E premte, 19.04.2024, 08:28 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut

E diele, 18.09.2022, 07:55 PM


Nga Fritz RADOVANI:

ZAMAK  I  FLAMURIT

GJERGJ  KASTRIOTIT

SKENDERBEUT

Shqiptarët nga i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, trashiguen Emnin Shqiptar, po edhe Flamurin me Shqiponjen dykrenare dhe identitetin e vet si Shtet Europjan. Po, janë Zamakët e Tij, që dhane jetën per “Atdhe e Fé”!

Ishte shpata dhe ajo perkrenare që perjetsuen në Trojet tona Ilire emnin Shqiptar. Ishin Shqiptarët që pa iu tutë syni nuk kanë kursye gjakun e vet, me shkrue Epopenë e Pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Janë edhe sot gurët e Kështjellave heroike Shqiptare të daltuem me tehun e shpatave të Atyne Burrave trima, që per Lirinë e Atdheut vdiqën si me lé per Idealin e naltë: “Atdhé e Fé”!

Janë mburojet e pathyeshme ku u perplasen luftat ma të rrebta e ma mizore që ka njohë historia ynë, per me thye dhe me mposhtë Trimin e pashoq të Kështjellës së Krujës sonë Heroike.

Janë Trojet tona të njomuna me gjakun e Atdhetarëve, të pathamë edhe sot!

Janë gurrat e lumejëve, të prrojeve, e janë edhe shpellat e errta të maleve tona ku edhe sot, gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit!

Janë shtatoret e Trimit të Krujës, të ngrituna nder Shtetet ma të njoftuna të globit, e prap ka nga tradhëtarët tanë që kerkojnë me e mohue historinë!

Janë pasuesit e Atij Burri që me shpaten e vet, i tha otomanëve: “Ndal! E  jo, ma ndej!”, dhe, po prap mbi gjurmët e Tij, Shqiptarët vazhduen luften per mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur ua kerkoi Atdheu, per Até dhane edhe jeten. E pra, nuk janë aq pak sa me u “harrue”, ose ma keq...

E ku janë Vorret e Tyne të bekueme!?

Ku janë Emnat e luftarëve të asaj historie Shqiptare plot lavdi e dafina?!

Jo bré, kështu! Të mos e shuejmë Gjakun e Tyne me “harresë”, apo me një “vrasje” të dytë edhe ma mizore se e para!

Per ké dha jeten Gjergj Kastrioti?! Per ké dha jeten Dedë Gjo’ Luli?!

Per ké dha jeten Shqiptari i Bjeshkëve të Nêmuna, i Maleve t’ Hotit, Grudës, Dardanisë, Maqedonisë, Çamërisë, Vorio Epirit?!

E Shteti Shqiptar, prej kujt mori jetë?! – Askush nuk di me tregue!

Per ké dha jeten Prekë Cali!? Per ké dha jeten Trimi i Hotit Gjelosh Luli?!

E Zalli i Kirit pranë Rrëmajit “heshtë” ku, gurtë e tij janë të skuqun nga një Gjak i freskët dhe i paster i derdhun në mengjesin e një epoke gjakatare, të ardhun naten per hanë e groposë aty nga sherbëtorët e sllavokomunizmit, gjithnjë të etshëm dhe t’uritun si ujqit e para pesëqindvjetëve, që erdhën nga pyjet e Kaukazit, si t’ ishin bash vllavrasësit e katilit Ever Hoxha.

Ku janë bré, trojet e harrueme të Atyne Trimave që në vitin 1911 trandën Stambollin, e sot Emnat e Tyne nuk i gjenë as nder librat e shkollave?!

Kush mundet me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë turqëve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta Emna nuk permenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës,  Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi i Selcës Këlmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. Memorandumi pat jehonë në të gjitha Trojet tona tue perfshi edhe Arbëreshët e Italisë. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).

Të pranishem aty ishin edhe Klerikët Katolik Shqiptar të atyne krahinave, tue fillue nga i zoti i shtëpisë At Mati Prennushi, organizator i këtij takimi me Ipeshkvijtë e njohun Imzot Luigj Bumçi e Imzot Lazer Mjedja, që kanë ndihmue edhe në përgatitjen e tekstit.

Aprovimi ishte marrë edhe nga Imz. Jakë Serreqi, Argjipeshkëv i Shkodres. Ishin aty të pranishem Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë per Kiri e Pamvarësi.

Memorandumi ju dorzue perfaqsuesit turk në Cetinë me 25 qershor 1911 nga Këta Perfaqesues të Kuvendit: Ded Gjon Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dod  Preçi (Kastrat),Prekë Gjetja (Kelmend) dhe Luigj Gurakuqi (Shkoder). Nga Kujtimet e Imz. Luigj Bumçit kemi një dokument me randësi që tregon se kur “Perfaqsuesi” turk në Cetin, Sadredin Beu e pyetë Dedë Gjo’ Lulin se, “a i dueni për vete a për gjithë Shqipninë pikat e “Librit të Kuq”?

– I Madhi prijës i Kryengritjes së Malësisë Dedë Gjo’ Luli i ishte pergjegjë: “Ato pika që janë në Librin e kuq  i dona ma parë për vedi, e mandej, për Shqipninë  mbarë!” E fjala mori dheun.

Sot, pjesa ma e madhe e Këtyne Emnave të nderuem nuk zehen me gojë!

Fatkeqsisht mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e të sa e sa Herojë dhe Heroinave Shqiptare, që nderuen me veprat e veta të pavdekëshme Emnin e Gjergj Kastriotit.

***

Me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti vdiq në Lezhë. Mendohet se asht varrosë në Kishen Katedrale të Shen Kollit, që ishte ma e madhja e atij vend e rindertueme prej Tij. Besniku i Tij Imzot Pal Engjëlli, nga historianët tregohet se ndodhej në Romë, ku me të mërrijtun lajmi i vdekjes së Prijsit të Arbënisë atje, Gjergj Kastriotit, u nis për Shqipni “per me marrë nga e veja dhe i biri i Skenderbeut të drejten e mbrojtjes, me garnizone venedikase, të Krujes e të kështjellave tjera.” (Fan. S. Noli, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” fq. 148)Ma vonë iku dhe e veja Donika e Gjoni, në Mbretninë e Napolit per mos me u kthye ma!

Në vitin 1478, “dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhen, turqit hapën dhe varrin e tij, që të merrnin copëra të kockave të tija, si hajmali.” (F.S.Noli.)

Sebeliku na informon se “valle vajzash shqiptare, midis buçitjes së betejës dhe zhurmës së armëve barbare, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mbi kështjellat, ku kishte mbretëruar Skenderbeu, për t’i kënduar hymne Herojt të tyre të vdekur.” (F.S.Noli, fq. 149)

Iku Imzot Pal Engjëlli, iku e veja Donika dhe i biri Gjon Kastrioti, ikën gjeneralë, klerikë e laikë nga Arbënia, ikën e vazhdojnë me ikë edhe sot. Kam lexue dhe jam interesue edhe per shkrime që nuk njihen endè në Shqipni, të dijetarëve dhe shkencëtarëve Fan S. Noli, At Athanas Gegaj, At Marin Sirdani, Milan Shufflay, At Zef Valentini S.J., At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At Daniel Gjeçaj, Prof. Zef Mirdita, Prof. Aurel Plasari e deri tek At Konrrad Gjolaj, dhe nuk kam mujtë me gjetë askund të shkrueme: “Tue dijtë të gjithë çka kam permendë ma siper se kur turqit do të pushtonin Lezhen, puna e parë e tyne do t’ ishte me shkatrrue kulm e themel Kishen Katedrale të Shen Kollit, si asht e mujtun që askush nuk shpjegon se çka u mendue dhe si asht veprue me Eshtnat e Heroit tonë Gjergj Kastrioti, per mos me i lanë me u dhunue nga turqit?!”

Emni i Gjergj Kastriotit asht Emni ma i Shejtë e ma i bekuemi per Shqiptar! Ai vazhdon me kenë i gjallë edhe sot në boten e perjetëshme t’ Atdheut të vet, në boten e pavdekshme të Shpirtit Atdhetar Shqiptar.

E bashkë me Gjergj Kastriotin sot janë edhe Zamakët e bardhë të Flamurit Tij të lavdishem Kuq i Zi, të cilët dhane jeten per “Atdhe, Fé e Perparim”!

AT GJERGJ FISHTA: çOHI  T’ DEKUN

Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,

Pse Perendija s’ ka me u lanë me u thye.

T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra

E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.

Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,

N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!

E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,

Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,

Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli

Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –

Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë

E nami i sajë per jetë u trashigoftë!

Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri

E porsi krandja e that n’ nji flakadâ,

U shoftë me arë, me farë me mal me vrri

Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me zâ,

Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me uzdajë

Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Sajë!

(Pjesë nga “Lirikat”, botue në vitin 1941)

AT  PJETER  MËSHKALLA S.J.  KA  THANË:

“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë.

Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Ejllin e ndonjë tjetër, nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e sigurisht, torturat e Sigurimit hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar.

Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po.

Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrëstue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova. Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë.., m’u duk se m’u hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!

Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra, e ç’prej  asaj ditë që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.

Sa shumë Zamakë të bardhë të Flamurit Kastriotit kishte kjo Shqipni!!

Melbourne, 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora