E premte, 29.03.2024, 02:10 PM (GMT)

Mendime

Rexhep Shahu: Kush paguhet për të sharë Udhën e Shqiptarëve

E marte, 23.12.2008, 06:31 PM


Kush paguhet për të sharë Udhën e Shqiptarëve

Nga Rexhep Shahu

Dikush paguhet, sponsorizohet, dikush paguan, sponsorizon për të sharë e mallkuar udhën e shqiptarëve, rrugën e Kosovës, rrugën e jetës time, rrugën e jetës tonë, urën që lidh kombin e ndarë, rrugën Durrës - Kukës - Morinë. Dikush paguan majmshëm, rëndshëm që ajo rrugë të mallkohet, të pengohet, të mos ndërtohet, të shëmtohet. Ose së paku, në fund të fundit fare ajo rrugë të mbulohet e baltohet me korrupsion shtetëror të qeverisë së djathtë. Kori i korbave është i ngritur dhe krrokrret ditë e natë kundër rrugës. Drejtues të së majtës, zëdhënësa të saj, media të zellshme që s’dallojnë dot kush është kryesore e kush jo, me zëra anonimë (për fat asnjë gazetar serioz shqiptar me emër nuk e ka sharë rrugën), krrokrrasin kobshëm kundër rrugës së shqiptarëve. Pa mundur të na bindin se dëmi është më i madh se dobia e kësaj rruge.
Kush paguan? Kush paguhet? A thua kalecët e lehësit që lehin orë e çast kundër rrugës janë vertetë ato që i marrin paratë e sponsorizimeve, apo ato  thjeshtë marrin kacidhet se janë mësuar të marrin kacidhe, para kusuri, dhe janë të tjerë njerëz - korba që rrinë në hije e flasin rrallë kundër rrugës, ato që kanë marrë shumat e panumëruara të parave që të shahet e mosndërtohet rruga e shqiptarëve.
Ajo po ndërtohet. Pra nuk bënë punë paratë tek qeverisja aktuale e shqiptareve për mosfillimin e ndërtimit të saj. Dikush duhet ta pengojë, shajë e mallkojë ndërtimin e saj, autorin e saj, ndërtuesin e saj. Anise autori është Sali Berisha dhe ndërtuesi është Amerika. Përfituesi është Kombi shqiptar dhe Europa dhe janë në përputhje të plotë mes tyre dhe në kundërshti të plotë me kundërshtarët e armiqtë e ndërtimit të saj. Kush e la Shqiperinë pa rrugë? Kush nuk e deshi Shqipërinë më rrugë të brendshme. Kush nuk e deshi rrugën e jetës tonë, rrugën e Kosovës, udhën apo arterien kryesore të shqiptarëve. Kush i hëngri paratë që janë sponsorizuar lumë për vite e vite me radhë për mosndërtimin e rrugëve në Shqipëri, për mos ndërtimin e rrugës së Kosovës, kush? Pse nuk e duan udhën e shqiptarëve, rrugën e Kosovës të majtët shqiptarë?
Po ta donin do ta përshëndesnin e do ta vizitonin njëherë atë rrugë. Nuk kanë hallin e vjedhjeve të supozuara në atë rrugë. Por kanë hallin që ajo rrugë të mos bëhet. Se mund të jenë paguar që të mos bëhet ajo rrugë. Opozita socialisto-komuniste e vendit është kundër ndërtimit të rrugës së bashkimit me Kosovën, kundër udhës së shqiptarëve, kundër rrugës së jetës tonë, kundër urës që lidh kombin. Jo se rruga po kushton shtrenjtë, sipas tyre, sepse në fakt nuk po kushton shtrenjtë po të krahasohet me simotrat e saj në rajon e më tej, pasi aty nuk po ndërtohet një rrugë e zakonshme por autostrada e parë e vendit, aty po zhduken male, kodra, lugina, aty po transformohet relievi, aty po ndryshon gjithçka, aty po ndodh  e pabesueshmja, aty po shembet mali, po rishembet sepse ka rreshqitë sërish e sërish. Opozita është kundër sepse nuk e don Kosovën.  Nuk e don dhe pikë. Nuk don që shqiptarët e Kosovës të jenë prezent në Shqipëri. Që uikendin ta bëjnë në Shqipëri. Që të vijnë qindra mijëra prej tyre çdo fund jave në Shqipëri. Pasi ato janë ende të sëmurë të vijnë në Shqipëri. Të harxhojnë euro në Shqipëri. Të vijnë në det edhe në dimër e jo veç në verë.
Opozita shqiptare nuk do që të bëhet kjo rrugë edhe sepse në jetë të jetëve kjo rrugë do të ketë autor Sali Berishën. Do të mbajë emrin e Sali Berishës. Po të sillej ndryshe opozita socialkomuniste do të ndodhte që së paku njëherë drejtuesi i saj i radhës të shkonte ta vizitonte rrugën. Ti falenderonte ato mijëra punëtorë që punojnë 24 orë aty. Të falenderonte amerikanët dhe turqit që po e ndërtojnë atë rrugë. Dhe të vazhdonte të kërkonte llogari pastaj tek qeveria e të padiste qeverinë në organet e drejtësisië. Të artikulonte qartë se ne e duam rrugën, i duam amerikanët e turqit që po e ndertojnë koridorin e shqiptarëve, por jemi kundër abuzimeve të mundëshme, abuzime të cilat duhet t’i çertifikojë vetëm drejtësia por jo në konferencat e shtypit të morrave e mjaullitësve të opozitës apo në foltoren e parlamentit shqiptar. Të shkonin deputetët socialistë tek rruga, të mrekulloheshin, të njerzoheshin, të mos demonstronin urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës, mosdashuri dhe përbuzje ndaj tyre, frikë pafund ndaj tyre,  frikë prej antikomunizmit natyral të shqiptarëve të Kosovës, frikë ndaj mospranimit prej shqiptarëve të Kosovës të së majtës sllavo-ruse të Shqipërisë.
Por ato nuk e duan koridorin që bashkon shqiptarët. Sepse tremben. Dridhen. I tmerron Kosova, patriotizmi real e historik i saj. Dashuria e saj e pandreqshme ndaj Shqipërisë, që, gabimisht sot e gjithë ditën, e qujnë shteti amë, duke e e vetpërbuzur Kosovën, duke harruar se atë e kanë ëmë e atë, se aty janë që para diellit e para dreqit, që vend amë e kanë Kosovën po aq sa edhe Shqipërinë. Por e kanë nga dashuria pa kushte ndaj Shqipëqrisë duke mos menduar se bëjne gabim të rëndë dhe kënaqin tezën historike serbe. Të majtët shqiptarë, të mësuar historikisht të qeverisin një vend të izoluar, që të mos ketë mundësi të jetë i hapur, të behet i dijshëm, të mos kenë mundësi njerzit të shohin e të shihen prej të tjerëve, i kapin dridhmat po të hapet vendi, po të bëhet i lirë vendi, po të qarkullohet vendi. Të majtët kanë qenë historikisht kundër ndërtimit të rrugëve në vend. Sepse kështu kanë mundësuar mbajtjen e vendit si burg dhe mbajtjen e njerzve në burg të madh. Është e thjeshtë të vertetosh çfarë po them. Po të donte diktatori Enver Hoxha sot Shqipëria do të ishte si shumë vende të tjera të rajonit që kanë rrugë model, që nuk kanë lënë rajone të vendeve të tyre pa rrugë moderne. Edhe Titoja që nuk ishte shqiptar ia bëri rrugët Kosovës edhe pse ajo ishte shqiptare. Por diktatori Hoxha nuk donte të kishte rrugë Shqipëria sepse pastaj njerzit do të qarkullonin dhe do të ishin më të lirë. Ai donte t’i mbante në burg. Siç i mbajti për gjysmë shekulli. Por po të donte ai i kishte të gjitha mundësitë të shfrytëzonte skllaverisht shqiptarët siç ka bërë për gjëra të tjera dhe sot do të ishin të bëra të gjitha rrugët e vendit.
Të majtët shqiptarë edhe në vitet e sistemit demokratik nuk i bënë rrugët e vendit. Sepse nuk donin qarkullimin e shqiptarëve. Nuk donin që shqiptarët të njihnin Shqipërinë e aq më pak donin të njihnin vende e shtete të tjera. Ndaj sot nxënësit shqiptarë dinë të flasin për shkretëtirat afrikane e për plot imtësira të botës së largët dhe nuk dinë të flasin për Shqipërinë. Nuk din një nxënës gjirokastrit të flasë për Shkodrën siç shkodrani s’di për Gjirokastrën. Pa le më të dijë prishtinasi për korçarët a vlonjatët e anasjalltas. Kjo nuk ka ndodhur pa qëllim dhe nuk ndodh pa qëllim. Prandaj të majtët janë kundër rrugëve. Kundër  rrugëve brenda Shqipërisë dhe jo më të jenë pro rrugës që bashkon kombin, që çliron Kosovën që e bën Shqiperinë urë për Europën. Po të shkonin përfaqësuesit socialistë të Shqipërisë të vizitonin rrugën do t’ia hiqnin vetës akuzën që u bëjne gjithë shqiptarët se të majtët janë kundër Kosovës shqiptare. Por ato nuk denjuan ta vizitonin rrugën. Dënjuan të shanin pafundësisht, ta urrenin pafundësiht, ta mallkonin pafundësisht, duke fshehur shkakun e vertetë të urrejtjes së tyre, duke e maskuar këtë shkak dhe duke u paraqitur para shqiptarëve sikur po ju dhemb se po abuzohet në atë rrugë.
Ajo rrugë për shqiptarët, për kombin, nuk ka çmim. Nuk ka çmim. Nuk kërkohet gjilpëra në kashtë kur bëhet fjalë për mrekullitë e njerzimit. Por një çmim i madh është sponsorizuar për ta sharë rrugën, për ta kundërshtuar rrugën, për të mos u  bërë kjo rrugë. Problemi është se kush ka paguar më shumë për të sponsorizuar luftën politike e mediatike që i  bëhet ndërtimit të rrugës së jetës së shqiptarëve, rrugës së Kosovës. Kush ka dhënë para më shumë si sponsor. Këtë nuk e di saktësisht por e ndjej, e prek përditë, e dëgjoj përditë. Sepse shoh njerëz me moral  të dyshimtë, që nuk dinë të kenë minimum atdhedashurie që shigjetojnë helm kundër rrugës së jetës tonë. Sa para kanë futur në xhepat e tyre, para nga ata që ju prishen interesat strategjike, ekonomike, politike nga ndërtimi i kësaj rruge. Sepse sharësit profesionistë të rrugës së jetës tonë si vajtoret profesioniste janë paguar majmshëm për të sharë. Janë paguar majmshëm për ta ndaluar e penguar ndërtimin e kësaj rruge. Janë gati të kamikazohen veç të ndalet ndërtimi i rrugës. Dhe po u ndal ndërtimi i  saj do të thotë që u rrënua Sali  Berisha, u rrënua Bekteli amerikan, u rrënua Amerika. Dhe fituan ato që janë paguar prej 15 vitesh të pengojnë ndërtimin e rrugëve në Shqipqri. Ka 15 vjet që individë shpirtshitur në struktura të ndryshme të shtetit janë paguar nga antishqiptarë që të pengojnë ndërtimin e rrugeve të Shqipërisë. Sali Berisha duket se e di se kush ka marrë para për të penguar ndërtimin e gjithë rrugëve dhe sidomos ndërtimin e rrugës së Kosovës. Ai si duket e din se kush i ka dhënë ato para, nga kanë dalë ato para. Dhe ndaj e ka shpallur bast ndertimin errugës së jetës tonë. Bast që duket se do  ta fitojë sa i përket të paktën segmentit që po ndërtojnë amerikanët e turqit, pasi për segmentet e tjera, mund të minojnë punën dhe afatet sponsorizimet që janë dhënë për ta penguar e sharë ndërtimin e kësaj rruge. Kjo duket se edhe puna në segmentet e tjera nuk të jep optimizëm se do të përfundojë në afat.
Të majtët shqiptarë u vetëdekonspiruan se kanë marrë para për ta sharë rrugën, për ta penguar rrugën derisa ato nuk e vizituan kurrë atë që të ndaheshin qartë me deshirën për ta ndërtuar rrugën dhe pastaj me kërkimin e qiqrrave në hell. Të majtët shqiptarë kanë zgjedhur më mirë të marrin një grumbull me para dhe të shajnë, mallkojnë e ndalojnë ndërtimin e rugës së sa të duan atdheun dhe të ardhmen e jashtëzakonshme që i jep këtij atdheu ndërtimi i asaj rruge, të ardhmen e jashtëzakonshme që do të kenë portet e ujrat shqiptare, gjithë teritori shqiptar. Ato si internacionalistë të pandreqshëm duan më shumë vendet e tjera që ua pakëson potencialet ndërtimi i kësaj rruge se sa duan Shqipërinë që i shtohen potencialet dhe mundësitë. Të duash Shqipërinë më shumë se këdo vend tjetër, nuk do të thotë se po urren vend tjetër, por të duash Shqipërinë tënde më pak se ndonjë vend tjetër, mendoj se kësaj i thonë të urresh vendin tënd. Duke pëmbledhur shkurt pra gjithë historinë them me bindje se opozitarët shqiptarë  vetëm kanë marrë shumë para ndaj e shajnë rrugën dhe duan ta ndërpresin ndërtimin e saj që të mbetet gërmadha më e madhe e botës që do ta shëmtojë Shqipërinë në jetë të jetëve. Ose janë antishqiptarë të pandreqshëm, antishqiptarë rrace që duan vetëm të keqen e shqiptarëve, izolimin e shqiptarëve se ndryshe nuk mendojnë dot se mund të qeverisin e të drejtojnë në këtë vend të vogël që e kanë kafshuar, e coptuar ndër shekuj e mijëvjecarë.
Se çfarë sjell ndërtimi i rrugëve, cfarë zhvillimi e ndryshimi sjell ndërtimi i tyre kemi shembuj sa për ta vlerësuar. Shihni se cfarë ka ndodhur në aksin Tiranë - Durrës ose Fushë Kruje -  Tiranë, ose shihni se cfarë po ndodh në aksin Lushnje - Fier. Shihni anash rrugës se cfarë po ndodh,  cfarë ndryshimi ditor po ndodh. Mos mendoni se gjithmonë shqiptarët do të budallallepsen të ndertojnë vetëm karburante në çdo 100 metra rrugë. (Tmerr të mendosh se vendi ka mbi 2000 karburante kur i duhen maksimalisht 300 të tillë). Jo, do të ndodhë ndryshe me kalimin e pak viteve. Shkoni e pyesni se si është rivlerësuar toka kudo ku kalojnë rrugët. Ka vende që hektarin mund ta bleje me dyqind dollarë. Por sot metrin katror aty ku kalojnë rrugët nuk e blen dot me dy apo treqind dollarë. Po rivlerësohet toka kudo ku kalojnë rrugët. Kush nuk e deshiron këtë fakt pozitiv përveç të majtëve shqiptarë, apo më saktë përveç drejtuesve të të majtës shqiptare që nuk duan të humbasin sponsorizimet që u bëjnë antishqiptarët për të penguar ndërtimin e rrugëve në këtë vend. Për pak para bëhen mercenarë të së ligës, të antishqiptarizmnit.
Por koha do të rrjedhë dhe rruga e shqiptarëve, rruga e jetës tonë duket se do të përfundojë nëse do të qeverisë Sali Berisha. Si do t’ia bëjnë kalorësit e së keqës, shpifësit dhe sharësit e rrugës, si do të shkojnë në Kosovë, nga do të shkojnë nga Kosovë. A do të munden të hyjnë nëpër atë rrugë të udhëtojnë. Sepse është mallkim i rëndë të shash rrugën. Mallkim i  rëndë si mallkimi kur shan vijën e ujit. Mallkim i rëndë që i bëhet tokës shqiptare. Kam frikë se kur të udhëtojnë të pacipët nëpër atë rrugë, ka mundësi të hapet rruga, të hapet toka e ti përpijë brenda. Se kjo tokë nuk i duron gjatë. Shkuan para ca ditësh në Kosovë drejtuesit socialistë. Dhe drejtuesit e Kosovës, në situatë paqartësie e të paqetë, i pritën drejtuesit socialistë shqiptarë. Nuk u thanë në Kosovë se pse shani rrugën tonë, rrugën e jetës tonë. Se nuk është më ai i madhi, i papërsëritshmi Ibrahim Rugova që tallej me socialistët shqiptarë – antishqiptarë dhe në vend që tu përgjigjej për pyetjet që i bënin ai u fliste për manin pranë selisë, për frutat e manit, për rakinë e manit dhe i poshtëronte deri në palcë për antishqiptarizmën që demonstronin ndaj Kosovës. Nuk u thanë se ju që luftoni të na mbyllet dera duke mos përkrahur rrugën e Kosovës, vini e na vizitoni por nuk e meritoni pritjen tonë por meritoni të mos lejoheni të shkelni në Kosovë derisa doni vdekjen e saj. Shkuan në Prishtinë dhe duke dashur të thonë se e duan Kosovën i bënë thirrje të mos pranonte ndërkombëtarët, i bënë thirrje kundër thirrjes që i binin kosovës mbrojtësit amerikanë që ia dhuruan asaj lirinë, pavarësinë  dhe paqen që kanë në Kosovë. U  bënë dhe u deklaruan më priftërinj se Papa. Kishin marrë edhe Majkon me vete. Majkon që t’u kujtonte  atje se historia e Kosovës ka edhe emrin Majko. Pikë e zezë. Dhe kishin shkuar me 28 nëntor në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, në ditën kur flamujt shqiptarë valviten në Kosovë dhe vetëm atje si askund në hapsirat shqiptare. Sepse ato ia dinë vlerën pavarësisë sepse u ka munguar gjatë edhe në ditët moderne në gjalljen tonë. Majkon me vete që tu kujtonte se ne jemi ata që nisëm rrugën Durrës - Prishtinë. Po, tre here deshën ta nisnin rrugën por nuk e nisën dot, sepse nuk ua prishinin dot qejfin fqinjëve e përtej fqinjëve që nuk e duan atë rrugë dhe nuk kishin tope për ta nisë e bërë atë rrugë. Po. Majko në këngë e bëri atë rrugë. Zhurmë u bë. Në Rrëshen tre herë u inagurua fillimi i punimeve me forcat tona gjeniere që kishin kamionë pa  goma e traktorë pa goma e pa zingjirë e ushtarë me lopata të këputura. Por një gjë është tejet e sigurtë, për ata që e dinë se si funksionon shqiptari i Kosovës, si mendon dhe vepron ai. Edhe pse qeveritarët e ndryshëm të tyre, tejet të kompleksuar e të errur partiakisht, atje në sofrën e tyre mund të mos ia përplasnin në fytyrë urrejtjen drejtuesve socialistë të Shqipërisë, qytetari i Kosovës të saluton e respekton me një pordhë nëse del kundër rrugës së jetës së tyre, jetës së shqiptarëve, nëse del kundër të ardhmës së tij. Ata dinë të heshtin e të të përbuzin me heshtje sepse janë durimtarët më të mëdhenj të njerzimit, dinë të presin që zoti të hakmerret për ta, dinë të besatohen me kalorësit e mëdhenj të lirisë që natyrisht dhanë pëlqimin për ta bërë udhën e shqiptarëve dhe dërguan edhe Bektelin nga përtej oqeanit për ta bërë udhën e shqiptarëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora