03 PM


NË KËT QYTET BURRAT

SHITEN ME THASË

NGA KALOSH ҪELIKU

Grua natën e mirë

Grua besnike, natën e mirë! Ika

Pasmesnate, më pret një Grua tjetër:

Poezia. Dhe, është xheloze.

Nëntë burra nuk mund ta bëjnë zap

Natën. Vetëm Unë ia jap hakun.

Grua besnike, natën e mirë! Ika

Falemnderit. Që, nuk je xheloze...

Edhe Ti je si lulet

e qershive

Edhe Ti je si lulet e qershive

E shkund Veten. I rrit frutat.

Që, t’i ha pasmesnate. Huazoj

Unë për simbole në poezi. Liri!

Edhe Ti je si lulet e qershive

Shkundesh. Skuqesh para Diellit...

Takimi parë

natën e premierës

E takova për herë të parë në Teatër

Natën e premierës. E qethur keq.

Tullace. Sytë i kishte të kaltërt

Asht e lëkurë. Thashë: E kanë lodhur burrat.

Më tha: E dua, dhe e shkruaj poezinë!

Atë Natëmadhe e përcolla deri në shtëpi

Të nesërmen më solli një fletore me poezi.

Dhe, që atë ditë pesë vjet e përcollëm Natën

Matanë me verë e poezi. Një ditë iku Qyqja

Nga Atdheu. E veshi ferexhen e zezë.

Një vit e dënoi Veten. Një ditë erdhi

Me një gjeth të vedhë në dorë. Dhe,

I kaluam dy net në një shkëmb mbi Liqe.

Edhe njëherë iku. Dy herë. Përgjithmonë.

Thashë: Ta muros nën Rrap. Përpara „Ilirisë„

Gji t’u japë poetëve që nuk ikin nga Atdheu...

Edhe një qiri

për Lejdin Di

Gjatë Netëve të poezizë korçare

E vizitova vendlindjen. Korçën.

Dhe, vendvdekjen. Voskopojën.

Hyra në kishë. I ndeza dy qirinj:

Një për Miken. Një për Cucën Boheme.

Paprtitmas, m’u afrua një poete azgane

E më tha: Me një qiri nuk ndizen o burrë

Më shumë se dy, përpara Shën Mërisë!

Plumb iu përgjigja: Unë jam Poet bohem

Lotët e Shën Mërisë nën Rrap i ngrej dolli.

Harrova të ndez edhe një qiri për Lejdin Di...

Hëna e ka marrë

për burrë

E dëgjoj zërin e Mikes Di

Nuk e di nga vjen. Nga qielli:

Nata. Apo, toka? Varri...

E njoh atë zë. E dëgjoj ditenatë

Edhe, në ëndërr. Vetëm hapat e Mikes

Nuk i dëgjoj. Vargun e saj rrebel.

Siç duket Hëna e ka marrë për burrë...

Është Ajo grua

Nën hije pi verë. E shaloj fantazinë

E kërkoj në telefon celular:

„Personi që kërkoni nuk ka qasje në rrjetë“.

Heq dorë. Në fund të shtamës me verë Ajo

Një javë përpara ia kushtova një poezi.

E ngrej kokën. Rrugës vjen Ajo

E thirr në emër. Ndalet. O Imzot!

I them: Ç’farë profecie!? Nga Ti këtu?!

Qesh. Dhe, ulet me Mua në tavolinë

E pi edhe një shtamë me verë.

Dikur, e përcjell për në rrugë. Iliri...

Gruaja besnike

I dëbova armiqtë rreth Meje. Edhe Miken Di

Vetëm poezinë nuk mund ta përzë. Nuk ikë.

Është grua besnike. Marrëzisht, e do burrin...

Vogëlushja më tha:

të dua pak

Vogëlushja më tha: Të dua pak

Mikja të do shumë. Cuca Boheme.

Nuk e xhelozoj Gruan tënde - verë

E di. Mikja e xhelozon. Edhe mua.

Vështirë e kam të flas për Cucën Boheme

Ende nuk e njoh. Vetëm njëherë jemi takuar

Në „ Grand „. Gjithë kohën më vodhi me sy...

Ndjekje me telefonë celularë

Ai u vonua. Ajo e priste në Tavernë

Kafe galeri, atë ditë „Koha“. Erdhi.

Shumë vonë. Ajo më kishte ikur

E kërkoi si burrat në telefon celular:

„Personi që kërkoni nuk ka qasje në rrjetë“.

Pas dy orëve: - „Alo, Ujku?“ Po, i përgjigjet.

- Ku je? Tri orë po të kërkoj nëpër Qytet

Ec shpejt! Të pres në hotelin „Iliria „!

Niset. E gjen në tavolinën ku rri Ai gjithmonë.

„Bejbi“, i thotë: Sot u binda se jam e çmendur

Gjithë këto burra të bukur nëpër Qytet. E unë:

Të kërkoj Ty me orë. Babasheh je „Bejbi“.

Hajmali të fortë më ke varur për qafe. Që,

Nuk mund ta zgjidhin as njëqind hoxhallarë.

Ai pi një shtamë me verë. Ajo pi një çaj mali

E përfundojnë ndjekjen me telefonë celularë...

Dhe kështu e mashtrojmë

Veten. Njëri - tjetrin

E dinte se, jam në Prishtinë. Tavernë

Gjithë ditën më kishte kërkuar nëpër Qytet.

Në mbrëmje kishte hequr dorë. Ikur.

Vonë e kërkova Unë me telefon celular:

- Ja, sa u ktheva në shtëpi. Jam e lodhur.

Edhe nervoze. Nuk mund të dal sonte

Shihemi nesër! Natën e mirë, o Ujk!

Mirë, i përgjigjem. Dhe, ik në banesën

E një miku në kodër ta përcjell Natën:

Mes bretkosave. Dhe, Dy breshkave

Mes librave. Dhe, shtamave me verë.

Të nesërmen, Ajo e pi një kafe. Unë një verë:

- Ma blej një libër, më thotë! Ia blej edhe dy të tjerë.

Ujk, më thotë. Sot vërtetë bëre pak „sevapë“.

Dhe, kështu e mashtrojmë veten. Njëri - tjetrin

Ajo turret ende pas burrave. E, Unë pas grave...

Liqeni më sulet

me dallgë

Moti qiellin nuk e kam parë natën

Nuk ia kam numruar yjet. Pulën me zogj.

Arushën e Madhe. Kashtën e Kumbarës

Hënën drapër. Dhe, kulaq mbi lisa.

Liqeni më sulet me dallgë

Këmbët të m’i lagë. Miken...

Unë nuk e pyeta asgjë

Më pyeti: Hë, si je Sot?

E nuk më pyeti: A jam i vdekur

Në rrugë. Ose, rrëzë Çukës.

Më pyeti: A, më do ende?

E nuk më pyeti, a jam lindur

Dhe, a e kam mendjen të vdes.

Qesha. Unë nuk e pyeta asgjë...

Vend i bëra Vetes

në Parajsë

Ndonjëherë kërkon diç të të blej si fëmijë

Zakonisht ndonjë libër. Jo, të them shkurt.

Nuk e meriton. E ul kokën, luan me unazë.

Kokulur ndihesh e fajshme tmerrësisht.

Mirë, them. Megjithatë, do të të blej libër.

- Jo, nuk dua. Më përgjigjesh me inatë.

Dhe, shkoj pas librit. Që të pëlqen marrëzisht

Edhe dy të tjerë t’i dhuroj me poezi erotike.

Gëzohesh si fëmijë. Vërtet, më thua e lumtur:

- Sot i ke bërë Vetes një vend në Parajsë...

Më lini të ik

në Liqe

Më lini të ik në Liqe. Shkëmb

Dallgët t’i pres në breg si burrat.

Anijen pa vela në shtrëngatë

Dhe, Hënën e plotë në verandë.

Më lini të ik në Liqe. Dallgë

Pranë një qiriri të fle me Hënën...

Në kët Qytet burrat

shiten me thasë

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua

Në një Qytet ku burra ka me thasë.

E shiten lirë, në “Bit - Pazar”.

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua

Në një Qytet ku burrat shiten me thasë...

Papagallët më mësojnë Mua

si i dilet zot Atdheut

Udhëtoj. Dhe, përditë e pi jetën verë

Përderisa politkanët jetojnë në dhjamë.

Trashin qafat e lidhura me kravata kuqezi

Unë kam vuajtur shumë. I vetmuar

Kam bredhur dhiareve me zemër të uritur.

Politikanët e tredhur. Papagallët

Më mësojnë ç’është demokracia. Liria.

Si shkruhet poezia. I dilet zot Atdheut...

Petullat e Nënës e çonin

të vdekurin nga varri

Në Katund, kur shpesh vinin miq

E thirrnin Nënën t’u bëjë petulla.

Nëna i bënte petullat më të mira

Ose, siç thoshte Babai: Petullat,

E Nënës e çonin të vdekurin nga varri.

Në Katund, më nuk vijnë si dikur miqtë

Nënës, s’ka kush i bënë petulla:

Që, edhe ajo të zgjohet nga varri...

Pula kur këndon

si gjel

Nëna ime kur pula këndonte si gjel

E therte. I fuste thikën në qafë.

Biro! Kënga e saj ndjell kob

Patjetër, duhet t’ia zhdukim furriqet.

Në shtëpinë tonë lajmëtar është gjeli

Mbreti i pulave. E paralajmëron agimin.

E sot, shumë pula e thirrin agimin

Fatkeqësi. Që, Nëna ime nuk është gjallë:

Thikën t’ua vë në qafë. Heshti qyqet...

Nënë emri i Babait

më kushtoi shtrenjtë

Nënë, emri i Babait më kushtoi shtrenjtë

Edhe i imi. Rrugës për në Baba Tomor.

Fisi i kaçakëve nuk blihet në “Bit - Pazar”.

Nënë, emri i babait më kushtoi shtrenjtë

Edhe i imi. Edhe më shtrenjtë i tim biri...

Unë jam Ujk. Dhe,

dua plagë!...

Grua, mirëmëngjes. Erdha

Unë jam Ujk. Dhe, dua plagë!

Edhe Ajo nuk ishte xheloze...

Shkup, 9 qershor 2003

Nga libri: EDHE AJO NUK ISHTE XHELOZE (2004).



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora