E marte, 16.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Mendime

Romeo Gurakuqi: Ripërkufizimi territorial i Bashkisë së Shkodrës, Qarkut të Shkodrës dhe Rajonit të Veriut

E enjte, 01.09.2022, 07:49 PM


Ripërkufizimi territorial i Bashkisë së Shkodrës, Qarkut të Shkodrës dhe Rajonit të Veriut me qendër në Shkodër

Nga Romeo Gurakuqi

Po i kthehem sërish çështjes së reformës së re territoriale dhe administrative, për shkak se në tavolinat e “reformatorëve” të mandatuar nga Parlamenti për të krijuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të arsyeshme është paraqitur një skicë për reduktimin drastik të territorit të Bashkisë së Shkodrës, e cila nuk ka parasysh aspak gjeografinë, traditën dhe mënyrën se si ka funksionuar jeta ekonomike, tregtare dhe kulturore e banorëve të anëve tona. E keqja më e madhe është kjo skicë me gabim elementar historik, qenka shndërruar në bindje të vendimarrësve kryesorë me tagre mbi rikonfigurimin e Qarkut të Shkodrës, ndërkohë që publiku dhe qytetarët nuk kanë asnjë lloj dijenie.

Nuk bëhet fjalë për ristrukturimet e nevojshme, të drejta që ekzistojnë në projekt, të diktuara nga ecja përkundër historisë e projektuesve të njëpasnjëshëm të kohëve të shkuara diktatoriale dhe post-diktatoriale, por për vendosjen e disa kufizave të reja administrative, që i copëtojnë Shkodrës basenin e saj ujor, përmes të cilit ajo përherë, në kohët i lirisë tregtare e të lundrimit, ka qenë e lidhur me Adriatikun, si edhe të tjera copëzime që i heqin  asaj hambarin ekonomiko-financiar, një prej pasurive më të mëdha turistike. Bëhet fjalë për një projekt të heqjes nga Bashkia Shkodër të Velipojës dhe të gjithë zonës rurale përgjatë rrjedhës së Lumit Buna, arteries ujore të komunikimit me pjesën tjetër të Shqipërisë. E papranueshme, e dëmshme dhe sërish në linjat e politikave të stërhollueme kundër interesave të qytetarëve të Shkodrës. Dikur malazezët i patën marrë Shkodrës Liqenin, lidhjen tradicionale vlllaznore me Ulqinin, etj., ndërsa në vitin 2022 “projektuesit” e Riformatimit Territorialo-Administrativ të Parlamentit të Shqipërisë, paskan skicuar marrjen e Bunës dhe Velipojës nga Kryeqendra e Labiatisë.

Siç e kam shkruajtur edhe pak ditë më parë, duket qartë se skicuesit operojnë fatkeqësisht me “numra”, në varësi të një kërkese të hershme për balancimin e Shqipërisë, por aspak mbi një metodë shkencore, nga do të duhet të nisen për ta kuptuar Shqipërinë, vend për vend, interesat qytetare, krahinë për krahinë. Dikur na ka takue me pa ikjen e Opozitës nga tavolina e ndërmjetësueme nga ndërkombëtarët për reformën territoriale, duke e lanë Shkodrën dhe Shqipërinë në duart e “copëtuesve” dhe “krijuesve” të Edi Ramës dhe rrethit të tij. 8 vite ma vonë shohim përfaqësuesit e Opozitës të hyjnë me të drejtë në një tavolinë ku diskutohet korigjimi i arsyeshëm i Shqipërisë, por pa një projekt të ndërtuar nga ekspertë të mirëfilltë.  Dhe unë nuk dua të besoj se diktues të skicimit të të ri të Qarkut të Shkodrës kanë qenë endërrues të sundimeve permanente, paragjykues të një bote që e kemi kapërcye, ose nga ideatorë që nuk e kanë shkelur qarkun cep me cep, nuk njohin të kaluemen dhe nuk guxojnë të takohen me qytetarët e vet.

Këto rreshta nuk po i shkruaj me synimin për të dëmtuar ndokënd, por për të ndalur damtorë që mund të shkaktojnë padrejtësi dhe bëjnë gabime të rënda me pasoja afatgjata mbi qytetin dhe krahinën tonë.

Edhe një herë dua të përsëris se korigjimet në ligj duhet të zhbëjnë përpjekjen e deritanishme të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, për ta shndërruar Shkodrën 3000 vjeçare në një periferi të varfër dhe të rrënuar të Shqipërisë, ta ndihmojnë ate për t’u ringritur ekonomikisht, territorialisht dhe administrativisht:

1. si Kryeqendër Administrative të Rajonit të Shqipërisë së Veriut, në të cilen do të duhet të rivendosen të gjitha drejtoritë qeveritare;

2. si qendër e një Qarku që duhet të ristrukturohet territorialisht me bashki, mbi linjat e veta historike, gjeografike, ekonomike dhe kulturore;

3. si një Bashki me të ardhuna të mjaftueshme për t’u modernizuar dhe stabilizuar, që ndihmon qytetarinë të ringrihet dhe emigrantët të kthehen në votren e tyne.

Qarku i Shkodrës mendoj se duhet të përbëhet nga këto bashki:

1. Bashkia e Malësisë së Madhe me qendër në Bajzë, me njësitë administrative Kastrat, Kelmend dhe Shkrel, të cilave u shtohet edhe Njësia Administrative e Hotit. Pavarësisht se pjesa më e madhe e vendbanimeve të Hotit ndodhet arbitrarisht në Republikën e Malit të Zi, qeveritarët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se Malësi pa Hot nuk mund të ketë. Në këtë njësi të re administrative duhet të përfshihen: Kusha e Hotit, Hani i Hotit, Lulash Pepajt, Dajçi i Hotit, Kolaj, Deckaj, Gryka e Kushes, Brixha, Starja dhe Rapsha.  Bashkia e re do të duhet të mbështetet për një përiudhë së paku 10 vjeçare nga Qeveria, financiarisht, administrativisht dhe me burime njerëzore. Investimi i rrugëve: Tamarë- Vukël dhe Razëm- Fusha e Zezë (bjeshkët e Kastratit).

2. Bashkia e Mbishkodrës me Qendër në Koplik, e përbërë nga njësitë administrative Koplik Qendër, Koplik i Sipërm deri në kufijtë e Shkrelit tradicional, Gruemirë, si dhe krijohet njësia administrative Gril-Shtoj;

3. Bashkia Dukagjin me qendër në Breg të Lumit, ose në Prekal, e përbërë nga: njësitë administrative Shalë, Shosh, Pult, Shllak dhe Temal (Mbetët për t’u diskutuar mbi pozicionin e Nikaj Merturit në ndarjen e re). Bashkia e re do të duhet të mbështetet për një përiudhë së paku 10 vjeçare nga Qeveria, financiarisht, administrativisht dhe me burime njerëzore.  Ndërtimi i arterieve të jetës dhe zhvillimit në këto anë është thelbësor për funksionimin normal të njësisë së re dhe zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit: a-Rrugës së Drinit (Laç i Vaut të Dejës- Koman-Fierzë-Gjakovë); b- Rrugës Prekal-Kir –Mali Shoshit- Ndreaj-Breg LumitThethë; c. (ose të projekti alternativ) Rrugës Prekal- Ndërvenë (vendi ku duhet të fillojë aksi i ri) – Lugina e Libriqes (aks i ri) – Le i Keq- Nicaj Shosh- Dardhë -Pepaj Shosh-Portat e Shalës-Theth (55 km nga Shkodra) dhe më pas nga Portat e Shalës- Vuksanaj-fshati Bob- Fshati Salcë- Lekbibaj-Fshati Telaj-Dushaj -Bajram Curri-Gjakovë).

4. Bashkia Shkodër, e përbërë nga Qyteti Metropolitan i Shkodrës, me 5 rajone që duhet të jenë njëkohësisht edhe 5 zona elektorale në qytet në sistemin maxhoritar, ose në llogaritjen proporcionale të përfaqësisë kombëtare, ose krahinore; Njësia Administrative Rrethina, e zvogëluar tanimë nga heqja e një pjesë të fshatrave në pjesën veriperëndimore të qytetit; njësitë administrative Postribë, Guri i Zi, Berdicë, Ana e Malit, Dajçi i Bregut Bunës dhe Velipojë.

5. Bashkia e Laçit të Vaut të Dejës që do të përfshijë Vaun e Dejës Qendër, Hajmel, Bushat dhe Vig Mnelë.

6. Bashkia Pukë ( investimi i rrugës Shkodër-Pukë- Fushë-Arrës).

7. Bashkia Fushë-Arrës (Kjo e fundit në varësi të rikonfigurimit të Qarkut të Mirditës. Krijimi i Qarkut te Mirdites eshte nje prej detyrave qe ka komisioni, por qe nuk dihet ende nese eshte kuptuar).

facebook.com/romeogurakuqi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora