E enjte, 06.10.2022, 06:02 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në vitet 1877-1878

E premte, 26.08.2022, 08:31 PM


GJENOCIDI SERB NDAJ SHQIPTARËVE NË VITET 1877-1878

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Në vitin 1876-1878, me mbështetjen dhe nxitjen e Rusisë, në sanxhakun e Nishit shpërtheu konflikti midis Serbisë dhe Malit të Zi kundër ushtrisë osmane. Këto luftëra, bashkë me Luftën ruso-osmane të viteve 1877-1878, përfunduan me disfatën e ushtrisë osmane. Territoret shqiptare të sanxhakut të Nishit, të zaptuara nga ushtria serbo-malazeze, me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), iu dhanë Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi.

Para se të shpërthente konflikti, popullsia shqiptare e Sanxhakut të Nishit ishte kompakte dhe kryesisht rurale. Gjatë luftës, shqiptarët i rezistuan hyrjes së forcave serbe në Sanxhakun e Nishit. Një pjesë e tyre u strehuan në malet përreth, ndërsa një pjesë tjetër u vendos në Kosovë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve u dëbuan nga forcat serbe, ndërsa një numër i vogël qëndruan në trojet e veta në luginën e Jabllanicës. Një numër i refugjatëve shqiptarë u vendosën në më se tridhjetë vendbanime në pjesë qendrore dhe juglindore të Kosovës.

Dëbimi i popullsisë shqiptare nga këto vise paraqet pastrim etni dhe gjenocid. Refugjatët shqiptarë të sanxhakut të Nishit që u vendosën në Kosovë, nga shqiptarët vendës u quajtën muhaxhirë. Nga ngjarjet e sipërthëna, konflikti midis shqiptarëve dhe serbëve do të ashpërsohet, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet tyre do të jenë të tensionuara sot e kësaj dite.

Gjatë konfliktit midis Malit të Zi, të mbështetur nga Rusia, në një anë dhe forcave osmane, në anën tjetër, ushtria malazeze ia doli të pushtonte disa zona përgjatë kufirit, por hasi në qëndresën e fuqishme të shqiptarëve në Ulqin, si dhe të forcave shqiptar-osmane në rajonet Podgoricë-Shpuzë dhe Plavë-Guci. Përfitimet territoriale të Malit të Zi qenë të vogla. Më vonë, shqiptarët që jetonin pranë kufirit, u dëbuan nga Podgorica dhe nga Shpuza. Në vitin 1880 Ulqini iu dha Malit të Zi. Një numër shqiptarësh u vendosën në Shkodër.

Shqiptarët e dëbuar me dhunë nga serbët prej sanxhakut të Nishit, u vendosën në Kosovë, ndërsa një numër shqiptarësh të dëbuar me dhunë nga malazeztë, u vendosën në sanxhakun e Shkodrës.

*   *   *

Shumë toponime të sanxhakut të Nishit dëshmojnë se prania e shqiptarëve në viset e Toplicës dhe të Moravës jugore që ndodhet në verilindje të Kosovës së sotme, datojnë që nga koha e mesjetës.

Para konfliktit midis ushtrisë serbe, të mbështetur nga Rusia, në një anë dhe ushtrisë osmane, në anën tjetër, një popullsi e madhe shqiptare banonte në rrethin e Nishit, Pirotit që në atë kohë quhej Shehirköj, Vranjës, Leskocit, Prokuples dhe Kurshumlisë. Pjesët rurale të luginave të Toplicës, Kosanicës, Pustarekës dhe Jabllanicës, si dhe viset fqinje gjysmëmalore ishin të banuara nga një popullsi shqiptare kompakte.

Sipas disa studiuesve, në ato zona serbët jetonin pranë grykëderdhjeve të lumenjve dhe në shpatet malore. Shqiptarët dhe serbët banonin edhe në rajone të tjera të pellgut jugor të Moravës. Në disa qendra urbane ka pasur edhe turq. Një pjesë e tyre kanë qenë me prejardhje shqiptare. Myslimanët në Nish dhe në Shehirköj (sot Pirot), kanë qenë turqishtfolës; në Vranjë dhe në Leskoc kanë qenë turqishtfolës dhe shqipfolës, ndërsa në Prokuple dhe në Kurshumli kanë qenë shqipfolës. Në afërsi të kufirit të atëhershëm të rrethinave të Nishit ka pasur edhe një numër refugjatësh çerkezë që ishin vendosur aty nga osmanët gjatë vitit 1860.                          Me përbërjen  etnike të rajonit të Toplicës dhe të Moravës në kufijtë e pas vitit 1878 është marrë gjeografi dhe hartografi anglo-gjerman Ernst Georg Ravenshtajn (Ernest Georg Ravenstein, 1834-1913. Studimi i tij u botua më 1880. Me përbërjen etnike të vitit 1876, në kufijtë pas vitit 1878 është marrë edhe gjeografi gjerman Hajnrih Kipert (Heinrich Kiepert, 1818-1899). Studimi i tij u botua më 1882). Studimet botoheshin në “Andrees Allgemeiner Handatlas”. Ky ishte atlas hartografik i përgjithshëm i publikuar në disa botime gjermane dhe të huaja në vitet 1881-1937. Emrin e mori nga gjeografi dhe hartografi gjerman Riçard Andri (Richard Andree, 1835-1912).

Numri i popullsisë  - Burime të ndryshme japin të dhëna të ndryshme për numrin e popullsisë. Historiani dhe demografi amerikan, profesor në Universitetin e Luisvillit/Louisville  Xhastin MeKarti (Justin McCarthy, 1945-) thotë se në vitin 1876 në sanxhakun e Nishit kanë jetuar 131.000 myslimanë, ndërsa në vitin 1882, jo më shumë se 12.000. Të tjerët janë dëbuar nga Serbia. Historiani anglez Ser Noel Malkolm (Noel Robert Malcolm, 1956-) thotë se para konfliktit midis ushtrisë serbe, të mbështetur nga Rusia dhe ushtrisë osmane, në këto vise kanë banuar 110.000 shqiptarë.

Historiani shqiptar Sabit Uka (1920-2006) thotë se numri prej 110.000 shqiptarëve është një vlerësim i pasaktë, i bazuar në statistikat Austro-Hungareze. Sipas tij, para konfliktit në ato anë kanë jetuar rreth 200.000 shqiptarë. Historiani dhe turkologu shqiptar Skënder Rizaj (1930-2021) dhe historiani turk Bilal Shimshir (Bilal Şimşir; Osmanpazari, Bullgari, 1933-), thonë se numri i refugjatëve shqiptarë nga këto vise lëviz midis 60.000 – 70.000.

Albanologu gjerman Robert Elsie (Vancouver, British Columbia, Kanada, 1950 – Bon, Gjermani, 2017) numrin e refugjatëve shqiptarë e vlerëson në rreth 50.000 vetë. Gjeografi dhe etnologu serb, akademiku Jovan Cvijiq (Jovan Cvijić, 1865-1927) thotë se numri i refugjatëve shqiptarë nga rajoni i sanxhakut të Nishit ka qenë rreth 30.000 vetë. Këtë shifër e mbështet edhe historiani dhe diplomati serb Dushan Batakoviq (Dušan Bataković, 1957-2017). Ky numër u pranua nga historiografia serbe dhe mbeti i padiskutueshëm për gati një shekull. Duke u bazuar në arkiva dhe në dokumente të udhëtarëve serbë, historiani Milosh Jagodiq (Miloš Jagodić, 1975-) thotë: “Numri i shqiptarëve dhe i myslimanëve që u larguan nga sanxhaku i Nishit ka qenë shumë më i  madh”. Studiuesi serb Gjorgje Stefanoviq (Đorđe Stefanović) thotë: “Nga të paktën 71.000 myslimanëve të larguar nga zona, 49.000 kanë qenë refugjatë shqiptarë”.

*   *   *

Mëkëmbësi, historiani, diplomati, akademiku serb, përfaqësues i Principatës së Serbisë në Kongresin e Berlinit (1878), Jovan Ristiq (Jovan Ristić, 1831-1899) rajonin e sanxhakut të Nishit të banuar me shqiptarë e shihte si një zonë me rëndësi strategjike. Ky rajon në të ardhmen do t’i shërbente Serbisë si një bazë për t’u shtrirë në Kosovë dhe në Maqedoni. Gjenerali serb Kosta Protiq (Kosta Protić, 1831-1892) i cili ishte në krye të  ushtrisë serbe gjatë luftës së vitit 1877-1878, i shihte shqiptarët si një shqetësim të mundshëm për sigurinë e Serbisë. Pikëpamjet e Kosta Protiqit për dëbimin e popullsisë myslimane, përfshi edhe shqiptarët, u mbështetën nga shumica e oficerëve të lartë të ushtrisë serbe si dhe nga vetë princi Millan Obrenoviq (Milan Obrenović, 1854-1901), i cili në vitet 1882-1889 ishte mbret i Serbisë.

*   *   *

Me kërkesën e Rusisë, më 15 dhjetor 1877 Serbia hyri në luftë kundër ushtrisë osmane. Pas rrethimit të Nishit, forcat serbe u drejtuan në jugperëndim, nëpër luginën e Toplicës. Në ditën e tretë të luftës, serbët e morën Prokuplen. Shqiptarët u larguan nga shtëpitë e tyre drejt malit Posjaçë. Një pjesë e tyre u nisën për në Kurshumli. Shqiptarët që ishin strehuar nëpër male, refuzuan të dorëzohen, duke u bërë ballë forcave serbe. Pas Prokuples, serbët shtinë në dorë edhe Kurshumlinë. Refugjatët shqiptarë arritën në malet e Kopaonikut. Pas marrjes së Nishit nga ushtria serbe, shqiptarët e luginës së Topëicës, të strehuar në malet përreth, s’kishin sesi të ktheheshin në fshatrat e veta. Forcat serbe u nisën për në jug nëpër luginën e Moravës për të arritur në Leskoc. Ushtria serbe e mori qytezën Shehirköj (sot Pirot), ndërsa banorët turq ikën për në Kosovë, në Maqedoni dhe në Trakë. Më 10 janar 1878 ushtria serbe e mori Nishin. Popullsia myslimane u nis për në Prishtinë, Prizren, Shkup dhe Selanik. Forcat serbe vazhduan ekspeditën ushtarake në jugperëndim, për të hyrë në luginat e Kosanicës, të Pustarekës dhe të Jabllanicës. Ushtria serbe vazhdoi rrugën për në Vranjë. Synim kishin hyrjen në Kosovë. Këtu hasën në qëndresën e madhe të shqiptarëve vendas, të strehuar në viset malore Raden dhe Majdan, e që synonin të mbronin fshatrat e tyre. Fshatrat shqiptare ranë duart e pushtuesve serbë. Shqiptarët vazhduan të tërhiqen në drejtim të Kosovës. Ushtria serbe e luginës së Moravës u nis për në jug në drejtim të grykës së Gërdelicës dhe Veternicës. Gryka e Gërdelicës ndodhet ndërmjet Vranjës dhe Leskocit. Pasi morën Gëredlicën, forcat serbe morën edhe Vranjën. Popullata shqiptare u dëbua prej këtyre viseve. Shqiptarët, para se të tërhiqeshin për në malin Gallap, e mbrojtën grykën e Veternicës. Shqiptarë kishte edhe në rajonin e Masuricës. Sipas disa të dhënave, gjenerali serb Jovan Belimarkoviq (1827-1906) paska refuzuar urdhrat e Beogradit për dëbimin e tyre.

*   *   *

Pas kësaj lufte pushtuese që u zhvillua në trojet e banuara me shqiptarë, Serbia e viteve 1838-1878, i zgjeroi territoret e veta. Kongresi i Berlinit (1878) i njohu zgjerimet territoriale të Serbisë. Këto pushtime serbe u quajtën “Krahina të reja” (Novi krajevi apo Novi oblasti). Një numër i vogël i shqiptarëve qëndruan aty, por jo në vendbanimet e mëparshme. Ata u përqendruan në tre rajone: Toplicë, Masuricë dhe Jabllanicë pranë qytezës së Medvegjës. Në vitet në vijim, edhe ata pak shqiptarë që kishin mbetur në rajonet e pushtuara u detyruan të shpërngulen për në Kosovë dhe për në Turqi. Shqiptarët e dëbuar prej viseve të sipërthëna u vendosën në zonën e Llapit. Një pjesë e madhe e të dëbuarve apo e refugjatëve shqiptarë u vendosën në mbi 30 vendbanime të mëdha rurale në Kosovën qendrore dhe juglindore. Një numër refugjatësh shqiptarë u vendosën në qendrat urbane.

*   *   *

Në vitin 1878 diplomatët perëndimorë raportuan se një numër i konsiderueshëm familjesh shqiptare ishin vendosur në Maqedoni, ndërsa në Kosovë ishin strehuar 60.000-70.000 refugjatë shqiptarë të viseve të sipërthëna. Sipas diplomatëve perëndimorë, numri i përgjithshëm i refugjatëve shqiptarë është 120.000-130.000. Sipas guvernatorit osman të vilajetit të Kosovës, numri i refugjatëve në vitin 1881 arrin në 65.000. Disa janë vendosur në Shkup dhe në Pazar të Ri (Jeni Pazar apo Novi Pazar). Një pjesë e refugjatëve shqiptarë u vendosën edhe Perandorinë Osmane, në Samsun të Detit të Zi.

Kalvari i shqiptarëve të viteve të sanxhakut të Nishit i viteve 1877-1878, do të lë pasoja të rënda për marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Synimet ekspansioniste, hegjemoniste, kolonialiste të serbomëdhenjve nuk pushojnë me kaq. Këto synime s’kanë pushuar sot e kësaj dite.

Për të parandaluar dhënien e trojeve etnike historike shqiptare Serbisë dhe Malit të Zi, tri ditë para se t’i fillonte punimet Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878), u mbajt kuvendi i Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878).

Diplomacia britanike i kërkoi Serbisë që t’i lejonte refugjatët shqiptarë të kthehen në shtëpitë e tyre. Më vonë, kjo farë trysnie u shua.

*   *   *

Golgota shqiptare e viteve 1877-1878 dhe indiferenca e Fuqive të Mëdha të Evropës – Në prill të vitit 1878 konsulli austro-hungarez Emil Jelinek (1853-1918) raporton për refugjatët e vendosur në rajonet e Prizrenit dhe të Gjakovës. Ai e përshkruan gjendjen e rëndë të tyre. Në gjysmën e dytë të vitit 1878, konsulli i përgjithshëm britanik në Beograd Gerald Francis Gould i raporton zotit Salisbury për dëbimin e shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit. Ai thotë se “banorët paqësorë dhe të zellshëm të luginave të Toplicës dhe të Vranjës u dëbuan prej pronave të veta pamëshirshëm nga serbët”. Ai shton se refugjatët shqiptarë ishin të rraskapitur dhe të uritur. Ai u ngarkua nga autoritetet britanike të ushtronte trysni ndaj Serbisë për të lejuar kthimin e tyre në shtëpitë e veta. Por kjo s’ndodhi. Nënkonsulli i Rusisë në Kosovë, historiani dhe diplomati Ivan Jastrebov (1839-1894) ishte kundër kthimit të refugjatëve shqiptarë nga Kosova në vendbanimet e veta në sanxhakun e Nishit, nga ku ishin dëbuar forcërisht. Mësuesi serb Josip H. Kostiq (1848-1900) flet për ikjen e refugjatëve shqiptarë në dimrin e acartë të vitit 1877. Ai thotë se shumica e refugjatëve ishin larguar prej shtëpive të veta me veshje që s’i mbronte nga i ftohti. “Që nga gryka e Gërdelicës deri në Vranjë dhe Kumanovë, ju mund të shihni kufoma të braktisur fëmijësh si dhe pleq të ngrirë deri në vdekje”. Gazetari dhe shkrimtari serb Manojlo Gjorgjeviq (Manojlo Đorđević / Манојло Ђорђевић, 1851-1896) i dënoi veprimet e shtetit serb.

Në vitet e mëvonshme, lidhur me gjenocidin serbomadh ndaj shqiptarëve kishte edhe mendime të tjera. Mësuesi dhe shkrimtari serb Janiqije Popoviq (Janićije Popović / Јанићије Поповић, 1883-1951) thotë se “luftërat e viteve 1876-1878 e trefishuan urrejtjen e shqiptarëve dhe të turqve, sidomos të refugjatëve ndaj serbëve, për shkak të akteve të dhunës ndaj tyre”. Në vitin 1900, juristi dhe politikani serb Zhivojin Periq (Živojin Perić / Живојин Перић, 1868-1953) thotë: “Sikur Serbia t’i kishte lejuar shqiptarët të kthehen në tokat e veta, nuk do të ishim në armiqësi me ta”. Në vitin 1909, historiani dhe etnografi serb Jovan Haxhi-Vasileviq (Jovan Hadži-Vasiljević / Јован Хаџи Васиљевић, 1866-1948) thotë: “Nëpërmjet spastrimit të rajoneve prej popujve që nuk ishin krishterë, Serbia synonte të krijojë një komb të pastër serb”.

*   *   *

Emrat toponomastikë dhe onomastikë të shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga sanxhaku i Nishit në vitet 1877-1878 dëshmojnë për vendin e prejardhjes së tyre.

*   *   *

Në periudhën e sipërthënë, serbët kryen gjenocid ndaj shqiptarëve. Kryen pastrimin etnik të trojeve etnike historike shqiptare. Shqiptarët u dëbuan prej vatrave të veta, pa kurrfarë faji. Në atë kohë s’kishte mjete njoftimi dhe komunikimi për ta sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar. Shqiptarët i lanë shtëpitë, djepat, enët, orenditë shtëpiake, kafshët, bagëtinë, arat, karrocat, kuajt, livadhet, bjeshkët. Vargu i pafund i ikanakëve përbëhej nga gra, foshnja, fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, pleq, të sëmurë. Ishte dimër i një dhjetori të acartë, të veshur hollë, të unët, nëna me foshnja dhe fëmijë krahëve, nën kanosjen e tytave të armëve të barbarëve, të lodhur, të rraskapitur. Shumë foshnja, fëmijë, pleq e plaka dhe të sëmurë vdiqën rrugës për të arritur në Kosovën shpëtimtare. Popullsi civile e paarmatosur. Krerët serbë pa fije mëshire. Sjellje barbare që s’e has dot as në mesjetë.

Fuqitë e Mëdha të Evropës – Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia nuk ndërmorën asgjë për ta ndaluar kalvarin shqiptar, golgotën shqiptare. Përkundrazi, në Kongresin e Berlinit (1878) ia njohën Serbisë dhe malit të Zi trojet shqiptare të pushtuara, duke i shpallur ato edhe shtete të pavarura. Pushtimi i trojeve etnike historike shqiptare nga serbo-malazeztë, gjenocidi ndaj shqiptarëve dhe pastrimi etnik i trojeve shqiptare u nxit dhe u mbështet fuqimisht nga Rusia.

*   *   *

Lufta serbo-osmane e viteve 1876-1878 janë përfshirë në tekstet shkollore të historisë të të gjitha cikleve të arsimit, që nga ai fillor deri tek ai universitar. Për dëbimin e shqiptarëve prej vatrave të tyre, në to nuk mund të gjeni as edhe një rresh të vetëm.

*   *   *

Tragjedia e shqiptarëve të sanxhakut të Nishit, e viteve 1877-1878 duhet të shqyrtohet në OKB. Duhet të miratohet një rezolutë e cila do ta dënonte gjenocidin serb nda shqiptarëve. Një gjenocid të ngjashëm kanë kryer edhe grekët ndaj çamëve.

*   *   *

Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të pambrojtur, i viteve 1877-1878, duhet të mësohet në shkolla, në të gjitha ciklet e arsimit, që nga ai fillor dhe i mesëm deri tek ai universitar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora