E premte, 02.12.2022, 04:04 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Papa e populli shqiptar

E hene, 12.09.2022, 06:20 PM


PAPA E POPULLI SHQIPTAR

Pjesa e 66. Zamak i Flamurit Kastriotit

Nga Fritz RADOVANI

PAPA GJONI XXIII (1881 – 1963)

Kujtesa e Papës Gjoni i XXIII – ishte shpnesa ynë!

Në Diten e Pashkëve të vitit 1959, në pershndetjen që Papa Gjoni XXIII i drejton Popujve të të gjithë Botës, që quhet “Mesazhi i Paqës”, per të paren herë në historinë e kësaj Feste të Madhe, u ndigjue nga goja e Papës në Kishen e Shën Pjetrit, në gjuhën Shqipe: Per shumë mot Pashkët!

Sot ndoshta, kjo nuk çuditë asnjë njeri! Po, per né që e kemi jetue dhe ndigjue në radio, tue kumbue zani i Papës Gjoni XXIII nder dhomat tona të mbylluna hermetikisht që nga viti 1944, kjo ngjarje mbetet e paharrueshme dhe e përjetshme në kujtesat tona të dhunueme nga diktatura komuniste.

Papa Gjoni XXIII asht Papa që ka folë Shqip!

Papa Pali VI perkujton Gjergj Kastriotin me Shqiptarë...

PAPA PALI I VI ME RASTIN E 500 VJETORIT TË VDEKJES SË

GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT FOLI NË VATIKAN

Me 17 janar 1468 kaloi në amshim Heroi Kombëtar Shqiptar, i pavdekshmi

Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (1405 – 17 janar 1468), “Atleti i Krishtit”, i cili për 25 vjet me radhë e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, tue ruejtun e mbrojtun Shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huej. Për me përkujtue këte figurë të madhe, në ditën e vdekjes, po e sjellim fjalimin e Papa Palit VI, i cili e konsideron Popullin Shqiptar mik të Selisë së Shenjtë, kurse Gjergj Kastriotin një personifikim i virtyteve ma të nalta të Popullit tonë.

Vatikan, e ejte, 25 Prill 1968.

“Bij fort të dashtun Shqiptarë! (Lexue në shqip Gegnisht, shtatë rreshta)

Po Ju sjellim ju nji mirëseardhje të veçantë, mbasi kenkeni mbledhun për të kujtue Pesëqindvjetorin e Gjergjit Kastriot Skanderbegut, fatosit të Kombit t’uej e të Krishtenimit, pranë kësajë Selije Apostolike, të cillën mundeni t’a njehni si shtëpinë t’uej.

Na po ju shohim ma të kënaqun, sepse e dijmë se Shpirti me të cillin ju e kujtoni ketë rasë âsht Shpirti i hershëm i fisit t’uej, i cilli gjith’ herë përmi çdo interresë ka vuemun vlerat e trashigueme të besës, të nderës e të burrnísë. Të tilla virtyte i ka ba nji me vehten e vet fatosi Skanderbeg, e juve ua ka lanun trashigim; bashkë me lidhëninë e pandame me miqt’ e vjetër të Atdheut t’uej, ndër të cillët kjo Seli Apostolike gëzohet tue ju radhitun, mbasi njehet ndër ata qi kurr nuk ju kanë lanë në baltë.

Këta virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lanun porosi në Atdhe, edhe në kurbet e në mergim. Mirëse historia ju ka pamë të shtypun e të shpërndamë, por dora e dashtun e Perendisë ka ba qi ju e gjithë gjaku i juej i shprishun, me gjallni qi keni me të lemë, e me të njoftuna të fitueme, u bâtë urë miqësish e bashkpunimesh, ku keni dalun parardhësit e ekumenizmit modern.

Urimi i ynë në ketë rasë, pra, për ju e për gjithë Shqiptarët, asht qi vuejtja të bashkohet në ju përherë me shpirtin t’uej heroik, që keni nga të Parët e të ju japë rasën të shërbeni porsi element bashkëkuptimi e paqe mes fisesh e gjuhësh të çame ndër veti. Do t’vërtetohet kështu testamendi i Skandërbeut, e do të shkëlqejë me meritime të reja Atdheu i juej, të cillin na e kemi kaq shumë për zemër dhe e Bekojmë me gjithë shpirtë.

PAPA GJON PALI II ME RASTIN E VIZITËS SË TIJ NË SHQIPNI

PAPA GJON PALI II

Shkoder – 25 Prill 1993

Në Token e Bekueme Shqipni, Atdheun e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, n’ Atë shkamb ku Shqipja Dykrenare me kthetrat e veta ka shkrue Epopenë ma të lavdishme të qendresës sa shekullore të Atdhetarizmit Shqiptar dhe të Fesë Katolike, perballë Gjenocidit osman para 1912 e atij sllavokomunist mbas vitit 1944 e deri në vitin 1991, atëherë, kur Bota rrotullohej ndaj një Ylli ndriçues polak me emnin Karol Vojtila, i njohun si Papë  në Vatikan me emnin e Shenjtë Gjon Pali II, edhe Atdheu i Shqipeve ndriçohej me lutjet e Tija të vazhdueshme dhe me një perkushtim të veçantë. Janë uratët e një bashkvuejtësi si na, nën zgjedhen e pashpirtë të diktaturës komuniste.

Ai ka provue diktaturen naziste, komuniste, atentatin e Mehmet Ali Agxha, me daten 13 Maji 1981. Ai ka vizitue mbi 180 shtete të Botës po nuk ka harrue asnjëditë Shqipninë e Martirizueme nga Gjenocidi sllavokomunist i osmanllinjëve Ever Hoxha e Ramiz Alia, të njohun si terroristët ma vrasës e perbindësh barbar të Shek XX në Europë.

Koha provoi gjithnjë se njeriu ma i kërcnuem i shekullit XX ishte Gjon Pali II, se Ai luftoi totalitarizmin, vorfëninë e Botës së tretë, kerkoi edukimin e arsimimin e fëmijëve të kontinenteve të shtypuna nga kolonizatorët, Ai punoi në mënyren ma të guximshme per shpartallimin e Perdes së Hekurt,  dhe u angazhue per transformimin e Europës Lindore komuniste në vende të lira dhe demokratike. Ai kishte forcë dhe pushtet në politikë pa hy në politikë. Ai luftoi abordin dhe ishte i premë në qendrimet morale.

Në të gjitha takimet me rininë botnore Ai predikoi rrezikun dhe pasojat e shemtueme të drogës, imoralitetit, korrupsionit dhe mënyren se si rinia duhet të luftojë per të Drejtat e Njeriut, demokraci e liri të vertetë.

Atë ditë me 25 Prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, po hynte fitimtar në Katedralen e rindertueme të Shkodres, asht ajo ditë në të cilen Ai puthi Token Shqiptare.

Ishte Toka e rijtun nder shekuj me gjakun e Shenjtë të mija Martirëve Shqiptarë. Na dukej e pabesueshme se jemi tue pa me sy Burrin ma të madh të Shekullit që me doren e Tij, po na bekonte e po na ringjallte Fenë në zemrat tona! Ishte po, Ai Papë, që në qershorin e vitit 1991, Burrnisht kishte refuzue kerkesen e tradhëtarit dhe zbatuesit të “Revolucionit Kultural e Ideologjik” Ramiz Alia, në vitin 1967 në Shkoder, per me vizitue Vatikanin, me shpresë mashtrimi per me vazhdue me ruejtë postin e presidentit.

Ai Papë ishte që porsa mërrijti i dhuroi Qytetit të Shkodres Fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë dhe e vendosi me doren e Tij, tue e bekue edhe Gurin e rindertimit të Kishës së Zojës brijë Kalasë Rozafat, që për të treten herë kje e shkatrrueme mbas 1967 nga anadollakët terrorista komunista.

Mesazhi i Tij ishte: “T’i kthehet vendit dhe Popullit Tuej paqa, një jetë ma e mirë dhe zhvillimi social simbas traditave njerzore e fetare të kësaj tokë”. Ai erdhi Papë me ide, bindje, qellime të kjarta e guxim për me i zbatue ata.

Ai ishte gjenialitet i rregullimit të një Bote të trazueme ku mbet simbol i një Epoke të Re, me mjetet ma paqsore, ku “Liritë dhe të Drejtat e Njeriut” triumfuen mbi diktaturat, sepse Papa Gjon Pali II, ishte antikomunist, progresist, iluminist, humanist, kundershtoi me forcë kapitalizmin e eger, vorfninë perballë pasunimit të pandershëm, diskriminimin e njeriut, tue fillue nga muret mbrenda familjes, u perball me komunizmin dhe e shembi até tue këputë telat me ferra rrethues e bashkë me ta, tue rrëzue edhe Murin e Berlinit. Asht ai moment historik i shoqnisë njerzore të robnueme në Evropën Lindore, kur Vojtila i  zbërthen prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë të vetme: “NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” se, Ai njeh parimin filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” Ai erdhi në Selinë botnore dymijvjeçare të Katoliçizmit në Vatikan, tue sjellë me vete sekretin e madhështisë së Tij, sekret të cilin, askush nuk mujti me e kuptue para Tij: “Komunizmit totalitar Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”. Suksesi i madh qendron në zberthim dypalësh:  Të ndergjegjes ndrydhun e, shpartallim të prangave të tiranisë komuniste.

PaPA GJON PALI II DHE NANË TEREZA NË SHKODER 1993.

Ballëperballë me Gjergj Kastriotin – Tiranë 1993.

Papa Gjon Pali II Ju drejtue Popullit Shqiptar në Sheshin Skenderbeu: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllazënor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilve, u sjellë një përshëndetje të përzemërt.

Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe, të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore e shpirtnore.

Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë t’a mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.

Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat? Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo, rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.

Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për shtet i cili në emën të një feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerzoria”, liria e tyne.

Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë!

Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen.

Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju, ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e Fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo, asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhet, nuk ka përshka ti trembemi asnjë shrregullimi njerzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne.

Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja, asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.

Liria  e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës e të sektarizmit, dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.

Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!

Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Endè ka plagë të pambylluna.

E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës.

E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdrueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun e të fshehtë, si na e tregon historia.”

Dhe unë, sot po persëris prej Shejtnisë së Tij: “Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni... Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan! ” E pikrisht per këte dhane jeten:
Zamakët e Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Melbourne,    2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora