E premte, 19.04.2024, 02:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Qytetërimi vendos hapjen e dosjeve, opozita izolohet brenda krimit

E marte, 23.12.2008, 10:23 PM


Nga Silvi Tresa

E majta nuk mundi të kapërcejë trashëgiminë e vet diktatoriale dhe iu nënshtrua presionit të falangave të ish-Sigurimit të Shtetit. Mazhoranca, e unifikuar në vendimin për t’i kthyer shoqërisë standardin moral të shkëputjes nga segmentet enveriste dhe qeverisjes së standardeve demokratike

TIRANE - Parlamenti ka miratuar ditën e djeshme me 74 vota pro, 2 kundra dhe 1 abstenim ligjin “Për pastërtinë e figurave të ish-zyrtarëve të lartë”, i njohur ndryshe si ligji i dosjeve.
Kryeministri Sali Berish, i pranishëm gjatë seancës së djeshme në Kuvend theksoi domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji, duke deklaruar se “Ligji për dosjet që do të votojmë sot, është ligji për tu ndarë një herë e përgjithmonë nga e kaluara nga krimet e komunizmit, nga barbarizmat  e diktaturës që u morën jetë mijëra shqiptarëve që kërkonin të drejtat e tyre, lirinë e fjalës, demokracinë e vërtetë”.
Duke vijuar më tej Kryeministri Berisha theksoi se “Ky është një ligj që prek ata që masivisht njohim, kjo sepse ky është një ligj që deligjitimon bazën, prejardhjen e tyre, ky është një ligj që fakton me shpejtësi lidhjen e tyre me mijëra e mijëra fije me aparat të kobshëm të diktaturës që e shndërroi Shqipërinë në vendin më të egër”.
Duke iu drejtuar deputetëve të pranishëm në sallë Berisha tha se “Mos harroni se Partia e tyre nuk ka kërkuar ndjesë kurrë, nuk i iket në këtë mënyrë historisë, burracakë dhe frikacakë, historia është e pamëshirshme, ka vetëm një alternativë: të përballesh me të. Shqiptarët pyesin të gjithë, Shqipëria mbarë kombi  e ndjekin këtë seancë, por ata fshihen, si fshiheshin dosjet, ky nuk është ligj për hakmarrjen, por për tu ndarë me të shkuarën, për tu ndarë me krimet e delelegjitimuara. Të gjeni kurajën, ti dënoni ato dhe mos mendoni se i shpëtoni verdiktit të shqiptarëve duke lënë karriget bosh. Opozita nuk mund të ikë, opozita  në çdo rast duhet të qëndrojë për vlerat që beson, por opozita në këtë rast është një opozitë që ka frikë nga fytyra e vet, ka tmerr ka nga pasqyra”, tha Kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Bojkoti i paralajmëruar i parlamentit nga kryesocialisti Edi Rama, është shndërruar dje në vendim politik të deputetëve të forcës që ai drejton, të cilët nuk kanë marrë pjesë në votimin e projektligjit për hapjen e dosjeve të komunizmit. Nën frymën e deklaratës urdhëruese të Edi Ramës, mesditën e djeshme, në seancën Parlamentare të mbrëmjes, në emër të grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe ka kundërshtuar miratimin e ligjit për dosjet.
Kundër projektligjit të qeverisë për dosjet janë shfaqur kundër të gjithë partitë e vogla të së majtës si dhe disa deputetë tashmë të pavarur.
Ndërkohë, seancën e votimit të këtij ligji e bojkotuan dje edhe deputetët e LSI-së, PSD-ës dhe PDK-së.
Ndërsa nga të pranishmit në sallën e kuvendit, Leonard Solis, mësohet se ishte deputeti që abstenoi, ndërsa dy deputetë që votuan kundër ishin Durim Hushi dhe Bukurosh Stafa.
Me gjithë mungesën e opozitës mazhoranca arriti ta kalojë në tërësi dhe nen për nen këtë ligj i cili prej disa kohësh qëndronte i depozituar në Parlament.

Berisha: Hetimi i nismave private në media po krijon përshtypjen e një lufte klasash

Kryeministri i përgjigjet kërkesës së deputetit Nikollë Lesi që në ligjin e dosjeve të përfshihen edhe pronarët e kryeredaktorët e mediave, duke deklaruar se përfshirja edhe e sektorit privat krijon përshtypjen e një lufte klasash

Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputeti i PLDK-së Nikollë Lesi ka kërkuar që në ligjin “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë” të përfshihen dhe drejtuesit e mediave. Kësaj kërkesë të deputetit Lesi i është përgjigjur Kryeministri, Sali Berisha i cili ka ndarë të njëjtin mendim me deputetin Lesi, por ka argumentuar arsyet se pse kjo nuk mund të bëhet e mundur.
Berisha u shpreh se “Së pari, Këshilli i Evropës në atë formën e lustracionit, përjashtoi sektorin privat, nuk pranoi të shtrihet në sektorin privat. Pse e bënë këtë? Sepse në qoftë se do të shtriheshin në sektorin privat do të krijonte përshtypjen e një lufte të re klasash, dhe në sektorin publik mund të ndërpritej”. Arsyeja e dytë sipas Kryeministrit Berisha është sepse “e ke vetë parasysh se çfarë karakteri delikat do të përbënte kjo për t`u akuzuar qeveria dhe  pushtetin se po e përdorin për të ushtruar trysni, mbi atë pushtet të rëndësishëm dhe delikat”.
Duke pasur parasysh dhe qëndrimet e njëanshme të disa mediave, Kryeministri Berisha duke iu drejtuar deputetit Lesi, sqaroi se “Imagjinoje ti  se çdo të thonë pronarët kundra meje, që kam dy vjet që jam i vetmi politikan që mbroj gazetarët kundra pronarëve, tani në qoftë se unë marr një hap të tillë ata janë të gatshëm të angazhojnë gjithë pasuritë e tyre në shpifje kundra meje se po e bëj për hakmarrje, mos na ngatërro me ta”, tha Kryeministri Berisha.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora