| E enjte, 22.09.2022, 07:27 PM |
Ballkoni
i klubit të opingarëve në Gjirokastër
Idetë social liberale
në Gjirokastrën e viteve 1920-1924
Nga
Dorian Koçi
Gazeta
“Drita” e Gjirokastrës e drejtuar nga patrioti Veli Hashorva do të dilte në
mbrojtje të Avni Rustemit kur ky i fundit po gjykohej në Paris për vrasjen e
Esat pashë Toptanit.Gjirokastra protestoi në mbrojtje të Avni Rustemit. Më 29
nëntor 1920 në qytet u zhvillua një miting i madh, pas të cilit iu dërgua një
mocion gjykatës së Parisit: ”I lutemi zhurisë së lartë të kombit francez,
fisnik e liberal, të nxjerrë të pafajshëm Avni Rustemin, ekzekutorin e fajtorit
me tradhti të lartë Esat Toptanin dhe të marrë në konsideratë se Avniu veproi
kështu për të shpëtuar Atdheun”. Protestat ishin nga mbarë vendi, madje edhe
nga vende e miq nga gjithë bota, nën presionin e të cilëve Avniu u lirua. Pa
kaluar asnjë muaj, pikërisht më 25 Dhjetor 1920, në orën 7 të mëngjesit ai del
në limanin e Vlorës. U prit nga një shumicë e madhe njerëzish. Në Bashkinë e
Vlorës, Avniu mbajti një fjalim dhe priti urime nga populli. Gazeta “Drita” e
Gjirokastrës i uron mirëseardhjen në Atdhe, duke shkruar: “Merrni pra urimet e
popullit, bekimet e të vdekurve, uratat e prindërve dhe përhirimet e miqve.
Mirse na erdhe Avni Rustemi!”.
Vitet
20’ janë dhe fillimet e demokracisë parlamentare në Shqiptare. Grupet politike
dhe partitë që do të rreshtohen në parlament, shpeshherë do të kenë ngjyra
lokaliste, krahinore por ndonjëherë do të ndikohen dhe nga shoqatat e grupimet
që i kanë votuar. Veli Hashorva është një nga organizatorët e Shoqërisë
“Drita”(1921-1924). Shoqëria “ Drita” ishte klub demokratik, arsimor, kulturor
e politik që ushtroi veprimtarinë e vet në Gjirokastër. Është quajtur edhe
klubi i «Opingarëve», meqë kishte për simbol një palë opinga, që personifikonin
njerëzit e thjeshtë. Organi i vet ishte gazeta “Drita” që drejtohej nga Veli
Hashorva . Shoqëria “Drita” arriti rezultate të mira gjatë fushatave të
zgjedhjeve për organet e larta të pushtetit më 1921 dhe më 1923. Veprimtarinë e
vet demokratike e liberale e përforcoi sidomos gjatë Lëvizjes që Qershorit në
1924 që Fan Noli e Ali Këlcyra e kanë emërtuar si Revolucioni i Qershorit 1924.
Shoqëria
“Drita”që në zgjedhjet e vitit 1921 u rreshtua kundër Myfit Libohovës dhe
përkrasve të tij në Prefekturën e Gjirokastrës. Shoqëria “Drita”duket se ishte
frymëzuar nga ide socialiste që kishin filluar dhe kishin zënë rrënjë në
mjedisin shqiptar. Ka shumë të ngjarë që ashtu si dhe studentë të tjerë në
Stamboll Veli Hashorva të lexonte idetë socialiste në gazetën Turk Huku
(Drejtësia turke) që propagandonte ide socialiste. Shoqëria “Drita” mori pjesë në Kongresin e
Shoqërive që u mbajt në Vlorë ku u formua Konfederata “Atdheu”.
Në një njoftim në Revistën Agimi që botohej në Shkodër njoftohet se më 3 qershor të vitit 1921 Shoqëria “Drita” e Gjinokastrës deklaroi bashkimin me Federatën “Atdheu” tue qenë pranë dhe z Avni Rustemi i cili u zgjodh kryetar i mbledhjes së përgjithshme. Pjesëtarët e qendrës “Atdheu”të Gjinokastrës u zgjodhën këta zotni; Kryetar z Petro Poga, Sekretar z Veli Hashorva me tre pjesëtarë të tjerë qi janë z Kiço Koçi, z Hasan Xhiku dhe z Beso Gega.