E shtune, 20.04.2024, 09:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Bajram Canameti

E marte, 20.09.2022, 07:00 PM


BAJRAM CANAMETI

SHKODRËS

Shkodër shenjtore, me adhurim

Të përkulem, si përpara një tempulli,

Me trimëri e kulturë  u ngrite në ngadhënjim

Shekull pas shekulli…

Gjëmimet vijnë nga lashtësia,

Për kohët e mëvonëshme, gjer sot,

Shoh Oso Kukën nga Vranina

Që veten hedh në erë në kullën me barot…

Dhe sa e sa luftëtarë e trima të besës

Dhe sa luftëra  e therori…

Për të mbetur ti, qytet i qëndresës,

Me kalanë hijerëndë si stoli…

Dhe sa e sa burra të penës,

Fishta, Migjeni, Koliqi, Camaj,

E gdhendën dhe  e mbruajtën me afsh të zemrës,

Atë që ke më të bukur, ku ndrit lavdia e fama…

ADEM JASHARIT

E vështirë të gjendet fjala për ty,

Para guximit tënd  fjalët dridhen,

Se ti lirisë i dhe rini,

Dhe Kosovës i dhe emblemën…

Ti gen fisnik iliro-dardan,

Ardhë nga legjendat mitike,

Tani mbi  truallin tënd fytyrën mban

Njomur si me frymë biblike…

MATIT

Gurrë e historisë buron nga rrënja e Arbnisë

Dhe palca e shqiptarisë që ndodhet në asht

Flasin për emrin tënd:MAT!

Dhe malet që prekin qiellin,

Fushat, kodrat dhe lumenjtë,

Emrin tënd rrëfejnë…

Në Gur të Bardhë e Stelush

Në Komsi e në Laç- Bruç

Në Bajrak të Rranzës e në Gurrë

Prej Ceruje gjer në Lurë

Ku hedh hapin  gur më gur,

Shoh gjurmën e Skënderbeut

Dhe të sa luftëtarëve

Si amanet i të parëve…

Shoh  germat e gjuhës shqipe

Në gjoks malesh, tempull drite,

Shoh kuvendet e Arbërisë

Mendjen e ndritur  të fisnikërisë…

Dhe sa e sa gjeneralë,

Poetë, shkrimtarë, intelektualë

Të diamanteve kristalë…

MOS HARRONI ATA

Në pellgun e krimit, projektuesit e botës mizore,

vranë fisnikërinë e botën e donin kasaphanë,

që shkatërruan njeriun dhe sa njerëz  vranë,

ata që ishin vëllezër me satanë,

që përmes mashtrimit, ndërtuan rrathë aligerianë,

ata s`duhen harruar;por gjithnjë duhen kujtuar

si një ëndërr e ligë, e trishtuar,

që s`duhet përsëritur, dhe për të mos e parë më,

syçelësia duhet  të mos jetë e venitur…

IKJE…

Si zogj shtegëtarë ikën rinia,

Larg nëpër vendet e botës,

Dhe ra në viset e mia

Hija e përvëluar e lotit..

Tani në fshat, një kanatë

Dridhet si fletë aeroplani,

Nga era përplaset me inat

Dhe thërret:Djem, ku shkoni!?…

Veç shurdhëri…arat pa punuar,

Ca pleq që u dridhen duart,

Lart ngrihen, kryet duke kreshpëruar

Zgjaten ferrat te muret…

Si zogj shtegëtarë në vise të tjera

Ikin djemtë, vajzat,

Zemra e uritur, e mjera

Gati sa nuk plaset….

MESAZH QIELLOR

Dridhet toka, malet kreshpërojnë

Drurët e pyjeve fërgëllojnë,

Mëngjeset vijnë dhe shkojnë

Dhe mbrëmjet lotojnë….

Nga mendja ime një mesazh

E çoj për të vuajturit në botë,

Edhe kur qielli përvëlon si saç,

Edhe  kur është i qëruar, i plotë…

Malet qëndrojnë, drurët gjelbërojnë,

Dielli ndrit, lumi rend i mrekulluar,

Sikur më thonë, sikur më ngushëllojnë

Se mesazhin e kanë çuar…

NË KËTË BOTË…

Në këtë botë të mbarsur me prapësitë,

Ku mbajmen hajnat dhe  vallëzojnë ligësitë,

Ku pabesia, së vërtetës i bën pritë,

Të ngjan se humb diçka nga vetja çdo ditë…

KUNATËS SIME QË IKU NË AMSHIM

Në parajsë si mjellmë e bardhë në fluturim

Ti ike dhe prapa le trishtim…

Tani nga dhimbja, rënkimi, si rreze dielli në ujë

Përvëlon dhe ndrit kujtesën për ty…

Se ti Mira, ishe e mirë, edhe kur, sa brenga

Sa halle, pengesa, e  ato që s`i doje,

T`u afruan si mur i pakapërcyeshëm,

Por merimangat e zilive  i dogje

Me guximin tënd të virtytshëm.

Ti ike, Mira e mirë, si një fjalë që shuhet në ajër

Si një lule përcëlluar nga cikna,

Por nuk e dite sa i hape plagët

Për nuset e djemtë- xhevahira….

Tani atje në Parajsë

Unë besoj se ke një vend,

Një ditë atje do jemi bashkë

Si një dhimbje që në shekuj rend…

FJALË E FUNDIT

Fjalë e fundit mbetet shpresa

Kur shtrin dorën drejt besimit

Porse shpresa ndrit si vesa

Nëpër udhën e mendimit…

Sepse vesa ka ftohtësi

Edhe shpresa mban dyshimin,

Por ti rend përsëri

Dhe nuk humbet besimin…

Kështu mbetet fjalë e fundit

Kur s`e mëson fjalën e parë,

Nëpër ecje drejt askundit

Rendim shpesh si qyqarë….



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora