E enjte, 06.10.2022, 05:11 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Deledashi

E marte, 20.09.2022, 07:50 PM


DELEDASHI

NGA KALOSH ҪELIKU

Matanë xhamave errët. Imzot, lehin qentë! Vetëm përtej çative shoh një dritë. E hap dritaren, është dhoma e Vjollca Rrapit. Me siguri e ka harruar dritën ndezur, apo e ka marrë gjumi mbi libër! Po, dritaren? Dritaren, a e ka lënë sonte hapur pasmesnate? Nuk e di. E shuaj dritën dhe shtrihem në shtrat. Rrokullisem lëmsh nëpër errësirë. Dikur, zgjohem i larë në djersë, e hap përsëri dritaren dhe fluturoj mbi çatia…

Mëngjesi më gjen në shtrat. Rrotullohem herë në njërin krah, herë në tjetrin. Nata ka qenë e gjatë dhe e mundishme. Dita më e shkurtër për një sy gjumë. Mundohem t’i heq perdet, por nuk më dëgjojnë duart. E kam vështirë pas gjithë asaj beteje në shtrat ta marr veten dhe përsëri të ngrihem më këmbë. Megjithatë, lufta është luftë, nuk dorëzohen armët para se mejdanin pa e shkrepur tekefundit edhe një fishek… Vjollca Rrapi më puthi në faqe. Papritmas, kërceva nga shtrati dhe i hapa sytë. Dritë… Dritë… Dhe, dritë… E shikova orën, tre pasmesnate. O Imzot, ç’po ndodh me mua të pagjumin! Kush na rri me tokmak vathe mbi kokë natë e ditë? Kush më mban në gjumë kaq gjatë me dhunë? Me cilën do ta përcjellë Natën e do ta pres Ditën? Heshtje.

- Zgjohu, o i pagjumë! Ende mendon ta vazhdosh ëndrrën?

- Jo. Jo, iu përgjigja duke u dridhur dhe duke i hapur sytë. O Imzot, ç’më panë sytë! Deledashin me një dajre nën sjetull. Për dore e mbante Tatën e Madhe. E në shpinë Xhadinë, që i biente bythëve me një thupër, e shalonte me të katra nëpër “Bit-Pazar”. E dija se kishin ardhur para syve të më heqin një “valle patriotike kuqezi”. Vetëm edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë se cilën valle e luajtën atë pasdite para syve të popullit. Vjollca Rrapi, që më do mua dhe poezinë, tha se e kanë hequr Vallen e Vdekjes. Unë nuk i besova, i thashë se atë ditë e kanë hequr Vallen e Kaçakëve të Zajazit.

- Hi-hii-hiii… Qeshi Vjollca Rrapi. E di, se edhe ty të kanë dhënë pak ujë “Xheneti”, prandaj edhe flet jerm pasmesnate.

- Jo, e dashur. Më detyrojnë të heq një valle “patriotike”. E unë nuk di të luaj sipas ritmeve të tyre muzikore me lodra. Kam frikë t’i luaj këmbët, se mund t’u dukem si arusha e xhypit në Katund duke hequr vallen me dajre para fëmijëve.

- Nxirre shaminë! Nxirre, mos ki frikë!

- Shaminë ma mori Pasardhësi i Zef Serembes…

- Hi-hiii-hiii… Edhe, ti do të më dush mua me zjarr, do t’ia kalosh Zef Serembes?!…

- Jo, e dashur. Zef Serembes deri më sot nuk ia kaloi asnjë shqiptar, paj edhe as unë me verë të kuqe nëpër tavernat e Qytetit të qyqeve.

Vjollca Rrapi qeshi. E dinte se nuk isha në gjendje t’i kaloj shtatë dete. E dinte se nuk isha në gjendje t’i humb të gjitha dorëshkrimet. E dinte se nuk jam në gjendje të mbytem për të as në Vardar, e ku më t’ia kaloja Zef Serembes. Vetëm, një gjë e dinte. E them pa fije turpi se, unë isha ai që tri ditë e tri net e dërgova në botën e çudirave. Unë isha ai që e laja me verë gjithë natën. Unë isha ai që pas gjithë këtyre ceremonive mistike në Tyrbe e mbuloja me poezi. Unë isha ai që e bëra të pavdekshme edhe përtej varrit nëpër libra. E pranoj, edhe ajo qe Zana e Malit me dy shtama verë që më dha gji, nuk më la të plakem nën Rrap, m’i dha armët e luftës ta vras vetëm me një varg Deledashin. Juve më kot ju shkruaj në këtë shkrim se kush ishte Deledashi. Më kot mundohem t’ju trimëroj me fjalë nëse frika ju ka hyrë në bark. Ja, edhe arsyja pse me ju më nuk do të humb kohë. Jeta është luftë. E luftën e duan trimat. Frikacakët e duan robërinë. Vallë, Deledashi është trim? Ku ta di unë. Ndodhë. Deledashi bën luftë për poste politike. Vende pune. Pasuri. Deledashi është komandant i ushtrisë së frikacakëve… Deledashi është armiku i Lirisë…

E, shërbetorët e tij me dy e katër këmbë?

Shërbetorët e tij, janë pisa. Këlyshë me zgjebe të Zoti, të cilëve duhet prerë sipas Nolit të Madh, “jo vetëm duart, po edhe kokën e këmbët”…

Përsëri, pas gjithë kësaj, dua t’ju them edhe diçka në vesh! Po, si t’ju them, kur nuk keni shpirt! Veshë e sy. Apo, keni, por jua ka lidhur me shami Deledashi… Lufta vazhdon me penë… E thirr Miken në Parajsë. Ajo, për çudi, do ta shpie në “Xhenem”… E do zjarrin… Urën e “Xhenemit”… Deledashin “kuqezi”… Ja, arsyeja pse në këtë shkrim do ta lidhë me një fjalë kaçaku. Letërsia shqipe e ka Zef Seremben mashkull, por ende nuk e ka Zef Seremben femër.

Ti, më thotë Vjollca Rrapi, nuk je në gjendje të ecësh këmbë as një mëhallë katundi. Ti nuk je në gjendje të humbësh për mua as edhe një poezi. E ku më t’i biesh pash më pash me gjithë dorëshkrime “Xhenemit”.

Ja, edhe pse do ta krijoj Zef Seremben femër, në mos në jetë, së paku në këtë shkrim, në këtë libër… E di se e dini, Vjollca Rrapi është një Zef Serembe femër, por këtë nuk do ta pranojë para meje, jush, po as edhe në këtë shkrim. Edhe unë nuk ngul këmbë. E dua Vjollca Rrapin, po e do edhe Deledashi “kuqezi”. E di se, edhe Deledashi i ka dërguar shkuesit dhe këto ditë pritet ta shpie nuse me koçi në “Xhenem”. Zoti i ndihmoftë!... “Zekthi” në një faqe e ka bërë nuse me ferexhe të zezë! Shami në kokë. E ka veshur sipas zakoneve dhe traditave të “Xhenemit”. I duken vetëm sytë. Lexuesit, besimtarët e vërtetë të Zotit, nëse nuk e kanë frikë Deledashin, le ta shohin në këtë shkrim!... E di, ju dhimbset edhe në këtë shkrim. Edhe mua më dhimbset, po ç’e do, deshi të bëhet Nusja e Deledashit. Edhe një herë e them me plot gojë: Zoti i ndihmoftë!...

Tri ditë e tri net nuk e pashë Vjollca Rrapin nëpër Qytet. Një natë vonë cingërroi telefoni. E ngrita kufjen dhe ia dëgjova zërin matanë telit.

- Hë, ende s’po të merr gjumi? Qeshi nëpër natë.

- Jo, nuk më lënë personazhet e librave. Kohën e fundit kanë filluar edhe të zihen njëri me tjetrin, të rrihen me grushta…

- E di, fajet i ka shkrimtari. Nuk mund t’i pajtojë të gjithë në një libër. E aq më keq vetëm me një Mike…

- Po, hallin?

- Hallës duhet gjetur një burrë!...

- E nëse halla deri më tash i ka ndërruar shtatë burra?...

- Hi-hii-hiii… E ke për detyrë t’i gjesh edhe një burrë me tirqi e xhamadan!... Kësulën e bardhë në kokë… Sahat me qostek për qafe… Nagëntin në brez…

Qesha pas mesnate me Vjollca Rrapin, që nuk kishte gjumë e kërkonte që unë ta rrëzoj në shtrat. Vetëm, ku t’i lija personazhet e mi, që disa më tërhiqnin për dore, disa për setre… Megjithatë nata është e gjatë, iu përgjigja nëpër tel…

- E dashur, lëre dritaren hapur! Ku ta di unë pas mesnate vij e të futem në shtrat…

- Hi-hii-hiii… Qeshi. Edhe oxhakun…

Zëri matanë telit u ndërpre, e unë për inat e hapa dritaren... E thirra Hënën… I thirra yjet… E nxora lapsin nga brezi…

- Hë, ende s’po të merr gjumi? E hapi derën im Atë.

- Jo. Tashti më rreh Nusja me pashterkë të kuqe…

- E ç’të thotë, kaq vonë pasmesnate?

- Më detyron të bëj me të dashuri…

- Imzot! Biri im të marrë për grua një kurvë?!...

- Oh, jo! Baba, nuk e dua për grua…

- Ti nuk e do, por ajo të do ty, or bir për burrë!

- E si t’u shpëtoj epsheve të saj, baba?...

- E ke lehtë, o bir! Këmbët pas ndonjë mullari me bar ngreja përpjetë në hava… E tha këtë fjali dhe e mbylli derën. U turra pas tij, por e pashë që ngutej nga livadhi. E kishte edhe mauzerrin me vete krahut. E di, ju do të thoni ty ta la penën. E vërtetë, po Nusja me pashterkë të kuqe ndonjëherë do edhe pushkë… Edhe këtë e di. Vetëmse, unë nuk trembem nga Deledashi që i ka dhënë gji dhe e ka përkundur në djep me ninulla meleze Njerka komuniste, as sot e as nesër. Kokën, që e ka futur në disa grazhde: Fondacione e shoqata “humanitare joqeveritare”. Edhe, Doktorziu natë e ditë i jep tambël me kusi nën dardhat gorrice. Sorrat dhe çafkat e zeza fluturojnë në grupe. Laraskat nëpër lisa. Dhentë në kope, ecin pas bariut. Ujku, tigri dhe luani jetojnë dhe ecin verë e dimër vetë maleve. E doni edhe këtë t’ua them me plot gojën në këtë shkrim publicistik? Po, ë? Thashë: Unë jam Ujk në letërsi… Edhe, mjaftë më m’i ndërsyet këlyshët me zgjebe pas shpine me bishtin ndër këmbë. Koha është, ta nxirrni në fushën e mejdanit Qenin me zgjebe me gjuhën e nxjerrur jashtë dypëllëmbë nga vapa.

- Hi-hii-hiii… Qeshi Vjollca Rrapi. Përderisa është gjallë Njerka dhe Doktorziu, Deledashi ende do të pi tambël me kusi... E ty, kush të jep gji?

- Hi-hii-hiii… Tri Zana të maleve… Fuqi për luftë… Njëra më pri para, e dy të tjerat më mbajnë për krahu. Dallim i madh ky mes meje si Ujk në letërsi dhe Deledashit si soj i deleve “kuqezi” në mesin e Kopesë me zgjebe…

Natë. Dritat u ndezën në dhomë. U shuan. Muzika e fortë përplasej mureve. Rolling Stones i thyenin kitarat. Djersë. E mora pak veten dhe e tërhoqa nëpër errësirë. Duart e një femre filluan të më përkëdhelin, të m’i shpërthekojnë pantollonat… Më kot e kundërshtova, më mbuloi me puthje. Dritat u ndezën. Ngadalë i hapa sytë, e pashë se ishte Xhadia e Deledashit.

- Dorëzoi armët! E ke kot t’i shpëtosh këtij shtetrrethimi, kësaj pusie!…

- E di, vetëm kush ta hapi derën?

- Hi-hii-hiii… Qeshi Xhadia e Deledashit. Ende nuk e di?! Derën ma hapi krah më krah Deledashi. Mjaftë më shkruajte poezi për Miken Di! E bëre të pavdekshme nëpër libra. Bibliotekë. E di se, unë jam njëqind herë më e mirë se ajo në shtrat… Kur bëj unë dashuri në mes të dhomës, dridhet i gjithë pallati… Lagjeja… Qyteti… Unë po të dua edhe të çmend nga goditjet me bark në shtrat deri në vdekje…

- O Imzot! Më shpëto nga Xhadia e Deledashit, se duhet të kthehem në shtëpi!

- Ti nuk ke shtëpi… E ke humbur rrugën në mes të ditës… Përderisa Deledashi me një këmbonë për qafe i pri Kopesë me zgjebe për Liri...

- E si t’i ik Deledashit “kuqezi”?!... Njerka atij i jep tambël me kusi… Doktorziu e ushqen në grazhd me taxhi, e mba për soj të Kopesë me zgjebe...

- Ec pas meje!...

Xhadia e Deledashit më mori për dore dhe më futi në një dhomë të errët. Papritmas, u ndezën dritat. Asgjë nuk pashë përveç librave dhe fotografive. Në mes të dhomës e pashë shtratin, por vetëm atëherë kur më rrëzoi në kokërr të shpinës Xhadia e Deledashit. Egërsisht ma hudhi jelekun e lëkurës, këmishën dhe pantollonat për dritare. Brekët as vetë nuk e di se si m’i hoqi me këmbë. Tërmet! Librat filluan të më rrëzohen mbi kokë… Fotografitë… Pikturat… Pllakat e gramafonit… Llamba elektike në mes të tavanit luhatej andej - këndej dhe prisja në çdo çast të më bie mbi kokë. Megjithatë, nuk u dorëzova, u kapa për dy gjinjtë e hazdisur gur të Xhadisë së Deledashit, dhe i dhashë lopatës sa më thellë nëpër detin e tërbuar plot dallgë. Një dallgë e fuqishme përpak desh më hudhi nga barka, por më shpëtoi Xhadia e Deledashit. Edhe një herë i dhash forcë lopatës duke hyrë sa më thellë në det si një peshkaqen i përgjakur, të cilin e ndjekin me vite qindra gjuetarë. Dhe, në atë çast, kur u çmenda, e përmbysa barkën, i thyeva lopatat, dëgjova vetëm piskamën e pakontrolluar të Xhadisë së Deledashit. Edhe një herë u dridh fuqishëm pallati. Shtrati u bë copë-copë dhe ra në tokë. Qyteti mbeti pa drita…

Pak para mëngjesit, kur u zgjova, e pashë Xhadinë e Deledashit sesi ishte paluar mbi mua si bollë shullani sa gjerë - gjatë në gjumë. Nuk e zgjova, me siguri shihte ndonjë ëndërr. Apo, ku ta di unë, m’i mblidhte eshtrat nëpër dhomë...

(Nga libri: XHADIA (Shkup, 2011).



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora