Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Drejtori që i përjetoi të dy kohët

| E diele, 18.09.2022, 07:45 PM |


DREJTORI QË I PËRJETOI TË DY KOHËT

Besim Dema në librin: “Në puhitë e jetës”

Unë nuk besoj në lirinë njerëzore në kuptimin filozofik. Çdo njeri vepron jo vetëm nga shtysa e jashtme, por edhe në përputhje me kërkesat e tij të brendshme. Albert Ajnshtajn

Nga Kadri Tarelli

Kohë më parë, miku im Besim Dema, koleg mësues e drejtues shkolle për rreth 47 vite në arsim, më dhuroi librin e tij të fundit, “Në puhitë e jetës”. Të them të drejtën nuk e kisha lexuar, sepse titulli më mashtroi, duke më shtyrë të mendoj, se drejtor Besimit i paska shkuar jeta vaj, pa andralla të mëdha. Thjesht e paska kaluar e shijuar jetën duke u tundur e shkundur në freskun e puhive që zbusin dhe largojnë vapën e Korrikut dhe Gushtit.

Ndodhi, që kur po pinim kafe, si shokë të vjetër dhe të një profili, arsim i lartë, Histori-gjeografi, mes bisedës më pyeti pa të keq: Nuk më the asnjë fjalë, si t’u duk libri im me kujtime, “Në puhitë e jetës”? Mbeta ngushtë, por përgjigjen ia dhashë me ato fjalë që i përmenda më lart, duke shtuar me shaka: - Eh more Besim! Ty të ka përkëdhelur e përkundur jeta, ndërsa unë duhet të harxhoj kohën me gjëra të shkollës, që i di po aq mirë sa ti, sepse i kam përjetuar edhe vetë, si mësues e drejtues i vjetër, që e nisa dhe e grisa kohën e punës në arsim, po aq vite sa edhe ti. Besimi nuk e priste këtë përgjigje, ndaj shtoi vetëm kaq: - “Nuk është ashtu, siç thotë titulli” dhe heshti paksa i mërzitur, besoj me veten.

Unë nuk vazhdova ta pyes më gjatë, sepse e di se poeti apo shkrimtari  e vendos titullin e shkrimit apo të librit, ashtu siç i pëlqen, pa u menduar shumë në kumtin që godet dhe fton lexuesin. Por më ngeli si gozhdë fjala e tij e fundit, pasi i përbashkët në punën tonë si mësues, është vetëm ndërmarrja (Arsimi), qëllimi, strategjia, programi dhe planet mësimore, ndërsa ngjarjet mund të jenë kaq të larmishme, sa nuk ta rrok mendja. Kam dëgjuar shpesh urime të kolegëve kur kanë dalë në pension: “Pate fat që e mbylle drejtorllëkun me nder, pa ndonjë ndodhi apo ngjarje me pasoja të rënda”. Kështu që, nisa ta lexoj për t’u bindur në ato që tha kolegu im dhe autori i librit voluminoz, me rreth 450 faqe. Unë e quaj, një “Ditar” me rrëfenja të bukura, të ujdisura e të rrëfyera ngrohtë. Në përfundim i dhashë të drejtë drejtor Besimit, që i përjetoi dhe përballoi të dy periudhat e sistemeve politike, para dhe pas viteve 90-të, diku me dhimbje e diku me më shumë me mençuri, ndershmëri, guxim e fat.

Edhe vete Besimi e di, se nuk është as i pari dhe as i fundit që nis e shkruan kujtime, ku krahas shumë të vërtetave, që në shumicën e rasteve bëhen pjesë e historisë, ka edhe subjektivizëm në këndvështrim të faktorëve dhe pasojave që dikush i pëson apo i përjeton sipas kushteve dhe gjendjes së tij emocionale. Unë, besoj edhe lexuesi, nuk çuditemi, pasi na intereson përballimi i situatave të krijuara, zgjidhja e tyre dhe mësimi që i përcillet familjarëve e pasardhësve, nipave dhe mbesave, miqve, shokëve, brezave dhe shoqërisë në tërësi.

Këtu ka vend për t’u ndalur pak më gjatë, sepse në asnjë tekst historie apo gjeografie nuk do të mund të gjesh qoftë edhe një rresht, mbi ca ndodhi të vogla në dukje, në jetën e një kolektivi të vogël, apo një individi, mësues apo drejtor shkolle, që lenë zhgënjim me pasoja të gëzueshme apo të hidhura, por herë-herë të pariparueshme. Janë ndodhi që vijnë si rrjedhim i politikave dhe vendimeve të mëdha, që organizojnë dhe drejtojnë jetën e shoqërisë dhe të shtetit në mbarë vendin. Kjo përbën një vlerë të madhe, mbase të pa dukshme, për librin dhe autorin. Gati të gjitha ngjarjet pasqyrohen lirshëm, pa zbukurime, por me aq sinqeritet, mjeshtëri e vërtetësi, sa shtyjnë lexuesin të bëhet pjesë e librit, t’i përjetojë ato duke pyetur: - Po unë si do të veproja?

Nuk kam ndërmend të analizoj ngjarjet e librit, pasi përsëritja është bezdi dhe humbje kohe për këndonjësin. Kështu që më mbetet të kujdesem e të rrëfej njoftimin që përcjell, në të tri pjesët, sipas ndarjes që i bëj unë, jo autori.

Pjesa e parë fëmijëria.

b. Fillim dhe vazhdim i punës në arsim, me lëvizjet dhe uljet e ngritjet e pareshtura. Në këtë pjesë, nuk përjashtohen edhe problemet familjare me gëzimet dhe tronditjet e saj.

c. Përshtypjet dhe vlerësimet e ish nxënësve, prindërve, shkrimtarëve e analistëve letrar mbi jetën dhe veprën e drejtor besimit.

Para se të hyj në brendësi, dua të them se libri është trajtuar mirë artistikisht dhe krehur imët në gjuhën letrare, pa dialektalizma, përjashto ca fjalët e huaja,    unë i quaj (llafe të jashtme). Ka një stil të veçantë në të shkruarin më fjali të shkurtra, ku tregimi mbyllet si me “dhunë”, atëherë kur lexuesi pret të zgjatet, kështu që secili mund ta vazhdojë vetë rrëfimin. Shoqërimi me foto i shton vlera librit.

Si lexues i mirw, besoj se më lejohet të veçoj nga tërësia e librit, e të shprehem për tre apo katër pjesë që kanë qasje të mirëfilltë letrare në frymëzim:  “Nënës time të dashur!”, “E dashur gruaja ime Mane”, “Fjala përshëndetëse më “7-Mars”, të cilën e quaj një “hymn” kushtuar mësuesit, si misionar i dijes dhe edukimit. Më tej shtoj se krahas bukurisë së vargut, ka ndjesi të holla njerëzore te elegjia kushtuar gruas, “Kthehu të Lutem”.

Për pjesën e tretë, nuk po ndalem, pasi hyj në sinoret e tjetër kujt, megjithëse shumica e shkrimeve të tyre janë bërë të njohura në shtyp dhe portalet elektronike. Ata nderojnë veten dhe autorin e librave të botuar. Kështu që më mbetet të ngas ujin në pjesën e parë dhe të dytë:

I rikthehem temës së fëmijërisë, ku të gjitha ngjarjet janë skica letrare, ose tregime shumë të shkurtra, me ndodhi jo të sajuara nga fantazia, por të ndodhura si t’i prekësh me dorë. Të gjitha mund të përmblidhen në një libër më vete për fëmijë, ku secili ka ç’të mësojë mbi jetën e një fëmijë në kushte e fshatit shqiptar, ku mbizotëronte varfëria, prapambetja dhe padituria (arsimi), mentaliteti dhe zakonet e vjetra, por edhe dëshira e madhe për punën, pa i bërë naze e dredhi llojit e mundimit. Besoj se dobi më të madhe ka porosia, dëshira e vullneti i çdo vogëlushi, për të mësuar e për t’u bërë dikush në jetë dhe shoqëri.

Natyrisht pjesën më të madhe të librit e ze periudha e punës si mësues e drejtues shkolle. Nuk i thonë pak por rreth 47 vite pune, pra afro gjysmë shekulli, ku nuk mungojnë sukseset dhe kënaqësitë për vete dhe kolektivin, por edhe gabimet, zhgënjimet, goditjet që nuk i pret se na të vinë, etj, etj. Jam i bindur se çdo mësues dhe drejtues i ri, në këtë libër ka shumë çka të mësojë. Përvoja e përcjellë aq sinqerisht, flet vetë me gjuhën e heshtjes. Të gjesh vetveten në një libër nuk është pak.

Më duhet të ndaloj në dy mesazhe që më pëlqejnë, por që kërkojnë zgjidhje në dobi të arsimit kombëtar:

Më bëri përshtypje një urim i drejtor Besimit, ndaj një kolegeje të re të  sapo emëruar: “Të uroj të bëhesh mësuese!”. Pak i çuditshëm ky urim për një mësuese që para pak kohësh është diplomuar. Kam përshtypjen se jo pa qëllim është bërë ky urim i tillë, sepse sot mësuesit nuk kalojnë nga shkolla pedagogjike, si dikur, nuk kalojnë në ushtrimore për t’u formuar si mësues i ciklit të ulët. Mjaftohen me arsimin e lartë, ku studentët, njohuri mund të kenë me shumicë, por fëmijëve nuk i duhet sa di mësuesi, që mund të jetë edhe shkencëtar, por sa është i aftë t’i mësojë ato copëza veprimesh për të folur, lexuar dhe shkruar bukur dhe qartë. Jo vetëm Besimi, por edhe shumë mësues që kanë mbaruar arsimin pedagogjik, flasin jo për nostalgji, por me argumente: pse ishte dhe është e dobishme shkolla pedagogjike, ku arti i mësimdhënies ishte në përsosmëri. Pikërisht aty ku përgatiteshin mësues e metodistë të përkryer për mësim në ciklin e ulët, që është themeli i shkollës , madje i gjithë arsimit në tërësi.

Unë vetë që po shkruaj këto radhë, e fillova mësuesinë sapo mbarova gjimnazin në Durrës. Mundohesha të imitoja mësuesit e mi, por shpesh ndodhesha ngushte në shpjegim, jo se më mungonin njohuritë shkencore. Kështu që, shpesh në biseda mes mësuesve, u them pa ndrojtje: - “U bëra mësues pas pesë vjetësh përvojë”. Edhe praktikat mësimore që bënim gjatë arsimit të lartë, ishin pa shumë “Bereqet”, pasi bëhet fjalë për mësues të Arsimit të Mesëm, ku peshorja anon më shumë nga njohuritë shkencore.

Në këtë hulli mendimi, pyes veten dhe të tjerët: Kujt i polli mendja, cili e dëgjoi dhe kush e zbatoi më një të rënë të lapsit, mbylljen e shkollave pedagogjike, të ngritura e të mbajtura me shumë mundim, por me shumë traditë? Sot nuk ka asnjë. Pse? Nuk lanë as “Normalen” e Elbasanit, si objekt krenarie me histori të shenjtë, ku mësuesit e rinj të ndiqnin ca orë mësimi, për t’u bindur se mësuesia është profesion, por edhe art. Madje unë shtoj nga përvoja: Mësuesia është zanat, si njohuri pune, si dëshirë dhe përkushtim. Është mision në bindje pa kthim, për kauzën që mbron. Të dyja i bashkon arti i fjalës dhe shpirti krijues i mësuesit. Gjithsesi është një problem që kërkon një analizë më të shtjelluar, pavarësisht se jam i bindur që, nuk gjendet vesh për të dëgjuar dhe as sy për të shikuar.

Më tej më ngacmon një dukuri tjetër, mendoj po aq e rëndë. Më duhet të citoj pak fjalë nga shkrimi “Luftë bërrylash”, faqe 263, ku thuhet shprehimisht: “Shqiptarët kanë një të keqe të madhe, e luftojnë njëri-tjetrin pa të drejtë, vetëm se të shohin në terezi, vetëm se rritesh në karrierën tënde me punë e lodhje”. Shprehje që e dëgjojmë rëndom jo vetëm në tavolina kafeje. Autori e shtjellon pak më gjatë, por pa thënë se cili është shkaku, sikur ne e kemi të keqen në gen, megjithëse ai e di po aq mirë sa edhe unë, se është një sëmundje e ngulitur prej shekujsh.

Mendoni pak me qetësi: Vend dhe popull i pushtuar e sunduar prej mijëra vitesh nga të huajt. Asnjëherë nuk kemi pasur një qeveri tonën që të na bashkonte në territor, në ide dhe fe, interesa, mendim, bindje, përparim dhe arsim. Për të mos thënë, se pushtuesit na sollën e mbollën si peshqesh, edhe disa besime fetare.

Fjala e urtë romake “Përça dhe sundo”, ka lënë gjurmë të thella. Gjykoni pak historinë tonë më të re, Shqipërinë tonë pas çlirimit, ku me mbarimin e luftës, në vend që të bëhej pajtimi kombëtar, meqë pushtuesi u largua, ne filluam përçarjen e madhe “Luftë klasash”, që nuk u mbyll me reformat e shpronësimit, por vazhdoi për gati gjysmë shekulli. Ballë për ballë, ne të mirët dhe atdhetarët, të tjerët të liq e tradhtarët. Më thoni, nëse gjykimi im është i gabuar: A ndaloi, qoftë edhe për një çast “Vigjilenca”, dyshimi dhe informimi ndaj edhe njeriut më të afërt? Ç’ pasoja la në mendjen dhe shpirtin e gjithsecilit, për gati tre breza shqiptarësh, kur spiunimi nxitej, pëlqehej, lavdërohej, madje edhe shpërblehej me detyra dhe poste? Më vjen mirë, se vetë drejtor Besimi, jep shembuj ku mund ta pësonte keq, ku në një çast zemërimi e neverie, na sjell një shembull të përkryer, që i mbyll diskutimet e llafet e tepërta: - “Kur një mësues vinte orë e çast, duke spiunuar kolegët e punës. U mërzita dhe nuk durova shumë, - thotë Besimi, - dhe në mbledhjen më të parë me kolektivin e mësuesve, i them denoncuesit: - Ngrehu dhe i thaj kolektivit të gjitha fjalët që me the mua në zyrë”. Komenti është i tepërt, por unë pyes: A erdhi më tjetër njeri të spiunojë?. Dhe, a e bënin të gjithë drejtorët, zyrtarët e pushtetarët këtë veprim, kur vetë politika e kishte në program? – Unë dhe askush nuk beson.

Duket sikur kjo analizë ka karakter politik. Mbase është e tillë, pasi vetë politika e nxit përçarjen mes shqiptarëve, për fat të keq në të dy krahët. Vetë jeta e drejtor Besimit, edhe në vitet e “Demokracisë”, me uljet e ngritjet në detyrë, besoj se është një shembull tipik, i luftës së klasave në kushte demokracie, madje i ligjëruar edhe me “Votë”. Sa herë ndërron qeveria, të parët që pësojnë goditje janë drejtorët e shkollave. Keqardhje, pasi në fillim të ndërrimit të sistemeve, u fol që arsimi duhet të jetë i depolitizuar. Fjalë e lakmuar, por mbeti në letër, si parullë e dalë boje. Përfundimi: drejtor Besimi nuk është i vetmi që e pëson, por është i vetmi që e shkruan. Kjo është vlerë.

Nuk po them gjë të re, se edhe më i padituri e di mirë, se këtu nuk ka klasa, po grupime kundërshtare për pushtet. Mos shkojmë larg në kohë: E vini re ringjalljen dhe forcimin e armiqësisë edhe në ditët tona, aq sa na duket sikur ora s’ ka lëvizur. Jemi ende në vitin 1945?

A ka zgjidhje? Matematika na mëson: “Nuk ka problem që nuk zgjidhet, po u shtrua për zgjidhje”.

Ajo që mendoj unë është, se plaga e përçarjes, që sjell dobësi dhe prishje shpirti, jo që nuk po mbyllet, por po thellohet me përmasa të pa shërueshme. Mjerë ai që futet në vorbullat e saj. Ndaj them me bindje dhe një lloj idealizmi, se: Përmendore të lartë sa mali i Dajtit, do t’i ngrihet atij njeriu apo personaliteti, që do të mund të bëjë pajtimin kombëtar. Monument që të mbetet e të shihet në përjetësi në mbarë trojet Arbërore.

Pa e tepruar me mësime të të diturve, më pëlqen të citoj një shprehje të Presidentit Abraham Linkoln, që thotë: “Një shtëpi e ndarë më dysh, s’mund të qëndrojë në këmbë”.

E përgëzoj autorin Besim Dema për këtë libër me vlera njohëse, por edhe edukative e njerëzore. Letrat shqipe kanë nevojë për njerëz të ndershëm, penë të bukur dhe shpirt të pastër.

Urime i nderuar koleg dhe mik i vjetër!

Kadri Tarelli

Vjeshta e parë, 2022.