Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Veselaj: Nga Jetëshkrimi (8)

| E hene, 05.09.2022, 08:04 PM |


Nuhi VeselaJ

NGA JETËSHKRIMI (1951-1954)

Naiviteti patriotodjaloshar dhe burgu (1952-1954)

si mësim e sprovë hapërimi të mëtejshëm

Sihyrje

Në pjesën “Nga Jetëshkrimi -Gjakovë 1948-1952”, të publikuar te portali “zsh” me 12.06.2022, si shokë shkolle në Normalen e Gjakovës, deri në klasën e katërt nga vendlindja (Suhareka) kisha Jashar Bajraktarin (Kuçi) dhe Nezir Gashin. Të dy këta për ndonjë arsye jo të thjeshtë, ndëprenë klasën e katërt e dolën mësues. Me thënë të drejtën sa kanë ndikuar kushtet familjare për sukseshmërinë e tyre në mësim nuk e di, por për nga vija patriotike u kisha lakmi familjeve të tyre, të cilat, edhe pse si familje nga pikëpamja ekonomike nuk ishin aq të kamura, shkollimin e tyre e ndihmonin, bile edhe me veshë e mbathë, më mirë se familja ime mua. Aktualisht Jashari për veprimtari patriotike i kishte të dënuar që vuanin burg dy vëllezërit e mëdhenj të tij: Zekën dhe Sefën, ndërsa Neza e kishte babën Rexhep (dervish), burrë i fortë, i paepur edhe në pikëpamje atdhetarie. Me fjalë të tjera ndërprerja e shkollimit dhe dalja mësues me tre klasë të normales nuk ishte kërkesë-ndalesë e familjes, po ishte, sipas mendimit tim, mosgjeturi e moshës së tyre adoleshente. Sidoqoftë, pra nga kjo vijë i konsideroja familje më atdhetare se disa të tjera dhe të Veselajve të mi, seçse te këto ndaj regjimit shtrëngues më dukej se më shumë mbizotëronte një atmosferë nënshtruese se ajo rezistuese atdhetare.

Në të vërtetë, familja jonë e gjerë Veselaj, përveç pësimeve si të tjerët, kishte dy të humbur që në vitin e parë të instalimit të regjimit serbojugosllavo komunist, b. Aziz e b. Qazim, madje, për mos me u zgjerua rezistenca e Luftës së Ferizajt kundër pushtetit të rinj komunist prindët tanë, edhe pse pleq nga mosha, i patën burgosur e maltretuar, madje ata e përgjithësisht edhe pse i liruan, vazhdonin t’i mbanin nën vëzhgim, prandaj kjo peiudhë që në shkollë e përgjithësisht propagandohej si Çlirim, në familjen tone intimisht quhej Shtrëngim. Ç’është e drejta, vërtet, për ne, në krahasim me robërinë e përjetuar nga koha e Kralevinës jugosllave, tri-katër vitet e Shqipnisë (italo-gjemane!) ishin Çlirim. Madje, siç dihet, pas luftës NÇl, pasi Kosova përsëri u kthye nën sundimin e SerboJugosllavisë komuniste ato masa çliruese në çdo pikëpamje u shndërruan në shtrënguese, rirobëri. Kështu përveç gjendjes rënduese politike u përkeqësua skajshmërisht gjendja e përgjithshme ekonomike. Ishte kohë që ne si fëmijë-nxënës duke dëgjuar e qëndruar mes dy realitetesh asaj shkollore propagandistike, ku flitej për Liri e Çlirim dhe të realitetit në anën tjetër, ku flitej për Robëri e Shtrëngim, ne në botën reale e ndjenim shtrëngim. Dhe së këndejmi, në këtë situatë, mosha adoleshente 16-17 vjeçare në botëformimin tonë si nxënës i shkollës së mesme të mësuesisë, fillova me shprehë në vjershërime. Kuptohet nën ndikimin e mësuesve ideologjik rilindës, vjershave u jepja shpirt atdhedashurie, dhe nuk përtoja, të lëvizja si pa drojë edhe drejt asaj që quhet “lojë me zjarr”. Këtë po e ilustroj me këto vargje që më dilnin nga thelli:

Kushtrim

Çohuni djem se po myki,

Po e ha dryshku umin e rij

Kush ma i pari e cili i dyti,

Zini vend n’ front për liri,

Për shkollim, për dituni!

Kështu, po në këtë vazhdë, sidomos pas vitit 1948, kur Jugosllavia u hasmua edhe me qeverinë e Shqipnisë, edhe pse Luftën e kishin të përbashkët dhe kishin premtuar që Kosova pas Luftës nuk do të jetë e ndarë nga Shqipëria, me që e ndjeja veten si njeri që bëja shkollë mësuesie që nënkuptohej vetvetiu se ndaj kësaj tradhtie nuk mund të ishim imunë. Madje, aq më tepër, mbetjes së Kosovës nën Serbi, filloi të shtohej një e keqe tjetër edhe më e madhe, sidomos nëpër qytete: shkombëtarizimi i shqiptarëve në turq dhe njëherazi filloi edhe identifikimi i ashtuquajturve muslimanë boshnjakë. Së këndejmi, përveç që vazhdoja me vargje të kësaj natyre, por doja të tregoja se isha i gatshëm me u sakrifikue, fizikisht e organizativisht në veprimtari kundër këtij regjimi pushtues. Kështu, naivisht kisha bindje se kisha parapërgatitje vetjake për sakrifica e veprime të tilla, posa të më jepet rasti, ashtu siç i shprehja në vargje. Pikërisht, në këtë frymë po e përmend një rast si ngjarje me rëndësi që ndjeva, të cilën po e rrëfej, për të parën here botërisht pas 70 vitesh.

Ishte buzëmrëmje vjeshte e vitit 1951 rastësisht në odën e Demlush Halitit në Gjakovë, ndesha një musafir të rrallë. Mesa mora vesh ishte nga Malësia e Gjakovës, mbase i origjinës NikëKolaj të Demlushit. Dhe kishte dalë këndej me një mision atdhetarie shumë delikat. Mixha Demlush i tregoi se jam djalë i besës dhe tregoi nga isha, i tha të fliste lirisht. Kështu ai veç tjerash i zbuloi Demlushit se Musteqja (Stalini) gjoja i paska thënë Pështjellësit të Madh (Titos) që gjithsesi Kosovën duhet me ia dhënë Shqipnisë, për ndryshe “Qysh të kam çlirue, kam edhe me të shkatrrue (!)...  Folën edhe diçka tjetër, por unë nuk i kisha më mend aty, po te ky lajm-ngjarje që të bënte mos me humbë shpresën. Pasi u përshëndeten me nga një gotë: “për të mirë e suksese”, musafiri i shoqëruar me një shok, iku, pasi kishte takim me dikë nga të Fadilit.

Behpropagandim e organizim tejet sekret nën hijen e fadilistëve

Lajmi ishte i vërtetë apo jo nuk di, por mesa di dikush nga fadilistët ose me dijen apo nënhijen e tyre, me ne të rinjtë normalistë e përgjithësisht filluan të aktivizonin shumë me kujdes në beh një propagandim të kundërt me atë zyrtar jugosllavotitotanefist (jo Shqipri e Kosovë në gjirin jugosllav, që nënkuptonte përmbysje të regjimit në Shqipni, por e kundërta Kosova në gjirin e Shqiprisë në kampin informbyroenverostalinist, që nënkuptonte përmbysje në Jugosllavi dhe në rast nevoje luftë për bashkimin e trojeve shqptare, gjithsesi të Kosovës me Shqipëri. Për këtë së andejmi, përtej gardhi, kishte prova se ishte spastruar terreni nga projugosllavët apostolotanefistë të tipit Koçi Xoxe etj.

Ky propagandim vërehej ndër shokë të besës e sidomos në qasjen ndaj meje që isha nga Rrethbjeshka e Prizren-Suharekës, dhe pasi atëherë në moshë adoleshente haptazi vargëzoja vjershërime patriotike dhe tani si nxënës e pastaj si mësues si më i shkolluari (!) shqiptarisht nga Rrethbjeshka (!) mund të isha kuadër potencial në vendin e duhur në postin e duhur, apo së paku të shërbeja si ndërlidhës, nëse ndodh ajo puna e madhe për bashkim kombëtar. Dhe vërtet gjatë muajve të pranverës së hershme e në vazhdimësi në vitin 1952, dikush më “i madh”, i panjohur me emrin Coli, që nuk ishte emri i vërtet i tij, pasi kishte biseduar me disa shokë të mi të klasës si Mehmet Idrizi, Rrustem Ibra, e ku ta di, m’u paraqit, se gjoja ishte i interesuar për atë që kishte dëgjuar se vjershëroja, dhe se e mbaja Flamurin, me të cilin joshja shokët e besës. Unë vërtet pa dyshuar fare i tregova për vjersha dhe si e kam pronësue Flamurin kuq e zi., nga një gazetë i Qeverisë titiste të Apostol Tanefit, profesorit tonë të matematikës, që e pata marrë nga shtrati që ia rregulloja ndonjëherë Ferdinand Shkezit (i shkodran), edukator në konvikt dhe njëherazi arsimtar i fiskulturës.

/P.S.

Siç më ka treguar, i ndrituri Beqir Kastrati më 1972: Pasi Ferdi, ndërkohë sëmuret rëndë dhe shtrohet në një spital në Rijeka të Kroacisë, ishte i vetmi ky (Beqir Kasrati),që pati mundimin dhe rastin ta vizitojë atë në atë spital. Këtë vizitë-takim, përkatësisht atë  falenderim që i shpreh i sëmuri, kur pa pritë e kujtue e gëzon dikush i veti, për Beqirn ishte  një mrekulli hajnore e pashpjegueshme... Prandaj më porositi që në hapje të takimit të 20 vjetërit të klasës sonë  ta kujtojmë edhe Ferdinantin me një minutë heshtje  që unë i shtova edhe emria të tjerë dhe të Mehmet Idrizit.

Sidoqë të ketë qenë, në këtë gazetë, më drejt me fotoflamurin që kishte në mes i tregova se kam manipuluar naivisht me shokë. Ku jemi betuar individualisht duke prekë Flamurin se do të luftojmë për bashkimin e tokave shqiptare. Ja, teksti i betimit, i hartuar prej nesh, të cilin ia tregova edhe mësues Colit:

Betimi

Bëj betimin me shpirt e fjalë:

Gjuhës së nanës zot me i dalë;

Bëj betimin me bindje të thellë:

Vendin tonë me dashtë, me k’ndellë;

Bëj betimin që për jetë prore

Me i dalë zot shqipes arbnore;

Bëj betimin që si parim:

Me pasë luftën për bashkim;

Bëj betimin dhe s’prapem fare:

Mos me ba kurr’ punë me marre;

Bëj betimin që për ardhe:

Me dhanë jetën si me le!

(Gjakovë, nandor 1951)

Ai pas leximit më tha nuk ka nevojë për ceremoni tjetër betimi më tregoi që të mëdhejtë kur betohen e bashkojnë duart mbi flamur, por afër tij kanë edhe revolen që nëse tradhëtojnë vetë e pranojnë dënimin me vdekje. Sipas tij, gjjithsesi mund të vazhdoja, më fort me vjersha se me prekje dore mbi këtë Flamur, sepse kjo ishte me shumë rrezikshmëri, andaj të rinjtë duhet të ruhen nga ceremonitë e tilla të rrezikshme.

Për shkrimet e mia në poezi edhe në prozë ishin të njohur jo vetëm shokët e klasës: Mehmet Idrizi, Din Mehmeti, Rrustem Ibra, Skënder Rexha, Besim e Masar Rizvanollit, Nazmi Pula, Zeqirja Cana, Gani Hoxha, Adullah Zhuri dhe kush jo tjetër, ngase bëja pjesë në grupin e letrarëve të shkollës, që në kohë të vona nuk kishte aq aktivitet.

Në të vërtetë, mësues Coli, pas një cikli udhëzimesh individualisht e shkurt që na i jepte ditëve të lira në caqe të ndryshme, vetëm njëherë ka ndodhur në një shetitje në një shpatinë të Qabratit, ku ishte i pranishëm edhe Mehmet Idrizi e një tjetër që nuk e njihja.

Sido që ishte puna, pasi ishte i kënaqur me mua Coli më pagëzoi me ofiqin Pëllumbi, që herdokur e në çdo situatë, vetëm kush të paraqitet me këtë emër-ofiq duhet të keshë besim. Gjithkujt mos i beso, më tha se i takon një Organizate të Madhe, ka degëzime shtrirje të gjerë, ku bëjnë pjesë edhe profesorët e udhëheqësit tanë.

Atë njeri më nuk e kam parë, mbase do të jetë maskuar, apo do të ketë kaluar në ndonjë qytet apo rajon tjetër, ku ta di?!

Sidoqoftë, nga mësim-udhëzimet formëzuese që morëm nga mësues Coli, dhe që na shtynim të mësonim edhe më shumë, kryesore ishin këto që po i rrumbullakësojmë në këto katër pika:

Së pari, tashti nuk duhen organizata nacionaliste vëllavrasëse si të mëparshmet që kërkonin përmbysje të regjimeve komuniste në Kosovë (Jugosllavi) e Shqipëri, por tashti për bashkimin e tokave shqiptare, përkatësisht të Kosovës me Shqipni mjafton vetëm lufta kundër regjimit jugosllav.

Së dyti, detyrë e çdo mësuesi e luftëtari apo shkrimtari mbetet me folë e me shkrue në të mirë të bashkimit kombëtar, tue mjellë dashni për gjuhën e shqipe e popullin shqiptar pa dallim feje e ideje. .

Së treti, kujdes në kontakte apo në bashkëpunim me anmikun e masës, me atë që nuk e njeh, për mos me tradhtue kauzën, fjalës mundesh me i dhënë lak, po gjithsesi me veprue përherë sipas asaj: Qite gurin e fshihe dorën.

Së katërti, assesi mos me u mashtrue me u shpërngulë nga Kosova, as në Shqipëri, ku gjoja ata që dijnë serbisht dërgohen në studime në Rusi(!). Duhet kuptue se Kosova e pashpërngulur është Shqipni. Duhet shfrytëzuar çdo shkollë në Jugosllavi, edhe shërbimin ushtarak, punësimin, madje, nëse të bie hi,se edhe burgun duhet shme shfrytëzue si shkollë dhe sa herë të jepet mundësia me veprue. atdhetarisht.

Ç’është e drejta, unë as që kam ditë me u ruejtë. Në kontakt me një nxënës emigrant nga Shqipëria, që quhej Hilmi Nela, kam qenë shumë i hapur. Ai i lexoi ca nga vjershërimet e mia, po më doli shumë më i pjekur se unë si njohës i aktiviteve dhe të rrethanave politike. Ai gazetën tanefiste ma hoqi dore. Më tregoi për rrezikshmërinë, nëse organet e punëve të brendshme e gjejnë tek unë. Si vjershëtar ishte më i prekur se unë. Është interesant se në bashkëbisedim me ne, plotësisht pajtohej me ato katër pikat të ravijëzuara nga Coli. Assesi nuk fliste keq për shqiptarë e për Shqipnnë aktuale, prej nga kishte ikur. Ai thoshte prej Shqipnisë, kam dalë në Shqipni (Kosovë), prandaj duhet të punojmë e luftojmë që nga Kosova mos të ketë shpërngulje, ajo duhet të jetë shqiptare dhe të bashkohet bija me Nanën. Ai na siguronte se nuk kishte dalë këndej me shkue në Perëndim, po me rrnue në Kosovë e me veprue bashkë me ne. Këtu kërkonte prej nesh që si mësues sa më shumë ta mësojmë e kultivojmë gjuhën shqipe. Nuk tregonte se ishte tanefist as antienverist. Po përsëris për ne ishte jo vetëm me moshë më i pjekur, por edhe intelektualisht e potikisht më i arrirë.

Ndërkohë pas dhënies së provimeve të maturës, ku pothuaj unë i vetmi katundar jashtë terrenit të Gjakovës, pata sukses me diplomue në afatin e parë, para se të ndahem shokëve u  ofrova një bllok-notes që të nënshkruanin dhe të linin ndonjë fjalë për mos-harim. Të gjthë nënshruan me ndonjë fjalë, por prej tyre me nga një vjershë më patën përshëndetur Din Mehmeti e Besim Rizvanolli, i cili nuk ka vazhduar të merret me poezi si Dini. Notesi, që shpesh e shikoja, dhe shmallesha e të, nuk di si më është tretur me disa dorëshkrime e dokumenta të rrallë, të rëndësishëm.

Fillpunësimi i mbarë, vullneti e naiviteti djaloshar

dhe burgu si sprovë e përvojë

Start i mbarë

Sido që të ketë qenë, me këtë entuziazëm, pasi e dhamë me sukses maturën, u ktheva në Suharekë, u paraqita te kryetari Asllan Fazlia. Ai më uroi suksesin, si mësues i parë i diplomuar pa kurse dhe më tregoi se i kishin dy progjimnaze në Suharekë dhe në Mushtishst, mund të zgjidhja, por në Mushtisht ishte problem ekzistimi për shkak të mungesës së kuadrit. Zgjodha Mushtishtin, edhe pse Suharekën e kisha në derë të shpisë.

ukNë Mushtisht, mësues progjimnazi gjeta Xhafer Kabashin, ndërsa në fillore Ukë Kabashin (Ukukymeri). Filluam punën me shumë vullnet, Patëm sukses përveç në mësim dhe në agjitim për përfshirje nxënësish në progjimnaz nga fshatrat për-rreth, hapëm edhe një internat për ta. Organizuam shfaqje në Mushtishst e në Vraniq.

Vullnet e naivitet politiko-djaloshar

Meqë kujtime nga Mushtishti kam botuar në burime të tjera, këtu po përqëndrohem kryesisht rreth atmosferës para burgosjes dhe gjatë vuajtjes së burgut, përkatësissht rreth vullnetit  dhe pësimit nga naivitetit politiko-djaloshar.

Ishim në valë të aktivitetit për punë, Uka më njoftoj se paskan formuar një organizatë, unë iu përgjigja se unë tashmë e kam po mund të ju ndihmoj dhe kështu u hesht kjo çështje. Me Ukën e vizituam Nezirin që ishte mësues në Savrovë. Nuk e dija se ai kishte pranuar një anëtarësim të tillë, por gjatë asaj vizite folëm e folëm, u shprazëm mirë rreth kauzës që duhet të luftojmë për Shqipninë etnike dhe sidomos për bashkimin e Kosovës me Shqipni, qoftë edhe me rretik jete posa të na kërkohet.

Pas ca ditësh në Suharekë u takova me Rifat Kabashin, student i Beogradit që punonte mësues në klasat e nalta të progjimnazit në Qendër. Ky ishte kushëri i Ukës, dhe jetonin në një familje arsimdashëse. Rifati meqë ishte pak më i moshuar se ne kishim respekt ndaj tij. Ai në bisedë e sipër pasi ishte informua nga Uka. Më pyeti për Organiazatën i thashë se në organizatën, ku isha anëtarësua bëjnë pjesë intelektualë, nëpunës, si edhe pothuaj të gjithë profesorët tanë, e cila është e degëzuar jo vetëm në Gjakovë po gjithkah edhe këtu. Për këtë është i porositur dhe vëllai im që punon në prokurori të Suharekës që të mbrojë kuadrot shqiptare. Po mesa mora vesh. Ai kishte pasur një hall tjetër. Donte të arratisej në Shqipni. Atje në Krumë kishte krye klasat e para të fillores. Mua aspak nuk më pëlqente ikja, ngase e dija se ne kaq shumë nevojë kishim për mësues, njerëz të arsimuar, studentë, prandaj, lidhur me ikjen apo lidhjen me Shqipëri, nëse kërkon në mënyrë ilegale, pa u zbuluar, më lehtë e ka me gjetë në Rijeka të Kroacisë se këndej (!!!),

Rifati që ishte më naiv se unë e kishte zbuluar vetveten e organizatën e tij. Ai paska kërkuar nga dikushi të pajisë organizatën me një pushkë e revole. Ai dikushi ia gjen pushkën nga UDB-ja dhe nëpërmjet saj Rifati me organizatën e tij bie në kurthë. Atë e zënë me dokumenta. Në hetuesi paska pranuar deri edhe bisedën me mua për Organizatën e Madhe (!) me qendër në Gjakovë, me degëzimet e saj an’e mbanë, ku bëjnë pjesë dhe të gjithë profesorët tanë dhe që paska lidhje me jashtë në Rijeka të Kroacisë etj.

Burgu si bela, por edhe si sprovë e përvojë

Kjo deklaratë e Rifatit ka mjaftuar të më burgosin për një ditë me Nezirin, më 17 dhjetor 1952. Mua më arrestoi Dragi, që nuk u soll aq keq dhe pasi ngrenë dolli me drejtorin e shkollës serbe në Mushtisht, së andejmi me xhip pa më lidhë duarsh, shkuam në Savrovë me marrë Nezirin, të cilin Milani më i egër se Dragi, ia kishte lidhur duart dhe me të shtyme e detyroi mbathur me hy prrockës me ujë e me dalë te ne, Atë ashtu e afruan në ulësen pranë meje. Neziri me sy më tha që ta hiqja unazën që e kisha me shqiponjë, të cilën e hoqa duke e futur dorën në xhep. Dhe kështu na dërguan në Suharekë e së andejmi në Prizren, në Shtëpinë e Haxhi Lubës që ishte seli dhe burgu i UDB-së. Nezirin më nuk e pashë deri ditën e gjykimit pas mbi 7 muaj.

Mua, së pari, më mori në bisedë Mehmet Maliqi, shef i UDB-së në Prizren, i cili më tregoi se çka kishin thënë Uka dhe në veçanti Rifati për Organizatën e madhe në Gjakovë. Unë i thash se i kam gënjye vetëm sa me u nxjerrë fjalë, me i ikë problemit, sepse nuk kisha mjaft prova me i paraqitë.

Aty pashë librat e shënimet që kisha pasur në sirtar të tavolinës në klasë, por edhe ato që i mbaja në një kënd dollap të thjeshtë në zyrën e mësuesve. Dallohej qartë libri Te praku i jetës, gramatika e Muderizit, Libri i këndimit... po jo dosja me vjersha e punime të mia. Për fat, siç më ka treguar Xhaferi, kur dola prej burgu, Kah i mbledhin librat e shënimet e mia nga këndi im, dosja me punime origjinale rrëshqet më poshtë, përzhet me librat e Xhaferit dhe kështu shpëton ajo dosje, dhe unë nga pasoja të paparsahikueshme. Atë dosje Xhaferi ia paska dorëzuar vëllait tim, dhe kunata ime mençurake Hamidja, kur ende ishte pa u bastisur shpia e pa e burgosur Baci Ramë, atë Dosje me shkrime e vjersha e çon në gjini, në fshatin Sllapuzhan, ku e mbajnë fshehur ne arkën mes teshave të nuses. E cila aty më ka pritur deri sa u ktheva nga ushtria.

Sidoqoftë, pas bisedës me Mehmet Maliqin, më mori në dorë hetuesi Jovo Pokushevski (bjelorus), i cili pasi nuk pranova që jam anëtar i kurrfarë organizate ilegale dhe nuk pranoja se jam fajtor, para se të më fusë në një qeli, urdhëroi me ma heqë mantelin dhe setrën. Qelia ishte  dhomëz e ngushte me dritare të mbyllur deri në hekura të dritares nga jashtë me dru zjarri. Në atë dritare ishte një kalanicë me ujë të ngrirë, aq ishte ftohët ato ditë.

Natën e mora vesh në atë bodrum, ishin aktive tri qeli, në të parën ishte Rifat Kabashi kryesori i Organizatës dhe në të dytën Mustafa Shehu, sekretari a komisari i asaj organizate. Të tjerët, të gjithë ata që kishin pranuar si anëtarë dhe kishin nënshkruar deklaratat përkatëse, i kishin dërguar, me sa di, në Burgun e Madh: Nënkala (Terzi Mahallë). Nga kjo kuptova se nuk do ta kem lehtë. Në qeli gjeta një këmishë si të mëndafshtë të mbytur në qelb e gjak. Dhe atë menjëherë e futa në gji nën xhemper, të cilën do ta cek si e shfrytëzova më vonë. Kështu disa net ngrohja trupin me të hukatur brenda xhemperit me grykë, dhe pothuaj u mësova me u kotë në këmbë dhe me fjetë ngaluc, mbështetur me shpinë për dere, siç kisha dëgjuar, si Azem Bejta, ndërsa kali ishte në ecje ai flinte ngaluc mbi shalë!

Kuptohet prej meje kërkonin se çfarë dija për atë organizatën e madhe të Gjakovës.  lidhjen e fshehtë; me sigurimcat e Tropojën etj, etj. Kërkonin prej meje edhe për gjëra që vërtet nuk dija fare dhe kjo më ndihmonte që të fsheh edhe ato që sadopak i dija. Gjatë marrjeve në pyetje dihet se nuk e kisha lehtë, Sidoqoftë, po i përmend nja dy raste se si dy udbashët tanë më shpëtuan nga masakrimi:

E para, që në fillim, pas 3-4 ditësh në në mbrëmje një një dhomë-zyrë ishin tubuar udbashë e politikanë të lartë, ndër ta edhe Cica Patronogiq Atë e ndjeva kur tha: Uçiteska shkola stvara nam nepriotele  (Shkolla normale pa na krijon armiq). Unë reagova shqip: Unë nuk jam anmik, E due shokun Tito, Rifatin e Ukën i kam rrejtë, kam dashtë me u nxjerrë fakte, e pastaj me i paraqitë... Ky arsyetim nuk piti ujë. Edhe ata dyshonin vërtet për diçka të madhe që paksa ishin në dijeni, kishte ngjarë që edhe unë dija paksa, po nuk nuk tregoja. Në atë çast, Mazllum Nimani, udbash që ishte me ta, ndërrhyri në shqip me fjalët. Pse nuk po tregon? dhe m’u vërsul më kapi me dy duar për flokësh mbas veshi më shtyu me forcë në një qoshe dhe më tha ngadalë:Ti nuk di gjë për Gjakovë. Dhe duke më përplasur foli me të madhe: Ovaj nezna nishta (Ky nuk di kurrgjë). Kështu, më kthyen në qeli dhe ma lehtësuan regjimin: ma dhanë mantelin e setrën, nuk ma ndalnin bukën që na sillnin çdo dy tri ditë nga shtëpia. Ma lejuan edhe një gëzof të vjetër që ma sollën. Më lejuan me ble sigare. Unë nuk tymosja duhan, po bleja për hir të shkrepsës (qibritit) për me ndezë gazeta në qeli me ngrohë paksa duaretrup. Letra-gazetat, i vidhja nga të shtruemit e një qeni që e patën lidhur afër nevojtores. Ai ishte qen çobani, i një familjeje shqiptare që kishte ikur këndej me grigjen e dhenve. Qeni i shkretë lehte e lehte pothuaj deri sa plasi. Nga ato gazeta mora vesh se Stalini kish vdekur (!). Atëherë ai farë organizimi i madh me fjalë apo rrena të mëdha doli nul, këputi çdo iluzion.

E dyta, pasi u munduan në mënyra të tjera me më nxjerrë fjalë, ma sollën një natë një  diversant përgjakur!! (i gjilanas), po uniformën nuk e kishte as të përllomur (!), i cili, në të vërtetë më shumë më ka mësue se si mos me u mashtrue se më ka provokue. Pas një kohe ma sollën për disa ditë, një emigrant të vërtetë, ish oficer i Zogut, me pseudonimin Beqir Keka, i cili për disa ditë më ka rrëfye disa histori interesante nga koha Zogut dhe tani për mënxyrat në kohë lirie komuniste (!).

Ndërkaq pasi nuk mundën me më nxjerrë fjalë, donin që ta gjenin një provë sado të vogël që unë gjoja i kisha treguar b. Ramë për Gjakovën, për Nezën, Ukën e Rifatin etj, gjë që unë assesi nuk pranoja, prandaj një buzëmrëmje më dërguan në një dhomë ku kishte aparaturë masakrimi me rrymë etj. dhe më thanë Sada imash da pevash! (Tash ke me këndue), por e pritnin shefin. Vërtet Mehmet shefi erdhi e hapi pak derën, më pa. Foli me të madhe Ja në tuqem decu! (Unë nuk rrah fëmijë!) dhe iku jashtë. Mbetën të ngrirë. Pokushevski tha se ai kishte përgjegjësi, prandaj ekspert- instrumentistët me aparaturë ikën, por megjithatë ndonjë sadist si Millan Gjuriqi, vazhdoi me ndonjë turturë si: me lidhje krahësh nga mbrapa deri sa nxihej gjaku; afrimi i poqes elektrike në sy, e ndonjë turturë tjetër, si loja nënthonj që për mua ishin të përballueshme.

Pse më shpëtuan këta udbashë shqiptarë? Për mos me tregue çka dija për Gjakovën, apo për hir humanizmi apo për dhembësuri shqiptarie, le të vlerësohet. Unë mendoj për të tria. Sidoqoftë në ato kushte këta më shpëtuan nga masakrimi, për çka me shpirt u shprehja në vete si edhe sot falenderim.

Së treti, ndërkohë pasi nuk tregoja asgjë edhe për atë që dija, gjeten rast dhe e burgosën bacin Ramë, vërtet pakurrfarë fakti, vetëm pse kishte autoritet të madh në popull. Përveç kësaj pasi nuk mund të gjenin prova të forta me më dënue, u orvatën me më bë bashkëpunëtor të vetin. Më porositën me ndëgjue çka po flasin Mustafë Shehu e Rifat Kabashi, me kusht se kanë me lirue Bacin Ramë dhe mua me ma përmirësue jetën, mos me më lënë në atë qeli të filliqur, që veç kalanicës, nuk kishte lug druni, as “qyp” që takonin me rregullore çdo dhome të burgut a të burgosurit.

U thashë se për shkak të largësisë nuk po dëgjohen mire, po atë që dëgjoj do t’ju tregoj me kënaqësi. Kur më thirrën pas një kohe, thashë se ata po këndojnë, Rifati këngë të çikave të Krumës, ku paska jetuar atje si fëmijë, ku edhe paska qenë nxënës i shkollës fillore. Ndërsa Mustafa po këndon këngë dalmatine e italiane se paska jetue në Dalmaci.

-Po për politikë?

-Po, kam ndëgjue se nuk kanë pasë lidhje dhe nuk kanë lidhje me krye e Sas mehqipni (Oni nisu imali i nemaju veze s glavon, ni s Albanijom). Po të dy po flasin se kanë gabuar e tash kanë revizionue dhe po shpresojnë se do t’i lironi.

Meqë nuk qenë të kënaqur, hoqën dorë nga informimi i mëtejshëm, andaj nuk e liruan Bacin Ramë, as mua nuk ma përmirësuan gjendjen. Më thane se nuk po tregon drejt. Më duket se ata i incizonin.

Në të vërtetë, Rifati shihej se vërtet i kishte ra pishman, tash i dhimbsej edhe e fejuara nxënëse e tij, për të cilën ai tash ishte kujtue që, pa qenë i rrezikuar, nuk është dashur të kërkojë ikje me pushkë?!. Megjithatë kishte marrë në dijen se e fejuara e tij, pa marrë parasysh sa e dënojnë, ajo do ta priste.

Ndërsa Mustafa, edhe pse recidivist, kishte povuar njëherë vuatjet nga Goli Otok, ai kishte bindje të pashuar se Kremlini kishte politikë të drejtë dhe Stalini me Enverin do ta përvetësojnë Kosovën. Këtë bindje nuk e kishte fituar si partizan, pjesëmarrës i brigadën shqiptare-serbe që dhe ky kish marrë pjesë kundër Muharrem Bajraktarit, por nga Xheladin Hana, të cilin e kujtonte me admirim, i cili ia kishte mbushur mendjen për këtë. Xheladini më 1945 paska qenë kryetar i Organizatës së Rinisë së Kosovës dhe njëherazi drejtor i gazetës “Rilindja”. Në atë kohë Mustafa Shehu paska qenë bile më në pozitë udhëheqësie se Rexhai Surroi, të cilin nga informbiroizmi e kishte shpëtuar një lidhje faniljare me Fadil Hoxhën. Mustafa kujtonte mençurinë e Xheladin Hanës, nga i cili ka qenë i nxitur me mësue frëngjishten, sepse Kosova do të ketë shumë nevojë për njohës të gjuhëve diplomatike si lingua franca, siç njihej frëngjishtja në atë kohë.

Së katërti, më pati lënë përshtypje roli i Mehmet Maliqit, të cilin këta të dy e përmendnin si avokat mbrojtës të tyre. Mehmeti duke qenë shef i UDB-së, edhe pse i vetmi shqiptar, sepse të gjithë operativcët legalë, mesa i shihja, ishin serbë, këta të dy, po edhe të tjerët, i paska ndihmuar, duke u thënë pranoni, s’keni çka fshehni për organizatën., pasi ua kemi kapur me dokumenta. Organizatën e kishin pasë emërtuar Marksistët revolucionarë, Rifati kryetar e Mustafa komisar, Uka sekretar dhe të tjerët anëtarë. Pasi vërtetë pranojnë e kishin më lehtë, Nuk ka pasë nevojë për maltretime ndaj tyre. Madje Mehmeti, paska pranuar në vizitë kryefamiljarët e këtyre të dyve, konkretisht: Brahim Ukën nga Korisha, axha i Rifatit dhe baba i Ukës dhe kryefamiljarin e Mustafës, Sheh Hasanin nga Prizren. Mustafës i vinte çudi, pse Sheh Hasani ishte interesuar për të, pasi ky ishte marksist i devotshëm e ai sheh fetar nacionalist. Mehmet Maliqi, u paska thënë: Shyqyr që i kemi zënë herët, sa nuk ishin rritë në batalion. Me këto faje kanë me u dënue, por jo me humbje jete.

Kështu, për të gjithë të tjerët ka pasë lehtësime, vetëm për mua jo! Më mbajtën të izoluar në atë qeli, deri ditën e Gjykimit. Është interesant se atë ditë në mëngjes e sollën një berber, i cili qau me lot, kur për të parë m’i ra brisk fytyrës, të cilën mbi 7 muaj nuk e kish prekur rreze dielli.

Dita e gjykimi dhe këmisha me gjak e qelb

Ditën e gjykimit, pasi nuk pranova kurrfarë fajsie, filluan me lexue ndonjë fjali nga prosverbalet se kisha thënë e nëshkruar se Kosova duhet t’i takojë Shqipnisë, le ta sundojë kushdo qoftë, edhe dreqi i zi (crni djavo), po Kosova duhet të jetë e bashkuar me Shqipni. Unë reagova, sa i përket Kosovës më Shqipni unë kam lexuar librin e Moshe Pijades, ndërsa për të tjera pasi serbishten nuk e njoh e sidomos stilin administrativ, por e them të vërtetën se nuk jam anmik i popullit dhe i shtetit, nuk di as çka kam nënshkruar, sepse jam i ri dhe kam qenë shumë i frigësuar dhe e nxora këmishen me qelb e gjak nga gjoksi. Ja këtë e kam gjetur aty në qeli, Aty e di se nuk prejnë pula! (ne kole kokoshke!). Madje, madje kam qenë i sëmurë dhe kam qenë në spital, nën mbikëqyrje mjeku.

Atëherë menjëherë u ndërpre seanca, mua më kthyen po në atë qeli. Edhe pse pritja nuk më maltretuan.

Të nesërmen e liruan B. Ramë dhe mua ma ndërruan nenin e fajsisë nga neni si anëtar organizate që parashihej dënimi 8-12 vjet, më fajsuan për moskallëzim të veprës penale, tentim ikje në Shqipni dhe më denuan 2 vjet burg të lehtë..

Pikërisht këmisha me gjak e qelb e parqituur në gjykatë, ishte një sherr naiv, ishte një goditje që ka dëmtuar shumë imazhin e hetuesisë, por njëherazi një fitore imja që pa obligim karrabythje bashkëpunimi, po me qëndrueshmëri naive munda me fitue lirimin e vëllaut dhe deri dikund sigurova liri për vete. Kjo gjithsesi ishte një sidetyrim i atij shërbimi, që të më mbajë nën survejim, madje edhe të më përvetësojë.

Nga pritja në Burgun e Madh të vendimit nga Gjykata supreme e Serbisë për ankesat tona

Sido që të ketë qenë, pas shqiptimit të denimeve për tërë grupin, lirimit të bacit Ramë, unë shpëtova nga izolimi. Tashti këtu në Burgun e Madh që mesa di kishte dy dhomë-stalla ku mund të vendoseshin mbase mbi një qind të burgosur, që veç arallëkut kishte safat të shtrua me dërrasa, ku të burgosurit vendosnin shtrojë-mbulojat e tyre. Këtu kisha mundësi me folë e me bisedue me bashkëtëburgosurit Mustafa Shehu, Ukë Kabashi, Rifat Kuçi që e kisha rival në shah, po mund të kontaktonin e loznim edhe me me dhjetra të tjerë, me të cilët luanin edhe Lojëkapuçash dhe këndonim e sajonim vargje shpotitëse dhe kështu zbaviteshim allashqiptaro-katundarçe. Nga kjo fazë pritjeje ruaj shumë kujtime, Këtu shkurtimisht për hir përmase po i përmend vetëm tri raste të veçanta:

E para, vërtet ndjeja dhëmbje kur Ukë Kabashit, që ishte një vit më i ri se unë, ashtu edhe Mustafa Shehut, pse ishin të denuar mbi 1o vjet, u vunë pranga në këmbë,. Pranga i kishin vënë edhe Rifat Kabashit, po ai ishte vendosur në dhomë-stallën tjetër. Ukës i ndihmoja në këtë situatë, si me i zdeshë e veshë pantollonat, ndërsa Mustafës, që me jepte leksione fillestare nga frengjishtja, i sillja ujë e i bëja hyzmete të tjera, pasi me të e kisha përzie ushqimin që na sillnin nga shtëpitë. Për të dy ndieja dhjimbje.

E dyta, ndërkohë, e sollën me të shtyra një plak të rraskapitur. E lanë diku në skaj safi të dhomës. Natyrisht, jo nga kërshëria po ngase isha i përbetuar me ndihmue njerëzit në nevojë. Kështu plakun e mora në përkujdesje me lejen e kujdestarit të dhomës. Kishte pengesa në dëgjim e shikim. Gjymtyrët i lëviste me vështirësi. Mezi fliste, mbi 5 muaj pa larë sy e fytyrë. Madje pështymën nga goja s’kishte fuqi ta hidhte jashtë lesh-mjekrrës e mustaqeve... të tjerat kuptohen! Pasi e vendosa në shtrat- postajen time, i dhashë ujë me pi si dhe pak pak ushqi me dorën time nga tepsia e bukës së Mustafës. Pasi pushoi pak e çova në nevojtore I pastrova fytyrrë e trup me sapun... Këmisha ime i binte pak e madhe... Dhe kështu e ktheva te shtrai. Pasi u këndell, tregoi se kishin sjellë nga burgu i Rahovecit, quhej Zymer Hima, nga Banja. M ’u kujtua, emër i njohur, mik pas miku. Në kohë të Kralevinës jugosllave predsednik vendi. Edhe pse ishte kryetar shumë i vogël se Ramë Bllaca e Banush Sedllari, edhe ky nuk kishte pri për shpërngulje.

Sidoqoftë në këtë implikim. merita ime më e madhe ishte se nëpëmjet familjes sime njoftova familjen e tij se Zymeri është gjallë dhe në përkujdesjen time. Po cili ishte faji i tij që të pësonte kaq shumë nga maltretimi disa mujor??| Faji i tij, ishte ky. Para pesë vitesh, 1949 e paska strehuar për disa muaj kaçakun e ri, Rifat Berisha, me grupin e tij. Po kush ishte Rifat Berisha? Po mjaftohem me atë që dinte Mustafa për të:

Rifat Berisha, ishte shok i Xheladin Hanës, si pjesëmarrë i Konferencës së Bujanit, ishin kundër mbetjes së Kosovës nën Serbi. Xheladinin, e hetuan më herët dhe e likuiduan, ndërsa Rifati mbeti në udhëhesi të Frontit popullor deri pas Rezolutëssë Informbyrosë 1948. Deshti me veprue, por e hetuan. Tentuen me burgosë, po ai si oficer me akademi i ikën arrestit dhe del ilegal. Përkundër konktrolleve të rrepta me milici e ushtri, për disa muaj nuk munden me gjetë. Ai si duket qenka fshehur të Mixha Zymer. Megjithatë po atë vit diktohet në tjetër vend në përleshje me ushtri-milicinë serbojugosllave vritet.

Mixha Zymer heshte. Ne kishim dëgjuar që mixha Zymer kur heton se ushtri e polici do të rrethojnë fshatin, ai meë  renë që ishte bijë Berishe, inskenojnë një të pame në një fshat tjetër dhe kështu duke e përzie me gra me mbulesë xharrash luftëtarët i qet jashtë rrezes së rrethimit. Pra strehimi dhe ai veprim inskenimi me xharra-maskimi qenkan zbuluar tashti dhe për këtë pas 4-5 vitesh serboudbashët për disa muaj pa mëshirë e kishin torturuar plakun.

Nga kjo merret vesh se sa e vështirë ka qenë lufta kundër regjimit serbojugosllav që me çdo kusht Kosovën donin ta mbanin si koloni dhe shqiptarët të nënshtruar.

E treta, ndërkohë pasi u lirua Mixha Zymer, ndodhi një e papritur për mua. Pas 18 muaj vuajtje burgu më thanë merri plaçkat, kujtova se po më transferojnë në dhomën tjetër më derguan në zyrën e pranimit, ma dhanë lejenjoftimin dhe më thanë je i lirë. Shko ku të duash. Për këtë kemi telegram nga Gjykata Sepreme e Beogradit. Nuk pata kohë as me u gëzue as me u kthye me u përshëndetë me shokët nga dhoma e burgut.

Pas këtij lirimi

Duke menduar se Gjykata Supreme pas ankesave tona e paska mirëkuptuar plotësisht “naivitetin” tonë, andaj plotësisht më paska shpallur të pafajshëm, si im vëlla, Bacin Ramë, gjithkujti thoja se kam dale fare i pafajshëm.

Pasi vizitova familjen e ngushtë, e vizitova shkollën, si arsyetim shitesha si i pafajshëm dhe se do të kthehem së shpejti në shkollë, po më duhej një leje nga Komiteti. Një ditë isha në Suharekë, rastësisht mora vesh që një politiklan i lartë Jovo Shotra ndodhej aty. Vura re se qëndronte para Kafes së Kostës, ulur në karrige me bashkëpunëtorin e hapur Muhamet Hoti nga Leshani. Pasi u prezentova, i thash se jam mësues i diplomuar. Kam qenë nën hetime po jam lirue plotësisht kao nevin (si pafajshëm), andaj kërkoj me u kthye si mësues. Ai më tha për mësues mos kërko, por paraqitu te Dragi (udbash) dhe thuaj që unë të kam çue me të punësue. Unë nuk iu paraqita Dragit. Më mire zgjodha punë fizike bujqësore në fanilje, siç kërkoi zotshia ynës e me më dhënë punësim udbash Dragi, edhe pse për të nuk kam pasur fjalë të këqia.

Në të vërtetë, më vonë mora vesh se Gjykata supreme nuk më kishie liruar si të pafajshim, por e kishte kthye rastin rigjykim, por me ndërrim paragrafi të nenit përkatës. Gjyqi u mbajt ndërkohë, u përsërit dekratat e Ukës rreth organiatës që nuk e kam kuptuar si ilegale nuk ngarkohesha më. Ndërsa tentoja që edhenga deklaratëln e Rifatit të se nuk e kam kuptuar. Gjyqtari më tha -Video si zmijin rep i kazesh ne nisi razumeo da je zmija! (Ke parë bishtin e gjarpërit e thua nuk e paske kuptuar se ke pa gjarprin!) Kjo nuk u shit, prandaj më denoi 18 muaj, burg të lehtë.

U graha punëve fushore në familje. Përgateshim për dasmë të përbashkët me vëllain me të cilin edhe të martoheshim në të njëjtën ditë.

Darsma e madhe si traditë, rastësia si nxitje gëzimi e provokimi

Në përputhje me titullin: Darsna e madhe si traditë, rastësia si nxitje gëzimi e provokimi mendoj se është me interes që së pari të njihemi paksa rretth obligimeve që në familjen shqiptare tradicionale patrriarkale kishin gjinia e shpisë ndaj zotshpisë apo kryefaljarit dhe vetë zotshpia (kryefamiljari) kishte ndaj tyre (anëtarëve të familjes dhe

së dyti, do të bëjmë fjalë rreth disa rastësive nga darsma jonë tradicionle që sollën gëzime në opinion, por njëherazi u cilësun si provokim nga disa qarqe të regjimit shqiptarofob.

a) Familja tradicionale dhe kryefamiljari

Ne pesë vëllezër jemi rritur në një familje tradicionale patriarkale, ku pushtetin dhe përgjegjësinë e mbarëvajtjes së shtëpisë (familjes) e kishte zotshpia ose kryefamiljari. Kuptohet që atë funksion te ne e kryente Baba, Muharrem Uka, po ai ndërkohë e sprovonte vëllain tonëtë e madh Smajlin me marrë atë drejtim. Kështu kur vdiq Baba më 1951 vllai i madh Smajli që ne quanim Bac, e mori zotshpillëkun. Tash Baci si zotshpie kishte obligim për mbarëvajtjen e familjes. Kur dola mësues një pjesë të të ardhurave duhej dorëzuar atij, siç bënte edhe Baci Ramë, që ishte nëpunës shteti. Ndër të tjera vëllai i madh kishte obligim dhe me na martue. Unë isha i fejuar me shkuesi me një vajzë nga një familje nga Korishi, ashtu edhe vëllai im Baci Ali, që momentalisht ishte ushtar, të cilit meqë i kish vdekur gruaja më përpara, sa ishte ushtar Baci e fejoi me shkuesi me një vajzë nga një familje të njohur nga Peqani, andaj Baci bënte mend që sa të kryejë obligimin ndaj miqve me ndonjë bashkë lesh apo shumë parash me destinim që të fejuarat të përgatisnin pajën e nusnisë, sipas zakonit, qoftë me qendisje, kërrabzime si punë dore, apo punë me vek (vegje), të gjitha ato e fejuara i kryente në familje të babës, të cilat i sillte në shtëpinë e burrit kur martohej, andaj kryefamuiliari ynë duhej të investonte rreth kushteve të martesës (darsmës aq)që  nuk ishte aq punë e lehtë. Megjithatë pas punësimit tim punët nuk shkonin keq. Pritej që pas kthimit të vëllait nga ushtrua të bëhet darsma jonë. Fatkeqësisht burgosja ime e papritur, më vonë edhe e Bacit Ramë, përmbysi gjithçka nga ato plane. Kështu tërë familja ishin në ankth, por kryefamiljarit iu shtua telashe të papapritura, përveç përkujdesjen për familjen relativisht të madhe që drejtonte, tashti lypsej përkujdesje edhe për të burgosurit, iati i të cilëve nuk duhej. Veç tjerash, aq më keq kryefamiljari gjatë tërë dimrit të vitit 1953 çdo dy- tri ditë, i duhej të udhëtonte Reçan –Pizren, 8 ose, katër orë andej, katër këndej, për me u çue bukë (ushqim) vëllrzërve të burgosur. Kështu ndodhi deri sa Baci Ramë u lirua nga Gjykata. Lirimi i Bacit Ramë, kthimi i tij nëpunës, dhe ardhja e Bacit Ali nga ushtrua, si punëtor fushe fillon mëkëmbje e familjes në çdo pikëpamje. Baci përsëri duket nga miqtë, interesohet për nuset, por kishte pak mundësi me ecë si lypsej. Kështu tërë viti 1953 ishte vit i mëkëmbjes. Mirëpo kur fati e desh dhe unë u lirova vitin 1954, në valën e punëve bujqësore verore, atëherë u krijua mundësia me u realizue dëshira e para dy viteve: organizimi i një Darsme të madhe. Kështu pas lirimit tonë Baci viziton dhe konsulton miqt. Nga kjo vizitë ndahet shunë i kënaqur. Miqtë duke ditur gjendjen e vështrië që përjetonte familja jonë, ata vetë i kishin ndihmuar bijat e tyre që mos të ndërpritnin qejzitjen dhe punët e filluara në vegje, dhe kështu tashti lypseshin vetëm disa përplotësime që kryheshin kryesisht me para. Kështu Baci na njoftoi dhe kërkoi të punojmë pa u lodhur për mbledhjen e fryteve të verës: drithra, pemë, sane, dru etj. Dhe pasi këto u kryen vetë me Bacin Ali kishin gjetur një punë andej nga Reka e Shehrit (Pizrenit).Dhe kështu mbi një muajë punuan nateditë, dhe fituan bukur mirë. Këtë kohë mua ma besuan mbjelljen e arave me grurë. Sa munda atë detyrë e kreva me sukses.

Kështu u kijuan kushtet për një darsëm të madhe që aq shumë e dëshironte Baci. Si duket me këtë donte ta tregonte veten para opinionit se është trashëgimtari i denjë i Babës dhe emrit të familjes. Kjo në të vërtetë, ishte darsma e parë që e organizonte ai si zotshpie pas vdekjes së Babës, prandaj në këtë darsëm do të ftonte edhe shokët e babës, kuptohet burra në zë.

Mos me zgjatë, me miq Baci kishte caktuar Ditën e Darsmes: E djela e fundit e muajit nëndor. Me datë binte: 28 Nëntor 1954. Darsmat atëherë zgjatnin 3 ditë te burrat dhe 5 ditë te grate (bijat). Tërë mahalla, bile edhe katunsdi ishin pjesëmarrës në këtë dasmë. Dhe menjëherë fillojnë përhatitjwet jo vetëm me këngë çikash, por me planifikim serioz, në mënyrë që drasma të rrjedhë me rregull.  Planifikimi, nadraja e detyave bëhej edhe te grate edhe te burrat. Deri pë për tëhollueset e patave për pite te grate dhe  bujtja e miqve nëpër odat e fshatit. Mua më caktuan detyrë me shkue në Drenoc me i sigurue këngëtarët e njohur Salih e Feriz Krasniqi, Shkova dhe i sigurova. Në të kthyer në Banjë e ftova dhe edhe Mixhe:n Zymer po ai nuk ishte në gjendje aq të mirë shëndetësore.

…Sa hieshi kishin pritje pëcjeljet e urimeve dhe të pëhajrimeve sit e burrat sit ë grate që vinin që vininn grupe grupe sidomos nga mahallat e tjera të fshatit,. Madje edhe më bukuri kishte vinin miqt, dikush edhe ne dhurat që përshëndeteshim edhe me tupan, . Krejt këto bëheshin të premten e të shtunën, Ndërsan krushqit niseshin të djelen.

Nuset merreshin në dy fshatra Korish e Peqan. U ndanë krushqit kush andej e kush këndej.  Pas marrjes së nuseve darsmorët këmbë e nuset me qerre të mbuluara edhe me qylymat e sixhdet e nuseve mbi, do të takohen nën Suharekë, në orën e caktuar në vendin e caktuar. Pas një valle të përbashkët, tashti në njëshkolonë krushqit depërtojnë qytezën dhe njëshkolona vijon rrugën për Reçan. Pikërisht tash kishim mundësi ne dhëndurët nga vendi ku qëndronim me i pa krushqit që na i sillnin nuset. I frymëzuar nga kjo pamje dasme, e pata shkruar këtë vjershë kushtuar kësaj darsme, ku ndër të tjera bëja luftë vetëmbrojtëse kundër grykëspërbindëshmëve  pushtetarë, dhe Sykuqdjajve serbofilë shhqiptarofobë. Ja teksti i vjershërimit:

OAZË FLLADI MES SHTIGJESH NË ERRËSIRË

(Dita e darsmës, Reçan, 28 Nëntor 1954)

Në këtë të djelë, pasdreke vonë/kthehen krushqit njëshkolonë:

Vijnë zënë të duken pak nga pak/ sa hijeshi, bajrak, bajrak…

Këngëtarët dhe në marshim/ kujtojnë ngjarje në galdim.

Varg e varg- vargu mban/mbrapa surla me tupan…

Darsëm: gëzimi s’ka të ndalë…-Pa ndëgjo o shkrushkaparë,

Ndal te sheshi, valle t’ hedhim, ndal prej thellit t’zit’ ta nxjerrim,

Ndal prej zemrës gaz të derdhim,

Se në këtë ditë që po shënojmë/ ne dy vëllezër, po martojmë,

Ne dy vasha po i nusnojmë…

Grykëspëbindshi kot gajasë/ Sykuq djalli, le të pëlcasë

Se ne tonën-tonën bëjmë:/ qiellin, tokën shëndëllejmë!

Se këto sheshe log kuvendesh/ log kushtimesh e ahangjesh

Forcë na japin e na këndellin/ trash’gimi ndërmend na sjellin.

Poshtë-lart grykës oshëtin/derdhin vallet në atë lëndinë…

Defatoret në qerre të kuqe/ (lavd dhëndurëve për këto nuse)

Këndojnë për jetën dashuri/ për dëshirën zjarr në gji.

Dëgjoj gëzimin lart jehon /kujtoj shenjën që s’valon,

Që, medet, ai gjakim gjani/pret palosur nën fytyrë jorgani! ...

Por prap gazi ma prek faqen /shoh qilimin shoh sixhaden:

Në fushë të kuqe shenjë shqiponjë /Sa e thellë, them, është qenia jonë!

Mbërrijtën kushqit hap me hap/ tubet radha pak nga pak:

Shkrep hareja lart e më lart/ dhe ja dy nuset zbriten në cak!

(Nga vepra Shfrime nëpër mjegullnajë, Prishtinë 1997)

b) Rastësia si nxitje gëzimi e provokimi

Këto rastësi ndër të tjera ishin ato që iritonin qarqet e larta shqiptarofobe që nuk donin sforcimin e familjeve shqiptare në trojet e tyre të reflektuara në këtë dasëm:

E para, pse u ftuan të gjithë shokët e babës, që disa prej tyre pushteti i quante reaksionarë. Po i përmnd vetëm dy emra: Hamit Tahiri e Jetulla Reçani, mbi 7o vjeçarë, që të dy mbase për të fundit hare paten kënaqësin që të loznin valle burrash si Ukë Mehmeti (gjyshi im), valle me plot përmbajtje që nuk po i shoh në asnjë ansambël profesional sot. Mbaj mend që edhe të rinjtë e fëmijët përpiqeshin t’i imitonin, ndër të tjerë pati shkëlqyer ndër dasmorë vogëlushja pesë vjeçare (tezja) Zade, me vallë burrash e valle grash.

E dyta, Nuk ishte rastësi që Baci e organizoi darsmën e madhe për hir autoritetit personal si zotshpie pas vdekjes së babës, po ishte rastësi se kjo ndodhi pas lirimit nga burgu të dy vëllazërve shkollarë tëtij, që për shqiptarofobët këta ishin disidentë, prandaj edhe këtë e cilësonin provokim.

E treta, Dita e Darsmës, Njëzetetetë Nëntor, Festa Kombëtare e popullit Shqiptar, Data e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912 për të gjitha tokat shqiptare nga Ismail Qemali. Kjo përputhje date me darsmën tonë, vërtet, ishte rastësi, por për mua rast i veçantë, i jashtëzakonshëm, një mrekulli që vetëm Zoti mundi ta na dhurojë.

Pas dasme, ushtria, kthimi dhe elegjia

Sidoftë, pas tre muaj martese shkova në ushtri. Andej nga Suhareka më përcollën me këtë karakteristikë: Neprijatelj, iz neprijateljske porodice, Bio je u zatvor, Nalazi se pod istragom (Armik, nga familje armike. Ka qenë në burg. Gjendet në hetime), për këtë dasmë më shumë pësoi vëllai im i madh Smajli, që ishte zotshtëpie si dhe vëllau Baci Ali, në dimrin e vitit 1955. , në të ashtuquajturin. Në Ushtri, kuptohert pse thosha se APJ vërtet qenka shkollë, ku farkëtohet “vëllaznim-bashkimi” i të rinjve të popujve dhe kombësive të Jugosllavisë (Gde se kali “bratstvo-jedinstvo” omladine naroda i narodnosti Jugosllavije), kalova më mirë se kam kujtue. Për mbresat, eskivazhet, veprimet e kujdesshme nga ushtria në një shkrim të veçantë, ndërsa këtu po i kthehem fatit të dy shokëve të ngushtë, me të cilët bashkëpunoja sa isha në klasën e katërt të Shkollës normale: Mehmrt Idrizi dhe Hilmi Nela. Për fatin e tyre mësova në verën e vitit 1959 deri sa isha me shoqen në Banjën e Pejës, Për Mehmet Idrizin ish shoku u klasës Nazmi Pula që ishte me nënën e vet, më tregoi se atë e kishin vra në kufi me Shqipninë. Mësova, gjithashtu, nga një emigrant, mbase shoqërues i turupmadhit Panajot Plaka që qëndronte ato ditë në këtë Banjë, mësova se Hilmi Nela, qenka vra në pritë brenda Shqiprisë.

Të dy këta martirë i kishin vrarë në kufirin Kosovë /Shqipëri, njerin andej, tjetrin këndej. Më shkonte mendja se për fatin e tyre të zij, kishte më shumë sherr këndeja apo andeja që i kishte qitë në pritë, apo të dyja palët si me marrëveshtje?! Vërtet, nuk di, le të vlerësohet, por di se ndjeva shumë dhimbje për të dy. Dhe pikërisht këtë dhimbje për ta, ashtu si dita, si munda e shpreha ato ditë me këto vargje:

Vrasje te gardhi i zi (elegji)

Dy djem të rinj:një elegji, Njëri në Jug tjetri në Veri...që të dy në një pusi,

Qaj moj nënë qaj!

Që të dy, te i ziu gardhim, njeri në Lindje, tjetri në Perëndim, që të dy i mor një pushkë, për një nuse ishin krushkë. Qaj moj nënë qaj!

Që të dy me një këmishë veshur, për të dy një nënë kish qepur: Dykrenare në të kuqen fushë, që të dy ranë në një gemushë,.. Qaj moj nënë qaj!

Dhe pse Nëno, s’thuhet kot: Trimat s’vdesin rrojnë nga mot, këta dy qahen, janë për gjëmë,  varret shkret Nënë ua kanë lënë, njeri në lumë, tjetri në gumë, pa gur varri pa mbishkrim, pa kurorë pa përkujtim... Qaj moj nënë qaj!

Qaj, kujto Nënë Metin, Hilin, që aq shumë ta deshtën hirin, po i ngatërroi, nënë pabesia, n’ Gardh të Zi i rrëzoi pusia, Qaj moj zemër qaj!

Pavdekësia, nënë, t’u shkruhet në altarin e lirisë, vetëdëshmues është gjaku i dlirë që ndrin në faqe të historisë...Qaj moj nëno qaj!

(Banjë e Pejës, korrik 1959,

(Shih vepra Shfrime nëpër mjegullnajë (Prishitnë 1997)

Para se të përfundoj këtë pjesë Jetshkrimi po e përsërit se Hilmi Nela më ka shpëtuar që ma hoqi dore gazetën tanefiste me flamur etj, kurse sa isha intim me Mehmet Idrizin jo vetëm idealisht por edhe shoqërisht, po e vërtetoj me firmosjes e tij origjinale që e shënoi më 1951, pasi e lexoi versionin e parë të poemës Formimimi kooperativës fshatare (1950), e cila e përpunuar është botuar në veprën Cace e hope djaloshare (Prishtinë 1997).

Siç po shihet nga faksimili, ai veprën e vlerësi më përqej shumë dhe e shënoi emrin e mbiemrin e plotë dhe klasën, duke e lënë kështu një shenjëshkrimi simbolik, të rrallë, të  pavdeksësie, me kaliografi të bukur, siç e ka pasur prej natyre edhe bukurinë e tij fizike djaloshare,

Faqja e fundit (dorëshkrim) e poemës, versioni fillestar 1950 ”Formimi i koopeativës fshatare” e vlerësuar nga Mehmet Idrizi(1951):

Po e përfundoj këtë pjesë Jetëshkrimi me tri konstatime:

E para, thuhet se qingji i butë thith dy nana ndërsa i egri as të veten,. Kjo e fundit vlen për qengjat poetë të lindur të familjes Nela. Kujto fatin Hilmi Nelës që thonë se e joshin me dalë andej me marrë dikë të familjes, po e zë pusia. Kushuriri i tij Havzi Nela, pati fatin po ashtu poet, si qengj i egër, dihet se përfundoj me varje. Fate të tillë mos na rafshin me i harrue.

E dyta, më 1972, në përvjetorin 20 të klasës sonë të Normales, unë naivisht, jo vetëm propozova të përkujtohet edhe martiri Mehmet Idrizi po propozova që të shkojmë në të pame te familjen e tij dhe ta përkujtojmë me një kurorë. Kjo nga politikanët aktual të Gjakovës u zu provokim tejet i rëndë, prandaj u pa që po përgatisnin arrestimin tonë. Më ndanë nga shokët dhe thanë po nisemi për Deçan, me vlerësue terrenin, do ta vizitojmë. apo jo (!!!). Në rrugë e sipër ishin dy shokë Masar Rizvanolli, si akvist politikan dhe si politikan dhe Mehmet Muharremi, udbash. E mora vesh sa ishte sahati, atëherë po in them Mehmet Muharremit (udbash) a nuk është rehabilitua Mehmet Idrizi, ai më tha -Jo,

-Nuk e paskam ditur, Paskam gabuar shumë!

Ai pas pak rrugëtimi me ne zbriti nga vetura dhe kështu Mehmet Muharremi (Haskaj) tregon naivitetin tonë dhe mua si shok shkolle më shpëtoi nga arrestimi, gjë që do të ishte ogur që e kërkonte Dushko Ristiqi me qiri e pishë. Me fjalë të tjera, nuk e kam me ironi, Mehmeti që më shpëtoi mua, sigurisht nuk paska pasur mundësi me shpëtue nga prita Mehmet Idrizin që e ka pasur më të afërt dhe më shokë se mua. apo jo?!

E treta, mësa po dokumentohet se tri vjershërimet e para që shohin dritë edhe këtu, i kam shkruar në vitet, kur për vargje të tilla luhej me krye, majde ato guximtarisht u ofruan për shtyp më vonë dhe u botuan në vitin 1997, dy vjet para përfundimit të Luftës UÇK, andaj dua të them se kësaj Lufte Çlirimtare i kanë prirë edhe naivitetet tona, duke aluduar në Organizatën e Madhe kundër SerboJugosllavisë shqiptarofobe, luftë kjo ku u inkuadruan jo vetëm pjesa dërmuese e intelektualëve, të prirë nga profesorët e udbashët tanë të mençur, për çka patëm aluduar në vitin 1952, për çka edhe vuajtëm burgun, dhe si rrjedhojë përjetuam pasoja por edhe mësim e gëzime të paharrueshme gjatë hapërimeve tona të sukseshme, apo jo?! Le të vlerësohen. Unë flas për vepra njerëzore jo për ata që bënë krime monsruoze.