E marte, 19.03.2024, 11:13 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Del Piero: Do të largohem nga Juventusi pas pesë vjetësh

E enjte, 25.12.2008, 06:12 PM


Alesandro del Piero është 34 vjeç dhe ka nisur të luajë me "Zonjën e vjetër" që në moshën 21-vjeçare. Ai është kapiteni dhe lojtari më i dashur për bardhezinjtë, njeriu që nuk e ka braktisur kurrë, madje as atëherë kur iu desh të luante në Serinë B për një vit. "Mendoj se do t‘i them lamtumirë futbollit pas pesë vjetësh, i veshur si gjithnjë me fanellën e Juventusit. Por deri atëherë, ka ende kohë", tregon futbollisti.

Del Piero, për ju po mbyllet një vit i jashtëzakonshëm me suksese personale, surpriza të mëdha dhe një popullaritet që ndoshta nuk e keni përjetuar më parë. Le ta nisim nga nderimi i publikut të Bernabeut, i cili ju duartrokiti i ngritur i gjithi në këmbë, ndërsa ju largoheshit nga fusha në ndeshjen me Realin e Madridit...
 
Për mua, ajo është pasqyra e vitit 2008, ngjarja më emocionuese dhe domethënëse, rezultati i një ndeshjeje të jashtëzakonshme. E meqë është një nderim që u është bërë shumë pak lojërave të mëdhenj, do ta mbaj "fort" për të gjithë jetën.

Pas 15 vjetësh gjatë të cilave ju kanë dashur vetëm juventinët, papritur ju i pëlqeni thuajse të gjithë tifozëve. Çfarë ka ndodhur?

Mendoj se të gjithë kanë parë angazhimin dhe dashurinë që kam treguar në çaste të vështira dhe zgjedhje të caktuara. Kjo nuk ndodh menjëherë, por me kalimin e kohës. Njerëzit më kanë vlerësuar dhe ndihmuar në këto vite të mrekullueshme: dy herë golashënuesi më i mirë dhe shumë gola që ndezin fantazinë.

Tani keni nisur të shënoni më shumë se në të kaluarën...

Nuk e di. Pak a shumë, loja është e njëjtë dhe roli im është ai si sulmues i dytë. Përkundrazi, ndonjëherë largohem më shumë se më parë nga porta. Vitet të perfeksionojnë. Ato që kanë ndryshuar janë goditjet që kam provuar në stërvitje dhe studiuar në video.

Në video?

Një prej sekreteve të një futbollisti modern është që të shfrytëzojë imazhet. Ky është avantazhi që kemi ndaj kundërshtarëve të dikurshëm.

Sa kohë i kushtoni?

Jo shumë, por kohë "cilësore". Kam ditë të caktuara kur mbyllem për disa orë në shtëpi dhe shoh videot e kundërshtarit. Zakonisht të premten dhe të shtunën, nëse të dielën kam ndeshje. Po ashtu, studioj edhe ndeshjet e Juventusit për të kujtuar lëvizjet. Në kampionatin e kaluar, kam bërë katër a pesë gola me të njëjtën skemë.

Por rezultatet nuk ishin të jashtëzakonshme. Çfarë ka më shumë tani?

Këto vitet e fundit, kam arritur të kem një formë të mirë fizike. Kam ndjekur një përgatitje specifike, nuk ka pasur ulje-ngritje forme apo shëndeti.

A kishte të drejtë Kapelo kur shprehej se e "aktivizoj pak në lojë, në mënyrë që t‘i zgjasë karrierën?"

Dikush e mendon edhe kështu. Por dikush tjetër mendon se, nëse jam kaq në formë tani që jam 34 vjeç, mendo se si mund të isha kur kisha katër vite më pak.

A ju ka mbetur ndonjë gjë nga ajo periudhë?
 
Kam harruar gjithçka. Gjërat lëvizin sipas mënyrës së tyre, por e rëndësishme është që në fund të rregullohen.

Të mos tërhiqesh në një moshë të caktuar është sindromi i Piter Panit për t‘u mos u ndjerë "plak"?

Nëse ai sindrom ekziston vërtet, unë nuk vuaj. Jam i bindur se të mos jem më futbollist do të jetë ndryshe, por nuk kam frikë. Do të më vijë edhe mua çasti për të hequr dorë, por ai nuk është sot. Ndoshta pas pesë vjetësh dhe vendin tim me siguri që do ta zërë Giovinco.

Kur të largoheni, do të bëheni trajner? Cila është e vërteta?
 
Nuk e di se çfarë do të bëj, nuk mendoj për këtë.
 
Nuk ju kam dëgjuar kurrë të kundërshtoni?

Nuk ndodh shpesh, madje shumë rrallë. Nga përvoja kam kuptuar se duke ngritur zërin apo duke kundërshtuar një trajner, nuk është se do të të dëgjojë më shumë. Duhet bërë vetëm atëherë kur është me të vërtetë e nevojshme.

A mendoni se, nëse vazhdoni të luani ende për shumë kohë, do të përfundoni si Maldini, një kampion që sot gjendet në qendër të kritikave?

Edhe sikur Maldini t‘i kishte luajtur tri vitet e fundit në një nivel jo shumë të lartë, nuk e harroj kurrë atë që ka bërë. Karrierat e mëdha nuk "zbehen" lehtë, madje edhe sot kur është në fushë, kam besim tek ai.

Botërori mund të përfundonte gjithçka me krenari?

Do të kishte qenë një rast shumë i mirë për t‘u tërhequr, çfarë mund të fitoja më shumë? Për t‘u larguar, duhet të kesh arsye të tjera, si për shembull kur nuk ke më dëshirë të qëndrosh në skuadër, apo të jesh pjesë e një projekti të përbashkët.

Po Kombëtarja?

Është një portë që shpresoj të jetë e hapur deri në vitin 2010, por për të cilën nuk dua të flas tani.

Vetëm Interi është para Juventusit. Kjo do të jetë renditja përfundimtare?
 
Nuk e mendoj kështu. Për shembull, Milani ka pasur si ne momente negative nga dëmtimet, por është gjithmonë në garë.

D.m.th Interi do të jetë gjithnjë përpara?

Interi, në krahasim me ne dhe Milanin, ka pasur një avantazh. Ka ndryshuar stafin teknik, por në thelb ka mbetur skuadra që ishte në vitet e shkuara me Mançinin.

Interi është e vetmja skuadër superiore ndaj Juves?

Në ndeshjen që humbën në "San Siro", ishte më superiore.

A ishte Ibrahimoviç më pak deciziv te Juve?

Edhe te ne ka luajtur mirë, por tani është përmirësuar ndjeshëm.

A keni folur me të?

Jo, si me gjithë të tjerët që janë larguar nga skuadra. Megjithatë, mendoj se ekziston respekti mes nesh.

A ka ndonjë lojtar nga e kaluara me të cilin do të dëshironit të luanit ende?

Sigurisht Zidane.

Po jashtë fushës, kush ju mungon?

Di Livio. U njohëm në Padova, ndanim dhomën bashkë. Ai ka qenë për mua një pikë referimi dhe së bashku jemi kënaqur shumë.

Dy vitet e fundit kanë qenë komplekse. A nuk keni pasur frikë se, me strukturën e re të skuadrës, nuk do të ishit në formë të përkryer?

Pa besimin në aftësitë e të tjerëve nuk arrin të japësh maksimumin dhe nuk kisha asnjë dyshim se do të kishim ardhur në këtë pikë dhe në këto kohëra.

Kampionati është i rëndësishëm, por ëndrra mbetet Kupa e Kampioneve?

Sigurisht, por kemi shumë hapa për të bërë. Duhet të ecim ngadalë dhe me kujdes.

Përshtypja është se ju, ashtu si Bufoni, Nedvedi, Kamoranezi, pas zgjedhjes për të qëndruar në Serinë B, ndiheni paksa "bashkëpronarë" të Juventusit?

Zotëroj disa aksione, por nuk mund të quhem i tillë. Megjithatë, ajo që ndodhi, na afroi më shumë me botën e Juves dhe ndihemi pjesë e saj.

Ju jeni futbollisti italian më i kërkuar për reklama, bashkë me Gatuzon? A nuk ju duket e çuditshme që kjo i ndodh dikujt që e ka privatësinë parësore në jetë?

Kam bërë gjithnjë reklama, argëtohem të futem me shpirtin e ndërmarrjeve me të cilat punoj. Edhe pse kam qenë i rezervuar me jetën time private dhe kam një grua që dikur nuk ka qenë vajzë spektakli, nuk më duket problem dhe as pengesë.

A është Bekam modeli që dëshironi të ndiqni?
 
Jo, ai është një përjashtim. Në jetën e tij kanë ndodhur shumë gjëra, duke nisur që nga martesa me një vajzë të botës së spektaklit, që e ekspozuan në qendër të thashethemeve larg futbollit dhe e shndërruan në personazhin që është tani. Nuk ka asnjë tjetër si Bekami, është një djalë simpatik në të gjitha aspektet.

Para. Popullaritet. Si ka mundësi që shumë lojtarë e gjejnë veten në prag depresioni?
 
Është një botë luftarake dhe për ne është e tillë në dy aspekte: e para është lufta për të fituar famë dhe emër në futboll dhe ajo që jeta e përditshme të sjell për të përballuar. Mban shumë gjëra brenda vetes që nuk mund t‘i shprehësh, edhe sepse jo gjithmonë ke pranë njerëz të cilëve u beson. Kështu ndodh gjithnjë.

Një argument që të varfrit e pranojnë me vështirësi?

Me para nuk mund të kesh gjithçka. Kur im atë u sëmur, kisha paratë dhe njohjet për të gjetur mjekët më të mirë në botë, por nuk mund të bëja dot asgjë. Edhe pse isha Del Piero, isha i pafuqishëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora