E merkure, 24.04.2024, 01:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Faslliu

E merkure, 07.09.2022, 04:35 PM


FASLLIU

Kujtimit të FASLLI SERJANIT

(tregim)

Nga Përparim HYSI
Faslli Serjani ishte nga fshati BELISHOVË i MALLAKASTRËS dhe me gjithë familje u vendos në MBROSTAR-URA të FIERIT aty pragviteve '70-të të  shekullit tjetër.MBrostar-URA qe sektor ferme dhe,natyrshëm, krahasuar me jetën në kooperativë, qe më mirë. FASLLI SERJANI qe burrë i zgjuar që nuk ia hante qeni shkopin dhe nuk qe nga ata që miqësohej kollaj. Shikonte punën e tij dhe,me sa e mbaj mend,kish rreth 6 fëmijë.Këta fëmijë  ai i rriti së bashku me të shoqen që punonin në arat e sektorit. Unë e njoha përmjet fëmijëve që ishin nxënës të mi dhe,që në bisedën e parë me të,vura re:një burrë të zgjuar që,po ta sëmboje pak,as të njihte për Sulo-be!

*      *    *

Njohja tjetër,pak më e përafërt me FASLLI SERJANIN, më ndodhi,kur bëmë atë që quhej"zbori ushtarak". Reparti ku bënim"zborin" qe mu mbi kokë të fshatit dhe,siç bëhej organizimi ushtarak i asaj kohe,i gjithë fshati(ata që kishin kryer shërbimin ushtarak) mobilizohej në një ditë dhe për 17-ditë e net qemë të ngujuar aty mbi kodër,ku qe reparti ushtarak.
Aty stërviteshim dhe bënim jetë gazerme. Qe koha,kur në SHQIPËRI,"armiqët e brendshëm" po lëviznin bishtin,por vigjelenca e partisë me sh.ENVER jo vetëm i zbuloi,por "kastën e lartë ushtarake me Beqir BALLUKUN,PETRIT DUMEN,HITO ÇAKON e co... i nxori para"drejtësisë popullore" dhe i pushkatoi dhe jo vetëm kaq: ne qemë mobilizuar dhe për një arsye tjetër më madhore: MEHMET SHEHU që ishte për 27-vjet kryeministër,"vrau veten". Përmjet komisarit na u lexua ajo promemoria,ku syri vigjilent i komandantit të përgjithshëm,Enver Hoxha,"kish zbuluar" që paskej qenë"poliagjent",pra u paska shërbyer shumë shteteve,thuhej. Kur lexonte komisari,vura re se FASLLI SERJANI seç thoshte nën zë. Seç thoshte... epo punë e tij. Mbaroi "promemoria" dhe na u dha detyra:topat,armët,uniforma:çdo gjë me disiplinë të rreptë se,siç tha komisari,jemi në situatë luftarake dhe nën kontroll të drejtpëdrejtë nga MINISTRIA e MBROJTJES që kish zbritur me emisarët e tjerë edhe në rrethin tonë.
Stërvitja qe pak e rëndë për ne"moshën e thyer",sidozot këta,moshatarë me FASLLI SERJANIN që po afrohej drejt gjashtëdhjetave dhe unë,sa kisha kaluar të dyzetat. Oficerat më njihnin mua( i vetmi që isha mësues aty) dhe,ngaqë stërvitja qe me ngarkesë, më favorizonin duke më çuar në zyrë për ndonjë punë pak më të lehtë.
Faslliu e zbrazi"koburen":-Epo stërvitjet e rënda nuk janë për PAPIN (kështu më thërrisnin të gjithë ata që më njihnin dhe edhe nxënësit e mi:profesor PAPI),- tha Faslliu.  I moshuar ky dhe e ka këputur puna!!! Të tërë ia dhanë të qeshurit dhe mua,sado nuk më erdhi mirë, bëra sikur nuk dëgjova. Hëngrëm atë drekën e "kazanit" dhe komndanti na rreshtoi për të na dhënë detyrën tjetër:-Do hapnim dhe thellonim transhe për t'u mbrojtur nga armiqtë. Morëm ato "veglat xheniere" dhe,tek do shkonim tek pozicionet,shefi i shtabit më nxori nga rreshti për në zyrë. Dhe FASLLIU:-Se mos e mundoni PAPIN se është këputur nga puna i shkreti. Për punë jemi ne të tjerët. Epo kështu e ka kjo dynja.O Papi,- tha gjysmë me të qeshur dhe gjysmë me të ngjeshur,- të shkon kungulli mbi ujë. Më të lumtë! Unë,po zënë veshtë si me dyllë dhe as i zëmërohesha. Po dhe në zemërohesha,mos kujton se i bëhej vonë FASLLIUT. Dy të tretat e zboristëve qenë ish-nxënës të mi që nuk i duronin këta thumba për mësuesin e tyre. Dhe ja seç ndodhi. Na lajmëruan që ekipi i ministrisë,me çështje orësh, do mbrrinin për kontroll në repartin tonë. Porosia qe që të"kopsiteshim mirë" se kontrolli  do fillonte që nga uniforma.  Dhe nxënësit,si  dashamirë  të mi, gjetën rastin të"hakmerren" me FASLLINË. Përfituan nga rasti dhe i fshehën rrypin e mezit dhe kapelen. FASLLIU as që e prishi terezinë. U dha komanda për rreshtim dhe, sa mbrriti ekipi,komandanti i repartit raportoi dhe mbasi mori komandën qetësohu, u mënjanua dhe ndoqi shkimin rreshtor. Kur mbrriti tek FASLLIU,mend sokëlliu:- Çfarë je ti shok ushtar? Mos je ushtar i HAXHI QAMILIT? Ku  e ke rrypin dhe kapelen?

Faslliut, pa ia bërë tërr syri,iu përgjigj:- M'i  ka marrë PAPI!!! Të gjithë ia dhanë të qeshurit,se mirë me të tjerët,por dhe  tek këta të ministrisë më nxorri bojën.
- Ore,çfarë Papi, na ndërdëllis kështu?
- Shoku komandant,- tha qetë-qetë FASLLIU,- të shumët e këtyre këtu janë nxënës të këtij,PAPIT. Unë ngacmoj Papin dhe këta m'i fshehën edhe rrypin,edhe kapën. M'i gjen PAPI,- tha Faslliu. Jepjani se më nxori bojën,- u thashë nxënësve. Kështu mbaroi zbori i atij viti.
                                   *       *    *
Kishim apo nuk kishim  nja një muaj që e kishim mbaruar zborin dhe, befas, qe dhënë urdhëri që të gjithë punëtorët të linin punë para kohe,se do bëhej një mbledhje me rëndësi me të dërguar të komitetit të partisë së rrethit. Mua më thirrën urgjent se mbledhjen do ta drejtonte FRONTI dhe unë,në atë kohë,isha kryetar i Frontit për fshatin. Fshati ynë qe goxha i madh dhe bëheshin gati dymijë votues. Shkova tek zyra dhe sekretarja e partisë me prezantoi me të dërguarin. Ky, i dërguari,mend nxirte helm nga goja dhe më tha:- Jam ai, i komisionit të internim-dëbimeve dhe komiteti i partisë është i shqetësuar se mu në gjirin e fshatit tuaj është një armik që vjell vrer kundër pushetit e partisë. Informimi është i freskët dhe jo vetëm do ta demaskojmë atë"armikun" YZEDIN VELIU,por duam të demaskojmë dhe bashkëshokun e tij,me të cilin, për çdo mbrëmje,tek klubi i fshatit përdhosin partinë e pushtetin. Po ta them troç,-më tha,- më shumë na intereson ai"pijaneci" tjetër. Kot nuk thonë:- Kërcen prifti nga belaja. Unë qeshë ai,prifti në atë mbledhje demaskuese. E hapa mbledhjen duke thënë vetëm kaq:-Kjo mbledhje bëhet me porosi nga komiteti i partisë dhe për këtë do flas ky shoku X...
                                                         *    *   *
KY X... turfulloi dhe nxirrte shkumë se,në kohën kur partia e sh.Enver shparatalluan grupet armiqësore, në vend të jemi grushtbashkuar me partinë e shokun Enver, ka armiq që vjellin vrer kundër partisë e pushtetit popullor. Në mes tuaj është "armiku" YZEDIN VELIU që sot do ta demaskojmë e t'i vëmë hekurat këtu para jush.Nuk pi vetëm,por gjithnjë me të njëjtin njeri.Partia pret që ta gjeni atë, tjetrin se informaconin e kemi shumë të saktë. Qeshë në gjendje stresi dhe i dërguari u çudit që mora fjalën. Jam unë që pi për çdo mbrëmje me YZEDININ se jemi shokë të vjetër.Asnjëherë nuk e kam dëgjuar që të shajë qoftë partinë,qoftë pushtetin. Fakti që ju vini urgjent dikush ju informoi.Të dalë e të thotë dhe t'ia bëjmë gjyqin në vend. Dhe kam edhe diçka tjetër:partinë tonë dhe pushtetin popullor nuk e tronditën aq grupe armiqësore dhe një ish-kryeministër për 27-vjet poliagjent dhe do ta rrezikojë YZEDIN VELIU?
I deleguari kujtonte se njerëzit do brofnin kundër fjalë sime dhe të dënonin  bshkëfshatarin e tyre, por mbledhja sikur ra në pus dhe kjo s'po i pëlqente të dërguarit.Operativi nuk e priste këtë heshtje,kurse i plotfuqishmi fërkonte prangat. Dhe befas u ngrit FASLLI SERJANI. Ju kini ardhur dhe mirë kini bërë,tani  dëgjoni fjalën time. PAPI çdo mbrëmje pi me YZEDININ.Po dhe unë aty,ngjitur me ta,se katër tavolina janë.Rrimë gati një sahat aty dhe unë PAPIN e kam inat se më la djalin në klasë. Ky,PAPI,sado i gojës, kur pi ore sikur  e kaqepur me gjëlpërë gojën. E sa për YZEDININ,të gjithë e dinë që kam katër muaj që nuk flas  me të!!!Fizikisht nuk matem me të dot,por sy e veshë aty pas tavolinës.makar sikur të shajë jo vetëm partinë apo pushtetin, por qoftë dhe një nga këta kuadrot e sektorit. Pi dhe bëhet sarhosh, sa është gati të të marrë në krah, Ju thoni është i freskët informacioni, gënjen ai,faqeziu që ju ka imformuar. Mbledhja mori tjetër drejtim:askush nuk lëshoi pe në adresë të dërguarit dhe,kur pa që më askush nuk foli, e rimori fjalën:
- Partia nuk ka nevojë të shtojë armiq,por duhet të mprihni vigjelencën. Erdhi për lesh dhe iku i qethur.Pse kot e kishte gojën brisk FASLLI SERJANI? E shpëtoi nga prangat YZEDIN VELINË dhe,bashkë me të edhe mua,"pijanecin".  Mua jo vetëm më shpëtoi,por më preu dhe huqin e pijes. Se qe një kohë kur ikje për dhjamë qeni. Dua që këtë tregim jo vetëm ta lexojnë bashkëfshatarët emi në MBROSTAR-URA të FIERIT dhe,sidomos, fëmijët e FASLLI SERJANIT dhe,pa dyshim,djali dhe të afërmit të YZEDINIT se që të dy,si YZEDINI dhe FASLLIU janë ndarë nga jeta.

Tiranë,1 shtator 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora