E shtune, 28.01.2023, 08:47 PM (GMT)

Mendime

Dritan Demiraj: Irani, lufta kibernetike dhe 'diplomatët' e forcave Quds

E premte, 09.09.2022, 06:55 PM


IRANI, LUFTA KIBERNETIKE DHE ‘DIPLOMATËT’ E FORCAVE QUDS

Nga Kolonel Dritan Demiraj

Në vazhdim të debatit, analizës dhe diskutimit në lidhje me vendimin e qeverisë së Shqipërisë për largimin e menjëhershëm të diplomatëve iranianë nga vendi jonë, një masë e cila nuk është marrë nga asnjë vend tjetër deri tani, mendoj se ishte vendimi në kohën, vendin, forcën e duhur dhe e mbështes atë plotësisht.

Tashmë nuk janë të panjohura faktet e përfshirjes së ‘diplomatëve’ iranianë në operacione të fshehta, klandestine, rrëmbime, vrasje dhe deri tek sulmet terroriste kundër individëve, qytetarëve, institucioneve dhe ambasadave të huaja nëpër botë.

Por në këtë analizë do të përpiqem shkurtimisht të analizoj për interes të lexuesit disa prej tyre.

Irani është një shtet pa demokraci liberale siç përkufizohet në perëndim, por reformat pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 janë shumë më përfaqësuese në krahasim me regjimet autokratike të mbretërive arabe fqinje me të. Për më tepër, Irani ka qendra të ndryshme konkuruese të fuqisë, të cilat ndikojnë në politikën e tij rajonale.

Aktualisht figura më e fuqishme në vend është Ajatollah Ali Khamenei, i cili zëvendësoi Ajatollah Ruhollah Khomenein si Udhëheqës Suprem i Iranit në vitin 1989. Sipas shërbimeve inteligjente perëndimore, objektivat e politikës së jashtme të Ali Khamenit janë të përcaktuara sipas prioriteteve si vijon:

Së pari, t’i rezistojnë sa më shumë SHBA-ve.

Së dyti, të luftojnë kundër zgjerimit të influencës së Izraelit.

Së treti, të forcojnë planet që Irani të dominojë në Lindjen e Mesme.

Së katërti, të vazhdojnë mbështetjen për çështjen Palestineze.

Së pesti, të vazhdojnë investimin për fitimin e statusit të vendit që gëzon fuqi nukleare, si mjet për pavarësinë e Iranit dhe prestigj botëror.

Së gjashti, të jenë ‘lojtarët’ kryesorë brënda Botës Islamike.

Ndërkohë që këto prioritete udhëzojnë e drejtojnë strategjinë dhe politikën e jashtme të Iranit, roli i Udhëheqësit Suprem të Iranit është vendimtar dhe njerëzit që punojnë nën drejtimin e tij janë përgjegjës për implementimin e këtyre politikave. Politika e jashtme e regjimit Iranian, drejtohet nga Udhëheqësi Suprem (Velayat-e faqih ose Sistem i drejtimit Islamik) i Iranit Ajatollah Ali Khamenei, i cili bazohet në rritjen e influencës dhe eksportimin e Revolucionit Islamik në të gjithë rajonin. Dhe pikërisht zbatimi i këtyre objektivave dhe i kësaj “diplomacie” të suksesshme i është dhënë Gardës Revolucionare IRGC-së dhe forcave Quds.

Një nga objektivat kryesore të Iranit gjatë dekadës së fundit ka qënë rritja e influencës së tyre në Lindjen e Mesme duke përdorur të gjitha format e luftës. Deri në momentin sa ishte gjallë këtë mision e drejtonte në mënyrë të fshehtë gjeneral leitnant Qasem Solejmani. Irani prej kohësh ka krijuar kapacitete të mëdha të luftës së parregullt, luftës asimetrike, luftës informative, luftës kibernetike, etj duke përdorur strategjinë e ‘mbrojtjes së përparuar’, e cila përfshin mbështetjen e grupeve terroriste me milicitë lokale në të gjithë Lindjen e Mesme.

Suksesi i strategjisë ushtarake të gjeneral Solejmanit dhe zëvendësit të tij Ismail Gaani, është rritja e numrit të grupeve militante që veprojnë nën influencën e Iranit. Kjo forcë në vitin 2022 përbëhet nga më shumë se 200.000 militantë të stërvitur, të cilët veprojnë në vende si Gaza, Libani, Siria, Iraku, Jemeni, etj duke u rritur në numër më shumë se 150 për qind në krahasim me vitin 2013. Në të njëjtën kohë, Irani ka në dispozicion arsenalin më të madh dhe të sofistikuar të raketave balistike në rajon dhe kjo për ‘meritë’ të Federatës Ruse, Koresë së Veriut dhe Kinës.

Vitet e fundit Irani ka rritur ndjeshëm edhe kapacitetet e luftës kibernetike. Sipas agjensisë së inteligjencës X: “Irani në ditët e sotme përdor teknika kibernetike shumë të sofistikuara për të ekzekutuar operacione inteligjence. Ai është përpjekur dhe në disa raste ia ka arritur të ekzekutojë sulme kibernetike në shumë vende të botës kundër infrastrukturës kritike në vende si SHBA-të por dhe në vendet e tij aleate përfshirë këtu edhe Shqipërinë”.

Grupet e hakerave të lidhur me Iranin në shumë raste kanë sulmuar institucione shtetërore si në rastin e vendit tonë të E-Albania, por në shumë vende të tjera kanë sulmuar banka perëndimore, kazino, stacione të rëndësishme elektrike, hidrocentrale, institucione financiare si Bankën e Amerikës, Bankën ‘Chase’, New York Stock Exchange, etj.

Grupet e hakerave që mbështeten nga qeveria e Iranit njihen si APT-33 ose Elfin. Irani ka ekzekutuar sulme kibernetike të sofistikuara edhe kundër parlamenteve të ndryshme nëpër botë, agjensive qeveritare dhe kompanive të pasura shumë të fuqishme ku po përmend në këtë rast kompaninë saudite të superfuqishme ‘Aramco’, duke shkaktuar humbje financiare në miliarda dollarë.

Fushë tjetër në të cilën Irani ka qënë shumë agresiv, është edhe fushata e dizinformimit kundër platformave dixhitale amerikane në platformat si: Facebbok, YouTube dhe Twitter.

Në datën 23 janar 2018, sipas drejtuesit të Asamblesë së Ekspertëve në Iran Ahmad Jannati, “Lideri suprem Ayatollah Khamenei zhvilloi një takim me specialistët më të mirë të luftës kibernetike për tre orë, duke i deklaruar midis të tjerash se: ‘Hapësira kibernetike është një fushë e rëndësshme për suksesin tonë’”.

Lufta kibernetike e regjimit Iranian drejtohet kryesisht nga Garda Revolucionare (IRGC), por njësi të luftës kibernetike ka edhe në Ministrinë e Inteligencës (MOIS) dhe Forcat Qeveritare të Sigurisë (NAJA). Qëndra e luftës kibernetike e Gardës Revolucionare njihet njëkohësisht si baza e luftës kibernetike ‘Ammar’.

Organizata e luftës kibernetike ndodhet nën komandën e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare, e cila drejtohet nga Hossein Taebi dhe zëvendësi i tij është gjeneral brigade Hossein Nejat.

Kjo qëndër përbëhet nga 15 anëtarë ku mund të përmendim:

Hojjat ol-Islam Alireza Panahian, drejtuesi i organizatave të mendimit universitar tek lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Hojjat ol-Islam Mehdi Taebi, profesor universiteti.

Saeed Qasemi, drejtor i Institutit Kulturor në Misagh.

Hojjat ol-Islam Mohammad Mehdi Mangegari, drejtues i bordit të Institutit Kulturor të Martirëve.

Nader Talebzadeh, drejtues dhe prezantues i programit ‘Raz’.

Hassan Abbasi, kryetar i Doktrinës së Sigurisë Pa Kufij.

Mohammad Hossein Rostami, drejtor i bazës së luftës kibernetikë ‘Ammar’.

Personi kryesor që koordinon përpjekjet teknike, logjistike dhe që vepronte me urdhër të liderit suprem Khamenei ka qënë Ministri i Informacionit dhe i Teknologjisë së Komunikaconit Mohammad Javad Ali Jahromi.

Për ta bërë më të qartë, vendimin e qeverisë Shqiptare për largimin e diplomatëve iranianë nga vendi jonë, është e rëndësishme të analizojmë se përveç sulmeve kibernetike, një aktivitet të paligjshëm dhe agresiv realizojnë edhe ambasadat e Iranit jashtë vendit të tyre.

Me qëllim realizimin e gjashtë prioriteve kryesore, njeriu më me influencë në atë kohë ishte gjeneral leitnant Qasem Soleimani, i cili ishte njeriu më i afërt i Ajatollah Ali Khameneit njëkohësisht edhe komandanti i forcave Quds për 23 vite. Thënë kjo, forcat Quds si komanda që vepron jashtë shtetit i IRGC-së prej vitesh ka marrë në mënyrë efektive kontrollin e politikës së jashtme të regjimit përmes ambasadave dhe personelit të tyre.

Ambasadat e Iranit në Irak, Siri, Liban, Afganistan, Jemen, Bahrein, Shqipëri, Bosnjë dhe Azerbaxhan kanë qënë të përbëra nga personel të forcave Quds dhe IRGC-së. Në të njëjtën kohë, edhe personeli i ministrisë së jashtme iraniane vepron sipas porosive dhe këshillave të forcave Quds. Përveç vendeve që përmenda më lart, IRGC-ja ka influencë të madhe edhe në vendet e mëposhtme si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini, Omani, Turqia, Rusia dhe Armenia (shih hartën lart). Në vende si Iraku, Siria dhe Afganistani, ambasadorët e Iranit kanë qënë drejtëpërsëdrejti anëtarë të lartë të forcave Quds dhe miq të ngushtë të Qasem Soleimanit.

Emërimi i ambasadorëve nga forcat Quds në këto vende, është bërë me qëllim intensifikimin e axhendës për shtrirjen dhe zgjerimin e revolucionit Islamik, njëkohësisht dhe mbikqyrjen e operacionave klandestine duke shfrytëzuar mundësitë e dhëna nga imuniteti diplomatik i ambasadës dhe ambasadori.

Që nga koha e pushtimit të Irakut në mars 2003, ambasadori i Iranit në Irak gjithmonë është zgjedhur nga radhët e komandantëve të vjetër të forcave Quds.

Ambasadori i parë i pasluftës së Teheranit në Irak pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm të Sadam Hyseinit, ka qënë gjeneral brigade Hassan Kazemi Qomi. Përpara marrjes së kësaj detyre, ai kishte qënë konsulli kryesor i Iranit në qytetin Herat të Afganistanit.

Në vitin 2011, gjeneral brigade Hassan Danaifar zëvendësoi gjeneral Qomin në këtë detyrë. Gjeneral Danaifari më parë kishte patur detyrën e zv/komandantit të marinës së IRGC-së dhe drejtonte komandën e IRGC-së në Khatam al-Anbia.

Në muajin janar 2017, gjeneral brigade Iraj Masjedi, drejtori i drejtorisë për Irakun në IRGC dhe këshilltar i vjetër i komandantit të forcave Quds Qassem Soleimani, u emërua ambasador i Iranit në Irak.

Edhe në Siri, ambasadori Mohammad-Reza Ra'uf Ashtiani, mandati i të cilit përfundoi në muajin tetor 2016, ishte i lidhur ngushtë me IRGC-në. Edhe pas largimit të tij, disa komandantë të IRGC-së vazhduan të operojnë në Siri nën mbulesën e statusit të diplomatit.

Këtu mund të përmendim gjeneral brigade Fallahpouri, i cili ishte drejtori i inteligjencës dhe i rrjeteve sekrete të forcave Quds në Siri dhe kishte status diplomati në ambasadën në Damask, i cili njëkohësisht kontrollonte të gjithë personelin e IRGC-së në Siri.

Ndërkohë në këtë ambasadë është i atashuar edhe gjeneralbrigade Alinejad, i cili është atashe ushtarak i Republikës Islamike të Iranit në Siri.

Në muajin korrik të vitit 2018, diplomati i lartë iranian Assadollah Assadi në ambasadën iraniane në Austri, u arrestua në Gjermani me akuzën e planifikimit, drejtimit, mbështetjes financiare dhe logjistike për të ekzekutuar një sulm me bombë kundër takimit që do të organizonte opozita iraniane e Këshillit Kombëtar të Rezistencës (NCRI) në periferi të Parisit në Villepinte.

Në muajin mars të vitit 2018, agjenti iranian i MOIS-it i maskuar si diplomat i Teheranit në Tiranë Mostafa Roudaki, në atë kohë drejtues i stacionit të inteligjencës në ambasadën iraniane në Shqipëri së bashku me ambasadorin përgatitën një kaminë bombë (S-VBIED), e cila ishte planifikuar për përdorej kundër 2500 anëtarëve të MEK-ut në afërsi të Manzës. Ky veprim detyroi qeverinë Shqiptare që në datën 14 dhjetor 2018, të largonte ambasadorin iranian dhe agjentin e MOIS-it Roudaki nga vendi jonë me akuza për terrorizëm.

Në datën 30 tetor të vitit 2018, autoritetet e Danimarkës në bashkëpunim me shërbimet sekrete të Norvegjisë, arrestuan një agjent iraniano-norvegjez i cili po planifikonte vrasjen e një shtetasi nga Danimarka.

Në muajin qershor të vitit 2018, shërbimet e sigurisë së Hollandës larguan nga vendi dy diplomat iranianë për shkak të lidhjeve të tyre me terroristë. Arsyeja ishte vrasja e shtetasit Ahmad Mola Sissi, drejtues i lëvizjes ‘al-Ahvazieh’.

Në datën 16 janar të vitit 2018, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Federal të Gjermanisë, forcat speciale gjermane arrestuan 10 agjentë të forcave Quds në disa qytete të Gjermanisë, për shkak të planifikimit të sulmeve terroriste, etj.

Siç e shohim edhe nga këto pak raste të analizuara më lartë, përveç kontrollit të drejtpërdrejtë të ushtruar nga IRGC-ja dhe forcat Quds në shumë ambasada, në shumë prej këtyre misioneve diplomatike oficerët e forcave Quds janë emëruar si atashe ushtarakë dhe punojnë vetëm për zbatimin e politikave të jashtme të regjimit nën mbulesën diplomatike. Forcat Quds kanë gjithashtu një njësi aktive të inteligjencës, e cila funksionon paralelisht me ministrinë e inteligjencës së Iranit.

Në këtë linjë, forcat Quds kanë rrjete të fuqishme inteligjence në të gjithë rajonin. Kjo tregon qartë fuqinë e forcave Quds dhe IRGC-së në vendimmarrjen politike dhe përplasjen e tyre të vazhdueshme me politikat e Ministrisë së Jashtme të Iranit dhe ministrin e jashtëm Hossein Amir-Abdollahian ose ish ministrin Mohammad Javad Zarif.

Si përfundim, shumë prej këtyre operacioneve, strukturave, bazave ushtarake dhe misioneve jashtë Iranit janë analizuar në mënyrë modeste në dy librat që do të dalin së shpejti nga botimi dhe që botohen për herë të parë në interes të studiuesve të fushës së shkencave politike, gjeopolitikës, inteligjencës, mbrojtjes dhe sigurisë: “Gjeopolitika e Republikës Islamike të Iranit” dhe “Strategjia ushtarake e Iranit, Forcat e Armatosura, Korpusi i Gardës Revolucionare dhe fuqia e tyre luftarake”.

Dritan Demiraj, Ph.D.

9 Shtator 2022.

facebook.com/profile.php?id=100044589662161



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora