E premte, 19.04.2024, 07:46 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Dosja e zezë e mjekesisë, rasti i 55 i vdekjes për faj të bluzave të bardha

E enjte, 25.12.2008, 03:09 PM


Shkruar nga Aulona Kadillari, Mira Zenati

Hetim për herë të dytë për mjeken që kishte në mbikëqyrje 25-vjeçaren nga Xara e Sarandës, e cila vdiq në maternitet një javë pas lindjes së fëmijës. Burime nga prokuroria bënë të ditur se në vitin 2006 bashkëshorti i 26-vjeçares Mimoza Bregasi e akuzoi mjeken Xhezarina Bozho për vdekjen e të resë, dhe kallëzimi i dytë vjen nga bashkëshorti i nënës së tre fëmijëve që vdiq dy ditë më parë, Enkeleda Osmani. Ndërsa për të parën ende nuk ka përfunduar gjyqi, vjen kallëzimi i dytë ashtu siç ka qenë i pari, vdekje të pacientes nga pakujdesia.
Sipas organit të akuzës, mësohet se ende nuk është përcaktuar se sa bluza të bardha do të merren në hetim nga ky institucion dhe kjo do të përcaktohet pas disa veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, shkaktar për vdekjen e nënës së re është tromboemboli pulmonare ose mpiksje e gjakut. Por kjo është vetëm paraprake se do të zhvillohen edhe hetime të cilat do ta saktësojnë dhe do të vendosin shkaktaren e vdekjes së nënës së tre fëmijëve.

Drejtori

Arben Vogli, drejtor i Shëndetit Publik të Sarandës ka pohuar se, "më datën 26 dhjetor, në mjediset e spitalit të Sarandës do të bëhet nga ana ligjore analiza e vdekjes së 25-vjeçares. Një grup mjekësh specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë do të vijnë për të hetuar nga afër punën e mjekëve të Sarandës, në rastin konkret dhe për të parë gjithë rrjedhën për ecurinë klinike të pacientes që nga  momenti i shtrimit në spital deri në ditën e vdekjes së saj".

15 qershor 1992
Infermierja i harron serumin për tri orë rresht, vdes 7-vjeçarja Artina.D, nga Puka. Vajza ishte me dhimbje të forta stomaku kur familjarët e sollën nga një fshat i largët për ta mjekuar në spitalin e Pukës. Ishte ora 03:00 e datës 15 qershor kur infermierja i vendosi serumin dhe prindërit po e prisnin jashtë dhomës së spitalit. Vetëm në mëngjes ata e kanë marrë vesh se vajza e tyre kishte vdekur. Dyshimet e para familjarët i hodhën tek infermierja, të cilën mendohej se e kishte zënë gjumi.

Prill 1998
Drejtues të Maternitetit të Tiranës do të dërgonin në varreza tetë arkivole, të cilët kishin në brendësi fëmijë që kishin vdekur. Por gjatë transportit për në varreza është zbuluar se arkivolet nuk kishin asnjë trup dhe se fëmijët, që mendoheshin të vdekur, janë trafikuar për transplantim organesh. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës fillon hetimin ndaj mjekëve se ku kanë shkuar tetë foshnje të sapolindura.

30 mars 1999
Denoncon në Prokurorinë Beratit se i kanë marrë para për operacionin e bashkëshortes së tij. Agim Hazbiu, më 30 mars 1999 ka rendur menjëherë në organin e akuzës së qytetit të një mbi një dritareve, pasi ai akuzon bluzat e bardha të spitalit sepse i kanë marrë një sasi prej 50 mijë lekësh rinj në këmbim të operacionit të gruas. Pas këtij kallëzimi organi i akuzës së qytetit të Beratit ka nisur hetimet për të verifikuar pretendimin e Hazbiut.

26 shtator 2002
Helmimi i Shpresa Thaçit, 25 vjeç, si dhe vdekja e saj, përveç akuzave ndaj fabrikës ku punonte, nuk i ka lënë prindërit e saj pa denoncuar edhe mjekët e Durrësit. Prokuroria dhe policia kanë filluar më 26 shtator të 2002-shit menjëherë hetimet për këtë rast, por ende nuk është përcaktuar asgjë. Të afërmit e 25-vjeçares kanë deklaruar se vajza kur ka shkuar në spital nuk ishte shumë rëndë dhe mjekët i kishin dhënë shpresa për jetën, ndërkohë më pas janë lajmëruar se ajo ka vdekur.

26 shtator 2002
Në të njëjtën ditë dhe nga e njëjta arsye, ka gjetur vdekjen në spital nga helmimi në fabrikë edhe motra e Shpresa Thaçit, Xhuljana. Duke pasur një arsye shumë të fortë për të ngritur akuza ndaj mjekëve dhe pronarëve të fabrikës ku punonin dy vajzat e tyre, prindërit janë drejtuar menjëherë pranë organeve të drejtësisë dhe kanë denoncuar këtë rast në Prokurorinë e Durrësit, si dhe në polici. Ndërkohë misteri ende nuk është zbardhur.

Shkurt 2003
Operohet tri herë rresht në Tiranë për një cist dermohid sipas mjekëve, por që në të vërtetë ishte masë kancerogjene, që pas operimeve ishte përhapur shumë dhe 45-vjeçari Rushit Zara i kishte ditët e numëruara. Një ndërhyrje e saktë në kokë, aty ku Zara kishte tumorin, mund ta parandalonte vdekjen e tij. Por mjekimi i pakujdesshëm dhe operimi artizanal pa u futur në sallë operacioni, i shkurtoi ditët e jetës 45-vjeçarit nga kryeqyteti. Për këtë arsye, në shkurt të 2003-shit familjarët akuzojnë mjekët e spitalit.

4 mars 2003
Vdes në spitalin e Korçës 45-vjeçarja Marta Ziu. Menjëherë pas humbjes së papritur të bashkëshortes, më 4 mars të 2003-shit kryefamiljari denoncon në prokurori mjekët e spitalit të këtij qytetit me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm. Sipas policisë së Korçës, 45-vjeçarja kishte shkuar për të marrë mjekimin, por pas qëndrimit disaditor në pavijonin e spitalit ka gjetur vdekjen. Më pas bashkëshorti akuzon mjekët se nuk e kanë dhënë ndihmën e nevojshme.

30 qershor 2003
Humbja e jetës së Shaban Seitit më 30 qershor 2003, në spitalin e Sarandë, bën që të hidhen akuzat e para ndaj bluzave të bardha të këtij spitali për mjekim të pakujdesshëm. Byroja Qendrore e Mjekësisë Ligjore të Tiranës, pasi ka hetuar me hollësi të gjithë kartelën mjekësore të Seitit, ka thënë fjalën e fundit, duke akuzuar drejtorin e spitalit Arkad Lula, si shkaktar të vdekjes së 44-vjeçarit nga fshati Vrion i Sarandës. Ai është regjistruar në spital nga mjeku Ilirian Draçi, me diagnozën "Politrauma".

28 prill 2004
Vdes në Spitalin Ushtarak në Tiranë, më 28 prill 2004, 11-vjeçari Shahin Shenaj, të cilin e kishin sjellë me urgjencë nga Saranda. Djali vuante nga diabeti, kishte një rritje të dukshme të sheqerit në gjak, ndërkohë që do operonte apandesitin. Kreu i Shëndetësisë Publike pas kësaj ngjarjeje ka fajësuar mjekët e qytetit bregdetar, pasi i kishin bërë serum para se t'i bënin analizat.

prill 2004
Fidai Beçoku denoncon dy mjekë të spitalit "Nënë Tereza" në Tiranë, pasi, sipas tij, ata janë shkaktarët e vdekjes së bashkëshortes së tij. Përveç se ka bërë denoncim te Urdhri i Mjekut, Biçoku ka denoncuar në Prokurorinë e Tiranës dy mjekë. Ai pohon se neglizhenca e mjekëve, si dhe mospagimi i tyre nga ana e tij, ka bërë që bashkëshortja e tij të gjejë vdekjen pas 24 orësh shtrim në këtë spital. Çështja shkon në gjykatë dhe organi gjykues e shpall të pafajshëm mjekun e QSUT-së.

3 maj 2004
Mjekimi i pakujdesshëm i mjekut, vdes fëmija 9-vjeçar. I mituri ishte aksidentuar me makinë në qytetin e Fierit, më 3 maj të 2004-s. Më pas ai është dërguar në spital për mjekim, ku është shtruar në reanimacion. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik të këtij rrethi, mjeku e ka hequr fëmijën nga dhoma e reanimacionit dhe e ka çuar në një dhomë tjetër të zakonshme. Sipas burimeve, fëmija vdiq, sepse nuk ishte në një përkujdesje të veçantë. Kjo gjë u vërtetua disa ditë më vonë, por për mjekun nuk u mor asnjë masë.

3 korrik 2004
Vdekja e të miturës M.K, më 3 korrik 2004, në Shkodër, ka bërë që familjarët e saj të denoncojnë në prokurori mjeken që e kishte kuruar. Sipas burimeve mësohet se mjekja nuk u gjykua si fajtore për vdekjen, ajo u ndëshkua me vërejtje me paralajmërim për mosdhënie të menjëhershme sqarimesh familjareve, për shkaqet e vdekjes. Ky vendim është marrë nga institucioni i Urdhrit të Mjekut pas ankesës së familjarëve.

17 gusht 2004
Vdekja e Mimoza Mance nga Berati, gjatë lindjes, ku humbi dhe foshnjën e saj, dërgon në prokurori të afërmit e saj. Bashkëshorti i 32-vjeçares, Arben Mance, më 17 gusht të 2004-s pas humbjes së dyfishtë ka akuzuar mjekët e maternitetit të këtij qyteti. Sipas tij, ka qenë pakujdesia e bluzave të bardha ajo që ka çuar në vdekjen e bashkëshortes dhe foshnjës së tij. Ndërkohë, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, nga organi i akuzës së qytetit të një mbi një dritareve nuk është dhënë një përgjigje për autopsinë.

8 nëntor 2004
Vdes në Spitalin Ushtarak në Tiranë, më 8 nëntor të 2004-s, 20-vjeçari i plagosur, Jeronim Sula, nga Korça. Babai i tij akuzon mjekët e spitalit të Korçës për mjekim të pakujdesshëm, gjë që sipas tij, shkaktoi vdekjen e tij. Gjithashtu, babai Edmond Sula ka bërë përgjegjës në mënyrë të drejtpërdrejtë kirurgët Niko Nunka dhe Keti Koplara edhe për mitmarrje, të cilët sipas deklarimeve të Sulës, i kanë kërkuar të holla. Ai u ka dhënë atyre katër mijë lekë, ndërkohë që nuk kishte të tjera.

16 janar 2005
Entela Agolli, nga Korça, sjell në jetë një fëmijë mashkull. Lindja ka qenë normale dhe fëmija sistemohet në inkubator. Pas dy ditësh mjekët i thonë nënës së foshnjës se fëmija kishte vdekur si pasojë e një diagnoze "hemorragji cerebrale". Prokuroria e Korçës nis hetimin për mjekët, të cilët sipas organit të akuzës, mësohet se bluzat e bardha kanë trafikuar foshnjën jashtë kufijve të Shqipërisë.

20 maj 2005
Vdes pas komplikacioneve në spitalin e Librazhdit, më 20 maj të 2005-s, një grua shtatzënë, familjaret e saj akuzojnë mjekët. 30-vjeçarja Flutura Hasa vdes pas ndërlikimeve në shtatzëninë e saj. Gruaja nga fshati Carrishte është shtruar në spitalin e qytetit në gjendje të rënde shëndetësore për shkak të hemorragjisë. Të afërmit pas vdekjes së nënës së dy fëmijëve denoncojnë mjekët.

25 gusht 2005
Gruaja me iniciale L.M, për të qenë më e bukur i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në klinikën "Salus". Por operacioni i ka lënë një shenjë në këmbë. Për këtë arsye, vajza nga Vlora më 25 gusht të 2005-s denoncon klinikën duke treguar se mjekët atje kanë masakruar shumë gra e vajza si ajo. Për këtë arsye institucioni i Urdhrit të Mjekut ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës padinë ndaj mjekëve italianë që kanë kryer operacionet në këtë klinikë.

2 tetor 2005
Prokuroria e Pogradecit, më 2 tetor të 2005-s fillon hetimet ndaj maternitetit të këtij qyteti, për rastet e vdekjes së nënave pas lindjes. Ka qenë rasti kur një e re gjeti vdekjen pas lindjes së foshnjës. Zana Isufi vdiq ndërsa kishte kërkuar që fëmijën ta lindte me operacion. Sipas familjarëve të saj, nga mjekët nuk u mor parasysh kërkesa e nënës, e cila u la të lindte në mënyrë natyrale.

4 tetor 2005
Infektimi i 7 fëmijëve talasemikë me HIV/AIDS ka bërë që më 4 tetor të 2005-s Urdhri i Mjekut të hetojë bluzat e bardha që nuk kanë bërë kontrollin e transfuzionit të gjakut të dhuruar. Sipas institucionit të UMSH, historia e skandalit të infektimit të 7 fëmijëve talasemikë me HIV/AIDS, nuk do të kalojë pa u gjetur përgjegjësit. Kështu ka deklaruar kreu i këtij institucioni. Sipas tij, në bazë të ligjit, nëse nga hetimi i nisur në QSUT do të dalin dhe mjekët fajtorë, kjo do të ndëshkohet.

nëntor 2005
Nëna e 6 fëmijëve nga qyteti i Pogradecit ka gjetur vdekjen teksa ka qenë duke lindur vajzën e saj. Nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se nëna ka vdekur pas lindjes së foshnjës nga një hemorragji cerebrale. Për humbjen e nënës së gjashtë fëmijëve familjarët kanë akuzuar mjekët e maternitetit të Pogradecit. Ndërkohë, fjalën e fundit do ta thotë ekspertiza shkencore që do të hedhë dritë mbi faktorët që kanë ndikuar në këtë vdekje.

Janar 2006
Një 55-vjeçar nga Fieri gjen vdekjen pas festave të fundvitit, ndërsa ka hequr dhëmballën te dentisti. Selman Tahiraj, me dhimbje të forta për shkak të dhëmballës, ka shkuar në spitalin civil të Fierit në gjendje të rëndë. Sipas familjarëve të Tahirajt, ai sapo është larguar nga klinika dentare, ku ka hequr dhe dhëmballën, është kthyer në shtëpi ku i ka shpërthyer hemorragjia dhe vetëm pas pak momentesh ka gjetur vdekjen. Të afërmit kanë akuzuar drejtpërsëdrejti dentistin.

23 shkurt 2006
Vdekja e një 72-vjeçari në qytetin e Korçës vë para drejtësisë doktorin, i cili ishte marrë me kurimin e tij. Në policinë e Korçës, më 23 shkurt të 2006-s, Irini Ngjela, motra e viktimës, ka denoncuar doktorin neurolog të spitalit të këtij qyteti, Llambi Çikopani. Në këtë denoncim ajo akuzon doktorin Çikopani për vdekjen e të vëllait. Sipas burimeve nga policia, mësohet se Anjesti Vinjau ka vdekur rreth orës 3:00 të mëngjesit në shtëpinë e tij, pasi ai kurohej aty.

22 prill 2006
Humb jetën gjatë lindjes më 22 prill të 2006-s, nëna 24-vjeçare. Sadete Shaholli, nga Sheqerasi i Korçës, ka pritur të lindte në mënyrë natyrale fëmijën e parë, por kur kjo nuk ka ndodhur, i është nënshtruar një operacioni fatal për të. Burri i viktimës, Bledar Shaholli, ka qenë i pari që ka hedhur akuzën për vdekje nga pakujdesia e mjekëve, por këta të fundit dyshojnë se shkak mund të jetë bërë një sëmundje e papritur në zemër.

prill 2006
Organi i akuzës në Elbasan nis disa procedime penale ndaj katër mjekëve pas denoncimit të familjarëve të pacienteve për trajtim mjekësor të gabuar. Të hetuarit janë Arzen Kashari, mjek i repartit kirurgjik; Henrik Papajani, mjek në të njëjtin repart; Zheni Gjergji, mjeke pranë repartit të Dializës, si dhe një mjek tjetër. Kjo ka ardhur si pasojë e vdekjes së disa personave të shtruar në qendrën spitalore "Xhaferr Kongoli".

6 maj 2006
Keona Llabani ka mbyllur sytë më 6 maj të 2006-s, pasi ndihma e parë mjekësore nuk iu dha në kohën e duhur. Ka qenë babai i saj me të afërm të tjerë të familjes Llabani, që nën këto dyshime, kanë kërkuar ndihmën e policisë së Korçës. Alket Llabani ka bërë denoncimin, ndërkohë që menjëherë është përfshirë nën hetim pediatri. Sipas policisë, mjekja Zhani Babliku është marrë në pyetje në vendin e saj të punës. Sakaq janë bllokuar të gjitha kartelat klinike që kishin lidhje me ecurinë e shëndetit të vogëlushes.

22 maj 2006 
Vdes në maternitetin e Elbasanit, më 22 maj të 2006-s, një foshnje e sapolindur. Për vdekjen e foshnjës, çifti Koburi akuzoi mjekët e maternitetit dhe mjekun neonatolog Zaso, pasi sipas tyre, fëmija kishte lindur shëndoshë e mirë dhe vdiq nga pakujdesia. Për këtë shkak, ata depozituan një kallëzim penal në Prokurorinë e Elbasanit. Në përfundim të ekspertimit, rezulton se foshnja e prindërve Koburi ka vdekur si pasojë 'meningoencefalitit qelbëzor', diagnozë e vënë re nga mjeku neonatolog Astrit Zaso.

27 qershor 2006
Një dentist i Tiranës infekton me hepatitin B dhe C dy pacientë të tij, B.M nga Kashari, 48 vjeç dhe P.P nga Puka, 36 vjeç. Menjëherë të afërmit e dy të infektuarve, më 27 qershor të 2006-s i janë drejtuar fillimisht Urdhrit të Mjekut, i cili vendosi të hetojë për të mbledhur prova konkrete për këtë ngjarje. Mjeku pas hetimeve edhe nga Instituti i Higjienës, u penalizua pasi rezultoi se nuk kishte sterilizuar veglat e punës me të cilat i kishte mjekuar pacientët.

25 gusht 2006
Shtatzënia me probleme dyshohet se i ka kushtuar jetën 43-vjeçares, e cila vdiq në spitalin e Rrogozhinës. Por gjithashtu ajo ka humbur beben tetëmuajshe që priste pas pak javësh ta nxirrte në jetë. Menjëherë pas humbjes së të afërmes, më 25 gusht të 2006-s familjarët e Xhevrie Kasharit kanë akuzuar mjekët, të cilët dyshohej se kishin kryer mjekim të pakujdesshëm. Për këtë ata kanë denoncuar në Prokurorinë e Kavajës dhe do të jenë prokurorët e këtij institucioni të cilët do të hetojnë shkaqet e vërteta të vdekjes së 43-vjeçares.

27 shtator 2006
Besnik Shabanaj u akuzua për mjekim të pakujdesshëm me pasoja për jetën. Pas denoncimit të familjarëve të Kaftanaze Kokës për trajtim mjekësor të gabuar, prokuroria filloi hetimin më 27 shtator të 2006-s dhe më pas dërgoi në gjykatë dosjen e mjekut. Më pas organi gjykues ka dënuar me 1.5 milionë lekë gjobë Besnik Shabanaj, mjek kirurg në repartin kirurgjik të qendrës spitalore "Xhaferr Kongoli" të Elbasanit. Arsyetimi ishte mjekim i gabuar duke sjellë vdekjen e Kaftanaze Kokës.

11 tetor 2006
Vdekja e prokurorit të Tiranës, Dorian Karaja, dërgon në prokurori dy mjekë të QSUT-së. Një hetim i organit të akuzës ka nxjerrë përgjegjës të vdekjes së prokurorit 27-vjeçar tre mjekë. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se, dosja e juristit të prokurorisë së kryeqytetit, i cili vdiq në spitalin "Nënë Tereza", duket se po nxjerr në dritë shkaktarët e vdekjes së menjëhershme të prokurorit. Akuza që rëndon mbi bluzat e bardha është ajo e mjekimit të pakujdesshëm. Dosja tashmë është duke u gjykuar në Gjykatën e Durrësit.

16 tetor 2006
Vdes në spitalin e Tiranës, më 16 tetor të 2006-s, Indiana Shukulli, 28 vjeç. Familjarët e saj menjëherë akuzuan mjekun, i cili dyshohej se i kishte dhënë ilaçe të kundërta me sëmundjen. Ajo kishte disa kohë që kishte kancer në gji, ndërkohë që mjekët e kishin mjekuar për sëmundje tjetër. Kjo ka bërë që sëmundja të avancojë dhe ajo të vdesë më shpejt, nga ç'pritej. Ilaçet që ajo kishte marrë i kishin përhapur kancerin edhe në pjesë të tjera të trupit, duke bërë që ajo të ndërrojë jetë.

26 tetor 2006
Katër mjekë të Qendrës Spitalore në Elbasan ndodhen nën akuzë të mjekimit të pakujdesshëm që ka sjellë më pas edhe vdekjen e tij. Familjarët e Zybejte Cullhaj, 79-vjeçe, me banim në Elbasan, kanë denoncuar në prokurorinë e këtij qyteti më 26 tetor të 2006-s mjekët e qendrës spitalore "Xhaferr Kongoli". Sipas burimeve mësohet se, e moshuara është mjekuar për ftohje, ndërkohë që ka vdekur nga infeksioni në këmbë. Emrat e mjekëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.

31 tetor 2006
Bashkëshorti akuzon mjekët e Spitalit Ushtarak të Tiranës për vdekjen e gruas së tij. Pilo Apostoli ka kërkuar më 31 tetor të 2006-s që të vihet sa më shpejt drejtësia, pasi gruaja e tij, e cila ishte aksidentuar, ka humbur jetën vetëm për shkak të neglizhencës së mjekëve. Ndërkohë këtë gjë e ka konstatuar pas shqyrtimit të rastit edhe Urdhri i Mjekut të Shqipërisë i rajonit të Tiranës.

Nëntor 2006
Ka qenë e sëmurë prej disa ditësh e duke parë gjendjen e rëndë të së afërmes së tyre, familjarët e kanë dërguar menjëherë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në Tiranë. Mjekët e këtij institucioni kanë vizituar 67-vjeçaren, e cila pas qëndrimit dyditor në spital, gjeti vdekjen. Humbja e papritur e të afërmes së tyre ka bërë që të afërmit të akuzojnë në nëntor të 2006-s mjekët për mjekim të pakujdesshëm, si dhe neglizhencë në kurimin e saj.

4 nëntor 2006
Djali akuzon për neglizhencë mjekët e spitalit "Nënë Tereza" në Tiranë për vdekjen e nënës së tij. Faruk Hasanbelliu ka paraqitur ankesën e tij edhe pranë Urdhrit të Mjekut më 4 nëntor të 2006-s dhe menjëherë kanë filluar shqyrtimet për këtë rast. Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut për Tiranën, Faik Toska, mjekët nuk kanë zbatuar Kodin dhe Etikën Mjekësore. Sipas tij, pakujdesia e mjekëve ka çuar në vdekjen e nënës se Hasanbelliut.

9 nëntor 2006
Një familje në kryeqytet denoncon më 9 nëntor të 2006-s përmes medias, vdekjen e fëmijës së tyre, duke akuzuar për mjekim të gabuar mjekët e spitalit. Denoncimi për djalin 18 muajsh, Orges Dardha, është bërë nga prindërit e tij. I vogli gjeti vdekjen në spitalin e Tiranës, pak pasi hyri në sallën e operacionit. Sipas familjes Dardha, një pakujdesi apo gabim i mjekëve bëri që fëmija të vdesë ende pa filluar operacioni.

Dhjetor 2006
Operacioni në veshka ka dalë mirë për 35-vjeçaren nga Tirana. Mjekët e spitalit "Nënën Tereza" kanë marrë merita nga familjarët e gruas. Por këto merita janë rikthyer në ofendime më vonë, deri në denoncim te Urdhri i Mjekut. Kjo ka ardhur pasi mjekët kanë shkelur Kodin e Etikës, duke mos i thënë pacientes së tyre se nuk kishin bërë vetëm një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e gurëve, por ata i kishin hequr veshkën e gjithë. Kështu familjarët e 35-vjeçares në dhjetor të 2006-s janë ankuar te Urdhri i Mjekut i cili do të vendosë për masën që do të marrë për bluzat e bardha.

13 Janar 2007
Sëmundja në njërin sy ka detyruar një ish-të përndjekur që të shkojë në një klinikë private të kryeqytetit për ta kuruar. Mjeku i këtij institucioni ka vizituar të moshuarin nga Durrësi dhe më pas të dy kanë rënë dakord për operacionin. I moshuari ka bërë operacionin dhe është larguar menjëherë nga klinika. Ndërkohë, pas disa ditësh, ai rikthehet përsëri për t'u mjekuar dhe në atë kohë merr lajmin se doktori nuk kishte bërë një operacion të lehtë të syrit siç i kishte thënë, por ia kishte hequr tërësisht syrin. Kjo ka bërë që ish-i përndjekuri nga qyteti bregdetar ta denoncojë në janar të 2007-s te Urdhri i Mjekut.

1 shkurt 2007
Familjarët hedhin në gjyq më 1 shkurt 2007 mjekun, për vdekjen e vajzës, pasi sipas tyre, ai është shkaktar për vdekjen e saj. Të afërmit kanë akuzuar Bashkim Ibin, një mjek specializant në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Sipas tyre, pakujdesia e doktorit ka bërë që familjarja e tyre të humbte jetën. Bashkim Ibi ishte duke punuar si praktikant në pavijon, por do të mbrohet në gjykatë sepse në duart e tij ka vdekur një grua, diagnoza e së cilës nuk bëhet e ditur.

10 shkurt 2007
Mjekja nuk i jep ilaçet, gruaja nga kryeqyteti e denoncon më 10 shkurt te Urdhri i Mjekut. Burime nga ky institucion bënë të ditur se, gjatë vitit të kaluar ka mbërritur një ankesë nga një e moshuar e cila akuzon mjeken e familjes se nuk i ka dhënë në recetë ilaçet që asaj i duhen për të kuruar sëmundjen e diabetit. Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, mësohet se kjo kërkesë nuk ka shkuar deri në fund, pasi është verifikuar nga mjekët, pasi nuk kishte asnjë bazë ku do të mund të qëndronte.

6 mars 2007
Policia e Fierit ka nisur hetimet më 6 mars 2007 në lidhje me vdekjen e foshnjës 4-muajshe. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se, pavarësisht nga dyshimet e mjekëve dhe familjarëve, nga uniformat blu priten të dhënat e ekspertizës mjeko-ligjore që do të përcaktojë qartë shkakun e vdekjes së foshnjës 4-muajshe, Franko Çuko. Deri në atë moment, dosja hetimore do të vazhdojë të mbetet e bardhë.

8 mars 2007
Vdes më 8 mars të 2007-s një grua shtatzënë nga Vlora, pasi humbi fëmijën e saj gati 5 muajsh. Familjarë të 37-vjeçares Darjana Shakaj akuzojnë mjekët për neglizhencë e mosveprim në kohë, ndërsa do t'ia kalojnë çështjen drejtësisë për vijimin e hetimeve deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Sipas nënës së saj, ka qenë neglizhenca e mjekëve ajo që bëri edhe humbjen e vajzës së saj.

29 prill 2007
Vdes në rrethana misterioze studentja nga Vlora, prindërit akuzojnë mjekët. Dajena Sharkaj ka gjetur vdekjen në maternitetin "Koço Glioxheni" në Tiranë, në fund të marsit 2007. Pasi ka marrë mjekimin e parë në spitalin e Vlorës, mjekët e këtij institucioni, duke parë gjendjen e rënduar të 21-vjeçares shtatzënë e kanë dërguar në kryeqytet. Studentja e vitit të tretë nuk ka mundur që të mbijetojë së bashku me fëmijën disa muajsh. Më pas prindërit kanë bërë denoncim në prokurori duke akuzuar mjekët.

28 maj 2007
Pasi ka dhënë gjak për fëmijën e saj i cili ishte i sëmurë ka gjetur vdekjen, një 18-vjeçare nga Berati ka gjetur vdekjen. Gruaja e re sipas hetimeve mësohet se brenda 15 ditëve të fundit para se të vdiste, kishte dhënë gjak për djalin e saj tetë muajsh. Fëmija i saj mësohet se kurohej nga mjekët në repartin e Pediatrisë pasi ishte prekur nga sëmundja e leshmaniozës. Të afërmit e saj kanë akuzuar mjekët, por edhe sot gjithçka mbetet mister.

17 korrik 2007
Gentian Çullhaj, 15 vjeç, banues në Sauk, ka ndërruar më 17 korrik të 2007, në Spitalin Nënë Tereza në Tiranë, polici nis hetimin për mjekim të gabuar. Adoleshenti ishte dërguar në spital prej nënës së tij me urgjencë pas një komplikacioni të papritur. Pasi ka qëndruar disa orë 15-vjeçari ka ndërruar jetë. Policia ka ngritur disa pista në lidhje me këtë ngjarje, duke dyshuar te mjekimi i gabuar. Sipas burimeve dyshohet se atij nuk i është dhënë mjekimi i duhur dhe nuk i janë bërë analizat përkatëse për t'i shpëtuar jetën adoleshentit nga Sauku. 

7 janar 2008
Vdes foshnja në barkun nënës tri orë para lindjes në maternitetin e Sarandës, familjarët akuzojnë mjekun. Nëna e foshnjës, Alida, ka pohuar se mjeku gaboi, nuk u kujdes për të siç duhej. Ngjarja ka ndodhur më 7 janar të 2008-s, ku mjeku gjinekolog Nuredin Çapari i konfirmoi të afërmve se foshnja kish vdekur nga infeksioni i rëndë i nënës. Familjarët rrëfejnë se pati moskujdesje serioze nga mjeku, i cili i kish garantuar për 5 muaj për mbarëvajtje të shtatzënisë.

3 tetor 2007
Kejsi Mihasi, motra e saj më e madhe, si dhe një e afërmja e tyre e mitur u paraqiten në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë me temperaturë të lartë, të vjella të vazhdueshme dhe diarre. Pas më shumë se 48 orësh Kejsi humbi jetën, kurse për 2 pacientet e tjera pas trajtimit mjekësor, gjendja e tyre u normalizuar. Në trupin e 6-vjeçares u gjet një lloj bakteri i quajtur "shigela soni" që merret nga ushqimet. Por prindërit shprehen se do të hapin çështje penale për të vërtetën, duke akuzuar mjekët.

9 janar 2008
Dy motra kanë lyer kokën me një lloj helmi për t'u pastruar nga parazitët, por nuk kanë mundur të shpëtojnë dot. Motrat, Servete Troshku, 16-vjeç dhe Merita Troshku 14-vjeç, nga fshati Nesha i Librazhdit pasi kanë vendosur helmin në kokë, nuk janë ndjerë mirë dhe kanë mbetur pa ndjenja. Prindërit i kanë dërguar menjëherë në spitalin e Librazhdit, por njëra prej tyre, Merita nuk ka arritur të mbijetojë. Prindërit e adoleshentes kanë akuzuar mjekët për vdekjen e vajzës së tyre, edhe nga fakti që vajza tjetër, e cila u mjekua në Tiranë, arriti të mbijetonte.

23 shkurt 2008
Është nisur për të marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Kuçovës pas një krize të zakonshme astme, por ka gjetur vdekjen pak pas mbërritjes në urgjencë. Amdi Sulkaj ka ndërruar jetë më 23 shkurt në spital. Gjithçka ka ndodhur kur 46-vjeçari Sulkaj është ndjerë keq në banesën e tij dhe së bashku me bashkëshorten i është drejtuar urgjencës për ndihmë mjekësore. Gruaja e tij, Albertina, ka treguar se vdekja e burrit të saj ka ardhur si pasojë e mungesës së oksigjenit, duke akuzuar mjekët.

25 shkurt 2008
Vdekja e një 57-vjeçari në fshatin Ecmenik të Devollit solli protesta nga të gjithë banorët. Ata akuzuan mungesën në kohë të mjekëve për vdekjen e Engjëllush Menollit. Menolli ka qenë në shtëpinë e tij dhe nuk ishte ndjerë mirë. Familjarët kanë vrapuar për të kërkuar një mjek dhe 57-vjeçari ka mbetur pa ndjenja. Infermierja ka shkuar disa orë me vonesë dhe nuk ka pasur as ilaçet e nevojshme, në këtë mënyrë Menolli ka gjetur vdekjen, duke bërë që të afërmit e tij të akuzojnë mjekët.

14 mars 2008
Një 18-vjeçare nga fshati Xibër-Murriz i Tiranës, e cila vuante nga veshkat, gjeti vdekjen vetëm se nuk kishte para që t'i shkonte mjekimit deri në fund. Edhe pse familjarët e Shkurta Dalipit, madje edhe vetë ajo u shfaq në ekranet e televizioneve duke kërkuar ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, askush nuk arriti ta shpëtonte dot nga vdekja. Mungesa e parave, por edhe mos kujdesi i duhur për adoleshenten nga ana e mjekëve, solli vdekjen e saj. 

14 prill 2008
Një 25-vjeçare, nga fshati Vajkan, i komunës Mbrostar të Fierit, ka ndërruar jetë disa minuta pasi ka mbërritur në repartin e urgjencës, në spitalin e Fierit. Mjekët nuk kanë arritur të shpëtojnë Aurora Gremin, e cila ka mbërritur në gjendje të rëndë. E sëmura është shoqëruar nga nëna dhe motra, të cilat dëshmuan se gruaja e re kishte shfaqur shenjat e sëmundjes prej dy ditësh, por nuk ishte kuruar, duke e konsideruar thjesht një grip. Të afërmit e saj tashmë akuzojnë mjekët, për mjekim të gabuar.

7 prill 2008
Valentina Gjoni, 31 vjeçe, banuese në fshatin Pezë Helmës të Tiranës, ka ndërruar jetë mëngjesin e 7 prillit 2008 në spitalin universitar gjinekologjik "Koço Gliozheni". Vdekja e saj dyshohet se ka ardhur për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që po kalonte gruaja në muajin e tetë të shtatzënisë. Por jo vetëm kaq policia nisi hetimin edhe për mjekim të gabuar nga ana e bluzave të bardha në këtë maternitet. Ndërkohë, analizat e para të mjekësisë ligjore kanë nxjerrë si shkak të vdekjes së gruas sëmundjen e anemisë, nga e cila ajo vuante që më parë. 

28 prill 2008
Matilda Petriti ka humbur jetën pasi u dërgua me urgjencë në spitalin qendror të Tiranës për shkak të krizave e gjendjes së rënduar shëndetësore. Vajza ishte operuar një muaj më parë në një klinikë private të mjekut specialist ORL, Xhevahir Hoxhallari, në qytetin e Pogradecit, por pas ndërhyrjes kirurgjikale në fyt ajo jo vetëm që nuk ka pasur përmirësim, por i është shkaktuar hemorragji që mendohet se i ka sjellë edhe vdekjen. Të afërmit akuzojnë mjekun Hoxhallari për vdekjen e  17-vjeçares. Prokuroria mori dje të pandehur mjekun Xhevahir Hoxhallari.

21 dhjetor 2008
Pas qëndrimit në spital, një javë pasi lindjes së djalit të saj, Enkeleda Osmani kishte marrë "Ok" nga mjekët për t'u rikthyer në shtëpi. Gjatë rrugës i kishte rënë të fiktë dhe bashkëshorti e kishte rikthyer në spital. Ka kërkuar ndihmë nga mjekët, të cilët i kanë dhënë menjëherë, por për 25-vjeçaren, nënë e tre fëmijëve, ka qenë e kot. Pas kësaj bashkëshorti i të resë nga Zarra e Sarandës ka akuzuar mjekët e maternitetit të këtij qyteti që kanë bërë shkaktare gjinekologen dhe mjekët e tjerë. Prokuroria nis procedimin për vdekjen e nënës së tre fëmijëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora