E merkure, 24.04.2024, 07:13 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Liderët serbë - Flasin për paqe e përgatiten për luftë!

E marte, 06.09.2022, 07:54 PM


Liderët serbë ende me maska: - Flasin për paqe e përgatiten për luftë!

Nga Enver Bytyçi

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ishte për herë të parë në Kosovë. Ajo foli në Mitrovicën e Veriut dhe u përpoq të sjellë mesazhe paqeje, aq sa mund ta bëjë këtë një politikan(e) i rëndësishëm serb. Është e pamundur që ndonjë lider e politikan i lartë me pushtet në Serbi të jetë vërtet e deri në fund paqësor. Edhe nëse është grua, si Brnabiq! Prandaj ajo sapo shqiptoi mesazhin për paqe e stabilitet, deklaroi njëkohësisht se vendi i saj nuk do të lejojë kurrë që serbët të persekutohen. Njësoj si Milosheviçi në vitin 1989! Po ashtu në stilin e Vladimir Putinit edhe ajo e Vuçiqi paralajmërojnë luftë e konflikt, gjithnjë „në mbrojtje të serbëve në veriun e Kosovës“!

Njësoj si kryeministrja, edhe presidenti i Serbisë bëri të njëjtën gjë nga Beogradi, kur thoshte se „ndërrimi i targave dhe vendosja e KRS na qenka dhunim i serbëve“ në Kosovë. E përdori ndryshimin e targave në Kosovë nga ana e serbëve si „diskriminim“, „dhunë të institucioneve të Kosovës“, dhe shtyrje të tyre për t’u larguar nga vendlindja. E njëjta retorikë e arsyetimit të luftës së Vladimir Putin në Ukrainë. Nuk ka asnjë ndryshim. Megjithatë retorika e paqes e kryeministres Brnabiq është për t’u mirëpritur.

Por bota duhet të njoftohet e informohet se serbët e Kosovës nuk përjetojnë asnjë lloj dhune nga ana e shqiptarëve ose institucioneve të Kosovës. Le t’i referohemi targave: - Gjithë bota ka targa të unifikuara dhe në asnjë vend të globit ose europian nuk refuzohen ato. Nëse refuzohen targat dhe imponohet përdorimi i targave të shtetit, askund kjo nuk trajtohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Targat janë element sigurie për çdo vend. Ato nuk shihen e nuk janë pjesë e legjislacionit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Asnjë gjykatë nuk ka dhënë ndonjëherë ndonjë vendim në favor të dikujt që refuzon përdorimin e targave të një vendi.

Prandaj dhe politizimi i procesit të ndërrimit të targave nga Beogradi duhet të denoncohet si përpjekje për destabilizim. Por jo vetëm kaq. Aleksandër Vuçiqi zbuloi faktin se në dy ditët e para të shtatorit vetëm dy serbë kanë pranuar marrjen e targave KRS. Me këtë rast ai nxiti ekstremistët kriminelë, të cilët nuk duan të identifikohen përmes targave, që të sulmojnë shtëpinë e njërit prej tyre e madje t’i venë asaj flakën asaj. Nëse presidenti i Serbisë dhe kryeministrja e këtij vendi mendojnë se nxitja e dhunës prej tyre është paqe, atëherë do të duhet të ndryshojë definicioni për paqen. Por është fakt se ngjarja që ndodhi më njërën prej familjeve që ndryshoi targën dhe u pajtua me kërkesën e qeverisë së Kosovës u nxit nga vetë kreu i shtetit serb.

Madje kjo nxitje ndodhi menjëherë sapo atij i doli dehja nga vera e panairit të Beogradit, ku nën shoqërinë e kryeministrit të Shqipërisë do të duhej të ishte „zbutur“, siç pretendon Edi Rama. Në fakt ndodhi e kundërta. Mesa duket shëtitja në lumin Sava me anije e kthjelloi presidentin Vuçiq nga mendja dhe ia largoi emocionin e të qenit krenar për miqësinë e tij me Edi Ramën. Iu rikthye menjëherë rutinës së përditshme të provokimit të konfliktit në Kosovë.

Ndërrimi i targave në Kosovë është çwshtje e ligjit të shtetit të Kosovës. Dhe ligji nuk është diskriminues, sepse ai është i njëjtë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim e diskriminim për një etni të caktuar. Targat nuk kërcënojnë askënd, përveç banditëve dhe kriminelëve, të cilët nga mosrespektimi e tyre fshehin veprimtarinë e tyre kriminale. Targat ilegale, jo shtetërore, i japin avantazh vetëm kriminelëve. Atëherë rezulton se presidenti i Serbisë dhe kryeministrja Brnabiq po mbrojnë kriminelët serbë në veri të Mitrovicës me thirrjen që bëjnë për targat ose me „paralajmërimin“ për mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Pse serbët në Kosovë nuk janë të kërcënuar nga shqiptarët dhe institucionet e Kosovës? Sepse ata nuk janë dhunuar në asnjë rast, nuk janë diskriminuar për asgjë. Përkundrazi, janë favorizuar në pagesat e energjisë elektrike, në raportin e tyre me ligjet për taksat e tatimet e me gjithçka tjetër në shkelje të ligjit. Tani që kërkohet respektimi i ligjit, presidenti e kryeministrja e Serbisë i bashkohen anti-ligjit, anti-rendit kushtetues, anti-rregullit shtetërore dhe bëjnë thirrje për anarki. Vuçiq e Brnabiq duhet të sjellin një rast të vetëm ku detyrimi për të paguar shërbimin me energji elektrike, ujë etj., të konsiderohet „dhunim i të drejtave të njeriut“! Ata duhet të na provojnë me dokumente e ligje ndërkombëtare një rast kur shteti toleron mos pagesën e taksave dhe tatimeve. Madje le të na thonë se cili është raporti i shtetit serb për këto çështje me shqiptarët në Luginën e Preshevës ose për pakicat e tjera në Serbi.

Ta trajtosh kërkesën për respektimin e ligjit demokratik si „diskriminim”, kjo ngjan si me rastin e Martinoviçit, të kohës së Milosheviçit, rast vetë-plagosjeje që qarqet akademike e shtetërore të Serbisë e trajtuan si „gjenocid shqiptar kundër serbëve në Kosovë“! Kjo lloj propagande është nxitje e dhunës dhe e luftës në rajon. Nuk ka asnjë lidhje me paqen. Prandaj dhe institucionet e Kosovës duhet të bëjnë alarm kudo nëpër botë. Sepse liderët e Serbisë mbajnë maska. Flasin për paqe e përgatiten për luftë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora