E enjte, 28.03.2024, 08:02 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Fillimi i një drame të re për jetën time...

E merkure, 24.08.2022, 06:55 PM


Sejdi BERISHA:

FILLIMI I NJË DRAME TË RE PËR JETËN TIME: NISMA E SHKOLLIMIT, MËSUESJA BESA, TË CILËN NUK E TAKOVA KURRË MË... KLASA NË XHAMI DHE MËSUESI  ALI SUTAJ...

(Fragment nga libri “Njeriu ‘pa’ vendlindje”-Dhembja dhe lumturia e jetës bashkë-)

Nuk e kam besuar kurrë se tërë jetën do të përplasem me shkronja e shkrime, se do të bëhen pjesë e jetës, e mendjes, e lumturisë, edhe dhembjes dhe e “luftës” së shpirtit tim për fatin e njeriut, për kombin, për atdheun dhe për njerëzoren!

_______________

Tash u rrita, u bëra për shkollë. Pra, erdhi edhe fillimi i shkollimit. Të them të drejtën asnjëherë nuk ia vija veshin fjalëve për shkollimin, për klasën e parë, edhe pse motrat përpiqeshin të më inkurajonin, të më jepnin dëshirë e vullnet për mësimin. Por, nuk kisha ide se çfarë do të thoshte një gjë e tillë. E di se motra më thoshte se ishte duke ma thurë një xhemper “me bira” për shkollë, kurse nëna ma kishte punuar në vek një “janxhik”-çantë për libra e fletore.

Kur erdhi ajo ditë, motrat më pastruan, m’i krehën flokët, m’i veshën rrobat e pastra,  ma veshën xhemperin e ri, edhe opingat m’i kishin pastruar. Në mes të cepit të xhemperit, që ishte në formë të shkronjës ”v”, ma ngjiten një “brosh” për bukuri apo edhe për mësysh, nuk e di. Kurse, “janxhikun” atë ditë nuk ma dhanë. Sigurisht sepse ende nuk kisha libra, fletore dhe as laps e gomë.

Shkolla fillore “Lidhja e Prizrenit” (atëherë, “Bratstvo”) në Deçan, ku për herë të parë u ula në bankat shkollore

Në shkollë më dërgoi babai, i cili ishte i veshur në tirq, xhamadan të zi, me shokë në brez dhe me një setër prej zhguni. Dhe, as nuk dija se ç’është shkolla dhe as ku gjendej. Bile edhe nuk kisha dëshirë të shkoja në shkollë. Nga lagjja e Tahirajve të Carrabregut të Epërm, ku edhe banonim, u nisëm drejtë rrugës e cila shpinte për në Deçan. Në anën e djathtë të rrugës Gjakovë-Deçan, u kthyem dhe hymë në oborrin e shkollës fillore, e cila, atëherë quhej Shkolla Fillore “Bratstvo”(Vëllazërimi), dhe pasi hymë në objektin e shkollës, babai përdore më solli në katin e dytë dhe u drejtuam në klasën ku edhe e mbarova klasën e parë, ku i mësova shkronjat e para, ku i bëra gabimet e para, ku i përjetova kujtimet e para fëmijërore dhe të jetës, ku i shtrira dhe i thura ëndrrat e mia të para...!

Në këtë pjesë të shkollës, në katin e dytë ishte klasa ime. Me të kuqe është shënjuar vendi ku ishte dritarja e klasës

Hymë në klasë së bashku me babanë, klasa ishte përplot me nxënës dhe të gjithë u ngritën në këmbë, për çfarë unë u habita! Dua të shpjegoj se unë isha vonuar disa ditë që kur kishte filluar mësimi, për atë edhe çdo gjë më dukej risi, mbase edhe e çuditshme! Dhe, pasi nuk kisha ardhur në të njëjtën ditë me nxënësit tjerë, e zbrazët kishte ngelur vetëm një bankë, ajo afër stufës.

Mësuesja, shumë ngrohtë na priti. Edhe sot më kujtohen fjalët e ëmbla të saj. Emrin e kishte, Besa, kurse mbiemri nuk më kujtohet, sepse iku shpejtë nga shkolla. E di se ishte nga Gjakova.

Në bankë isha vetëm dhe u ula jo si të gjithë nxënësit, por u ktheva më fytyrë kah stufa, kurse tash dërrasa e zezë ose tabela ishte prapa meje. Atëherë, mësuesja, me plot kujdes më mori përdore dhe më ktheu kah ishin ulur të gjithë nxënësit, kah dërrasa e zezë. U mërdheza, sepse më erdhi inat, por edhe tash, si për habi, e ndjeja atë ndjenjën e njeriut (pa) vendlindje, gjë të cilën nuk dija t’ia shpjegoja vetvetes, gjë të cilën ndoshta edhe sot do të duheshin libra e libra për ta shpjeguar dhe zbërthyer këtë “fenomen” të dhembjes, të zbrazësisë shpirtërore dhe të pasigurisë të njeriut dhe qenies së tij!

Dhe, babai doli nga klasa. Pasi shkoi ai, diçka brenda meje ngeli bosh dhe diçka ma ngacmonte keq shpirtin...

Babai ma lëshoi një shikim, por edhe unë atij, dhe tash kur e kujtoj këtë moment, shikimi i babait dhe shikimi im sikur u shndërruan në rrëfime historike për gjithçka. Dhe, babai doli nga klasa. M’u bë sikur ngela plotësisht i vetmuar!... I tha diçka mësueses, por kurrë nuk e mora vesh së çfarë i kishte thënë. Po supozoj se i ka thënë që të kujdesej për mua...!

Pasi iku babai, diçka brenda meje ngeli bosh dhe diçka ma ngacmonte keq shpirtin...

Mësuesja nisi të shpjegonte diçka, por unë dot nuk e kuptoja. Thash me vetvete se kurrë nuk do të mësohem bile asnjë shkronjë ta shkruaja dhe ta mësoja. Nuk e kam besuar kurrë se pastaj tërë jetën do të përplasem me shkronja e shkrime, se do të bëhen pjesë e jetës, e mendjes, e lumturisë, edhe dhembjes dhe e “luftës” së shpirtit tim për fatin e njeriut, për kombin, për atdheun dhe për njerëzoren!

Ra zilja për mbarimin e orës mësimore, kurse unë mendova se kishte përfunduar mësimi, sepse të gjithë dolën nga klasa. Asnjëri nuk u shoqërua me mua, ngase isha i “ardhur” i ri dhe i panjohur për ta. Ishin nxënës jo vetëm nga fshati Carrabreg i Epërm, por kishte edhe nga Deçani dhe nga fshatrat Beleg e Llukë.

Dola edhe unë nga klasa, si ata, por unë u nisa për në shtëpi. Kur mbërrina në shtëpi, të gjithë u befasuan dhe u tremben se çfarë kishte ndodhur pasi isha kthyer menjëherë!

Babai me frikë më pyeti se pse isha kthyer aq shpejt, aq herët:

-A mos të ka ngacmuar kush apo diçka tjetër?!...

-Jo! –i thash. Mbaroi mësimi dhe, erdha...

Ai nuk besoi dhe sërish më mori përdore dhe më ktheu në shkollë. Hymë në klasë dhe prapë mësuesja na priti si është më së miri. Babai ia shpjegoi se si isha kthyer në shtëpi duke menduar se kishte mbaruar mësimi. Pastaj, mësuesja më mësoi e më njoftoi se mësimi zhvillohet dhe zgjatë tri orë.

E kisha një lloj frikke të shoqëruar me emocione, se nuk do të bëhem nxënës i mirë. Por, kjo u demantua për pak kohë, sepse, e “zura” trenin e mësimit dhe të diturisë, dhe isha ndër nxënësit më të mirë në klasë e në shkollë, edhe pse isha gjithnjë çun i tërhequr dhe i mbyllur, por që kjo imagjinatën ma shndërroi në kala, kurse ëndrrat e mia në synim dhe fanatizëm për punë...

Me shokët e klasës II-të dhe me mësuesin, Enver Beqiri (Nallbani). Unë jam i fiksuar me rrethin me ngjyrë të kuqe

Tash, klasa e parë mbaroi. Isha nxënës me pesa, edhe pse “janxhiku”-çanta që ma kishte punuar nëna, ishte vetëm me pak libra e fletore, me një laps dhe domosdoshmërisht me një gomë! Por, mirë ishte. Tash, edhe pse shkollimin e kisha filluar në moshën gjashtëvjeçare, isha i mbushur plot vullnet, me plot ëndrra, më dukej vetja si zgjua bletësh, dhe mendja e shpirti, gjithnjë e më shumë ishin më të “padisiplinuar” dhe rebelë.

Klasën e dytë, nuk e vijuam në objektin e shkollës, por tani mësonim në një dhomë në katin e dytë të xhamisë së fshatit Carrabreg. Tash në atë dhomë, e cila ishte shumë e madhe e vijonim mësimin. Pas klasës së parë, mësuesen Besa kurrë nuk e pashë më. Edhe tash, fytyra e saj më parafytyrohet si pamja e një engjëlli që e sheh e nuk mund ta prekësh dhe as ta përqafosh. Sa keq!

Pas klasës së parë, mësuesen Besa kurrë nuk e pashë më. Edhe tash, fytyra e saj më parafytyrohet si pamja e një engjëlli që e sheh e nuk mund ta prekësh dhe as ta përqafosh

Kurse mësuesi im, Ali Sutaj, përveç se ishte edukator ishte edhe gazetar dhe pionier i themelimit të shumë revistave letrare në Kosovë

Për të na mësuar, tash kishte ardhur një mësues i ri. Ishte Ali Sutaj, që ishte nga fshati Llukë, e i cili më vonë u bë gazetar, krijues, redaktor por edhe themelues i shumë revistave në gjuhën shqipe në Kosovë. Ishte i veçantë si me krijimtarinë e tij ashtu edhe me rakinë, që i “jepte” impuls e inspirim për punë dhe vepra madhore.

Dua t’ua rrëfej një ngjarje kur isha nxënës i tij. Duke pasur parasysh se isha ndër nxënësit më të dalluar dhe më inteligjent, më ftoi te tavolina e punës së tij, dhe ma dha një letër të mbyllur në zarf, mbi të cilën sigurisht se kishte qenë adresa e revistës “Zëri i Rinisë” me të cilën revistë edhe si mësues kishte bashkëpunuar. M’i dha edhe pesëdhjetë dinarë dhe më tha që të shkoja në postën e Deçanit dhe ta dërgoja letrën rekomande, por ai më tha se kur ta dorëzoja, punëtorit të postës t’i them “preporuçeno”(rekomande).

Mësonjëtorja në xhami të Carrabregut, dritaret e së cilës janë të shënjuara me të kuqe

Dhe unë, gjatë tërë kohës deri pak pa arritur për të hyrë në postë, këtë fjalë me siguri se qindra herë e përsërita, por, pak pa hyrë në postë, më iku kjo fjalë. Kështu që kur ia dorëzova punëtorit të postës letrën, nuk i thash asgjë, por, ia dhashë edhe paratë. Dhe pasi u ktheva, mësuesi, Ali Sutaj, më pyeti se a e kisha dorëzuar letrën ashtu siç më kishte thënë, nuk iu përgjigja, por ia plasa vajit. Kur më pyeti se çfarë më kishte ndodhur, i tregova se e kisha harruar fjalën që më kishe porositur, por letrën i thash se e kam dorëzuar bashkë me paratë. Më përqafoi dhe më tha, po krejt në rregull është, fare mos u brengos.

Edhe ky moment, gjatë tërë jetës më xiglonte në shpirt, edhe atëherë kur u bëmë kolegë në gazetari dhe krijimtari.

Dua të them edhe këtë, se edhe në gazetari ka qenë i veçantë por edhe pedagog për ata që kërkonin mësimin dhe këshillat e tij. Gjatë shkollimit në dhomën e Xhamisë së Carabregut, pasi mësuesi Ali Sutaj kaloi në Prishtinë, në gazetari, tani mësues im ka qenë edhe Enver Beqiri(Nallbani) nga Peja, i cili pastaj ka qenë edhe profesor e më vonë edhe drejtor i Shkollës së Lartë Ekonomiko-Komerciale në Pejë.

Mësuesit e mi, Ali Sutaj dhe Enver Beqiri(Nallbani) që m’i dhanë dituritë e para mësimore

Edhe një gjë tjetër për madhështinë e Ali Sutajt prej mësuesi dhe edukatori. Me një rast kur punoja në Radiotelevizionin e Prishtinës, dhe e kisha shkruar një raport goxha të “nxehtë” nga një mbledhje, i cili duhej të emetohej në ditarin e Radio-Prishtinës në orën 19:00, e takova mësuesin tim, i cili në atë kohë punonte te gazeta “Rilindja”. U ulëm për ta pirë nga një kafe. Ia tregova dhe e luta ta lexonte raportin dhe ta jepte mendimin e vetë. Nuk po e zgjas. Më tha: kur je i “tensionuar”, kurrë shkrimet nga ajo ditë mos i emito në po atë ditë. I lë për të nesërmen,... vijnë si “turshia”!

Ishte mësim i madh për mua për profesionin prej gazetari. Pra, ky ishte mësuesi im, Ali Sutaj.

Duke pasur në konsideratë punën dhe veprën e mësuesit tim. Ali Sutaj, nuk kam mundur ta kam shpirtin dhe zemrën të qetë pa ia kushtuar një shkrim këtij njeriu të veçantë, të cilin e kam botuar në shumë gazeta e revista por edhe në librin tim “Përtej shkrimit”.

(©S. B.)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora