E premte, 29.03.2024, 07:45 AM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (3)

E marte, 23.08.2022, 06:59 PM


Faik Konica me dy romanet e tij:

«Martesa e Lejlës» dhe «Sotiri e Mitka»

Shënim i redaksisë « Zemra Shqiptare »

Pas botimit në forumin tonë të Letrës së hapur publike të Z. Fotaq Andrea titulluar « Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës », në bashkëpunim me Z. Andrea, zbulues i dy romaneve të panjohura me tematikë shqiptare « Martesa e Lejlës, pasuar nga Sotiri e Mitka » të Jean de Kroya (v. 1911), « Zemra Shqiptare » nis botimin pjesë - pjesë të studimit hyrës të këtyre romaneve titulluar : « Lojnia – Kush qëndron prapa pseudoniumit Gjoni i Krujës ? »

Studiuesi Andrea fton lexuesin e gjerë të « Zemrës Shqiptare » të gjykojë vetë për tezat dhe argumentet që ai ka parashtruar lidhur me autorësinë e këtyre romaneve të cilën ai ia njeh Faik Konicës. Studimi shoqërohet me një aparat të gjerë shkencor, konkretisht 187 referenca e shënime nxjerrë në pjesën më të madhe drejtpërdrejt nga burime dokumentare e arkivore franceze, ku dhe u zbuluan këto romane të panjohura.

Studiuesi dhe përkthyesi Fotaq Andrea është mjaft i njohur për shkrimet e tij në rubrikën « Speciale » të « Zemrës Shqiptare », sidomos për figurën e Faik Konicës, me prurje vazhdimisht të reja për gati dy dhjetëvjeçarë. Shkrimet e tij për Konicën kanë qenë dhe janë në forumin tonë mjaft të sukseshëm, të vlersuara dhe komentuara drejt nga lexuesi ynë, duke parë te ky studiues hulumtuesin serioz kryesisht të Letrave, dokumenteve dhe arkivave franceze me tematikë të mirëfilltë shqiptare, të cilat ai i ka përmbledhur në mbi 30 botime të tij. Vetëm për jetën dhe veprën e Faik Konicës ai ka botuar deri më sot 5 vëllime, secili vëllim me profill të vetin origjinal e interesant, duke lartësuar figurën e Konicës si « Përlindës modern », gjë që përbën një pasuri të veçantë për filologjinë dhe e Letrat shqipe. I urojmë studiuesit Andrea suksese të mëtejshme në punën e tij studimore-botimore me besimin e plotë se ai mbetet studiuesi besnik i « Zemrës Shqiptare » dhe përherë i mirëpritur nga publiku i gjerë shqiptar.

_____

FAIK KONICA alias GJONI I KRUJËS

«MARTESA E LEJLËS» pasuar nga «SOTIRI DHE MITKA»

Romane - përktheu nga origjinali frëngjisht dhe përgatiti botimin: Fotaq Andrea

Pjesa e tretë:

PASTHËNIE

Koha e zgjatur për botimin e këtij libri, për arsye subjektive, na dha mundësinë për të përforcuar edhe më shumë bindjen tonë parashtruar në esenë «Lojnia», se autor i këtyre dy romaneve është Faik Konica alias Gjoni i Krujës, dhe kurrkush tjetër. Shumë elementë të këtyre romaneve shfaqin sidomos mendjehollësinë koniciane, ushqyer nga një pragmatizëm karakteristik i tij, se e ardhmja do zbulojë e vulosë gjithçka në favor të tij. Andaj, e çuditshmja, madje absurdja à la Camus, në emër të ekzistenciales, shkon gjer aty sa Konica, me një lloj moskokëçarjeje ia «dorëzon», ia shet dhe atribuon një tjetri shkrimet e tij (të jetë vallë kjo vetëm hera e parë?!...) Në fund të fundit, të kuptosh gjeniun, gjigandin, eruditin Konica, këtë «Argus dhe Briare shqiptar», siç e ka pagëzuar Guillaume Apollinaire, do të thotë të kuptosh qëndrimet e tij me hovje nga më të mahnitshmet të stilit të të jetuarit dhe punuarit, që nga higjiena e jetës në kuptimin e plotë, modern e figurativ të fjalës, gjer te arti i të jetuarit si një «bon vivant» (i gëzuari i jetës); do të thotë të kuptosh lojnitë e tij me dritë-hije të fuqishme apolineriane e kubiste, sidomos pragmatizmin e tij në politikën e ditës, por gjithnjë me pikësynim një të ardhme të sigurt kombëtare; do të thotë mbi të gjitha të kuptosh përkushtimin e tij të lartë patriotik e atdhetar, në majat e Përlindjes shqiptare, kur e donte Shqipërinë dhe kombin shqiptar modern dhe europian, duke luftuar me pallë-pendën e tij të rëndë tipat anadollakë zullu; dhe më në fund, do të thotë të kuptosh edhe Konicën e stërmunduar, të përvuajtur, hallexhiun fatkeq, që krejt pasurinë e bëri germa platini e shtypshkrim për të shtypur Albania-n dhe librat shqip. Është kësisoj Konica në lartësi të paarritshme, me përmasë kombëtare e europiane, sa zbuluesi i vlerave të shenjta historike shqiptare, sa njeriu me botë të pasur shpirtërore, me erudicion të shkallës së epërme, aq edhe figurë patriotike qendrore, promotor në shumë fusha të Mendimit estetik Shqiptar, e mbi të gjitha promotor i gjuhës shqipe, të njëhsuar, standarte e letrare, që pas Kristoforidhit të madh, të cilin e konsideronte si «Babain» e gjuhësisë shqiptare.

Pa dashur të thellojmë radioskopinë që i bëmë dy romaneve në esenë tonë, vëmë në dukje se vetë lojnia e Konicës me Aladro Kastriotin për këto dy romane «shoqërohet» tek «Martesa e Lejlës...» me lojninë apo dredhinë e Vangjelit (personazhit kryesor - Konica d.v.) me pretendentët për martesë të së bijës (Fritzi dhe Teodori), pasqyruar aq bukur në fjalët e një prej personazheve kryesorë, piktorit Lezi Gjini: «Ç’dreqin është gjithë kjo lojë teatri që nuk ka të bëjë me mua?» Po kjo lojni të kujton tërthorazi edhe farsën Konica-De Casseres ndaj Apolinerit (1912) për të cilën kemi folur në librin tonë «Faik Konica, Përlindësi modern» dhe kur me të drejtë, edhe Apolineri do ketë menduar: «Ç’’dreqin është gjithë kjo lojë? Me dy shkrime të ndryshme dhe dy emra të ndryshëm të njëhsuar brenda një letre?...»

Lidhur me personazhin «Sulo» të romanit Martesa, si një emër i përveçëm, i zakonshëm, në shqip, Konica ka shkruar më se një herë te Albania e tij, jo vetëm kur boton këngën popullore për Sulo Çobon të mbledhur nga Asdreni, por edhe kur flet për plakun Sulo dhe barinjtë suljotë me origjinë nga Kardhiqi, të cilët u shpërngulën në vitet 1660 më në Jug të Shqipërisë së atëhershme për të formuar fshatin e famshëm Suli me suljotët trima me fletë që luftuan përkrah Bajronit për pavarësinë e Greqisë.

Po ashtu, vërejmë se edhe emri i personazhit «Fritz» te «Martesa e Lejlës» është thjesht emri i një turtulli që Konica e ka mbajtur në kafaz për një kohë në Londër dhe që na u shfaq kohët e fundit gjatë përgatitjes që po i bëjmë për botim «Letrave të Faik Konicës drejtuar Apolinerit». Gjithashtu, tema e sigurisë së rrugëve, pa rreziqe nga keqbërës e banditë në Shqipërinë e fillim-shekullit XX, është një temë e rrahur gjerësisht nga Konica te Albania e tij, ashtu sikurse tema e kostumit kombëtar, përdorimi i shprehjeve latine te Konica dhe mënyra e shkrimit me fjalë të kursyera të kabllogrameve që dërgonte, krahas zakoneve të vjetra e të bukura shqipe si puthja në ballë e dhëndrit apo e nuses nga vjehrri e vjehrra.

Nga ana tjetër, «Teodori», personazh kryesor i «Martesës» premton në roman t’i ngrejë «kult Vagnerit e Berliozit», kur dihet le penchant (dobësia) e Faik Konicës për gjigandët (Vagneri me shokë) të muzikës klasike, muzikë e cilësuar prej tij «hyjnore».

Një kapitull të tërë përmbyllës te «Martesa...», Konica ia kushton «Duelit». Në këtë rast, nuk ka si të mos vëmë në dukje se ai e njeh me themel artin e skermës dhe tre herë flet e fton për duel kundërshtarë të Albania. Në një letër drejtuar Apolinerit, ai thekson se është prej disa vitesh pjesëtar i një «Shoqërie skermike» që ka për moto «Pro Mart e arte» (për Marsin – hyun e luftës dhe për artin e skermës), sepse «dyluftimi, thotë Konica, është mjeshtëri e hollë». Po ashtu, me rastin e vdekjes së mikut të tij të ngushtë belg Pul Nocquet, Konica i kujton Apolinerit me keqardhje: «... sa e sa shpata kam thyer me atë (Nocquet) në ndeshjet tona me skermë». Pra, kreu «Dueli», nuk ka si të tingëllojë kurrsesi si «artificial» apo «donkishotesk», kur për kohën dukuria «duel» kishte bërë sa e sa viktima në njerëz të shquar.

Personazhin real të Aladro Kastriotit, që e ngre lart në romane, në fakt Konica e kishte vënë me kohë në lojë, qoftë nëpërmjet një loje fjalësh me humor të hollë (është një «batakçi-budalla» që punon djallërisht e jo djalërisht, apo Aladro, ky De Ladro), qoftë nëpërmjet sajesash në latinisht ku karakterizon e portretizon figura, organe shtypi, shoqëri, dhe deri vetë sulltanin. Konkretisht për «njeriun Aladro», Konica jep te Albania dy shprehje në latinisht: Aut Coesar aut nullus – që vetë ai e përkthen: A mbret, a …. Bajge; dhe shprehjen tjetër : Ad sceptrum per vinim, përkthyer po prej tij: Te froni nëpër verë…. Për më tepër që po tek Albania (viti IX, nr. 7, 1905), ai e cilëson Aladro Kastriotin me këto fjalë: «Aladro i I-rë, ai shitës spanjoll kabareje, që kushedi nga çmendinë ia ka mbathë dhe që e mban veten për mbret të Shqipërisë) Aladro i I-rë, princ i perandorisë së shenjtë të shisheve dhe mjeshtër i madh i rendit shumëfisnikëror të tapave». Me siguri Aladro Kastrioti (që mbahej palé! si njohës i shqipes), po t’i kishte lexuar këto cilësime përvëluese tek Albania për personin e tij nga Faik Konica, nga ky usta superinteligjent e superintelektual, «berber» që dinte të qethte koka e qeveri për interesa të larta, kurrsesi nuk do të kishte guxuar vite më pas (1909-1911) të vinte dorë në këto dy romane të Konicës e t’i përvetësonte në emër të egos së tij dhe të fryrjes si kacagjel, duke dashur të shtojë artificialisht famën e vet. Për Konicën, jo vetëm mashtruesi Aladro, por edhe tërë kandidatët e ardhshëm për t’u bërë mbret e për të shaluar fronin e Shqipërisë që do shpallej e pavarur, ishin, pa një, pa dy, kalimtarë, që shpejt do rrëzoheshin përpara fuqive potenciale të kombit për të nxjerrë nga gjiri i tij udhëheqësit e vet.

Tepër domethënës është, nga ana tjetër, ndërtimi i skemës klasike «Udhëtim» në esenë e shquar të Konicës Për gjuhët natyrale e artificiale, konkretisht: «Udhëtim. Mbrëmje. Det. Port. Skelë. Anije. Ngjitje. Kuvertë. Katrahurë. Zhurmë. Fishkëllimë. Spirancë. Nisje». Këtë skemë ai e zbaton me një paralelizëm të përpiktë në fillim të romanit Sotiri e Mitka, duke na dhënë një atmosferë të përgjithshme udhëtimi për të kaluar ëmbël në paraqitjen e personazheve kryesore që takohen mbi kuvertën e anijes.

Më në fund, pas njëfarë ngurrimi, e pamë të arsyeshme të përdorim si titull të studimit tonë termin Lojnia (në kuptimin sa lodër, farsë, aq edhe dredhi), term që e përdor vetë Faik Konica (nën pseudonimin Thrank Spirobeg) tek artikulli Princ Nikolla dhe Loinia e tij, botuar te Albania, (nr. 1, viti 3, nëntor 1899), ku denoncon lojninë e Malit të Zi në kurriz të shqiptarëve. Pas një këmbimi mesazhesh me prof. Emil Lafen, morëm edhe miratimin e tij për të titulluar studimin tonë «Lojnia» që i paraprin këtyre dy romaneve misterioze koniciane Martesa e Lejlës e Sotiri dhe Mitka, në të cilat sintetizohet aq bukur ngadhënjimi i virtyteve shqiptare në shekuj nëpërmjet deklamimit të thjeshtë e modest të Vangjelit (Konicës): «Jemi shqiptarë, e kemi këtë nder»!

F. Andrea, shtator 2016.

DOKUMENTE SHTOJCË

Dy romane të Jean de Kroïa “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”

- Kronikë e botuar në gazetën franceze, l’Avenir d’Arcachon, 8 tetor 1911 në: Rubrikën « Letërsi »

Sapo ka dalë një roman i Jean de Kroia: Martesa e Lejlës (tek Heymann, 3 rue du Four, Paris, çmimi 3 fr. 50). Ky roman rrëfen idilin e një dashurie, është një kompozim filozofik dhe një pasqyrë karakteresh, moraliteti i të cilave priret të vërtetojë se paraja e bën zemrën të akullt dhe se nderi, dashuria, bujaria, dashamirësia përputhen me dinjitetin njerëzor më shumë se etja për ar. Teza është e vjetër, por tema shfaqet në libër gjithë hijeshi. Për më tepër, kurrfarë pedantizmi nuk ndihet në të, gjë që do kish qenë pedagogjike e lodhëse, ndërkohë që subjekti shtjellohet thjesht nga vetë loja e aktorëve në skenë. Kjo histori dashurie zhvillohet në Austri dhe përfundon në Vjenë. Disa faza të kësaj vepre janë të gërshetuara bukur, si intriga e artikujve të gazetave, dueli me pistoletë, disa letra të shkruara fort hijshëm, sikundër ato të pohimeve të dashurisë, që burojnë nga shpirti, me një stil të zhdërvjelltë, plot bujari të çiltër dhe gjithë finesë. Megjithatë, të vjen keq që nuk has, krahas tërë asaj ndjeshmërie të lartë, njëfarë përshkrimi poetik, njëfarë tabloje piktoreske të natyrës.

Të njëzet kapitujt e kësaj pastoraleje dashurore shkojnë fjollë, pa përplasje as pengesë, rrjedhin si një burim me ujë kristalor drejt një zgjidhjeje të dëshiruar, duke përbërë në tërësinë e tyre një akt të lartë, tek vërtetojnë (gjë e rrallë sot) që një roman mund të jetë interesant duke mbetur i ndershëm.

Ne nuk do dëshironim ta zbarnim nga shija e mirë që lë, duke bërë një analizë të thatë të gërshetimit të ngjarjeve: po e lëmë në dëshirën e lexuesit që ta shijojë vetë.

Por po përmendim emrat e dymbëdhjetë personazheve të vënë në skenë: bankieri i pasur Vangjeli, e bija e tij Lejla dhe njëkohësisht famulleshë e Princit, piktori Lezi, e ëma e tij, kapiteni Fritz, Zonja Krantz, Teodor qejfliu, artistja Ilda, S.A.Kastrioti – stërnip i Skanderbejit dhe princ trashëgimtar i fronit të Shqipërisë, dy Shqiptarë, Sulo Beu e Mirashi i Shkrelit, shërbëtorja Matilda.

Sa për autorin, ai duhet të jetë një karakter i ftohtë, dhe njëkohësisht i ndjeshëm, sepse gjuha e tij është fisnike, e vendosur dhe burrërore.

Vihet re që ka njohuri të gjerë për shpirtin njerëzor dhe gjuhën aristokratike të shoqërisë së lartë, aq e praruar dhe njëkohësisht aq e pabesë.

Ndihet po ashtu që autori është poliglot dhe kozmopolit, përderisa e ndjen veten aq mirë në mjedise vendesh që përmend me një hollësi të përpiktë, por të vetëtimshme, aq sa pandeh se edhe lexuesi duhet të dijë po aq sa ai vetë.

Shkruan në frëngjishte shumë të mirë, por në frëngjishten e një të huaji, për më tepër që parashtrimi i idesë, sikurse struktura e fjalisë të kujtojnë udhëtimet e Zviceranes Toppffle, përrallat e Gjermanit Hoffmann, romanet e Belgut Henri Conocience, novelat e Anglezit Dickens.

Është megjithatë në thelbin e saj si gjuhë, më serioze nga frëngjishtja jonë e letërsisë së zakonshme: por ka nuanca gramatikore që nuk lënë të gabosh.

Nga ana tjetër, ky libër çliron një parfum ekzotik, si ato lulet e malit, aroma e çuditshme e të cilave e habit dhe e këndell qytetarin.

I njëjti vëllim përmban edhe një roman tjetër të së njëjtit autor: Sotiri e Mitka.

Është një tregim i shpejtë që të mban të lidhur dhe që fillon në Amerikë për të përfunduar në Shqipëri. Mund të themi se kemi të bëjmë me një novelë të shekullit XVII, aq shumë janë pikturuar e treguar me hollësi e delikatesë portretet e dy miqve, jeta e tyre e përbashkët, martesat e ndërsjella. Më pas, fushëveprimi i tyre vjen e zgjerohet për t’ia lënë vendin fëmijëve të këtyre, miqve, dhe jeta e re buthton, zhvillohet, shpaloset në rritje të shpejtë, gjersa dramatizohet më në fund nëpërmjet një rrethane të llahtarshme e tragjike, për të përfunduar siç duhet... lumturisht.

Ashtu si te Martesa e Lejlës, hasim në të të njëjtat cilësi: ndjenja e detyrës, respektimi i fesë, familjes, kulti i nderit dhe dashuria për atdheun.

I ftojmë bashkëpatriotët tanë që e duan letërsinë të marrin në duar këtë vëllim të bukur.

Do të na falënderojnë, si dikur që na falënderonte lord Russel, të cilin e nxitëm të rrinte një ditë më shumë në Arkashon për të vizituar liqenin e Cazeaux.

Dhe do jenë të kënaqur për dy arsye: së pari që Jean de Kroïa është një letrar me shije të hollë e delikate që i njeh vlerat e tij, i zotëron mirë klasikët e vet dhe e ka jetuar jetën parisiane; së dyti sepse Martesa e Lejlës (e kemi nga burim i sigurt) është shkruar në Arkashon.

E. G.

Letër e G.C. Camet[i]* drejtuar De Radës

Firence, 1 janar 1879

Shumë i nderuari dhe i dashuri Zotëri,

Punët e Princit [Aladro Kastriota] më kanë mbajtur gati tre muaj në udhëtime; kam qenë në Angli, Belgjikë, Austri, Gjermani, dhe poezitë tuaja të mrekullueshme më kanë ndjekur kudo, dhe kudo kam folur për to me njerëz të Letrave dhe me miqtë e mi të shtypit, shumica e të cilëve e njihnin tashmë gjeninë dhe emrin tuaj. Por, në mënyrë të veçantë në Francë e në Gjermani - ku marrëdhëniet e mia janë disi më të shumta -, pata mundësi të zgjerohem rreth subjekteve të ndryshme të poemave tuaja dhe tërësisë, që shfaqet si një monument i bukur, dhe i vetmi gjer më sot, i jetës, gjuhës dhe traditës së Shqiptarëve. Shpresoj të arrij së shpejti t’ju dhuroj, tok me bashkëvëllezërit e mi të shtypit, një dëshmi publike për interesin që di të frymëzojë Muza juaj sublime dhe e paepur dhe për studimin serioz që ne u bëjmë librave tuaja, me qëllim që të mund të flasim për to në mënyrë serioze.

Në pritje, pranoni, ju lutem, urimet e mia nga zemra për vitin e ri dhe kini besim në vlerësimin krejt të çiltër që unë kam ndaj jush, i dashur Zotëri, të cilin dëshiroj ta dëshmoj.

I devotshmi krejt i juaji,

Firma : G.C. Camet (Piazza S. Croce, n° I.)

P.S. Do desha t’ju kërkoja sërish një ekzemplar të Memorandumit[ii]* shqiptar për një diplomat nga miqtë e mi. Ju i njihni pa dyshim progreset e Ligës shqiptare, ç’mendim keni për to? Proklamata e saj është krejtësisht shprehje e dokumentit që ju patët mirësinë të përktheni në gjuhën shqipe. Ju mund të shihni nëpërmjet saj se idetë e Princit [Kastrioti] dhe të Komitetit Qendror përputhen tërësisht me ato të prijësve shqiptarë. Më sqaroni hapur tek tuajët për sa më sipër.

AQSH, Tiranë, Fondi 24, dosje 54/3 fletë 60,61.

Letër e G.C. Camet drejtuar de Radës

Firence, 23 janar 1879

Shumë i nderuari dhe i dashur Zotëri,

Letra juaj e dashur e 10 tetorit erdhi e vërtetoi atë çka i trembesha në fakt duke parë të zgjaste heshtja juaj; por zemra ma do që tani ta keni marrë veten plotësisht dhe të jini mirë me shëndet. Edhe unë sapo kalova një javë në shtrat me një rrufë të fortë, pasojë e udhëtimeve dhe e stinës, dhe e hoqa qafe me të ngrohta e me të ngrënë të veçantë, duke ndjekur shembullin tuaj. Është ilaçi më i mirë për raste të tilla dhe Anglezët nuk e kanë gabim që e shohin si sëmundje.

Në të vërtetë, ju më nderoni së tepërmi, i dashur Zotëri, duke shfaqur tërë atë mirësi për aq pak sa kam bërë dhe do kem kënaqësi të bëj për të treguar njeriun që dashuri e një jete nga më të thjeshtat dhe një modesti shembullore e mbajnë pothuaj të fshehur ndaj botës në atë fshat të vogël të Makias në thellësi të Kalabrisë. Ja, veç kjo më sjell ndër mend atë pikturim të shkëlqyer që ju i bëni virgjëreshave shqiptare, që vetëm dielli i zbulon tek rrëshqet mbi avlëmendet ku ato punojnë të fshehura nga sytë e botës. Duke lexuar ato vargje e ndjen shpirtin të lumturuar, të përndarë mes hijeshisë së Pindarit dhe bukurisë së Homerit. Por, më lejoni të kaloj në politikë, sepse sapo mora një letër nga Princi, i cili më kërkon mendimin tuaj për proklamatën e tij. Ju kam dërguar 15 numra të Gazetta d’Italia-s, ku ajo publikohet e përkthyer nga një gazetë e Vjenës, e cila e botoi nga të parat. A i keni marrë? E pra, ajo proklamatë duhet të zhdukë krejt dyshimet tuaja, i dashur Zotëri, dhe ato të çdo Shqiptari ndaj Lartësisë së Tij Skanderbeg; gjithçka është brenda në atë shpallje: aspak ndarje të Shqipërisë së tij të shtrenjtë; kurrfarë aneksimi as nga Mali i Zi, as nga Greqia, as nga Italia: kurrfarë ambicie nga ana e tij. Ai thjesht shpall në të të drejtat e Shqiptarëve për pavarësinë dhe kombësinë e tyre dhe e përfundon nëpërmjet vetëmohimit më fisnik e më bujar të vetvetes. Pas kësaj, kam të drejtë t’ju them çiltërsisht, i dashur Zotëri, se Shqiptarët do bëjnë gabim të rëndë po të dyshojnë për qëllimet e vërteta të Skanderbegut dhe për patriotizmin e tij sa të madh, aq edhe pa kurrfarë interesi.

Ju vetë më keni shkruar në letrat tuaja të para se Skënderbeu ishte flamuri i bashkimit të Shqiptarëve dhe se asgjë nuk mund t’ua shkulte atë nga duart; e pra, le të dinë ta mbajnë, duke qenë se ai është i tillë në të vërtetë dhe nuk kërkon të jetë tjetër gjë[iii]*. Më besoni, t’i veshësh pazarllëqe më këtë apo atë qeveri për t’u ulur në fronin e stërgjyshërve të tij, ta shohësh si ambicioz për arritjen e këtij qëllimi është njëlloj sikur të shpifësh për të, të mos e njohësh aspak. Skanderbegu është po aq i thjeshtë e po aq modest sa ju, i dashur Zotëri, dhe jeta e tij është ajo e një ati të mirë familjeje dhe e një apostulli po aq të palodhshëm në politikë sa ç’jeni ju në Urdhrin e shenjtë të Muzave. Kam pasur nderin tashmë t’jua kem shkruar më parë dhe dëshiroj përsëri ta përsëris: Ju jeni gjeniu letrar i Shqipërisë, kurse ai është gjeniu i saj politik. Ju bëtë të rilindin gjuha dhe heronjtë e saj, kurse ai rizgjoi kombin e vet dhe të drejtat e tij të mbështetura sa tek letrat aq edhe tek diplomacia. Lëruani pra hamendësimet dhe dyshimet atyre që nuk e njohin, ose që kanë çdo interes për të mos e njohur, dhe besomëni mua që kam nderin të njoh shpirtin tuaj dhe të tijën.

Krejt i juaji, shumë çiltërsisht,

Firma : G. C. Camet.

AQSH, Tiranë, Fondi 24, dosja 54/3 f. 63-63/1.

Letër e Faik Konicës drejtuar Nikolla Naços

ALBANIA

A monthly Albanian Review of Literature

and Politics, Established 1896, Brussels.

Office: 4, Oakley Crescent, City Road, London, E.C.

London, më 20 të Tetorit 1902.

I lartër Atdhetar,

Më ndje që nuk të shkrova nga aqë kohë. Kam pasur mjerime (halle) shumë, pastaj s’kisha as ndonjë gjë me rëndësi për të thënë.

E mora letrën tënde. Mora edhe 15 frënga atë ditë, po nuk di në i dërgove ti apo tiatër mik. Si do që në qoftë, të fala.

Më pyet për Aladron. Ç’të të thom? Ti e ke kuptuar vetë se ç’mut ësht. Nuk di a ësht i prishur mentsh a po escroc i pa-turpshëm. Ca thonë se ësht i vënë prej Moskovit, ca prej Italianit. Unë vetëm këtë kam kuptuar:

Ky ka blerë në Venedig një pikturë të Skënderbeut të vietër e q’ahere i mbiu në kokë prralla se zbret prej Skënderbeut. Gjeti edhe një grua të pasur, e cila ka 6 miliunë frëngash pasje, e i jep Aladros të gjitha paratë që prish. Se puna e tij [profesioni] është të shesë verëra të tija, po nga që vreshtat e Espanjës u- prishnë, nga kërçmar që qe, u-bë pizeveng e ron me para të pidhit.

Mos beso të ketë në botë njeri më të poshtër se Aladrua. Pati sy e faqe të shkruaj në gazetat se ka 20 viet (!) që shqipëtarët i u-lutnë të bëhet mbret!! Po unë ia prita turive, e ia nxora të tëra gënjeshtrat në shesh, e andaj më ka inat shumë.

Babatasi shumë i poshtër. E ushqeva aqë viet, më në funt, e kalla edhe te Aladrua me disa qindra frënga në muaj: Ai, me të hyrë te’ Aladrua, edhe [veç kur] zuri të çpifë kundrë meje. Ashtu edhe për ty tha që s’të njeh njeri.

I dhjeva të gjithë, e të gjithë m’a kanë frikën, zilia nuk i lë të flenë, po le të ngordhin në daçin!

Tani Babatasi mori para edhe dolli për Rumanie e për Bullgarie, të bëjë propagandë, tha; po më duket se i mori paratë q’i dha Aladrua, e theri iku. A u-duk aty, ç’foli, ç’tha, në erdhi? Se po gatitet një punë që t’u qijmë t’ëmat gjithë pizevengëve.

Shahin Çaushit a ia bëra mirë? I dhanë para kërçmarët?

Aqë për sot. Erdha në Londër me shpresë që të gjejë nonjë punë në gazetat, se kam nevojë të madhe për para.

Theoharit i shtrëngoj dorën.

Yti me gjithë zemrë.

Faik Konitza.

P.S. Kam këtu Loni Dossin nga Misiri, i cili të do shumë, e më rrëfen trimerit’ e motrës tënde në Misiri.

AQSH.

FUND



[i]    Publicist francez pak i njohur, i vënë në shërbim të princit spanjoll Aladro Kastriota Skanderbeg. Sikurse vihet re nga letrat e Camet drejtuar De Radës, ai u mundua me të tëra mënyrat të tërhiqte në anën e patronit të vet spanjoll Jeronim de Radën, si figurë madhore e Rilindjes Shqiptare, me qëllim që ta bënte edhe më të besueshme aventurën e princit “kastriotas”. Por, vetë letrat e tij dëshmojnë që ai do të dështonte në përpjekjet e veta përballë qëndrimit mosbesues të patriotit të madh arbëresh. Nga ana tjetër, letrat e Kametit nxjerrin në pah dhe lartojnë figurën e De Radës, autoritetin e madh që ai gëzonte në Lëvizjen për çlirim kombëtar, si dhe qëndrimin e Aladro Kastriotit që gjithçka të shkruar e të dokumentuar e bënte me anë të sekretarit të vet G.C.Camet, pa të cilin ai nuk vepronte dot as në fushën e epistolarit të thjeshtë, e jo më në fushën letrare ku nuk ia shkrepte hiç!

[ii]   Është fjala për Memorandumin e Shkodrës të 13 qershorit 1878 hartuar nga patriotët shqiptarë dhe dërguar Kryeministrit britanik Beaconsfield ditën e hapjes së Kongresit të Berlinit. Në Memorandum, u kërkohej Fuqive të mëdha të shqyrtonin çështjen shqiptare në kuadrin e Krizës lindore. Po ashtu, denoncohej në të me forcë Traktati i Shën Stefanit për copëtimin e trevave shqiptare si dhe afirmohej identiteti kombëtar i popullit shqiptar, të drejtat e tij të ligjshme për shkëputje të Shqipërisë nga Turqia dhe për pavarësinë e saj.

[iii]   Nisur nga qëllimet e tij për të propaganduar sa më shumë mes Shqiptarëve figurën e Aladro Kastriotit, Camet mpleks këtu figurën e vërtetë të Skënderbeut, lartësuar nga De Rada, me atë të princit të rremë kastriotas të cilit i shërbente.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1) Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: “Skënderbeu” i Gentile Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik Fotaq Andrea e Dritan Muka: Ikonografi skënderbegiane - Portretet origjinale të Heroit Kombëtar Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale... Fotaq Andrea: Shqipëria, vend i denjë për të qenë shtet perëndimor Fotaq Andrea: Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris Fotaq Andrea: Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom Fotaq Andrea: 19 vjet më parë, shuarja e një Njeriu të lartë fisnik, Jusuf Vrionit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora