E enjte, 28.03.2024, 07:21 PM (GMT)

Kulturë

Albert Vataj: Shkodër loce, andë marroke e dëshirimeve t'mija

E hene, 19.09.2022, 06:55 PM


Shkodër loce, andë marroke e dëshirimeve t'mija

Nga Albert Vataj

Nadjeve çohet me nji dritë e tamëlcim qi vetëm andja e njerzishme e melhemi i hireve t'saj e mëkojnë ndër shikime qi e ledhin e dëshirime qi e ndezin. E prek zenitin e shndritjeve t'hyjshme ku derdhet, me dorën e vogë e buzën qi thith gjinin e nans.

E shpalon dhe e kundron me mëtimin e ngjyrshëm t'luleve dhe buzqeshjeve, qi dielli i ndez e dashtunimi i mrekullon.

Shkodra, tanaheret m'ka befasu me qensin e vet t'fytyrshme, kandashumë e ojnake. Gjithkahja e ksaj nahije ka diçka ndryshe me than edhe pse për shum’kand ajo nuk qaset me ngucat ndoj’ ndjesi të allasojtë. Me pakicë kanë pas gjithmonë e kurrë gja s’u ka mungu, sofra e ndeja, shtroja e mloja, hokat e gazi, trimnia e nami. Janë kollonis me njata qi ka fal Zoti, me çka natyra u ka fal e zemra u ka mylmy. Tuj ken t’pasun në shpirt kanë bind botën me pasuninë e tyne, gjithqysh e gjithkah.

Anipse kajher mundet me i yrysh n'teprim, prap i ka hije qe besa. I tumiret kur shtatit ia beh e qehra ia lmon si gjinjt e drandofilles, rrezja e diellit, nadjeve kur si djers kokrron vesa mbi shermashek e lulebore.

Masanej, pozitat e saj t'patëdyta natyrore e gjeografike, meten njata qi e ledhin me pekule dhe e trandin ndër trazime t’andshme e dëshirime qi plasin gazmimit si shegë devedishe.

Pa u drasht munesh me e than e me mrojt, se tue e pa Zoti, s'ka pas se si me e godit ma përsmarit, me e end n’bash t’qefit, veç njashtu qysh e njohim e përdëllehena prej saj.

Kiri nga njana anë, qi xen e turret plot dogoni përposhtë, kur dimni majat zbardh e prrojet i lshon vërtik, me tërsëllimë. Maranaj, Cukali e Taraboshi e fillërojnë tue ia lshu kreninë e hijeshinë, mrrylin e kandën. Për me njom buzt’ e syt’ në vërshimin e Bunës e Liqenit, n’njata syprina ku koloviten plot solemnitet varkat e peshkatarëve e hija e purpurt e diellit, qi n’flak ia ngjyn gjuhën perëndimi.

Rrugt’ e shëtitoret, që shtriqen nën blitë e rënkojnë nën hapat e hekave të njerzis’, robve qi shkojnë e vijnë mbi ta, tue mërmërit a fishkllu ndoj melodi gazmore. E mramjeve qi i lëbyrin dritat e arta në shëtitjen qi valzon me pëshpërimat e bisedimeve e hokave, për me i lan venin nji nate, ku t’lehuna qensh zhubrosin syprinën e tendosun të heshtjes. 

Kumbanjelat e minaret, qiellin e mrrijnë me zanin e devocionit e thirrjen e bekimit T’enzot. Besimtarët që kridhen në gjunj, tue lyp falje e shugurim për shpirtin. Për mos me lan pa mrri dora-doraz, tue u heq rrëshqan, për me e cek n’kreshtën e këtij qyteti, ku nji nan mitike mëkon prej gjinit t’saj t’murum, jetën dhe qëndresën, e djepin përkund, djepin e kulturës, memuarin e kujtesë. E përposht lshohena plot pezëm e kreni, tue kumtue t’shkuemen e të tashmen e këtij qyteti, prej kur bisha e Bosforit u lshue n’te si e babzitun e sandejmi Romës e krishtnimit iu dridhen leqet e kamve. Atëditë e sot, ngadhnjyen këto bedena, ngulmuan këto zemra, qëndroi i paepur ky qyte. Edhe sot bash njaj, njashtu, qysh e kanë përshkru rrin tue prit e përcjell, zemërbardhë e buz’mjaltë, krejtken vjen e ikën pa ia kthye shpinën. 

(Foto: Terenc Pepa)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora