Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arbën Xhaferri: Serboleks... Euleks…

| E hene, 22.12.2008, 10:20 PM |


Arbën Xhaferri
Serboleks... Euleks…

Nga Arbën Xhaferri

I.

Rikonfigurimi i misionit ndërkombëtar në Kosovë, më në fund u arrit. UNMIK-u, që, sipas shqiptimit anglez meledhati ironike e quanim ANMIK, u zëvendësua me misionin evropian-Euroleks. Ky modifikim, apo rikonfigurim i misionit ndërkombëtar u arrit falë gjashtë pikave të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Mun, të cilat luajtënrolin e çelësit, të paswordit (lejekalimit), për ngritjen e çështjes së Kosovës në nivel tjetër, i thënçim më të lartë.

Diplomacia serbe, këto gjashtë pika i paraqiti si sukses të jashtëzakonshëm të kësaj qeverie. Sa më shumë që lavdëroheshin serbët, aq më dyshues bëheshin shqiptarët. Këto dyshime, madje filluan t’i brejnë marrëdhëniet e mira të shqiptarëve me faktorin perëndimor qëne vetë, pa dilema i cilësonim si aleatë, madje edhe atëherë kur veprimet tona ishin diametralisht të kundërta me strategjinë e tyre.

Aktualisht, kur do të fillojë të funksionojë EULEKS-i, raportet serbo-shqiptarejanë po aq të tendosura, sa edhe në kohën e Millosheviqit, në mos edhe më keq. Arsyen duhet kërkuar te morali i demokratëve të rinj, të cilët, si u pa, kishin paragjykime më bajate sesa pararendësit e tyre të vjetër.

Ata nuk i shtendosën raportet me shqiptarët, por i përkeqësuan edhe më shumë, prandaj çdo sugjerim që kontesti serbo-shqiptar lidhur me Kosovën të zgjidhet përmes dialogut është vetëm humbje kohe dhe inkurajim i logjikës kolonialiste serbe. Në Serbi, indoktrinimi i shoqërisë me Kosovën është total. Njësoj besojnë të rinj dhe pleq, klerikë dhe komunistë, majtistë dhe djathtistë, të sëmurët dhe të shëndoshët. Në Skupshtinën serbe ekziston një unitet i qindpërqindtë sa i përketpërkatësisë së Kosovës.

Kosova vazhdon të perceptohet si problem për shkak se formacioni i ri politik, që paraprakisht fitoi mbështetjen e shteteve më demokratike të botës për ta larguar nga skena politike Millosheviqin e urryer, doli se është më rigid, më i paaftë për zgjidhje të problemit të fundit që mbeti pas shpërbërjes së Jugosllavisë, çështjen e Kosovës.

Faktori perëndimor, sot kjo duket paradoksale, përmes Millosheviqit arriti të zgjidhë një varg problemesh të mëdha: të pranohet ideja heretike për shpërbërje të Jugosllavisë, pavarësimin e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë, ndërkaq sot, me këta të moderuarit, nuk arrin dot të zgjidhë në mënyrë normale një çështje, në çdo aspekt minore, atë të Kosovës.

Procesi i normalizimit të situatës në Europën Juglindore po stagnon që nga tetori i vitit 2000, kur në pushtet erdhën demokratët e rrejshëm. Ata fituan kredibilitet politik në sajë të kritikës së politikës së “diktatorit komunist”, Millosheviqit. Por, çka kritikonin ata? Ai nuk kritikohej për shkak të projektit të tij nacionalist, por për shkak se nuk e realizoi atë.

Pa e kuptuar këtë, pa e ndëshkuar këtë politikë ekstremiste të “demokratëve”, jo vetëm që situata nuk do të stabilizohet, por do të komplikohet edhe më shumë, ngaqë këta që dolën në skenë në vitin 2000, bëjnë plane për funksionalizimin e Rusisë në lojërat gjeostrategjike të Ballkanit.

Kritika ndaj Millosheviqit ishte radikale, ndonëse pretendimet e tyre të sotme mbi Kosovën mbështeten pikërisht mbi të arriturat diplomatike të këtij diktatori: mbi Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen e Kumanovës. E gjithë kjo dëshmon edhe njëherë se në Serbi, lidhur me çështjen e Kosovës kemi ndërrim kuadrosh, por jo edhe politikash. Pretendimet serbe ndaj Kosovës mbështeten me argumente që përsëriten si uratat e besimtarëve, me bindjen se sa më shpesh të përsëritet një gënjeshtër aq më e vërtetë bëhet ajo.

Në bllokun shqiptar veprohet krejtësisht ndryshe. Mendohet se të gjithë e dinë se serbët gënjejnë, se shqiptarët e thonë të vërtetën, prandaj shpeshherë e ndjejmë veten të fyer kur ndonjë individ, i formatit të filozofit N. Chomski, apo ndonjë shtet evropian shpreh rezerva ndaj shqiptarëve.

Këto bindje,sa të rreme po aq naive, ndikojnë që fjalimet e përfaqësuesve tanë në institucionet ndërkombëtare, veçmas në OKB, të jenë të stilizuara, të kulturuara, të përshkuara me politesa diplomatike dhe bon-ton, ndërkaq ato serbe të jenë plot afsh, akuza, kritika, etiketime, argumente të shpifura, në përgjithësi paroksiste.

Në këtë mënyrë viktima, shqiptarët, bëhen agresorë dhe kriminelët, serbët, viktima. Sot, çdokush mund të parashikojë se çfarë retorike do të përdorin përfaqësuesit serbë, cilat do të jenë argumentet e tyre dhe në vend që me qartësi, me argumente të fuqishme të (ri)mposhten ato, ne i humbim këto gjasa të papërsëritshme historike, për ushtrime stilistike gojëtarie.

Retorika serbe, deri në banalitet, përsërit argumentin legalist të integritetit të shteteve që bie në kundërshtim me realitetin historik dhe me përvojat e OKB-së, argumentin mistik-religjioz: Kosova djep i qenies, i shpirtit, i identitetit serb, argumentin historik për rëndësinë gjithëkohore të Kosovës për kauzën serbe, dhe argumentin metafizik, ekzistimin e pandryshueshëm, gjithë kohor i shtetit serb etj.

Mbi këto premisa të gënjeshtërta, propaganda serbe e arsyeton krimin, e relativizon fajin, sfidon paqen dhe përpiqet, në kushte krejtësisht të disfavorshme të kapitalizojë dakordimin e saj, që tash e tutje do të sillet në mënyrë normale në raport me faktorët e jashtëm.

Agresiviteti i diplomatëve serbë, intensiteti i veprimit të tyre në institucionet ndërkombëtare, ngadalësimi procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, propaganda gebelsiane, krijon iluzionin se çështja e Kosovës do të rishqyrtohet. Kjo natyrshëm i brengos shqiptarët, të cilët fillojnë të dyshojnë në vete dhe në misionet ndërkombëtare.

Këto dyshime mund të jenë të rrezikshme, ngaqë mund të përfundojnë me krizë politike, shoqërore dhe morale, me krizë që e dëmton çështjen kombëtare. Prandaj duhet të jepen shpjegime të vazhdueshme, të përgjegjshme dhe kompetente lidhur me brengat dhe dilemat.

II.

Misioni i ri ndërkombëtar evropian u pagëzua EULEKS. Theksi, jo rastësisht bie te nocioni lex (ligji) dhe jo te statusi, te çështja e ndërtimit të shtetit dhe jo te njohja e shtetit. Po të kishte pasur dilema rreth statusit, atëherë misioni do të quhej ndryshe. Nga ana tjetër, shteti ndërtohet mbi funksionimin e ligjeve. Pra, faktori ndërkombëtar mendon se në Kosovë ka probleme me funksionimin e ligjit dhe jo me statusin, pra jo me kërkesat serbe, ashtu si kosovarët që mendojnë se ata nuk kanë problem me EULEKS-in, por me gjashtë pikat e Ban Ki Munit.

Por, pse Europa i jep kaq rëndësi ligjit?

Ligjet, zbatimi i tyre, në varësi nga ajo se çka lejojnë dhe çka ndalojnë, janë përcaktues, mbase kryesorë të nivelit qytetërues të një populli, të stadit zhvillimor të një shoqërie.

Krizat në formacionet e ndryshme shoqërore shfaqen për shkak të shpërputhjes së kornizës ligjore me vetëdijen politike, kombëtare, me interesat e ndryshme të qytetarëve. Sa më vitale dhe reale janë kërkesat, aq më e thellë dhe kanosëse bëhet kjo shpërputhjepër stabilitetine shtetit. Nëse këto interesa janë të ndërlidhura me çështjet etnike, me barazitë kolektive, për shkak të kapacitetit, numrit të pjesëmarrësve në krizë , atëherë këto përplasje përfundojnë me konflikt të hapur, luftë qytetare, që zakonisht përshkohen me tragjedi, rrënime, shkelje drastike të drejtave të njeriut.

Historia e popujve të Europës ka krijuar përvojën e çmueshme se si mund të evitohen këto konflikte molisëse dhe tragjike.

Tradita europiane, prej kohës antike e deri në ditët e sotme, në bazë të përvojave të hidhura dhe analizave të gjithanshme, është përcaktuar që me ligj ta përkufizojë hapësirën e lirisë. Pra, sipas kësaj tradite, liria fillon me njohjen e kauzaliteteve (ligjeve) dhe jo me mosekzistimin të tyre.

III.

Çdo popull ka konceptet e veta për ligjin. Ligji, gjithsesi, mbron një interes. Vlera e tij varet prej asaj çka mbron. Nëse mbronnjëinteres hegjemonist, diskriminues, nëse mbron pabarazinë, atëherë vetë ligji e prodhon krizën.

Ligjet serbe, ato që kanë të bëjnë me interesat etnike serbe, burojnë nga një botëkuptim anakronik, mistiko-religjioz, nga një interpretim plotësisht i gabuar i historisë dhe i konventave ndërkombëtare. Dobësia e këtyre koncepteve nuk qëndron vetëm te anakronizmi i këtyre koncepteve juridike, por edhe te cinizmi që shfaqet gjatë mosimplementimit të vetëdijshëm të ligjeve. Historia e deritashme eish-Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë, shënon dy lloj devijimesh:

-ligje që mbrojnë, legalizojnë një pabarazi në shoqëri në planin etnik dhe

-ligje të avancuara, që qëllimisht nuk zbatohen.

Historia e njerëzimit është plot shembuj të legalizimit të ndëshkimit, deri në shfarosje të një populli tjetër që vlerësohet si pengesë për realizimin e interesave të caktuara, si bie fjala nacizmi, fashizmi, antisemitizmi, shovinizmi etj. Elitat serbe, ashtu si u cek më lart, një kohë të gjatë përpiqen të ndërtojnë argumente për legalizimin e një politike, në thelb, gjenocidale. Ka shumë shembuj ku shkencëtarët, klerikët, politikanët, haptazi flasin dhe hartojnë elaborate shfarosjeje të popujve të tjerë.

Veçmas, kapitulli për shqiptarët është i pasur me ide të këtilla. Argumentet që përdoren në këto elaborate janë gjeostrategjike (Serbia duhet patjetër të ketë dalja në det, parapëlqehej Durrësi, përndryshe ajo do të jetë e ngujuar, e rrethuar nga shtetet armiqësore), mistiko-religjioze (Kosova djep i shpirtit, qenies serbe), legaliste (mbrojtja e integritetit të një shteti), historike (Beteja e Kosovës, ekzistimi i shtetit të “car” Dushanit) ose metafizike (përjetësimi i ekzistimit të shtetit serb), etj.

Me përdorimin e këtyre argumenteve, propaganda serbe synonte ta fitojë licencën për krim, t’i suspendojë ligjet e tjera dhe ta vërë në gjumë ndërgjegjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm.

Mbi këtë shtrat të koncepteve posesivsite, mistiko-religjioze, historiciste u ndërtua e drejta serbe për Kosovën dhe në përgjithësi sistemi juridik serb, që kushtimisht do ta quajmë serboleks. Fundamenti i këtij sistemi juridik serb, nuk përputhej me traditën politike europiane, e cila pas përvojave të hidhura nga periudha e inkuizicionit dhe e kryqëzatave, e zgjodhi rrugën e garantimit të lirisë dhe barazisë para ligjit, zgjidhjen e kontesteve sipas ligjit dhe zbatimin rigoroz të tij kundër shkelësve të ndryshëm, që sot e njohim si nocion i funksionimit të shtetit ligjor.

Sot në Kosovë nuk ekziston përplasje ndërmjet koncepteve ligjore serbe dhe shqiptare, por ndërmjet serboleksit dhe EULEKS-it. Projekti serboleks, në emër të interesave mistiko-religjioze, kinse të përbashkëta për të gjithë të krishterët, kërkon eksluzivitet, të drejtën e pakufishme serbe që të shkelë të drejtën, në fakt leksin (ligjin) europian.

Kjo përplasje shihet më së miri në Tribunalin e Hagës. Atje gjykohet e tërë elita politike, ushtarake, policore serbe, e cila, përkundër fakteve të pamohueshme për shkelje drastike të normave ndërkombëtare, vazhdon ta luajë rolin e viktimës, ta relativizojë fajin dhe t’i akuzojë të tjerët për komplot. Pas një periudhe intensive indoktrinuese, religjioze-politike, elita serbe nuk arrin ta zbulojë fajin në vete, të ndërgjegjësohet për krimet e bëra.

Të gjithë në botë dinë për prapavijën e formimit të njësiteve paramilitare serbe, për krimet që ata kanë bërë, për pastrimet etnike në emër të realizimit të projektit për rolin hegjemonist serb në rajon, për Srebrenicën, Prekazin, Reçakun, pos atyre që kanë lejuar që të krijohen formacionet e tilla.

IV.

EULEKS-i vjen në Kosovë për ta suspenduar SERBOLEKS-in, konceptet e skaduara juridike serbe, misticizmin religjioz-nacionalist, shenjtërimin cinik, utilitar i Kosovës, kërkesat e tyre për licencë vrastare, elaboratet e tyre për shfarosje të tjerëve, ta çmontojë atë shtrat ku është ngjizur koncepti i përgjithshëm serb për shtetin, për të drejtën, për rolin historik serb në planin global. EULEKS-i, si nga aspekti politik, gjeostrategjik, ashtu edhe moral, mund të ketë vetëm këtë mision.

Këtë rol nuk mund ta luajë çfarëdo sistemi juridik shqiptar, për shkak se ligjet vetvetiu nuk mund të implementohet pa mekanizmadetyrues. Ato i kanë faktorët ndërkombëtarë. Sa u përket gjashtë pikave të z. Ban Ki Mun, ato duhet trajtuar si dëm kolateral, i shkaktuar nga dështimi në planin demokratik dhe qytetërues të formacionit të ri politik serb, që ndikoi në rikthimin e rolit pansllavist të Rusisë në çështjet ballkanike. Por, sa më shumë bie çmimi i naftës, aq më shumë do të dobësohet motivi rus, si protektor i ambicieve jo reale serbe.

Nuk duhet harruar se EULEKS-i do të luajë edhe rolin e terminatorit lidhur me korrupsionin, krimine organizuar, nepotizmin dhe me format tjera të abuzimit të ligjit.

Megjithatë, roli parësor i EULEKS-it do të jetë çmontimi i aspiratave hegjemoniste serbe, planeve jo reale të tyre, që më se një shekull nxisin luftëra.

Këtë nevojë e ndiejnë thellë vetëm ata që kanë pësuar nga kjo çmenduri, si bie fjala Presidentikroat Mesiq, i cili duke parë optimizmin amoral të politikës aktuale serbe, tha thjeshtë dhe saktë: këto koncepte janë sërish luftënxitëse! Po të vazhdonte të argumentonte gjykimin e tij, z. Mesiq do të thoshte se thembra e Akilit e politikës serbe, është fakti se ata, me politikën e tyre, gjithmonë shkaktojnë luftëra përmasash globale.

G. Shekulli