Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Leka i Madh me 32 mijë burra pushtoi botën, Skënderbeu me 30 mijë gjunjëzoi një Perandori

| E enjte, 25.08.2022, 06:58 PM |


Leka i Madh me 32 mijë burra pushtoi botën, Skënderbeu me 30 mijë gjunjëzoi një Perandori

Nga Gjon Keka

Guximi i tij i madh, bujaria dhe udhëheqja vizionare përbëjnë tharmin e politikës së mirë, të diplomacisë së qëndrueshme dhe dobiprurëse, si dhe bërjen model të shtetit të Arbërit për shumë vende të tjera në kontinentin europian. Mbi të gjitha, Skënderbeu tregoi para botës mbarë se është një personalitet mbikohor, njeri i urtë, mbrojtës i vlerave shpirtërore e kombëtare të vendit dhe të mbarë familjes së kombeve europiane. Jo rastësisht, shumë autorë i referohen si “Aleksandër Skanderbeg mbret i Epirit”dhe i Shqipërisë, sepse ai tashmë qe kthyer në model për shumë mbretër e princër. Fama e tij e madhe dhe guximi i tij i pashoq kundër të keqes kishin prekur të katër anët e botës. Dhe ja se si shkruhet, në një nga kronikat europiane, mbi personalitetin e Mbretit të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeu, për këtë hero të madh, trim e luftëtar të pamposhtur: “Skanderbeg, eigentlich Georg Kastriota war im 15ten Jahrhunderte König von Albanien. Den Namen Skanderbeg (Alexander der Große) bekam dieser gefurchtete Türkengeissler von seinen ausserordentlichen Heldentaten.”

Addimus modo, eodem Canensio authore, Alexandrum Scanderbech, Epirotarum Regem, quem Pontifex venientem ad se venerandam honorifice suscepit, & in ipsius adventus primordio trecentos eidem aureos dono dedit, tum diversa rerum esculentarum munera jugiter ei subministravit...”

Ndërkaq, kështu përshkruhet në disa prej kronikave historike, bazuar në literaturën mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut nga autorë të shumtë europianë: “Scanderbeg d. h., Alexander der Herr, Beiname des Königs Georg Kastriot von Albanien. Er wurde in kurzer Zeit der erste der Helden seiner Zeit; und kann unter die glücklichsten Krieger gezählt werden”.

Si mbret vizionar, Skënderbeu pati një ndikim të thellë në popull. Vetë gjurmët e këtij lidershipi, lufta e guximshme, heroike dhe triumfuese përballë një perandorie barbare janë tregues të pamohueshëm të gjithë kësaj, pasi ai zgjoi mes popullit të tij zërat, emrat dhe veprat e botës antike-homerike për të na e bërë të qartë rrjedhën e bëmave të tij dhe vendosjen e shtyllave të kombit arbëror europian.

Në kuadër të gjithë kësaj, do të nënvizoj faktin e madh dhe tepër domethënës të kthimit të tij në tokën amë. Sapo Gjergj Kastrioti mbërriti në mbrëmje në kështjellën e Krujës, në banesat e popullit arbëror, por veçanërisht të Krujës, u dalluan fare qartë dy fakte: zgjimi i Shqipërisë dhe hareja e gëzimi, gjë që lexohej lehtësisht. Mbreti kishte ngjallur shpresën e kishte mbërritur si shpëtimtar, si një udhëheqës që jo vetëm ndërton shtetin, por edhe e bën atë të famshëm, sepse tanimë ai kishte zë të mirë në tërë kontinentin, jo vetëm në shtetin e Arbënisë. Me qeverisjen e tij shteti u rrit dhe u forcua nga dita në ditë, populli ndihej i ngazëlluese dhe vetë ai admirohej nga shumë mbretër e princër europianë të kohës, si dhe me gjerë.

Një gjë që duhet potencuar këtu është kjo se : Aleksandri i Madh (Leka i Madh) pasi rregulloi monarkinë e tij, me 32 mijë burra pushtoi pothuajse gjithë botën.Poashtu edhe Gjergj Kastrioti pasi rregulloi mbretërinë e tij, me 30 mijë burra i mundi otomanët(turqit) pushtues dhe poshtëroi Perandorinë e tyre aq shpesh sa që ata i trembeshin edhe hijes së tij.

Në të vërtetë, në kohën kur hodhi hapat historike të fuqizimit të brendshëm të të gjitha institucioneve dhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetet e tjera të kohës, qeveria e Gjergj Kastriot Skënderbeut ishte në një pozitë shumë të vështirë.

Porse Skënderbeu ishte edhe një lider i zgjuar, vigjilent dhe nuhatës i shpejtë i intrigave, i konspiracioneve etj. Po ashtu, ai i njihte plotësisht edhe pasojat e mëdha dhe efektin e përfundimit të asaj që po ndodhte jo vetëm në gadishullin ilirik, por edhe në tërë kontinentin europian e më gjerë. Ai ishte një lider i moderuar, me aftësi të shkëlqyera ushtarake, i virtytshëm dhe ambicioz, i besës dhe tepër largpamës. Mbi të gjitha, Skënderbeu i njihte trillimet e kurdisura nga armiqtë e tij, qofshin ata të jashtëm apo të brendshëm. Duhet nënvizuar fakti i rëndësishëm se perandoria otomane ka qenë gjithnjë rreziku më i madh jo vetëm për kombin tonë arbëror gjatë gjithë historisë së tij, por edhe për tërë kontinentin europian. Ky pushtues barbar kurdoherë ka pasur lidhje të fuqishme me sllavët, madje në çdo projekt që është bërë për të ndarë plaçkitjet ata gjendeshin gjithnjë në tryezën diplomatike, si çakejtë e kombit shqiptar. Turqia dhe Serbia kanë qenë aleatët më të mëdhenj të njëra-tjetrës; nëse Serbisë i duhej ndonjë ndihmë për të realizuar ambiciet dhe interesat e saj demoniake, e gjente gjithnjë mbështetjen te Turqia.

Me pakë fjalë nga e gjithë kjo duhet theksuar se mbreti arbëror me famë të madhe Gjergj Kastrioti realisht qe mburoja dhe ishte projektuesi apo ideatori i bashkimit të familjes së kombeve europiane, si në aspektin politiko-kulturor ashtu edhe në atë ushtarak.

Duhet përmendur këtu se Gjergj Kastrioti ynë i Madh e zotëronte kurorën me veprat e tij prej vizionari, lidershipi dhe strategu arbëror e europian.