E premte, 29.03.2024, 01:29 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Kudo të gjeta, ti dhembja dhe krenaria ime...

E marte, 13.09.2022, 06:29 PM


KUDO TË GJETA, TI DHEMBJA DHE KRENARIA IME...

(Poemë kushtuar Tokës sime, të cilës, as plagët që ia shkaktuan nder shekuj, as ndrydhjet dhe as shtypjet, kurrë nuk e ligështuan, por e kalitën, e bënë fanar lirie, krenarie dhe njerëzie...)

Nga Sejdi BERISHA

1.

Gjithkah të kërkova toka ime

Kudo u përcëllova

Duke ta përkëdhelur ballin

Por shekujt ta ndërruan pamjen

Tentuan të ta shëmtojnë bukurinë

Edhe madhështinë

U përpoqën të ta rrënojnë

Gjithnjë të ndrydhen e të tkurrën

Megjithatë

Pak të gjeta te Molla e Kuqe

Të pashë edhe në Anadolli

Këndoje dhe qaje edhe në Izmir e Bursa

Edhe në historinë e Detit Marmara

Pak të hasa në Shkup

Aty duke pritur gra e fëmijë

Për t’i fikur ëndrrat

Nëpër therrat e tokës së premtuar

Në Stamboll e kudo tjetër

Dhe tash në këto vende

Frymon shpirti i ndrydhur i njeriut tënd

2.

Kudo të hasa toka ime

Edhe atje në Greqi

Atje ku ke një histori tjetër

Të kërkova në Çamërinë e përmalluar shekujsh

Kudo të kërkova e nuk të gjeta

E gjurmët ma digjnin shpirtin

Se ishe shndërruar në rrëfim dhembjesh

Edhe në ëndrra të heshtura

3.

Kudo të kërkova e asnjëherë nuk të gjeta

Kudo të kërkova e kudo të takova

Nëpër plagë të Preshevës

Në ato të Bujanocit dhe Medvegjës

Aty u përpoqa ta gjejë çlirimin tënd

4.

Ti toka ime sa e madhe je

Nëpër vite mote dhe shekuj

E ke ruajtur dashurinë dhe ngrohtësinë

Në dërrasat e zeza e në klasat e shkollave

Të rrezbitura e të brejtura minjsh e gjarpinjsh

I hasa do shkronja të shkruara

Me ëndrrat e nxënësve

Atëherë të stërgjyshërve tanë

Që i kishin lënë pa u mbushur me dituri

Dhe i kishin përzënë me dashuri në gjinj

Me shkrumb për të lexuar ndonjë libër

Për dritën dhe lumturinë

5.

Edhe ylberin e shiut dhe diellin tënd

Kudo e kërkova

Nëpër ato bukuritë e lumenjve

Por ata ishin plagosur

Ishin shndërruar në pika uji apo loti

Për t’i dhënë betimin gjelbërimit të tokës

Që dot nuk ikën

Se është përjetësi e këtij dheu

Që vetëm grumbullon defterë

Ofshamë këngë por edhe lumturi

Që e bëjnë kala dëshminë e kërkimin për liri

Që e madhështojnë dhe e stolisin

Çerdhen e zogjve dhe të shqiponjave

6.

Sa herë të takova

Të pashë ngulur në heshtat e Bizantit

Edhe në shpatat e romakëve

Por kurrë nuk u dëshpërove

As nuk u dorëzove

Për plagët e rënda dhe helmuese

Gjithmonë e pate ilaçin e zemrës

Me të cilin u shërove nëpër beteja...

7.

Toka ime

E di pse në ty janë lisat e gjatë

Që i prekin yjet e qiellin

Sepse gjithmonë janë ujitur

Me gjakun e bijave dhe bijve tu

Kurse degët e tyre bashkë me gjethe

Janë krenaria e lotëve të nënave

8.

Gjithkah ju kërkova ju o lisa të gjatë

Dhe kudo iu hasa

Çdo degë tuajën e përqafova

Me shikimin e shpirtit që flakë qet

9.

Në arkat e nuseve

Këmishët me gjak i pashë

Të trimave të kohërave e shekujve

Të palosura me etjen e dashurisë

Që vashat nuk i përjetuan

Ëndrrat e nusërisë t’i shijojnë

10.

Në arkat e nënave

Këmishët e rreshkura nga djersët

I hasa të palosura me aromën e mokthit

Për ta ruajtur erën e djersës së baballarëve

Sa aromë mahnitëse e gjakut

Që edhe në gjumë bën çmenduri

Sa aromë djersa plot kripë trupi

Të gjyshërve dhe baballarëve

Që është betim për nderin e për tokën

11.

Te një gurrë u ula sytë t’i freskoj

Aty pranë ishte ai guri

Ku kishte dhënë frymën e fundit

Biri i kësaj toke

Kishte dashur tek gurra e molikave

Shpirtin ta freskojë

Me ujin bri atyre shkrepave

Nga e cila edhe sot e gjithnjë

Rrjedhë fjala e shenjtë-liri

Që kurrë nuk shteron...

12.

Dhe tani shekujt

Sikur në breshka janë shndërruar

E përpiqen kinse botën ta ndërgjegjësojnë

Por edhe më shumë i kanë egërsuar

Kohërat e reja edhe ato të vjetrat

Që u ngjajnë hienave të mbarësuara me çakall...

13.

Sa herë të kërkova moj toka ime

Gjithkund nëpër dynja të takova

Ashtu si defterët e ndrydhur në sirtarët e rrenave

Në arkivat e krimbur të botës

Por kurrë nuk t’u kalb ashti

As zëri nuk t’u shterua

14.

Një ditë në Itaka të takova

Edhe te Selaniku i udhëkryqeve

Edhe në Athinë

Atje ku edhe tash kinse kalitet lashtësia

Edhe në Prevezë të përqafova

Por edhe diku tjetër në Çamëri

Gjithkund nga një këngë e këndova

Që t’i mësojnë e kurrë t’i mos e harrojnë

15.

Sa shumë të kërkova moj toka ime

Por gjithnjë e më shumë më përmallon

E sikur më ikën nga dora

Sikur më tretësh nga shikimi

16.

Ti toka e dheu i im

Edhe nëpër dete të takova

Të Sazani e te Kreta

Sa histori të dhembshme shtresuar

Por këto plagë t’i lë të hapura

Se do të shërohen

Kur detet dalldisen

E anijet do t’i bashkojnë largësitë

E do t’i nxjerrin të gjitha fshehtësitë

Edhe dëshmitë që dikur i kapërdinë

Duke kërkuar lirinë

Edhe një kafshatë bukë për familje

Me kripë për ta ëmbëlsuar

17.

O ju udhë të tokës sime

Shumë iu lakmova nëpër ato fshatra

Plot mall e etje të Kalabrisë

Edhe nëpër ato këngë të pavdekshme

“Moj e mira e ore”...

18.

Ika nga aty

Sepse toka ime gjithkund përcëllon

Ndoshta edhe atje në Sicili

Por edhe në tërë Itali

19.

Më ngulfat Zef Serembe me ato këngë

Me ato vargjet e gjata plotë dashuri

Nga këtu e deri në Brazili

Edhe kjo është histori

Oj zemra e plasur e dheut tim

Që me ty jam duke udhëtuar pambarim...

20..

Edhe në atë Spanjën e dikurshme

Njeriu i tokës sime kalëronte për lirinë

Atje në Gernikë e në vende të tjera

Ti moj toka ime e truar dhe e mallkuar

Por kurrë e përkulur

Ti fryma ime e bekuar

Edhe pse nganjëherë

Dhembshëm tingëllon si “Hasta la Vista”

21.

E diku në Gjeorgji

Edhe sot do njerëz i ruajnë rrënjët e veta

Flasin e frymojnë me mallin e dheut tim

22.

Kudo të kërkova moj toka ime

Që nga pak të hasa edhe në Australi

Edhe në Zvicër e Gjermani

Edhe në Angli e Austri

Edhe në Islandë e në tërë Skandinavi

Edhe atje në Kanada e Amerikë

Ke ngritur çerdhe dashurish

23.

E moj toka ime

E mor dheu i im

A jeni më të vjetër se bota

Apo edhe se qielli e yjet

E kaq të ndrydhur e të shtrydhur

Por të gjithë sa shumë ua kanë lakmi

Sa shumë ua kanë zili

E dot nuk ligështohesh

As nuk përkulesh

24.

Asnjëherë furtunat nuk i përfille

As uraganet e kohërave

Edhe pse gjithmonë ishe në do defterë

Që ta donin lëkundjen dhe ligështimin

Që fati yt u pedat nëpër konferencat hileqare

Në ato tubime padrejtësie në Versajë

Në Konferencat e Londrës e të Berlinit

As në ato të tjerat

Ku të shtrydhen e të ndrydhen

25.

Kudo të kërkova moj toka ime

Kudo të kërkova moj zemra ime

Mor shpirti im i kallur

Dhe askund nuk të gjeta të plotë

Por gjithmonë të hasa të palëkundur

E të fortë e krenare

26.

A e di moj toka ime

Se në çdo cep të botës

Therë e çmend kënga jote

Edhe malësorçe

Edhe me lahutë e çifteli

Edhe për trima e heronj

Edhe për shqipet

Dhe për shkrepat e maleve

Mahnitë kënga dhe zëri yt

Nëpër salla operash

Edhe në koncerte në botë

27.

Andaj mirë të njohin

E duan dhe e adhurojnë Ana Oksën

E njohin dhe e kanë idol edhe Dua Lipën

Rita Ora është në zemrat e të rinjve të botës

Në to gjejnë ngrohtësinë tënde

Moj toka ime e nëmur por e bekuar

28.

E moj toka ime sa krenare je

Në arenat sportive të botës

Të rinjtë tu ua kalojnë të gjithëve

E ngritët flamuri i nderit dhe i madhështisë

Flamuri i Kosovës edhe ai kombëtar

E begatojnë historinë e botës

Legjendat e gjakut tim

Majlinda Kelmendi Nora Gjakova

Dhe shumë e shumë të tjerë

29.

Dorëza e artë e Luan Krasniqit

Edhe e shumë zemërluanëve

Ndezin flakë arenat e boksit

Në Evropë e në botë

Të gjitha këto tregojnë e flasin shumë

Të gjitha këto trokasin në ndërgjegjen e botës

Se toka ime është e lashtë

Më e lashtë se vetë bota se vetë njeriu

30.

E moj toka ime

Kudo të hasi me dhembje e padrejtësi

Por botën e ke stolisur me të arritura

E ke begatuar me njerëz të mëdhenj

Me strategë lufte shkencëtarë mjekë e intelektualë

Në akademi shkencore dhe universitete

31.

Kështu me krenari të takoj e përqafoj

Në Amerikë, Angli e Gjermani

Në Australi Turqi e Siri...

Edhe në Egjipt: ah kurbet:

Shiroka e Mjeda “shko dallëndyshe në vendin tim”

32.

Mor dheu im i shenjtë

Shumë figura krenarie e madhështie

Më dalin para e me ta mësoj e kuvendoj

Me Mehmet Ali Pashën me Sami Frashërin

Me Mbretin Faruk me Teutën edhe Ataturkun

Ka edhe shumë të tjerë që nuk i zë defteri

33.

Dhe diku hasi atje në tokën e largët

Varrin e Nolit edhe të Konicës

Pse aq shumë ata

Nuk u rehatuan në dherat e botës

Por nuk u trembën botës për t’i treguar

E besa edhe atdhetarëve të vetë

Gjërat që e dergjen botën

E edhe më dhembshëm tokën time

34.

Ngjashëm më ngacmuan

Edhe Skënderbeu, Nënë Tereza

Ismail Qemali Isa Boletini e Hasan Prishtina

Haxhi Zeka Mbretëresha Teutë

Edhe Kotori e Risani

Besa edhe Esat Pashë Toptani

Në ato mjegullinat e Parisit

Mic Sokoli, Oso Kuka e Azem Galica

Më trimërojnë e më përcëllojnë

E Adem Jashari e Shkëlzen Haradinaj

Janë emblemë e re e fytyrës sate

Ka edhe shumë e shumë të tjerë

Moj toka ime

35.

Ka edhe sot shumë e shumë

Gjenerata e figura të reja

Moj toka ime që si fidanë bime i rrite

Dhe botës po ia dhuron...

36.

E moj toka ime

Më lënë pa gjumë edhe shumë tubime

Edhe Lidhja e Prizrenit e ajo e Pejës

Kuvendi i Lezhës e konferenca Mukjës

Edhe alfabeti i gjuhës sate te Manastiri

E ti prapëseprapë e ndrydhur

Prapëseprapë e shkapërderdhur

37.

Eh moj toka ime

Më kujtohet Tivari e Goli Otoku

Edhe shumë ngjarje të tjera

E së voni edhe Reçaku e Meja

Edhe Lybeniqi-histori në vete

Edhe shumë masakra të tjera

E ti prapë dukesh si zorra në prush

Dhe hiq nuk më hiqet mendjes

As nuk më largohet qafet

Pse disa dëshmorë më bëhet

Sikur shpesh qohen nga varret

Dhe gjithkah shkojnë

Gjakun e tyre për ta prekur

Ecin sertshëm vështrojnë e qortojnë...

38.

Se ti moj toka ime

E tkurrur dhe e ndrydhur e shtrydhur

Por je më e madhe se sa bota

Asgjë nuk harron

As do dhembje tua

Që dikur nga armata në shtet të huaj

Djemtë e tu t’u kthyen në arkivole

I kishin vrarë dhe i kishin sakatuar

I kthyen në shtëpitë e tyre

Me gjoks e stomak të qepur

Vetëvrasës i quajtën

Djemtë e tu që kurrë nuk e kanë zakon

As nuk e njohin vetëvrasjen...

39.

E moj toka ime

Nuk harrohet ajo ligatina

Kur si nga qielli erdhi dora satanike

Hodhi helm mbi vajzat dhe djemtë e Kosovës

Mbi nxënësit që i ushqenin ëndrrat

Për lumturinë e tyre dhe të atdheut

Eh more dheu i im

Edhe kjo ndodhi në truallin tënd

Ti moj zemërplasja ime

40.

E moj toka ime

Nga zjarri që kam për ty

Sa herë vdes brenda vetës

E askush nuk e vëren dhembjen time

Askush nuk e peshon mllefin tim

E nganjëherë kam përshtypjen

Që të gjitha gjërat që i dua

Padiktueshëm po më ikën

Nganjëherë më humbin

Edhe ato që më ngulm dua t’i them

41.

Në këtë ëndërr kaq të gjatë

Kaq të trishtë

Kaq përcëlluese

Me plot dashuri dhe etje

Diçka sikur befas ndodhi

Për çudi

Nënën e takova në krye të arës

Mezhdën duke e ruajtur

Edhe bereqetin me mall duke e shikuar

Duke ëndërruar edhe rritën e tij

42.

Kurse babai vetëm vështronte

Si gjelbëronte toka

Nga gjaku i atyre që pushojnë në këtë dhe

Edhe nga djersa e tij

Tej viteve e shekujve

Ndërsa unë ngela në mes të tokës

Si lapidar dhembjeje krenarie e dashurie

43.

Mbi lisat e gjatë

Lejlekët i kishin përtëritur çerdhet e tyre

Zogjtë i kërkonin foletë e vjetra

E një qen tek dera e shtëpisë së djegur

Qëndronte i mbushur plot zemërim

Duke i përqafuar themelet

Të cilat sikur shndërroheshin në kala

Në këto kohë pa ndjenja as pa kujtime

44.

E moj toka ime

Po gjithkund të kërkova

Gjithkund të pashë

Edhe gjithkund të gjeta

Jo si leckë të copëtuar

Por si furtunë e dallgë

Atje diku si në Trekëndëshin e Bermudeve

Që me madhështinë tënde

I lëkund dhe i çmend padrejtësitë

I tremb kufijtë e pa rehatuar të botës...

45.

E moj toka ime

Po gjithkund të kërkova

Gjithkund të takova

Gjithkund të përqafova

Dhe në gjirin tim të përjetësova...

(©S. B.)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora