Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eshref Ymeri: Rusia e burgut të popujve dhe e frymëve të vdekura

| E hene, 12.09.2022, 06:59 PM |


Rusia e burgut të popujve dhe e frymëve të vdekura

Nga Eshref Ymeri

Gjatë shekujve, në formimin psikologjik të popullit rus, janë rrënjosur dy ide të kundërta: ideja e “madhështisë” së Rusisë dhe ideja e përulësisë para pushtetit, para atij që është në krye, para të madhit, para carit. Kjo ideja e dytë e gjen mishërimin e saj të plotë në një shprehje aforistike, mjaft të përdorshme në bisedat e njerëzve të thjeshtë me njëri-tjetrin: Shefat janë më të zgjuar se ne”. Është e çuditshme se si ka mundësi që kjo shprehje të jetë kaq e përdorshme, paçka se kuptimi i saj është mjaft poshtërues për dinjitetin e njeriut?! Sepse një shprehje e tillë zbulon lakuriq mungesën e lirisë së individit, ajo dëshmon më së miri se popullit rus është i kapluar nga ideja e “madhështisë” së Rusisë, e madhështisë së shovinizmit rusomadh, për të cilin ai ka bërë kurban demokracinë, lirinë e vet, se, në vend të saj, ai parapëlqen kultin e individit, nënshtrimin e plotë para pushtetit dhe, për pasojë, vuajtjen në kushtet e varfërisë.

Idenë e “madhështisë” së Rusisë, populli rus e ka trashëgim nga Testamenti i Pjetrit të Parë (1672-1725), në bazë të të cilit Rusia duhet t’i hedhë në luftë me njëri-tjetrin shtetet e Evropës dhe pastaj atë ta pushtojë krejt, duke e mbajtur nën sundimin e vet. Ky Testament është botuar i plotë në gazetën “Bashkimi” të datës 8 prill 1994, f. 3-4, dhe shoqërohet me Kujtime të Kalorësit të Eonit, ish-ambasador i Francës në Peterburg, Kapiten i dragonëve, Kalorës i Shën Luigjit, Ministër Fuqiplotë i Francës në oborrin e Anglisë.

Ideja e “madhështisë” së Rusisë u propagandua edhe në periudhën e diktaturës komuniste që u vendos pas revolucionit të tetorit të vitit 1917. Në një fjalim që Stalini pati mbajtur në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të  Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik,vetëm katër ditë para nënshkrimit të paktit Molotov-Ribentrop më 23 gusht, pra, më 19 gusht 1939, shtjellohet haptazi ideja bazë e Testamentit të Pjetrit të Parë për pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:

“Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le të shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “DW Made for minds”. 30 gusht 2019).

Ideja e përulësisë së njeriut rus para pushtetit zë fill që në vitin 1497, kur fshatarët, në bazë të ligjit të së drejtës së bujkrobërisë, u shndërruan në bujkrobër, në pronë të çifligarëve, të cilët i trajtonin si mall që mund t’ia shisnin dhe t’ia blenin njëri-tjetrit. E drejta e bujkrobërisë u shfuqizua në vitin 1861. Pra, gjatë 364 vjetëve, njeriu i zakonshëm rus, pra, krejt fshatarësia, e cila përbënte tërësisht popullsinë e Rusisë, me përjashtim të njerëzve të shtresës së pushtetit, s’ishte gjë tjetër, veçse thjesht një mall për tregun e çifligarëve. Sigurisht që kjo periudhë kaq e gjatë sundimi mbi njeriun e thjeshtë rus, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij psikologjik, i cili u bë edhe më i dukshëm gjatë diktaturës komuniste 74-vjeçare (1917-1991). Pikërisht një popull të tillë, të edukuar me idenë e përulësisë shumëshekullore, Putini e gjeti të gatshëm për nënshtrim të mëtejshëm kur erdhi në krye të Rusisë më 26 mars të vitit 2000.

Në një burim informacioni nga inteneti, bëhet e ditur se Putini, duke ndjekur gjurmët e perandorit Pjetri i Parë dhe të Stalinit për “madhështinë” e Rusisë, ja çfarë ka deklaruar pesë vjet pasi qe bërë neocari i saj. Në atë informacion thuhet:

“Pikërisht para Krishlindjeve të vitit 2005, Putini pati parashtruar idenë e vet se në ç’mënyrë Rusia do të rivendosë ndikimin e vet në mbarë botën, si dikur Bashkimi Sovjetik. Ai deklaroi me krenari se Rusia është eksportuesja më e madhe e gazit në botë dhe e dyta për eksportimin e naftës. Në një takim që pati asokohe me disa ministra dhe këshilltarë të tij të besueshëm, ai deklaroi se Rusia duhet të synojë të dalë në krye të botës në sferën energjetike” (Citohet sipas: “Pse Rusia po vë në rrezik ambiciet e veta energjetike?”. Faqja e internetit “InoPressa”. 04 janar 2006).

Dhjetë vjet më vonë, përsëri në vazhdim të gjurmëve të Pjetrit të Parë dhe të Stalinit, Putini pati deklaruar:

“Kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë askund” (Citohet sipas: “Putin: Kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë askund”. Faqja e internetit “BBC News”. 24 nëntor 2016).

Tani, pasi kanë kaluar 200 ditë që nga koha kur Rusia, me sulmin fashist që ndërmori kundër Ukrainës, si një shtet i pavarur dhe sovran, e zhveshi veten lakuriq para botës dhe zbriti në sheshin e mejdanit si një shtet banditesk, si një shtet terrorist dhe mbarë populli rus, që nga Kamçatka, Vladivostoku e deri në brigjet e detit Balltik, u prezantua para opinionit ndërkombëtar si një bashkësi me një zbrazëti shpirtërore unike, duke vëzhguar me shpërfillje të plotë krimet e ushtrisë gjakatare ruse kundër fëmijëve, grave, plakave dhe pleqve ukrainas, më erdhi menjëherë ndër mend përmbajtja e veprës “Frymë të vdekura” të shkrimtarit të shquar Nikollaj Gogol (1809-1852). Ajo  është një vepër thellësisht satirike. Realitetin që e rrethon, Gogoli e përshkruan me nota tepër të zymta dhe e vë në lojë plot mllef. Ai nuk ia fsheh lexuesit tiparet më të pështira të heronjve të vet, madje ia nxjerr në pah qëllimisht.

Përqeshja, me të cilën Gogoli e përshkruan realitetin, përfshinte në vetvete edhe një ndjenjë trishtimi të thellë, pasojë kjo e tablove të shuarjes shpirtërore “të vdekjes për së gjalli” të njeriut rus, të poshtërimit dhe të shtypjes së tij nga dukuritë e amullisë sociale. Ai ka përshkruar mjeshtërisht veset dhe dobësitë e njeriut rus, ka pasqyruar në një mënyrë të tillë problemet më të mprehta për Rusinë, saqë heronjtë kryesorë dhe pikësynimet, ndjenjat dhe bëmat e tyre të mos tingëllojnë si jehona të së kaluarës. Edhe 180 vjet pas botimit të saj (1842), kjo vepër ka një tingëllim mjaft aktual, sikur të ishte botuar në ditët tona. Ja çfarë thuhet në njërën prej faqeve të internetit:

“Gogoli ka pasqyruar në poemë një të keqe të tillë sociale, si zbrazëtia shpirtërore. Me një mjeshtëri të hollë artistike, ai ka pasqyruar njerëz, të zhveshur nga ideale të larta, të mbyllur vetëm në vetvete, shpërfillës ndaj gjithçkaje që nuk ka të bëjë me ta drejtpërsëdrejti. Zbrazëtia shpirtërore është shoqërues i përhershëm i njeriut rus deri në ditët tona” (Citohet sipas: “Tingëllimi atual i poemës “Frymë të vdekura”. Faqja e internetit “Cyberleninka”. 25 maj 2017).

Lind pyetja: cila është arsyeja që populli rus, i madh e i vogël, nuk u ngrit peshë më këmbë kundër agresionit fashist të ushtrisë ruse në Ukrainë, një ushtri kjo kaq gjakatare, saqë ua ka kaluar shumëfish edhe krimeve të nazizmit gjerman?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në historinë e popullit rus, e një populli me psikologji prej skllavi, të kultivuar nga carizmi për shekuj me radhë. Pikërisht në saj të kësaj psikologjie, Rusia ka pasë qenë vlerësuar si një burg popujsh. Pra, Rusia, në fakt, s’ka qenë dhe s’është gjë tjetër, deri në ditët tona, veçse një burg popujsh për njerëzit e thjeshtë, është një vend i “frymëve të vdekura”.

Shprehja frazeologjike “burgu i popujve” pati hyrë në qarkullim në mesin e shek. XIX. Si kuptim kryesor i saj, pati shërbyer përfytyrimi stereotip i perandorisë ruse, si një shtet i prapambetur diktatorial. Ai, që i pari e ka quajtur Rusinë “burgu i popujve”, ka qenë aristokrati, shkrimtari dhe udhëtari francez Astolf de Kystin (Astolphe-Louis-Léonor, marquis de Custine - 1790-1857), i cili, në vitin 1839,  pati vizituar Rusinë me ftesë të perandorit Nikollaj I (1796-1855). Nisur nga bindjet e veta politike (konservatorizmi, monarkizmi dhe klerikalizmi), ai qe pritur në oborrin rus dhe në qarqet më të larta të shoqërisë ruse. Shënimet e tij të udhëtimit, me titull “La Russie en 1839” (Rusia në vitin 1839), qenë botuar për herë të parë në Paris në vitin 1843, duke  shkaktuar një stuhi kritikash dhe reagimesh kontradiktore në mjediset e inteligjencies ruse, si në radhët e simpatizantëve të Perëndimit, ashtu edhe të sllavianofilëve. Autori i këtyre shënimeve, Rusinë e shek. XIX, me një sarkazëm therës, e përshkruan si një vend kontrastesh, Në morinë e vërejtjeve kritike të planit të përgjithshëm për natyrën mashtruese të fasadës ruse, për arbitraritetin e autoriteteve, për mangësitë e theksuara të sistemit gjyqësor etj., autori nxjerr mirë në pah gjendjen e mjeruar të të gjithë popujve nën sundimin e perandorit rus dhe mungesën e shoqërisë civile. Sado e pafundme që është kjo perandori, thekson ai, ajo s’është gjë tjetër, veçse një burg popujsh, çelësat e të cilit i mban perandori”.

Në veprën e lartpërmendur të autorit francez, janë mjaft mbresëlënëse disa shprehje me vlera aforistike, të cilat zbulojnë psikologjinë prej skllavi të njeriut rus dhe që po i rendis në vijim:

“Secili mundohet ta maskojë të keqen para pushtetarit dhe të reklamojë të mirën”.

“Të pasurit këtu nuk janë bashkëqytetarë me njerëzit e varfër”.

“Në Rusi, çdo sundimtar vlerësohet si një perëndi, çdo femër monarke vlerësohet si Artemida dhe Kleopatra”.

“Rusia është vendi i memecëve”.

Fakti mjaft domethënës që populli rus nuk e kundërshtoi agresionin fashist kundër një shteti fqinj, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se Putinin ai e konsideron si “perëndi”. Ky qëndrim prej sllavi i popullit rus, të cilit s’i bëjnë kurrfarë përshtypjesh krimet barbare të ushtarëve të tij kundër popullsisë civile në Ukrainë, shkatërrimet me raketa të pallateve të banimit, të objekteve të artit dhe të kulturës dhe përgjithësisht të infrastrukturës në atë vend, më solli ndër mend një shprehje mjaft kuptimplote të arkitektit amerikan Frank Lloid Rait (Frank Lloyd Wright - 1867-1959), të vlerësuar si krijues të “arkitekturës organike”. Ajo shprehje i shkon mjaft për shtat natyrës të marrëdhënieve të kryekriminelit Putin me popullin e vet. Ai ka thënë.

“Madhështia e një despoti e ka burimin jo në vlerat e tij personale, por në poshtërimin e turmës që e rrethon”.

Despotët, zakonisht, janë njerëz me aftësi poshtë mesatares së intelektit dhe, kuptohet vetvetiu, nuk kanë aftësi intelektuale, çka  bën që të vuajnë tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit. Prandaj mundohen t’ia rrisin autoritetin vetes përmes sundimit despotik. Shoku i klasës së Putinit në Institutin e zbulimit, Juri Shvec, i ka bërë Putinit “rezonancën magnetike” të intelektit. Ai rrëfen:

“Që të pranoheshe në Institutin “Andropov” të KGB-së së Bashkimit Sovjetik, ishte një gjë jashtëzakonisht e koklavitur. Por po të pranoheshe ama, atëherë gjasat ishin 99,9% që ty do të të dërgonin të shërbeje në zbulim… Fakti që Putinin e dërguan jo në zbulim,.. dëshmon se mes kolegëve, aftësitë e tij ishin poshtë mesatares” (Citohet sipas: Ana Dvali. “Intervistë me zbuluesin Juri Shvec, shok i klasës së Putinit në Institutin “Andropov””. Faqja e internetit “Gordon”. 28 prill 2015).

Natyrën e nënshtruar të popullit rus me psikologji prej skllavi, e nxjerrin mirë në pah edhe sot disa intelektualë nga radhët e tij.

Gazetarja e shquar, Ksenjia Llarina (1963), ka pasë qenë drejtuese programesh në radion “Eho Moskvëj” (Jehona e Moskës). Në mars të vitit 2010, ajo pati nënshkruar një thirrje të opozitës ruse, me titull “Putini duhet të largohet”. Në tetor të vitit 2017 e braktisi Rusinë për shkak të përndjekjeve të vazhdueshme nga ana e Vladimir Sollovjovit, drejtues emisionesh ky në kanalin televiziv shtetëror rus “Rusia 1”. Përkrah kopesë së servilëve me damkë të Putinit, si Dmitri Kiselov, Margarita Simonian, Olga Skabejeva, Nikita Mihallkov dhe monstra të tjera, Vladimir Sollovjovi është bërë shumë i njohur në mbarë opinionin  ndërkombëtar, si një kryeservil i pështirë i Putinit, i cili është ngritur deri në modelin e një skizofreni të paimagjinueshëm. Ajo përndjekje shërbente si nxitje për eliminimin fizik të gazetares. Prandaj, për të mos pësuar fatin e koleges së saj gazetare, Ana Politkovskaja, demaskueses së agresionit që pati ndërmarrë, me urdhër të Putinit, ushtria fashiste ruse kundër Çeçenisë, të pushkatuar në ashensorin e pallatit të vet më 07 tetor 2006, Ksenjia Llarina, siç u theksua më lart, u largua nga Rusia përfundimisht  Tani ajo jeton në Portugali. Në një postim të sajin në fb, ajo ka bërë deklaratën në vijim:

“Më duket se gabimi më i madh i rusëve konsiston në faktin që ne nuk kemi arritur të vetëdijësohemi se jemi të paqenë, se nuk ekzistojmë. Ne drejtojmë emisione televizive, themi dëngla para kamerave, shesim mend, ngacmojmë bashkëbiseduesit, arsyetojmë për natyrën e dobishme dhe të dëmshme të Rusisë, shprehim pakënaqësi, na kap histeria lidhur me vizat shengen, me hedhjen në harresë të kulturës ruse.., kërkojmë respektimin  e të drejtave qytetare… Por nuk jemi në gjendje të kuptojmë kryesoren: ne kemi pushuar së ekzistuari. Ne ndodhemi jo vetëm jasht truallit juridik, ne ndodhemi jashtë truallit të njerëzimit. Ne duhet të ndërgjegjësohemi për ta kuptuar një gjë të tillë…” (Citohet sipas: “Gabimi më i madh i rusëve. Diskutime në gjurmët e postimit të Ksenia Llarinës”. Faqja e internetit “Radio Svoboda”, 19 gusht 2022).

Më bënë shumë përshtypje dy komentete për deklaratën e mësipërme.

Së pari, Tatjana Anjikina, duke iu drejtuar Ksenjia Llarinës, shkruante:

“Ti ke shkruar për atë që unë e kuptova shpejt në mëngjesin e 24 shkurtit. Madje jo në këtë mënyrë: se në çfarë humnere mosekzistence ne, si “popull rus”, jemi duke rrëshqitur, unë pata filluar ta kuptoj më herët: solla nëpër mend Gjeorgjinë, Krimenë, Boingun malajzian, Lojërat olimpike tërë gjak - t’i numërosh “zilkat” dhe shenjat, duhet një kohë e gjatë dhe nuk ia vlen. Qoftë edhe për arsyen se do të fillojnë menjëherë kundërshtimet… Unë, për veten time, këtyre kundërshtimeve u kam vënë një kryq të madh. Kjo për arsye se mëngjesin e 24 shkurtit mund ta krahasosh me shembjen e buzës së fundit të një shkëmbi, ku është kapur me majat e gishtave dikush që  rri varur mbi një humnerë. Përderisa gjithë vendi, mbarë populli… atë mëngjes nuk doli të mbushte rrugët me pllakatën e vetme në duar me thirrjen “Jo!”, atëherë ky është fundi ynë, si popull” (po aty).

Së dyti, Viktor Shenderoviç bën fjalë, nëse mund të ketë vend pendesa e rusëve për krimet në Ukrainë. Ai thekson:

“Përgjithësisht, nuk ekzistojnë kurrfarë rusësh për një pendesë të tillë. Temperatura mesatare etike, sipas spitalit me njëqind e dyzet milionë të sëmurë, është e njëjtë… Me një diagnozë dhe terapi të përgjithshme: ne të gjithë jemi të çmendur” (po aty).

Pra, mendësia e popullit rus e kohës së Gogolit, në raport me despotët e vet, është e njëjtë edhe në Rusinë e sotme neocariste, në krye të së cilës është një askush me emrin Putin. Prandaj Rusia vazhdon të mbetet një burg popujsh, një vend me frymë të vdekura, një spital gjigand të sëmurësh, siç thekson intelektuali Viktor Shenderoviç, një realitet tragjik ky, të cilin kasta sunduese e Kremlinit mundohet ta maskojë me paradat “madhështore” të forcave ushtarake në Sheshin e Kuq më 09 maj.

Ishin pikërisht aftësitë e Putinit poshtë mesatares ato që çuan në organizimin e sulmit fashist të ushtrisë gjakatare ruse kundër Ukrainës, të cilat, para opinionit publik ndërkombëtar, zbuluan lakuriq të vërtetën se Rusia s’qenka gjë tjetër, veçse një gërmadhë e kalbur që di vetëm të kacagjelohet para botës me kokat e mbushjeve bërthamore. Tani le t’u pijë lëngun armëve bërthamore dhe le të vazhdojë të plehërojë edhe më shumë tokat pjellore të Ukrainës me kufomat e rreth 50 mijë ushtarëve të vrarë deri tani.

Shprsa vdes e fundit. Le të shpresojmë që popujt e Rusisë do të zgjohen një ditë nga gjumi letargjik shumëshekullor, për ta gjetur vetveten, do ta shkundin nga vetja psikologjinë e skllavit, frymën e nënshtrimit poshtërues para pushtetit, do t’i shkallmojnë dyert e burgut gjigand, ku i mban të mbyllur kasta kriminale e Kremlinit, do të çlirohen nga natyra shoviniste dhe ideja marroke e “madhështisë” së Rusisë dhe Putinin, bashkë me rrethin e ngushtë të servilëve të tij të pështirë në mjetet e informimit masiv, do t’i flakin në koshin e mbeturinave. Një rreze drite duket në fundin e tunelit të errësisër puitiniane. Në një informacion më të fundit thuhet:

“Disa deputetë nga Peterburgu i propozuan Dumës Shtetërore (parlamentit rus - E.Y.) të ngejë… akuzë kundër Putinit për tradhti shtetërore… dhe të kërkojë dorëheqjen e tij. Për këtë njoftoi deputeti Dmitri Paluga. Deputetët e Peterburgut mendojnë se vendimi i Putinit për fillimin e sulmit të ushtrisë ruse në territorin e Ukrainës, dëmton sigurinë e Rusisë dhe të qytetarëve të saj…” (Citohet sipas: “Populli u rebelua! Putinin e akuzuan për tradhti shtetërore! Tiranin e pret gjyqi!”. Telekanali “News for you”. 12 shtator 2022).

Le të shpresojmë që theqafja e Putinit do të shënojë shembjen e themeleve të Perandorisë së kalbur neocariste ruse dhe popujt e kombësive të ndryshme do të shkëputen prej saj, duke krijuar shtetet e tyre të pavarura dhe sovrane, kurse rusët  do të mblidhen në stanin e tyre të shtetit Moskovia.

Kaliforni, 12 shtator 2022