E enjte, 06.10.2022, 06:12 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Gratë iraniane kanë ngritur zërin kundër shtypjes fetare

E merkure, 21.09.2022, 08:05 PM


Prof. Blerim Latifi

Ka ditë që rrugët e sheshet e Iranit janë vërshu nga qindra e mijëra gra iraniane që po protestojnë.

Ato kanë mposhtur frikën dhe kanë ngritur zërin kundër shtypjes fetare që po ushtrohet mbi to nga regjimi i ajatollahëve.

Ato po i djegin publikisht burkat, nikabet, hixhabet e çadoret. Ato po i tregojnë edhe njëherë botës se këto mbulesa janë simbole të shtypjes së grave nga burrat me mentalitet mesjetar.

Ato po kërkojnë liri.

Ato po kërkojnë të jetojnë në shekullin 21, e jo në mesjetë.

Ato mund të shtypen me forcën e një regjimi të egër policor, por klithma e tyre për liri e dinjitet një ditë ka me triumfu mbi shtypjen dhe skllavërinë. Sepse, me gjithë kthesat e saj të rrezikshme, historia njerëzore marshon përpara. Dhe kët' duhet ta kuptojnë edhe mesjetarët shqipfolës dhe snobët pseudo liberalë e pseudo majtistë që i mbështesin ata.

____________

Një deputet, në një sallë të Kuvendit, derisa po i bërtiste Rrahman Jasharajt, disa herë tha: "Unë jam ktu n'shpinë time".

Kjo fjali tregon qartë qysh shumë politikanë e zyrtarë në kët' vend i trajtojnë postet dhe institucionet publike. I trajtojnë si diçka që u përket atyre, si njëlloj prone, me të cilën mund të sillen siç ua do qejfi. Sepse kur je në shtëpinë tënde, ti sillesh bash qysh ta do qejfi, pa i dhënë llogari askujt. Kjo gjuhë është korruptive, në thelbin e saj. Dhe kur ballfaqohemi me raste të tilla na duhet të kujtojmë diçka krejtësisht elementare nga ajo që quhet edukatë demokratike: Kuvendi nuk është shtëpi e deputetëve, por institucion ku përmes tyre përfaqësohen qytetarët.

Sa shumë kanë nevojë njerëzit në këtë vend për kurset e edukatës qytetare! Të mëdhenj e të vegjël. Pa përjashtim.

____________

Në media po qarkullon një material, i cili po thuhet se përmban propozimet për një marrëveshje të re midis Kosovës e Serbisë.

Me gjasë këto propozime kanë dalë nga këshilltarët e Macronit e Scholzit, të cilët ditë më parë ishin në Prishtinë e Beograd.

Një këshillë për politikanët, partitë dhe opinionistët: mos u ngutni me dhanë përfundime rreth këtyre propozimeve, pa i zbërthy mirë e mirë, me gjakftohtësi e racionalitet.Njerëzit racionalë nxjerrin përfundime pas hulumtimit të gjithanshëm mbi një çështje. Budallenjtë nxjerrin përfundime pa mendu dy herë.Është koha e fundit të tregoni cilës anë i përkisni.

Mos i shndërroni këto propozime në instrument të luftës partiake për t'i kënaqur militantët e papunë dhe për të përfituar ndonjë votues për partinë. Është koha e fundit me mendu ma shumë për fatin e shtetit, se për fatet e partive. Sepse, tek e fundit, nëse fati i shtetit shkon keq, askujt nuk do t'i hyjnë në punët fitoret e partive. E as postet që burojnë prej tyre.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora