Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mark Marku: Dosjet dhe dekomunistizimi i institucioneve

| E hene, 22.12.2008, 07:09 PM |


Mark Marku
Dosjet dhe dekomunistizimi i institucioneve

Nga Mark Marku

Sa herë bie fjala për hapjen e dosjeve, do të dalë diçka që do të sillet si argument për mos hapjen e tyre. Është thënë se hapja e dosjeve ...do të sjellë luftën civile në Shqipëri (a thua se lufta e klasave nuk ishte luftë civile), është thënë se spiunët nuk mund të dënohen pa u dënuar të gjithë zyrtarët e aparatit të dhunës të regjimit komunist (dhe këtu kanë pasur të drejtë), është thënë se spiunët dhe ata që i urdhëronin ata, kanë zbatuar ligjin (a thua se ata që bota demokratike dënonte me vdekje në gjyqin e Nurenbergut, dhe të kërkuarit për krime lufte në ish-Jugosllavi që dërgohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, nuk kanë zbatuar ligjet e kohës së tyre), është thënë se largimi i tyre nga jeta politike dhe administrata shtetërore është në kundërshtim me të drejtat e njeriut, është thënë...  Sot të gjithë këto argumente nuk përdoren më. Përdoret një argument i ri: hapja e dosjeve është antikushtetuese! Është antikushtetuese thonë mbrojtësit e argumentit të ri sepse nëpërmjet tyre do të goditen anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, prokurorët dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të tjera të larta të drejtësisë. Argumenti i ri duket “bindës”, madje aq bindës sa ka shqetësuar edhe ndërkombëtarët e kudondodhur. Në turrin për të mbrojtur “kushtetutshmërinë”, të gjithë harrojnë të bëjnë një pyetje të thjeshtë: Si ka mundësi që institucionet kryesore të drejtësisë shqiptare qenkan aq të mbushura me ish-juristë dhe prokurorë të regjimit komunist sa që miratimi i një ligji që i ndalon ata të vazhdojnë profesionin në demokraci krijon një problem në funksionimin e këtyre institucioneve? Dhe më e rëndësishmja, si ka mundësi që ish-punonjës të sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë së kohës komuniste vazhdojnë ende të punojnë në institucionet demokratike?
Problemi është vërtetë i rëndë, madje më i rëndë se sa kërcënimi i kushtetutshmërisë së vendit nga hapja e dosjeve. Institucionet e drejtësisë dhe të prokurorisë janë bërë strehë e njerëzve të inkrimuar të kohës së komunizmit. Ata kanë arritur të zotërojnë organet më të larta të sistemit të drejtësisë dhe sot për shkak të autonomisë së këtij sistemi janë bërë të pacenueshëm. Mendoni se sa besueshmëri kanë këto institucione dhe sa e mundur është që ato të bëjnë të mundur funksionimin e shtetit të së drejtës, kur ato drejtohen nga gjykatës dhe prokurorë që kanë pasur role kryesore në sistemin më të përçudnuar të drejtësisë se Evropës. Është e tepërt të thuhet se ai sistem vetëm me drejtësinë nuk kishte lidhje dhe për këtë mjafton të përmendim vetëm faktin se ai kishte shfuqizuar edhe të drejtën e avokatisë. Si i tillë ai e përjashtonte profesionalizmin dhe profesionistët dhe për këtë arsye ai kultivonte militantë partiakë dhe bolshevikë revolucionarë. që e kishin zëvendësuar ligjin me vijën e partisë. Ata janë pjesa më e inkrimuar e regjimit dhe bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të tij, sepse formalisht ishin ata që gjykonin dhe dënonin kundërshtarët e regjimit. Kjo do të thotë se nuk ekziston ndonjë rrezik që duke i larguar ata nga sistemi i drejtësisë të dëmtohet padrejtësisht një elitë profesionale. Madje është paradoksale që militantë të tillë janë konsideruar si profesionistë dhe e kanë shtënë në dorë këtë sistem. Ka qenë e kuptueshme që një pjesë e tyre të mbaheshin në një fazë fillestare, për shkak të mungesës së profesionistëve të rinj, por nuk ka asnjë kuptim që ata të mbahen edhe sot pas më se 19 vjetëve demokraci, periudhë kjo e mjaftueshme për krijimin e profesionistëve të  këtij sistemi. Për më tepër duket paradoksale që largimi i tyre të konsiderohet si problem. Ende pa u miratuar, projektligji për dosjet e ka dhënë efektin e parë pozitiv. Ai ka zbuluar se sa të pa dekomunistizuara janë sistemi i drejtësisë dhe organi i akuzës. Duke i mbrojtur këto organe, mbrojtësit e tyre në fakt i kanë denoncuar ata para opinionit publik. Duke thënë se projektligji është kundër Gjykatës Kushtetuese, ose kundër prokurorisë, në fakt ata na kanë treguar se gjykatat dhe prokuroria kanë shumë njerëz të inkrimuar.
Për sa i përket kritikave ndaj projektligjit, ai vërtetë i meriton disa të tilla. Ligji duhet kritikuar sepse duhej të ishte më gjithëpërfshirës. Kështu do të ishte më i dobishëm.

G. Panorama