E diele, 27.11.2022, 12:28 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Natyra shtron gosti mrekulluese

E premte, 23.09.2022, 07:00 PM


NATYRA SHTRON GOSTI MREKULLUESE

Nga Pëllumb Gorica

Më tepër se qetësinë i dua udhët për të shijuar magjitë e peizazheve atje, tej, të padukshme për shikimin e zakonshëm, më shumë kur iki larg “për të shkundur pluhurin e përditshëm”.

Deri dje nuk më ishte dhënë rasti të udhëtoja në Pukë. Më dukej e largët në harresën e vet.

Një mëngjes të kësaj vjeshte u nisa krejt papritur, a thua se mendimi erdhi në çast për të shkuar atje.

Dielli ndriçonte tej. I gëzohesha rrugës ndër më të bukurat e Shqipërisë, që majtas dhe djathtas përmes gjarpërimit në kodra e lugina “zbulon” në çdo kthesë e në çdo shteg mrekullinë e amfiteatrit të pamatë të maleve, retë murrashe, pemët e mbushura me fruta, përshëndetjet e kalimtarëve, që nuk ngurronin të jepnin buzëqeshje.

Përveç bukurive natyrore të peizazheve kalojnë si në revistë vendbanimet, që përherë arkivojnë në pafundësi copëzat e jetës, të cilat në çaste të caktuara kanë treguar rrugëtimin e tyre. Të përgjumura muranat e kullave të lashta. Në përgjithësi pas viteve '90, Veriun më të thellë shqiptar e kanë braktisur banorët, për një jetë më të mirë (një pjesë nisën rrugën e emigracionit nëpër Botë) duke pushtuar periferitë e qyteteve dhe ngritën katraurën urbane.

Ndesh pamje tërheqëse e herë pas here ndalon t’i sodisësh gjatë dhe t'i fotografosh. Ajri, që dukej i shenjtëruar, i bënte pishat e dendura dhe mjaft të larta të sillnin një freski mjaft të madhe. Është e pabesueshme çfarë të shohin sytë nga Qafë-Çela deri në Pukë. Pisha të thara, nga “proçesionarja” murtaja që ka ngritur mbretërinë e saj shfarosëse edhe këtu (ajo është po aq shkatërrimtare sa flakët e zjarreve).

Pasi kalon Gomsiqen, ku Gjeçovi i madh mblodhi dhe sistematizoi kodifikimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, tej një lloj bregu të lartuar, të shfaqet si një zonjë e rëndë, qyteti i Pukës, në dukje i vogël i mbështjellë nga një peizazh i gjelbërimit të harlisur të pishave. Edhe mendimet më të trishta zhduken nga admirimi i këtyre pamjeve.

Puka është një qytet i rilindur, i vogël, por tejet i pastër deri në befasi, si një ishull paqeje, vetëm dy orë nga kryeqyteti. Një qetësi e pazakontë vihet re. Parkuam makinën dhe preferuam të ecnin në këmbë, duke shijuar qetësinë dhe flladin e këndshëm, edhe duke zbuluar fytyrën e bukur që ka marrë qyteti kohët e fundit.

Vështrimi përshkonte çfarë pasqyrohej në ‘të, teksa shëtisim në qendrën e qytetit, që ishte piktoreske me pamjen dinjitoze të statujave të Gjergj Kastriotit, si të qe një hyjni e mitologjisë, apo si një “çesar romak” dhe më tej e Migjenit, një Hygo shqiptar, me nxënësin e tij varfanjak, “Lulin e vocërr”.

Aty-këtu, dy-tri kafene të vogla, me pak njerëz thuajse të moshës së tretë, të ulur në karriget rreth tavolinave. Në livadhin jetë të tokës shqiptare ata jetojnë këtu mes ëndërrave socialiste, kohë që lindi dhe rriti njeriun e ri, të motivuar nga ideale të larta komuniste, por i la të varfër ekonomokisht dhe shpresës në krah të gëzimeve, hidhërimeve e mundimeve fizike dhe shpirtërore të tyre.

Vëren ngjyrat jo këlthitëse, të ndërtesave (të ndyra me parulla partiake) larg rrëmujës marroke të qyteteve të mbipopulluara shqiptare, që të marrin frymën. Në fakt investimet e Rilindjes kanë ndryshuar pamjen e Pukës, si shumë qytete dhe qytezave të Shqipërisë. Ndërsa shikoja gjithë kënaqësi këtë estetikë funksionale të kësaj arkitekture, më rrotulloheshin mendime të shumta për banorët e Pukës, që dinë të ruajnë e zhvillojnë të bukurën në funksion të jetës së tyre të përditshme, ndryshe nga klasa politike në Tiranë, që kush vjen në pushtet, pra kush ze karrigen e kryetarit të Bashkisë, aq herë e ndryshon arkitekturën e qendrës së tij; njëri e mbush me bar, si një kodër për të ushqyer lopët dhe tjetri e bën kurriz peshku e me shatërvane, që je i detyruar vetëm të ikësh, se nuk ke mundësi të shlodhesh diku.

Në Pukë liqeni i vogël, si një bukuri e parrëfyer, të pushton me emocione. Ai të ngjan si një pellg parajse i rrethuar nga pisha të larta, që i jepnin qytetit një pamje të pangjashëm me ndonjë tjetër në botë. Ecëm përgjatë tij, në rruginën e ndërtuar posaçërisht, për të shijuar bukuritë, që vërtetë të lenë një mbresë të thellë, me ngjyrat e pastra dhe plot hapësira të begatuara e njëkohësisht figura artistike në miniaturë. Vetë gjelbërimi, lulet e mbjella, sistemimi i shkallareve, ujërave, barakave, varkave dhe këndeve që lidhen nga urëza të vogla prej druri dhe parmakët kanë finesë të hollë e mjaft funksionale dhe komode për argëtim.

Puka është një vend i vogël për nga popullsia, por e madhe për nga historia, vendet, objektet arkeologjike, për të cilat kanë folur të huajt qysh nga Straboni. Puka arkeologjinë e ka të stërpasur, me dëshmi që datojnë nga koha e fiseve ilire, pirustët e lashtë, të shquar për përpunimin e metaleve (epoka e bronxit dhe hekurit).

Pak km larg Pukës ndodhet qyteti antik Epicaria, i nënfisit pirust, të Skirtonëve të Lashtë. Strukturat murale të shekullit V para Krishtit që ndeshen në pika dominuese dhe fragmentet e qeramikave dëshmojnë një vendbanim relativisht të madh. Këtu kryqëzoheshin rrugë që nga koha e romakëve për të lidhur bregdetin me trevat veriore e lindore. Në hartat e vjetra romake përmendet rruga e Lashtë Ilire, e ngjajshme me rrugën Egnatia që quhej Scobres dhe vinte nga (Lisi) Lezha e Shkodra dhe kalonte në krahun e djathtë të rrjedhës së Drinit.

Në trojet e Pukës shtrihej kultura e Komanit, që ishte një vendbanim i ndërtuar prej guri, i prodhimit dhe tregtimit të metaleve, me shumë kisha dhe kulturën e varrimit, me rroba e stoli, të gjitha qysh në Mesjetën e hershme, të cilat tregojnë qartë për një zhvillim ekonomik tejet të përparuar.

Në afërsi të malit të Krrabit janë gërmadhat e Kishës së Jeremisë, një vend kulti i lashtë, ku shkonte për meshë dhe Lekë Dukagjini me një pjesë të ushtrisë së tij.

Burra trima e me emër kanë lindur në Pukë, që ishte zemra e Principatës së Dukagjinit. Ka toponime në Kulumri, me mbetje të kalasë së Dukagjinëve. Në Flet të Pukës është themeli nga ku ngrihen e forcohen Dukagjinasit. Në Lisin e Lekës (Dukagjinit) dhe në Berishë të Pukës mbaheshin mbledhjet e maleve deri në qindra mijëra vetë. Te Guri i Gjollisë, në Iballë, gjendet një tjetër mbetje e fortifikimeve të Dukagjinëve.

Është kjo arsyeja që qysh më fillimin e shekullit XX Puka ka tërhequr vemendjen e të huajve (historianë, gjeografë, albanologë, etnografë e gjeologë).

Puka njihet për pasuritë e jashtëzakonshme nëntokësore të mineralit të bakrit dhe elementëve të tjerë, që tregjet e kohës, por edhe sot e bëjnë ndërkaq shumë të vlefshëm. Kur u ndërtuan rrugët për mbërritjen në brendësi të pyjeve filloi edhe shfrytëzimi i tyre, duke zbatuar në përgjithësi regullat teknike. Aq sa qetësia shekullore e pishave dhe aheve u zgjua nga zhurma e makinave, motosharrave dhe gadrave.

Në trojet e Pukës janë ndërtuar dy hidrocentrale gjigante të Shqipërisë, ai i Fierzes dhe Komanit dhe dhjetra të tjerë të vegjël.

Puka ka perlë edhe etnografinë, por fatkeqësisht, të pazbuluar mirë e ndërthurur nga shumë kultura të hershme, kësisoj ka se çfarë t’u tregojë brezave, madje të mburret me zakonet dhe veshjet, që janë nga të pakta të cilat i kanë rezistuar “modernizimit”të jetës sot. Në trojet e Pukës ndeshim simbolet e veshjeve: kapuçin, jelekun, xhubletën, paranicën, pështjellakun, vathët, unazat e varset, që përbëjnë një thesar kulturor mbi kultet më të hershme të njerëzimit. Nuk di pse ndjej dhimbje që shumë shpejt nuk do shohim edhe gra me veshje të tilla.

Dikur Pukës nderin dhe namin ia shtonte Artisti i Popullit, Ndue Shyti dhe Ansambli Folklorik “Puka”. Ndue Shyti erdhi si një meteor nga malet e Gjegjanit, për t’u bërë shumë shpejt mjeshtër i tingullit të rrallë e të pa përsëritshëm të çiftelisë. Fjala Mjeshtër është më e pakta për ‘të. Ndoshta një lloj magjie që duhen dekada të lindë një virtuoz si Ndye Shyti. Ajo që shënon të veçantën e jetës së tij, nga njëra anë, është se njerëz si Ndue Shyti krijuan vlera të vërteta artistike dhe kujtesa mbetet gjithmonë e freskët.

Mes këtyre viseve si të falura me hatër, nga Zoti, një drekë në Hanin e njohur të Pukës (Hani i Përparim Laçit), thënë ndryshe shtëpia turistike më interesante e Veriut, na sjell ndërmend hanet e hershme nëpër kryqëzime rrugësh të Mesjetës Shqiptare.

Të gjitha mjediset e Hanit, falë edhe zellit të Përparimit dhe dëshirës së tij të natyrshme për rregull e pastërti, krijonin një pamje tepër tërheqëse dhe ngrohtësi të këndshme. Kur e bukura shoqërohet nga arti dhe kur arti zbukuron punën, kjo është një simbiozë që më goditi me miqtë e mi sa shkela aty, kur edhe treni që vezullonte nga ngjyra e kuqe (nën rrezet e diellit) para bujtinës ndodhej si i ndaluar në stacionin e Pukës.

Bujtina “Hani i Laçit” dukej aq bukur si një ndërtim antikiteti, me një formë moderne. Asnjë zbukurim dehës, apo i tepruar, por elegant, të një një dekori miqësor që, kur e sodit së brendëshme është marramendës nga objektet arkeologjike dhe etnografike, të mbledhura me përkushtim: gurë të lashtë, libra e fotografi të vjetra, bizhuteri, qeramikë, punime druri, veshje të vjetra për burra dhe gra, zile, kumbora bagëtish dhe ornamente të kohës dhe traditës.

Bujtina na dhuroi kënaqësi jo vetëm nga servirja e shërbimit për të na krijuar një atmosferë gazmore, por edhe me shijen e ushqimeve të përgatitura në mënyrën më profesionale të traditës. Shijuam një drekë të këndëshme, që zgjati shumë më tepër se drekat e zakonshme.

Kënaqësia më e thellë, biseda me Përparimin. Shpirti human i tij, të bëjnë të vlerësosh atë i cili vazhdon të jetë kërkues e këmbëngulës për të sjellë gjithnjë mënyra të reja të turizmit malor, në përshtatje me klimën e Maleve të Epërme, si njeri pasionant dhe i lidhur me energjinë fizike. Nuk mund të mendohet turizmi i maleve pa sportin e skive, ndaj ai ka vënë për udhë një nga pistat më të mëdha të skive në Shqipëri, duke e “kompozuar” si një kampus sportiv modern, ku mund të zhvillohen sportet e dimrit, deri dhe ato extreme (edhe poligon qitje me disa lloje armësh sportive).

Me sytë mbërthyer te maja e malit të Tërbunit, teksa dilnim nga qyteti i Pukës mes ndërtesave të tij të lëbyrta nga dielli, ne ngjitëm një rrugë malore që gjarpëron drejt Fushë-Arrëzit. Ishte aksi që lidhte Pukën me Tropojën, Kukësin dhe Hasin, nëpër të cilën kanë kaluar me qindra e mijëra makineri të rënda të cilat ndërtuan hidocentralin e Fierzës. Po aq e bukur është në dimër, veçanërisht kur ka borë.

Në Tërbun ka forma e peizazhe nga më të ndryshmet duke filluar që në rrëzë të tij me luginat e përrenjve, shpatet e mbushura me lloje të ndryshme bimësie, ku mund të shohësh gryka e qafa, kodra e maja të larta që ngjajnë si të huazuara nga realitete jashtëtokësore.

Fryn pak erë. Dielli herë shfaqet e herë fshihet mes reve. Pishat lëkunden lehtë si valë në një breg deti. Ndaluam dhe pimë ujë të ftohtë në një çezmë të ndërtuar në kohën e luftës së Kosovës. Një shqiponjë dhe shkrimi nga një dorë e ngeshme, “Kosova e pavarur ‘’zbukuronte ballinën e tij.

Makina gulçonte nëpër këtë rrugë të ngushtë dhe me kthesa pa mbarim, nëpër kodërza, drurë, gurë kilometrikë, lapidarë të ciflosur, të të rënëve të LANÇ dhe punës për ndërtimin e socializmit dhe frymën e lëvizjeve revolucionare të kohës. Dikur në këtë rrugë qarkullonin “zisat” e famshëm të Parkut të Laçit, të Shkodrës, Durrësit, apo të Tiranës dhe Elbasanit, që transportonin trupa edhe mineral kromi e bakri në Vaun e Dejës. Rrugë e ngushtë edhe për veturat, por mendoni pak, këtu kanë kaluar autobusë e makina me rimorkio në akull e ngrica dhe ka patur aksidente. Sikur të gjenim nëpër këtë rrugë e cila ka humbur lëvizjen prej Rrugës së Kombit ata njerëz, atë pafajësi dhe optimizëm, që i dha një zhvillim jo vetëm kësaj treve.

Në Munellë sheh masakrën që i është bërë malit, dorën e përbindëshit njeri, i cili i sharroi pa mëshirë dhe shkretoi mrekullinë e pyllit, aq sa sikur në ‘të kishte kaluar një berber i çmendur.

-U dogj dy herë brenda një dhjetë vjeçari, -thotë miku im pukjan Tonini, -tani nuk ka ku të ulet as zogu. Ashtu u veprua me minierat, të cilat u mbyllën, sa edhe ndonjë që ka mbetur shfrytëzohet si në Mesjetë.

Një ndalesë në Fushë-Arrëz, në këtë qytet të vogël malor, të rrethuar nga lartësitë e thepisura si mure mbrojtëse dhe nga pyjet e dëndura. Ajo që të bie menjëherë në sy është zbraztësia e tij (dikur gumëzhinte nga mijëra punëtorë). Ka pak fare lëvizje në ‘të, sa të merr malli të shohësh një makinë dhe banorë të mpakur, sikur mbajnë mbi shpatullat peshën e qytetit të boshatisur. Dhe ndërsa i shihja duke kujtuar kohë të tjera, nxjorra aparatin fotografik dhe shkrepa foto të kullave të kishës (dy kullat e larta të kishës janë gjëja më e bukur që ka qyteti).

Përskaj Fushë-Arrëzit rrjedh Fani, me shushurimë të mbytur, që të ngjall ndjenjën e qetësisë.  Ngrehinat gjigante të Kombinatit të Drurit që kishte 3500 punëtorë dhe magazinat e minierave, me mure tullash e blloqe betoni të mbuluara me eternite të kohës së socializmit, pjesë e rëndësishme e historisë së zhvillimit, shfaqin ca parrulla të vjetëruara, me gjithëfarësoj frazash komuniste që karakterizonte atëherë shoqërinë e kohës  sonë Socialiste të dehur me demagogji, si: “Ç'thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia”, “T’u përvishemi maleve e t’i bëjmë pjellore si fushat” dhe maksimave si “I pari për të sakrifikuar, i fundit për të pretenduar”, “Në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën” e të tjera fjalëboshe që ngopnin stomakun e një populli.

Fushë-Arrëzi ishte vend persekutimi për dhjetra mjekë, mësues, inxhinierë të minierave dhe të pyjeve, veterinerë, ushtarakë, agronomë e të çdo lloj profesioni tjetër të sapo dalë nga bankat e shkollës, sipas zhargonit të kohës: “Aty ku ka nevojë Atdheu”, midis ëndrrave e zhgënjimeve, mes vështirësive edhe nën vëzhgimin e përditshëm nga rreziku i burgosjes. Horizonti kulturor ishte mbytës, ashtu si mënyra e jetesës, kushtet ekonomike të rënda, që vuanin edhe izolimin e tejskajshëm në periudhën e dimrit, por ata u shquan si misionarë të dritës së diturisë, të zhvillimit dhe revolucionarizimit të jetës. Në pafundësinë e ngjarjeve e përjetimeve janë edhe gjurmët e shumë artistëve, shkrimtarëve, muzikantëve e njerëzve tejet të emancipuar për kohën. Kujtojmë Françesk Radin e ngujuar, nga rrethanat absurde të kohës.

Në Fushë-Arrëz shpirti liridashës e patriotik ka qënë kultivuar prej shekujsh. Ndaluam te memoriali ku ishin gdhëndur emra, që për shumëkush janë një renditje e njerëzve që bënë histori, me ngjarjen e rëndësishme historike, të qeverisë së përkohëshme shqiptare të Kimzës së Mirditës në vitin 1911.

Hodhëm vështrimin nga qielli që kishte filluar të përflakej. Shushurima e Fanit na shoqëroi një copë herë të mirë. Në qiell, tek-tuk zogj të vonuar nxitojnë s’dihet se për ku, kurse heshtja e paqtë, si një armëpushim i vjetër shpirtërash, shtrihej deri tutje sa të ha syri.

Udhëtimi në Pukën malore mbart në vetvete ndjenja, emocione, të papritura dhe shijimet e mjaltosura të bukurive natyrore.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora