E enjte, 18.04.2024, 06:48 PM (GMT+1)

Mendime

Lëvizja e Legalitetit: Deklaratë për mediat

E enjte, 25.12.2008, 05:16 PM


Tiranë, më 24 dhjetor 2008

Deklaratë për mediat

Sot është 24 dhjetor, datë e shënuar në historinë e Shqipërisë dhe Legalitetit, sepse më 24 dhjetor të vitit 1924, plot 84 vjet më parë,  ju dha fund paligjshmërisë, depërtimit dhe instalimit të ideologjisë komuniste, mungesës së qeverisjes, mungesës së stabilitetit dhe turbullirave të tjera që u shkaktuan nga Grushti i shtetit i Qershorit 1924 dhe filloi  një etape e re në historinë e shtetit shqiptar, i cili nën drejtimin e Ahmet Zogut, nisi rrugën e emancipimit shoqëror, zhvillimit ekonomik dhe orientimit drejt qytetërimit perëndimor.

Në vigjilje të kësaj date Partia "Lëvizja e Legalitetit" zhvilloi mbledhjen e saj të Këshillit Kombëtar  e cila rikonfirmoi edhe një herë angazhimin tonë në rrugën e traditës më të mirë dhe vazhdueshmërisë në të njëjtat parime të ligjshmërisë, respektimit dhe zhvillimit të vlerave kombëtare, orientimit Euro-Atlantik, shtet-formimit dhe qeverisjes efikase.

Me një përbërje cilësore dhe pjekuri politike më të mirë se asnjë herë tjetër, Këshilli Kombëtar i PLL analizoi në mënyrë të plotë situatën politike në vend, bëri vlerësimet përkatëse dhe  caktoi detyra konkrete për të ardhmen. Tani aktiviteti politik i PLL ka kaluar në një stad të ri, stadin e përgatitjeve intensive për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke e konsideruar si të suksesshme qeverisjen e vendit nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe si shumë të mira marrëdhëniet e bashkëpunimit të Partisë "Lëvizja e Legalitetit" me Partinë Demokratike, Këshilli Kombëtar u shpreh për nevojën e një vazhdueshmërie të përbashkët në realizimin e programit qeverisës dhe fitoren e një mandati të ri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" përshëndet miratimin e ligjit "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve", ndonëse sipas pikëpamjes tonë ai është i butë dhe i vonuar.

Për t'ju përshtatur sa më mirë aktivitetit politiko-organizativ të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe veçorive që imponon sistemi elektoral dhe kodi i ri zgjedhor, Këshilli Kombëtar i PLL vendosi të zgjerojë me tre Sekretarë të rinj Sekretariatin e PLL, përkatësisht me zotërinjtë Besnik Murati, Enis Dizdari dhe Gazmend Lita.

Sekretariati i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" tashmë përbëhet si më poshtë:

Artan Tujani, sekretar i përgjithshëm
Sulejman Gjana, sekretar politik
Besnik Murati, sekretar organizativ
Neritan Kolgjini, sekretar i marrëdhënieve me publikun
Enis Dizdari, sekretar për çështjet e pushtetin vendor
Gazmend Lita, sekretar për marrëdhëniet me jashtë

Gjithashtu në Këshillin Kombëtar u caktuan 12 përfaqësues të lartë të partisë, nga një për çdo qark, të cilët do të drejtojnë organizimin dhe gjithë përgatitjet për fushatën dhe procesin e ardhshëm zgjedhor në nivel qarku.

--
Partia "Lëvizja e Legalitetit"
Bulevardi "Zog I", Tiranë.
legaliteti@gmail.com
Tel&Fax: +355 4 2230076

------

Fjalim në mbledhjen  e Këshillit Kombëtar të PLL me 21/12/08

I nderuar Z. Nebi Ganellari, Kryetar i Këshillit Kombëtar,
I nderuar Z. Ekrem Spahiu, Kryetar i PLL,
I nderuar Z. Ali Ohri, Kryetar i Senatit të partisë,
Të dashtun bashkidealistë,
Zonja dhe Zotni,

Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar të partisë sonë është pa dyshim një mbledhje e rëndësishme për vet faktin se fushata për zgjedhjet e përgjithshme po afrohet me hapa të mëdha por edhe për arsye se kjo mbledhje përkon me një ngjarje të rëndësishme të historisë sonë që fatkeqësisht është lënë pas dore nga shumica e historianëve dhe studiuesve shqiptar të mjerë dhe amnezik të cilët vazhdojnë të shërbejnë verbërisht interesat dhe tezat që deformojnë historinë tonë për arsye ideologjike dhe partizane.

Ngjarja në fjalë është, siç e dini, ajo e 24 dhjetorit 1924, e njohur më mirë si Triumfi i Legalitetit, kur u kthye në vend pushteti legjitim i dalë nga zgjedhjet e vitit 1923 dhe që ishin kontestue nga pararojet e ideologjisë komuniste në vendin tone të cilët organizuan një grusht-shteti në qershor 1924 duke i hapë rrugë një periudhe 6 mujore qeverisjeje pa parlament dhe pa legjitimitet.  Triumfi i Legalitetit shënoi pikërisht rikthimin e ligjshmërisë dhe legjitimitetit të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv dhe i dha jetë dhe frymëzoi periudhën më të lavdishme të historisë sonë bashkëkohore me krijimin e një shteti shqiptar modern dhe me një vizion të qartë për zhvillim afatgjatë mbi bazën e interesit kombëtar të popullit dhe shtetit shqiptar.

Triumfi I Legalitetit shënon për ne Legalistët edhe një moment të veçantë për arsye se, më 24 dhjetor 1924, lindën ideologjia dhe parimet e shëndoshta që çuan në krijimin e partisë sonë dhe mbi të cilat bazohemi edhe sot e kësaj dite me besnikërinë më të madhe.

Kjo ideologji dhe këto parime tëjet kombëtare dhe atdhetare kanë bërë të mundshme që Legaliteti të mbijetojë përballë çdo stuhie dhe përpjekjeje për të na zhdukur qoftë me pushtatime, burgime dhe internime, qoftë me manovra politike, të brendshme dhe të jashtme, në momente të caktuar.  Kjo mbijetesë e Legalitetit nuk është bërë pa mundim e sakrifica dhe ju jeni dëshmitarët e drejt për drejt të vështirësive që na janë krijue vazhdimisht.
Por për fat të mirë, angazhimi jonë dhe vendosmëria jonë kanë bërë të mundur që Legalitetit të jet prezent në jetën politike vendore dhe qëndrore nëpermjet kryetarëve të bashkive dhe komunave, kryetarëve dhe anëtarëve të këshillave bashkiak dhe komunal, funksionarëve të lartë shtetëror në rang zëvendës-ministri, drejtor dhe nënpunës shtetëror të shumtë që numeron sot partia jonë.

Këto arritje nuk do të ishin bërë kurrnjëherë të mundshme pa përpjekjet e panumërta dhe të pakursyera të shumicës dërrmuese të drejtuesve të PLL në të gjitha nivelet, të cilët operuan në kushte shumë të vështira, mbi baza vullnetare dhe pa financa, dhe shfrytëzoj rastin këtu të përshendes gjithë aktorët, dhe veçanërisht anëtarët e KK, që mbrojtën me dinjitet dhe zgjuarsi politike interesat e partisë tone dhe që përfaqësojnë PLL si në strukturat organizative të PLL si në nivelet e ndryshme të pushtetit.

Duke ndjekur shembullin tuaj, unë do t’ju kërkoj të gjitha degëve të PLL në diasporë që, brenda mundësive, të angazhohen më konkretisht në jetën politike të partisë tonë duke dhanë kontributin e tyre me prezencën e tyre në Shqipni dhe jam i lumtun t’ju them se unë jam vendosë në Shqipni që prej muajt gusht për t’i dhanë kontributin tim partisë dhe jam i bindur se shumë anëtarë tjerë do të vijnë për të mbështetë partinë tonë dhe kandidatët tonë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 sepse këto zgjedhje përbejnë një sfidë të rëndësishme dhe na kërkohet një angazhim maksimal për të dalë nga këto zgjedhje me një përfaqësim parlamentar që do t’i hapë rrugë realizimit të misionit tonë dhe të idealeve tona duke qenë pjesë e pushtetit ekzekutiv në raport me numrin e votave që do të gëzojmë.

Siç e dini, sistemi i ri elektoral dhe kodi i ri zgjedhor, që pritet të miratohet nga Parlamenti, janë realisht të rrezikshëm jo vetëm për shumicën e partive politike por edhe për shëndetin e demokracisë sonë nëse merret parasysh specificiteti i shoqërisë tonë, strukturimi e organizimi i popullit sipas përkatësive ideologjike, politike, shoqërore, gjeografike, fetare dhe kombëtare.  Ndonëse PLL nuk ka marrë pjesë në hartimin e këtij kodi të ri, ne gjendemi para faktit kryer dhe para një realiteti ku duhet të dijmë të veprojmë me kujdes në interesin e përgjithshëm të partisë tonë dhe të pikave tona programore.  Unë mendoj se PLL duhet të ndjekë me sinqeritet dhe besnikëri rrugën e aleancës me partnerët e qendrës-djathtë dhe të së djathtës pasi qëllimi ynë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jet, përveç një përfaqësimi parlamentar të PLL, edhe fitorja e forcave të djathta përballë partive të majta që përfaqësojnë trashëgiminë politike të diktaturës komuniste.

Për këto qëllime, siç e theksova më parë, angazhimi i të gjithë legalistëve dhe nacionalistëve në fushatën zgjedhore do të jetë vendimtar dhe kam bindjen se përkushtimi dhe kontributi ynë i perbashkët nuk do të mungojë.

Për të qenë më konkret, mendoj se duhet shtri dhe përforcue bashkëpunimi i strukturave tona në nivel qarku duke pasë parasysh harmonizimin e veprimtarisë dhe zbatimin e një plan-pune që do të zgjerojë numrin e anëtarëve the simpatizantëve the PLL.  Në fakt, pavarësisht votave të siguruara nga PLL në zgjedhjet vendore, mendoj se takimet e strukturuara me bazën dhe elektoratin janë të domosdoshme për t’i bërë të njohur me PLL, programin tonë, specifikën tonë, qëllimet tona dhe kandidatët tonë.

Në këtë kuadër, mendoj se përfaqësuesit tonë duhet të kenë parasysh se, në të gjitha njësitë vendore të qarqeve përkatës, PLL duhet të organizojë takime në nivele të ndryshme me të paktën ku do të hartohet plan-veprimi i partisë tone për të deportuar strukturat dhe kandidatët tonë sa më thellë dhe më gjërësisht tek zgjedhësit.

Ndërtimi i një pune të tillë nuk do të jet i lehtë pasi e dijmë fort mirë se duhet vepruar në situata plotësisht jo-favorizuese dhe në kushte aspak të barabarta me partitë e tjera.

Por kemi edhe disa avantazhe që nuk duhen neglizhuar dhe që do të jenë vendimtarë : së pari, janë strukturat tona që mbështeten plotësisht mbi shpatullat e njerëzve më të përkushtuar dhe të vendosur në idealin dhe parimet tona.  Së dyti, kemi përfaqësuesët tonë në nivelet e pushtetit lokal që do të jenë një ndihmë e madhe për të siguruar të pakten numrin e votave të zgjedhjeve lokale.  Pastaj kemi strukturat drejtuese të partisë në qendër që do të jenë prezente në forma të ndryshme dhe do të japin kontributin e tyre pa ndërprerje në të gjitha qarqet për të mobilizuar elektoratin rreth platformes politike të PLL.

Kemi gjithashtu, dhe kjo është ndoshta më e rëndësishmja, specifikën tonë, identitetin tonë që na dallon nga partitë e tjera dhe që përbën pa dyshim thelbin e motivacionit tonë, të përkushtimit tonë, angazhimit tonë, të përpjekjeve tona se jemi të bindur se programi ynë i shërben interesave të Kombit dhe vendit tonë dhe se prezenca jonë në Parlamentin e ardhshëm do t’i shërbejë këtyre interesave.

Po mos t’ishte ashtu, vet ekzistenca jonë si parti dhe ideologji do të ishte në pikëpyetje.  Identiteti dhe specifika jonë mund të ilustrohen në shumë drejtime dhe vlen të përmenden vetëm disa për të qenë të bindur se përpjekjet tona janë të drejta dhe me vlerë.

Së pari, çështja kombëtare : a nuk mendoni se prezenca e PLL në parlamentin shqiptar do të kishte efektet e saja në favor të Kosovës dhe zgjerimit të njohjes së saj?  Unë mendoj se po!  Nuk them se qeveria shqiptare nuk ka bërë gjë, por me ne do të kishte bërë më shumë në këtë drejtim.  Është, për shembull, e rëndësishme që në kuadër të bashkëpunimit rajonal që mbetet një kriter për anëtarësim në BE, Shqipëria të vëri si parakusht për çdo bisedë që Serbia të njohë zyrtarisht gjenocidin dhe pastrimin etnik që ushtroi ndaj shqiptarëve në Kosovë, të paguaje një dëmshpërblim për krimet dhe dëmet e luftës, të lirojë të gjithë të burgosurit shqiptar që dergjen akoma në burgjet e serbisë dhe të kthejë kufomat e mijërave shqiptarë që janë varrosur në Serbi dhe për të cilët familjarët e tyre nuk dinë as se ku e kanë varrin.  Pa dyshim se prezenca e PLL në Parlamentin Shqiptar do të ndihmojë qeverinë shqiptare që të mbaj një orientim të tillë.

Po ashtu, a mendoni se qarqet shoviniste greke do të kishin pasë kaq shumë lehtësi për të zhvilluar aktivitetin e tyre antikushtetues në Shqipëri nëse Legaliteti do të ishte i përfaqësuar në Parlament?  Unë kam bindjen se jo!  PLL nuk do të kishte lejuar asnjëherë sfida dhe provokime të tilla dhe do të kishte përdorë të gjitha mekanizmat ligjor, vendor dhe nderkombëtar, për të eliminuar rrëziqet potenciale ose reale në dëm të integritetit dhe unitetit tokësor të shtetit shqiptar.  Një politikë në mbrojtje të interesave kombëtare nuk mund të kundërshtohet nga askush dhe sigurisht jo nga partnerët tonë ndërkombëtar të cilët e kanë bazue ekzistencën e tyre mbi këtë parim.

Kjo lloj politike nuk duhet të friksojë askënd përveç ata të cilët janë të kompromentuar me Greqinë.  Pikërisht, në këtë drejtim, për të siguruar një fqinjësi të mirë, ne nuk do të kishim lejuar asnjë lëshim ndaj Greqisë pa u abroguar ligji famëkeq i luftës nga Parlamenti Grek, pa u garantuar kthimi i të gjitha të drejtave Çamëve autokton në tokat e tyre dhe pa u paisë të gjithë emigrantët ekonomik shqiptar me dokumenta dhe leje qëndrimi të rregullta.

Duhet të jemi realist dhe pragmatist : koncesionet që i janë bërë Greqisë deri sot nuk kanë shërbyer për ratifikimin e MSA dhe të ftesës për NATO nga ai vend.  Unë kam bindjen se ratifikimi nga Greqia i këtyre dokumenteve të rëndësishëm do të bëhet në momentin e përshtatshëm jo për shak të lëshimeve që po i bën Shqipëria pa asnjë reciprocitet por për shkak të presioneve që do t’i bëhen Greqisë nga aleatet tonë strategjik që janë të interesuar në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe më vonë në BE.  Prandaj, prezenca jonë në Parlamentin Shqiptar me specifiken tonë është i nevojshëm për të dhënë kontributin tonë në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë.

I njëjti pozicion vlen për marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Maqedoninë e Malin e Zi.  Interesi i popullit dhe Kombit shqiptar duhet të udhëheq çdo marrëdhënie me këto vende dhe jam i bindur se prezenca jonë në parlamentin shqiptar do të bëjë që ky parim të jet i panegociueshëm.

Lidhur me ish-të përndjekurit politik, PLL ka specifiken e vet thelbësore pasi, përveç dëmshpërblimeve sporadike, ne kërkojmë që kjo stresë të reabilitohet plotësisht dhe që ky riabilitim të kalojë nëpërmjet dënimit të sistemit komunist, të të gjithë ideatorëve të atij sistemi, të gjallë apo të vdekur, të autorëve të luftës civile gjatë Luftës Dytë Botnore që vranë dhe persekutuan mijëra patriot nacionalist, të aparaçikëve gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të të gjithë atyre që ushtruan dhunë fizike ose psikologjike në popull.

Natyrisht, neve nuk na intereson fati i ish-pushtetarëve që dënohëshin sa herë që bëhëshin ndryshime në linjen e Partisë Punës pasi ato kishin qenë, më parë, pjesë e atij sistemi anti-shqiptar dhe vëllavrasës.  Pra, për ne, reabilitimi i shtresës së ish-të përndjekurve duhet të bëhet në disa drejtime dhe nuk mund të ndahet nga dënimi i sistemit komunist dhe i pasojave të këtij sistemi.  Unë personalisht, jamë i mendimit se partia jonë duhet të kërkojë edhe sekuestrimin e pasurive të ish-aparaçikëve dhe familjarëve të tyre në rastet kur mund të vërtetohet se këto pasuri janë siguruar falë lidhjeve të tyre me pushtetin komunist.

Çeshtja e pronës dhe e pronarëve të ligjshëm mbetet një çështje shumë e ndjeshme për partinë tonë.  Padyshim se, për ne, prona duhet t’i shkojë pronarit të ligjshëm por duke marrë parasysh lëmshin e krijuar nga Ligji 7501 dhe zvarritja e zgjidhjes së drejtë të kësaj çështjeje, shteti shqiptar duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shpërblejë të gjithë pronarët e ligjshëm në bazë të vlerës aktuale të tokës dhe të sekuestrojë pronat e marra në pronësi padrejtësisht dhe që ngelen të pashfrytëzuara, dhe t’ua kthej të pakten këto prona pronarëve të ligjshëm.

PLL ka specifiken e saj edhe në trajtimin e emigracionit shqiptar, qoftë ai politik i para viteve 90, qoftë ai ekonomik që pasoi ndryshimet në vend, pasi ky emigracion përbën një burim influence të lakmueshëm, përveç burimit financiar, në vendet ku jetojnë shqiptarët dhe se duhet hartuar politika për t’i mobilizuar, unifikuar dhe integruar shqiptarët jo në bazë të interesave partiake por në bazë të interesit kombëtar.  Duhet, gjithashtu, reabilituar dhe rikthyer të drejtat e plota gjithë emigrantëve politik që u larguan nga vendi gjatë diktaturës komuniste.

Po ashtu, ne kemi vizionin dhe programin tonë specifik në lidhje me të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve, në lidhe me ekonominë dhe përzgjedhjen e partnerëve tonë ekonomik dhe të sektorëve strategjik për zhvillim që meritojnë një kujdes të veçantë nga ana e shtetit ; në lidhje me çështjet sociale dhe shtresat në nevojë që meritojnë një solidaritet nga ana e shtetit dhe shtresat me të mëkëmbura ; në lidhje me sistemin edukativ ku duhet t’i jepet prioritet frymëzimit patriotik dhe kombëtar i brezave të rinjë dhe ku duhet vendos orare të caktuara për mësim-besim ; etj…

Natyrisht, specifika jonë më e dukshme bazohet në ndryshimin e sistemit dhe në rivendosjen e Mbretnisë dhe kjo pikë përbën pa dyshim krenarinë tonë më të madhe pasi ne kërkojmë një të drejtë dhe një system që do t’i shërbej popullit, kombit dhe vendit tonë.

Jam i bindur se edhe partitë aleate e mirëpresin bashkëpunimin me PLL në Parlamentin e ardhshëm pasi me ne do të kenë mundësinë me i dhënë një orientim më kombëtar politikës së shtetit shqiptar dhe vizioneve për zhvillimin e ardhshëm të vendit.

Por, ne duhet t’ia bëjmë të ditur popullit dhe zgjedhësve specifikat tona dhe arsyet për të cilat duhet të na e besojnë, ne, votën e tyre.  Për këtë, kontributi dhe angazhimi jonë i përbashkët duhet të jet edhe një herë maksimal kështu që t’a kthejmë ëndërren e humbur të Shqiptarëve në realitet, t’i japim Shqipnisë tonë dhe popullit saj dinjitetin dhe krenarinë që u takojnë dhe të bëjmë, me prezencën tone në Parlament, që Shqipnia të mos ngelet përjetësisht një vend në tranzicion por të bëhet një aktor i rëndësishëm rajonal duke u bazue në vlerat tona kombëtare!

Ju falemnderit,

Sulejman Gjana
Sekretar për marrëdhëniet me jashtë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora