E merkure, 30.11.2022, 01:00 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Debati filozofik mbi rrënjët e të keqes

E marte, 30.08.2022, 06:52 PM


Debati filozofik mbi rrënjët e të keqes

Nga Prof. Blerim Latifi

Filozofia, qysh prej kohëve të hershme të saj, është marrë me çështjen e "rrënjëve të së keqes".

Prej nga vjen e keqja?

Kush e shkakton atë?

A janë rrënjët e të keqes brenda natyrës njerëzore, apo në mënyrën e ndërtimit të shoqnisë njerëzore?

Përgjigjet në këto pyetjet përbëjnë atë që njihet si antropologjia filozofike.

Një pjesë e bashkëkohorëve të Sokratit, të cilët quheshin sofistë, mendonin se e keqja është e rrënjosur në natyrën njerëzore, prandaj janë të nevojshme institucione dhe ligje të forta për ta mbajtur nën kontroll egërsirën që jeton brenda njeriut.

Të tjerë e mendonin të kundërtën: njeriu për nga natyra është qenie e mirë, por janë institucionet dhe ligjet e këqija ato që e prishin mirësinë e tij natyrore dhe e kthejnë njeriun në monstrum. Zgjidhja e problemit të se keqes, për këta mendimtarë, është reforimimi i ligjeve dhe institucioneve. Ligjet e mira e nxjerrin në pah mirësinë natyrore dhe e keqja zhduket vetvetiu.

Vetë Sokrati kishte një mendim tjetër.

Sipas tij rrënjët e të keqes nuk lidhen as me natyrën njerëzore, as me ligjet e institucionet sociale, por me paditurinë. Sa më të paditur e më të paedukuar të jenë njerëzit, aq më të prirur do të jenë drejt të keqes. I gjithë Iluminizmi europian mbështetet në këtë bindje sokratike: Nëse doni të çrrënjosni të keqen mes njerëzve, arsimoni ata!

Por kjo maksimë iluministo- sokratike, qysh në krye të herës, është parë si problematike.

Aristoteli e kritikon Sokratin përmes konceptit të akrazisë. Akrazia shpreh situatën në të cilën njeriu edhe pse i njeh standardet morale të sjelljes, është i edukuar me to, ai përsëri vepron në kundërshtim me to.

Janë të pafundëm shembujt që na tregojnë për njerëz të arsimuar që kanë bërë krime nga më mizoret. Nuk kishte shoqëri më të arsimuar se shoqëria gjermane në gjysmën e parë të shekullit XX, por kjo nuk e frenoi lindjen brenda saj të ideologjisë naziste, e cila prodhoi Holokaustin.

Krejt kjo duket se na rikthen tek etatistët, si puna e Hobsit, të cilët janë të mendimit se ndërgjegja dhe edukata janë të pafuqishme përballë egos njerëzore, e cila nxitë vazhdimisht njeriun që t'i përdorë të tjerët si mjete për të kënaqur veten, prandaj janë të nevojshme ligje të rrepta për ta disiplinuar atë. Por, sigurisht, edhe formula e Hobsit nuk është pa rreziqe.

Kush ka të drejtë në këtë debat të madh filozofik? Po ua lë ta gjykoni vetë.

Unë personalisht mendoj se "akrazia" e Aristotelit dhe "egocentrizmi antropologjik" i Hobsit, kanë vlera më të mëdha shpjeguese. Natyrisht, jo përfundimtare dhe absolute.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora