E diele, 09.08.2020, 03:15 AM (GMT+1)

Komente

Henri Çili: Vota e 75-të!

E marte, 23.12.2008, 07:45 PM


Henri Çili
Vota e 75-të!

Nga Henri Çili

Që demokracia të funksionojë... duhet që maxhoranca të ushtrojë vullnetin e saj politik në formën bazë: votimin e ligjeve në Parlament. Në këtë kuptim mund të përligjet votimi në kushte “in extremis” ajo që shumica e djathtë në pushtet bëri dje me ligjit për dosjet ...ose siç njihet ndryshe “Ligj për pastërtinë e figurave të zgjedhura dhe të emëruara”. Të gjitha të tjerat janë më pak të rëndësishme se sa kjo në një demokraci. Shumica që qeveris sot vendin ka marrë përgjegjësinë e votimit të këtij ligji kundër shumëçkje, e cila i thoshte asaj jo: që nga kundërshtimi i opozitës, ai i një pjese dërrmuese të medias, shoqërisë civile dhe deri tek ambasadori amerikan Withers, që bëri thirrje për konsensus dhe diskutim më të gjerë. Deri këtu shumica ishte në të drejtën e saj të shkonte bashkë me përgjegjësinë për këtë akt. Jemi në kushte tejet demokratike, maxhoranca ka një vizion, një projekt, qoftë edhe interesa ta kalojë tani dhe kështu këtë ligj. Demokracia shqiptare nuk përfundon këtu. Ajo i ka të gjitha mjetet në dispozicion për të parandaluar efektet perverse të këtij ligji, për të mbrojtur institucionet, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut: është dekretimi i ligjit nga Presidenti, është Gjykata Kushtetuese, janë përpara zgjedhjet parlamentare ku mund të konkurrojnë alternativa dhe vizione politike, të cilat janë të ndryshme apo të kundërta me këto që shumica votoi dje në ligj. Rruli demokratik vetëm sa ka nisur dje në rastin e ligjit për dosjet.
Dosjet, e kaluara e figurave të larta apo kyçe në jetën shoqërore, është një debat që nuk mund të gjejë konsensus në shoqërinë shqiptare, apo në asnjë shoqëri post-komuniste, post totalitare. Larmia e ideve, pikëpamjeve dhe interesave, qasjeve apo interpretimeve është e pafundme. Asnjë ligj nuk është i përsosur, asnjë ligj nuk zgjidh gjithçka. Edhe për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut ka një debat të pambarimtë, jo më për elementë të privimit të pjesshëm apo të përkohshëm të tyre. Pas një debati të gjatë, ndoshta ndër debatet e vetme që është bërë me themel në Shqipëri, ku të gjithë i kanë shfaqur pozicionet e tyre, është e qartë më në fund se duhet të arrihet në një vendim. Shumica aktuale, kështu e gjykoi, kështu i interesoi, kështu e votoi këtë ligj. Tanimë ky ligj ka jetën e vet. Do të hidhet poshtë, do të zbatohet, do të amendohet, do të shfuqizohet apo përmirësohet nesër. Ky nuk është veçse një etapë e procesit politik, nuk është finishi.
Eshtë moralisht e vështirë të hedhësh poshtë këtë ligj, frymën e tij duke thënë gjithaq defektet tejet të rënda dhe komprometimin e madh, që interesat aktuale të shumicës dhe të kryeministrit Berisha i kanë bërë këtij ligji në formën që u votua dje. Është krejtësisht e pajustifikuar spërdredhja që ka ligji lidhur me disa kategori të nomenklaturës komuniste, të cilat kanë qenë faktorë kyç në sistemin e diktaturës komuniste: komiteti qendror i partisë, me anëtarët dhe kandidatët e tij, sekretarët e parë të rretheve të cilët shpëtojnë për shkak të disa emrave konkretë që ka parasysh kryeministri Berisha nga radhët e maxhorancës dhe opozitës aktuale. Në përgjithësi është e papranueshme se si në tërësi aparati i partisë së punës, me këtë ligj del relativisht pa lagur, kur pjesë të tjera të sistemit komunist apo të superstrukturës nuk ishin veçse derivate të asaj çfarë dilte nga partia. Kjo pjesë e ka kompromentuar rëndë frymën e ligjit edhe për shkak të faktit që Sali Berisha vetë vjen nga radhët e Partisë së Punës.
Nga ana tjetër konteksti aktual i marrëdhënieve të Berishës me sistemin e drejtësisë ka kompromentuar rëndë pjesën për drejtësinë, edhe pse në parim nuk ka arsye që sistemi i dhënies së drejtësisë sot në Shqipëri i varur nga kuadro të drejtësisë socialiste. Këto janë dy defektet bazë të këtij ligji.
Disa kontekste dhe pjesë të tjera të tekstit të këtij ligji mund të jenë të diskutueshme, mund të jenë gabuara, joprincipiale etj., si këto. Por a është nuk çdo ligj kështu, pa pretenduar të jetë një tekst i shenjtë. Një kritikë “kontekstualiste” mund të bëhet ndaj çdo gjëje, ndaj çdo akti, ndaj çdo figure. Por a nuk është çdo gjë, çdo akt, çdo figurë një tërësi kontekstesh, përfshi këtu dhe profetët. Çdo kontekst ka një kundër-kontekst.
Mbi të gjitha kritikat ky ligj dhe akti i kalimit të tij nuk mund të rrëzohen në parim. Përballë pyetjes: a duhet të pastrohet e tashmja dhe ardhmja nga e kaluara, sido që të vijë puna nuk mund t’i përgjigjesh në vitin 2008: JO. Edhe pse për të kaluarën do të mjaftonte, për një pikëpamje liberale vetëm transparenca e asaj që ka ndodhur që nga zyrat e komitetit qendror e deri tek sekretet e sigurimit të shtetit, sikur të isha dje deputet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë vota ime do të ishte vota e 75-të.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora