Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Në Kosovë mbretëron errësira

| E enjte, 01.09.2022, 06:57 PM |


Ndue Ukaj:

Është 1 shtator.

Në Kosovë mbretëron errësira. S' ka rrymë dhe s' ka mendime të ndritshme. Ka mendime të errshme.

S' fillon mësimi, sepse s' kemi kulturë minimale të bëjmë dialog.

E lë të pi kafe me një mik timin, por ai s' mund të del.

Pasi kalojnë disa minuta, më thërret në telefon dhe më thotë:

S'ka rrymë, një grua është bllokuar në lift, fëmijët qajnë, kanë ardhë zjarrëfiksit.

Tmerrohem.

Është 1 shtator.

Fëmijët në faqet e tyre të njoma përjetojnë flakareshat e ashpra të arrogancës së qeverisë.

Për ta s' hapën dyert e shkollës, sepse qeveria e vendit të tyre krejt çka di është arroganca. Dhe siç

thoshte Albert Einstein, e vetmja gjë ma e rrezikshme se injoranca është arroganca.

Dhe kështu, vendi ynë që dikur kishte ide e ideale të mëdha, po katandisët në terr. Po, vendi ynë është kthyer në një vend ku s' ka ide as ideale të mëdha. Mjerisht, s' ka as ide as idale  të vogla. Ka arrogancë dhe terr.

Mjerueshëm, shoqëria jonë po përjeton një dekadencë të frikshme. Ajo s'po mund të mbjellë dashuri për njeriun dhe vendin. Ajo po mbjell frikë, arrogancë e terr.

Sepse, dinjiteti i fëmijëve dhe njerëze të këtij vendi shkilet me dy këmbë dhe ky realitet më tmerron.

Dhe sot të gjithë epshorët që duan të bëjnë krahasime bajate, le të trusin, sepse kurrfarë vlere s' ka të thuhet: dje ishte keq. Kaq keq në Kosovë s'ishte që dy dekada. Sepse, dikur i besonim ngritjës, sot po shohim teposhtëza të frikshme.

________

Nëse Ministria e Arsimit mbart fatin tonë, imagjinojeni në çfarë mjerimi jemi ne si vend.

Nëse Ministria e Financave mbart mirëqenien e vendit tonë, imagjjinojeni në çfarë deregje është vendi ynë dhe sa thellë është rrënjosë arroganca dhe autoritarizmi në vendin tonë.

Kam lexuar diku një akademik francez që ka thënë se "Ministria e Arsimit është ministri që mbart fatin tonë. Me çfarë duhet të merret me përparësi kombi përveçse me formimin arsimor?"

Por, për ne, kjo tingëllon e trishtë, meqë Ministria e Arsimit bartë arrogancë të pashembullt dhe shquhet për mungesë totale vizioni. Ajo s' di të zhvillojë dialog me ata që bartin fatin e vendit tonë. Prandaj, kemi kaq shumë anomali dhe kaq shumë arrogancë.

Një qeveri që s' është e aftë të bisedojë me pjesën më vitale të shoqërisë, mësuesit, dhe që sakrifikon fëmijët për epshe politike, ajo qeveri veç e mirë s'mund të jetë.

________

Duhet të jesh Don Kishot që të arsyetosh terrin e pafund në Prishtinë, mungesën e energjisë elektrike me orë të tëra, me deklarata skandaloze të llojit:

"... Situata është shumë e rëndë, ju po shihni cka po thonë edhe liderët në Gjermani, Francë e gjithë Evropën.’’, ka deklaruar Kurti, shkruajnë mediat.

Kështu vetëm një kryeministër s' mund të

flet. Në fakt, Kosova sot zor e ka të

kuptojë nëse ka kryeministër a një Don Kishot në krye të vendit.

Është përpjekje mjerane të krahasosh me të

mëdhenjtë, ndërkohë që punët dhe veprat e tua i ke tepër modeste saqë duhet mikroskop për t' i pa.