E enjte, 06.10.2022, 06:45 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Vetëm të shkosh atje

E hene, 22.08.2022, 06:00 PM


VETËM TË SHKOSH ATJE

Një udhëtim i shkurtër në Bogë, në QafëThore dhe Majën e Radohimës

“O udhëtar që shkon në Shkodër, mos ndalo aty; vazhdo të ecësh më lart dhe vetëm atëherë do ta kuptosh se çfarë është Shkodra”.  Indro Montanelli

Autori në QafëThore

UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA

Nuk kanë të njëjtën rëndësi çastet e bukura që kalojmë në jetë, por ç’peshë emocioni dhe gjurmësh lenë ato në kujtesë. Vlerat dhe bukuritë e tyre, si akuarele pikturore, varen nga këndvështrimi, sepse ndonjëherë e nëpërkëmbim kohën tonë të paktë me kotësira, por jeta ecën me ritmet e galopit të saj dhe ndjesitë nga udhëtimet, që janë mënyra më e mirë e "zbulimit" në detaje të pambarimta, të dukurive e formave dhe vlerave unikale.

Në një prej atyre ditëve të nxehta të kësaj vere, udhëtoj me një grup miqsh, që shpesh e kthejnë në një rit, kur lodhen nga kohët e papesha, nga titujt e fryrë të gazetave dhe televizioneve; nga rrokopuja, “filozofët”, hipokrizia, mashtrimi, agresiviteti i politikanëve dhe dhimbjet “e botës së sotme moderne”; nga vrazhdësia, shëmtia urbane, trafiku kaçurrel, nga boritë që i hakërrohen njëra-tjetrës, apo portretet e njerëzve të zymtë.

Të gjthë duken të gëzuar e me një ndjesi humori, që të detyron t’i dëgjosh me kënaqësi. Tregojnë histori, disa prej të cilave me pak spec. Gajasje deri edhe lot. Shakatë e bukura na bënë të harrojmë se kishim përpara gjithë atë rrugë. Sa për “ankesat” e dikujt, se është larg, i kujtojmë se thesaret nuk gjenden afër, por larg. S’mposhten ata, as nga lodhja, nga largësia e lartësia. Jemi një sofër vend, prandaj nuk duhet lenë asnjë livadh, pyll, qafë, grykë, liqen, lum, kodër, mal a luginë pa e njohur.

Në lagjen Preçaj të Bogës

Kush nuk e ka parë Bogën, ka humbur shumë

Rrugëtojmë drejt QafëThoresë, një vend plot e përplot histori dhe mrekulli të papara. S’ngopesh së medituari dhe sodituri peizazhin në të dy anët e rrugës. Ndalon në një strehëz jete, në Bogën e Malësisë së Madhe, një nga portat veriore hyrëse të Bjeshkëve të Namuna, për të cilin ke mësuar më shumë nga përshkrimet e udhëtarëve, historianëve e studiuesëve: Edit Durham, Johan George von Hahn, Rouz Lejn, Franc Nopça, etj. Sa bujare natyra e saj, sa mikëpritëse, sa hire lëshon, sa ëmbëlsi ndjen brenda vehtes kur shikon peizazhin e dallgëzuar të askundit të mahnitshëm të kreshtave qiellgërvishtëse të saj, që ngjasojnë me kështjellat e pathyeshme e të papushtueshme. Pra “paradhurata” e bukurisë së Alpeve Shqiptare, të cilat parqiten në formën e tyre tipike alpine: Maja e Boçanit, Maja e Drogomirit, Maja e Mokzezës dhe Bridashi (i emëruar nga forma e ngjashme, si brinjë dashi). Më tej Maja e Vuklit, Maja e Radohimës. Krah për krah djathtas: Maja e Nogovanit dhe Çardakut (Rrabësi), që të përshëndet me pamjen dhe lartësinë me katër dysha, një gjerdan zbukurues dhe mburoja të Bogës, të cilën rrallë mund ta shohësh në jetë, të “papërlyera”, si një tablo pikture e hedhur shpejt e shpejt. Ky vargëzim gjatësor Lindje-Perëndim ka krijuar luginën akullnajore të Përoit të Thatë.

Thorja e Bogës

Ndërsa makina ecte, s’di pse u përfshiva thellësisht dhe pakuptuar në të Kaluarën e Bogës. Askush nuk të thotë me siguri se prej ç’kohësh ka ekzistuar e kush e ka banuar për herë të parë. Historia e saj si vendbanim shkon nga Lashtësia e vrullshme dhe e larmishme, deri në ditët tona. Sa shumë fakte flasin për këtë territor, ku veç gjetjeve arkeologjike të veçanta, si monedha dhe unaza të perandorëve romakë, ka edhe shkrime apo enigma, të shpërndara në copëza dëshmish. Që nga Lashtësia asnjë marrëveshje e banorëve me pushtuesin, në dëm të lirisë dhe identitetit kombëtar (veç jehona të kronikave të Historisë, mirësive e kobëve), duke e renditur atë, me meritë, në krah’ të vendbanimeve më në zë të hapësirës mbarëshqiptare. Po të hapërojmë nëpër shekujt e Historisë, do të takojmë figura, të cilët luftuan për lirinë dhe frymëm e lirshme të kombit, aktorë të këtyre zhvillimeve, nga ku merrte jetë e vërteta. Krahas luftës me shumë vështirësi të Natyrës së ashpër malore, ata jetuan edhe realitetin e kohës çnjerzore e të pamohueshme të Komunizmit, që ishin vitet më të vështira.

Nuk e ndryshuan asnjëherë emrin e qendrës së tyre të banimit, që e interpretojnë se e mori nga një trashëgimtar i Kelmendit. Sepse brenda emrit Bogë ka një larmi të pafund peizazhesh, zakone, tradita e histori njerëzore. Fiset kanë funksionuar si një koshere bletësh, ku secili ka pasur rolin e vet, në mbarvajtjen e jetës së përditshme. Të rinjtë kanë ecur në gjurmët e të moshuarëve, që kanë drejtuar udhën jetike të fiseve.

Gryka e Lugjeve, Bogë

Këto histori po më përkundnin në mendje teksa shijoja peizazhin e Bogës. Këtu bashkëjetojnë qetësia e ajri i pastër, që të duket sikur shkel në një qendër klimaterike. Vështrimet i hedhim mbi Të, për të thithur çdo gjë, me një kureshtje më shumë; aty ku, jo vetëm nëna Natyrë ka mbledhur bukuritë e saj, por edhe të dorës së njeriut. I ngazëllyer nga emocionet që të ngjall kjo natyrë, ecën në Grykën e Lugjeve. Akjuna këtu vajtonte mungesën e atij që shndrit fort e nxeh po aq fort: Diellit të Madhrueshëm mes freskisë së një arome, ku gulçon brendësia e historisë së jetës njerëzore. Në lagjen Preçaj kishte aq shumë bukuri e magji, sa që harrohesh. Dua të flas për atë bukuri tjetër që edhe pse e di që s’ka si të mos jetë diku aty rrotull, përsëri s’ta ze syri dhe përsëri pret të shfaqet nga çasti në çast. Ndërkohë që çaja rrugën përmes gjethnajës, rripat e tokës dukeshin si të arnuara. Nuk do të mund të kalosh pa të rënë në sy Kisha e Shën Mëhillit.

Kisha e Shën Mëhillit

Përbri saj varret e lashta, ku ndërthuren elementë pagane me ato të krishtera. U hodha një sy mureve rrethues të kopshteve. Kulprat, ferrat dhe degët e pemëve që vareshin në krye të mureve  ishin bërë një me gurin; gardhet gjithë thurje degësh peme, apo kapërcyej, me tre - katër këmbëshkallë. Vështrimi im u përqëndrua në anën lindore, atje, ku Kroi zbret nga gjoksi i maleve duke rrjedhur ujë të ftohtë e të pastër; këtu ku ndalon çdo udhëtar për t’u freskuar.

Kullat e Bogës dallon për stilin tradicional të ndërtimit

Më mrekulloi syrin shtrirja e Bogës, që tregon për kulturë europiane në modelin urbanistik, sidomos në ndërtimin e shtëpive, që nga ana urbanistike kanë ndryshuar shumë. Përtej mureve e gardheve shfaqen ato dy-tre katshe, teksa stërpikin në përpurje, të rrethuara nga  bimë, lule e pemë me fruta nga më të mirat dhe të shumëllojshmet. Banorët e shihnin jetën e tyre pikërisht këtu dhe dëshironin të qëndronin, por shumë prej tyre i kanë braktisur dhe u janë drejtuar qyteteve, ku kanë ndërtuar jetesën normale me djersën, gjakun e kapitalin e tyre, duke treguar vlera në zhvillimet shoqërore në tërësi, të cilat në të vërtetë janë kthyer në makthe; sepse nuk gjendet ajo rehati që të krijon Natyra, e cila të dhuron jo vetem të mira materiale. Kanë ikur dhe në vende të panjohura të Botës, në kërkim të një jete më të mirë. Vargu i të ikurve nuk ka të sosur, nga kjo politikë e mbrapshtë.

Disa detaje që sikur duan të tregojnë se aty, në çdonjërën prej tyre ka nga një, apo dy 70 – 80 vjeçarë, që i sheh shpesh. Shoferi ynë e ndali makinën në një shesh të vogël. Sapo zbritëm më shkuan sytë tek një shtëpi afër rrugës e mbuluar nga pemët dhe hardhitë. Pa iu drejtuar asaj, zhurma e ëmbël e hapjes së portës, të fton të hysh brenda saj. Sheh dy pleq të mpakur, sikur mbajnë mbi shpatullat peshën e Bogës (rrallë fëmijë, apo të rinj). Ndjen dhimbjen e tyre pa zëra fëmijësh. Ata i vizitojnë çdo Verë a Dimër, si për të qetësuar ndërgjegjen, a për të bërë një adet të detyruar; por, kur largohen u lenë në shpirt një zbrazëti e mungesa, që nuk i mbush kurrë me asgjë.

Duke ngjitur ato kthesat e së përpjetës, ndodhet një vend pak misterioz, në mes të gjelbërimit. Mulliri, sot është i harruar (nuk i ka mbetur asnjë gjurmë), por dikur ishte një vend peligrinazhi, një vend ku njerëzit takoheshin, një vend, gjithë enigma, me zënkat dhe thashethemet, aty kishin vendin e tyre miqësia e hatëret për rradhën e blojës dhe zënkat me mullisët. Tashmë është vetëm uji, ai i përjetshmi, i cili zbret nga lartësitë, më së shumti në stinën e shkrirjes së dëborës.

Një shtegtar, nuk e mrekullojnë vetëm qëndrimet në vende me bukuri të heshtur e misterioze, por edhe njerëzit, që të frymëzojnë. Ata nuk ngjasojnë me heronjtë që janë për medalje, por figura apel për shoqërinë, duke mos u shkëputur nga puna, nga aroma që ndjell mikpritje.

Kulla e Bajraktarit

Teksa shihja me kureshtje Okolin, u ndala te Kulla e Bajraktarit (hotel), jo shumë i madh, anës rrugës që më tërhoqi me pamjen e tij të veçuar, mes gjelbërimit dhe larg prej ndërtimeve të tjera. Takova aty Gëzim Ulajn (trashëgimtar i Bajraktarit tē Bogës) një njeri punëtor, mendjemprehtë e hokatar, që të tregonte, me atë zërin si gurgullimë dhe të thellë, historinë e paraardhësve të tij. Ai do të më tregonte aty gurin memorial, të gdhendur me mjeshtëri nga skulptori Ferid Kola, që i kushtohej një thënie lapidar për virtytet e njeriut. Fjalë e urtë si beslidhje e shenjtë nga bajraktari i Bogës, Tom Gjeri, që e kishte vendosur veten në Gjerdanin e Artë të burrave me peshë në Malësi të Madhe. Ai jeton në tregimet dhe legjendat e bëmave e tij, në këngët e malësorëve, të cilat edhe sot e kësaj dite i këndojnë. Nganjeherë vepra nuk duket e madhe, as nga përmasat, as nga piedestali i lartë e as nga cilësia e materialit, por nga vlera e vërtetë e përceptuar në mendim, për të vlerësuar burrërinë e një figure dhe vendin ku do të vendosej.

Atje ku preken qielli dhe retë

QafëThorja

Rruga (është në gjëndje shumë të mirë) përësdridhej gjarpërueshëm, si fjongo drejt Qafës së Thores mitike, moshatare e Diellit, Hënës dhe Shqiptarit, një karakoll shekullor betejash për patriotizëm, liri e pavarësi. I përshkruan të njëjtat shtigje, ku ka kaluar studiuesi hungarez i historisë, gjeografisë dhe kulturës shqiptare, Franc Nopça. Këtë rrugë ka ndjekur drejt Thethit edhe anglezja e shquar, Edith Durham, në fillim të shekullit XX. Në shpellën e Pucit, në Shpellën e Gjek Markut, në Shpellën e Madhe, në Shpellën e Zanave dhe atë të Silikokave, vështron një tipologji të ngjashme me Fortifikimet Natyrale, që në periudha të caktuara epokash kanë shërbyer për banim. Në to duket se gjallojnë personazhe legjendash. Në një kalim nuk mund të përshkruash asgjë më shumë se aq sa sheh me sy të lirë. Ato në imagjinatën tonë mbulohen me një aureolë enigmatike. Veç me sytë e mendjes kërkon varrin e fshehur të Mujit.

Nga ballkoni i QafëThores

Të befasojnë ca re të vogla e të bardha, me format e çuditëshme të tyre, si shërbëtore të veshura me rroba të pastra, që nxitojnë e ngjiten majave. Eh sa bukur çfaqen, zhduken, fshihen ato dhe të “urdhërojnë” ndalo e fotografo te Leqja e Gjatë. Që aty, nga ajo lartësi dukej pjesa më e madhe e Luginës së Bogës.

Me dëshirën për të çuar rrugëtimin më tej, marrim grykën përpjetë majave, të shohim ç’duket përtej, sa që bëhet se kemi më afër Zotin, me Mistikën që të le pa frymë. Krijusi i ka bërë mrekullitë për njerinë dhe ai i zotron e kjo është bota më bukur e tij. Terreni gjithformësh, mbuluar nga pafundësi bimësh, populluar nga qinda, apo mijëra lloje gjallesash lëvizëse. Kalon nëpër Gropën e Portës përmes një shtegu me freski bjeshke, që nuk ta bën të lodhshme ngjitjen, por të forcon muskujt. Dikur, në shekuj, njihej “Shtegu i Dhenve”, ky kalim me vlerë të jashtëzakonshme historike. Në shtigjet malore të Alpeve Shqiptare kanë shtegtuar ndër shekuj banori, bariu, tregtari, luftëtari, miku, udhëtari (ndër ta edhe Herodoti, 2400 vjet më parë), apo hasmi dhe dhentë e mushkat, teksa ecnin me terezi, në kohë të keqe, me borë e akull, i bënin pyetje vetes nëse mund të kalonin shëndoshë e mirë.

Sytë “shëtisin” në ketë Parajsë tokësore, me kullota, drurë, shkurre e shkëmbinj. Pylli ka jetën e vet; era luan me pishat, dëgjohet një klithje shqiponje, kuitja e ndonjë dhelpre, fëshfërimat e gjetheve dhe gumëzhitjet e bletëve.

Ngjitja e majave nuk është vetëm një kredhje çlodhëse në një peizazh malor, por një stërmundim; sidomos kur kalon ngjitur shkëmbinjve të frikshëm. Ndalon dhe numëron vendet e çldhjes, si në stacione autobuzi, që të shtojnë frymëmarrjen me madhështinë e tyre. Kur arrin në majë të Radohimës, mrekullohesh nga thepa të shpëlarë shkëmbor me trajta tepër të çuditshme, pothuajse marramendës, që të japin kënaqësinë e soditjes dhe meditimit mbi origjinën dhe formimin mijëravjeçar të tyre. Ato duken si Perëndi të habitura që na shohin prej larg nga horizontet. Aty ke ndjesinë se ndodhesh në mes të Ciklit të Kreshnikëve.

Maja e Radohimës

Duke zbritur kreshtat e përboruara të Majës së Radohimës, tatëpjetë, aty ku fillon rrugëtimin lumi i Shalës, si një Parajsë misterioze dhe gati- gati magjike, plot nur e hijeshi epike, ne vështrojmë Thethin, të shtrirë në luginë, që befason çdo vizitor, ardhur aty për herë të pare; vendas e të huaj.

QafëThore është ballkoni nga ku ndjehet fryma e Bjeshkëve të Namuna, me kreshta të thepisura e forma të shumta, të krijuara nga akullimi i kuaternarit, cirqe, lugina, liqene akullnajorë e ujëvara marramendëse që zbresin në theqafje.

Emri ka mbetur prej Ushtrisë sllave pas tërheqjes së tyre nga Trojet Arbërore kur shumë prej tyre ngrinin nga acari dhe i mallkojnë. Se këto Bjeshkë vetëm të Namura nuk janë. Në të vërtetë janë të Bekuara, apo siç tregojnë malsorët, të vetëdishëm për bukurinë marramendëse të tyre, kanë dashur me i mbajtë sa më larg armiqtë grabitqarë, pushtuesit ziliqarë, makutë, prandaj edhe i kane emëruar “Bjeshkë të Namuna”.

Buni i Bajraktarit

Në Qafë Thore, ngrihet bujtina “Buni i Bajraktarit”. Është emocion tejet i veçantë dhe jo lehtë i përshkrueshëm, të shohësh këtu çdo gjë të krijuar me mjeshtëri dhe modesti, nga gërshetimi i mahnitshëm i gurit me drurin, buzë një liqeni të vogël. Pas një dite të lodhëshme që nuk ngjiste me asnjë rast, as dhe me ato kur të duket se mund të kesh bërë zbulim të ri, ne ndaluam aty ku të fton bujarisht, para se të marrim rrugën e kthimit.

Çaste nga ato që nuk vijnë shpesh dhe je i ndërgjegjshëm për këtë. Por mjaftojnë për të të dhënë aq shumë kënaqësi, sa nuk i harron dot kurrë. Dhe, sapo hymë në të, të përforcohet ajo ndjesia e çuditshme se kishim ndaluar në vendin e duhur për t’u çlodhur, dhe nuk besoj se mund te kete me bukur. Aty bie në sy pastërtia, shumëllojshmëria e të gatuarit shëndetshëm. Dua të theksoj rregullin, higjienën e përkushtimin, kur sheh kamerierë të sjellshëm e të pafjalë; pra të mirëpërzgjedhur.

***

Rruga i përtyp përshtypjet e shumta. Në vajtje dhe kthim, të mbetet në mendje udhëtimi nëpër këto vende të hijshme, vende Parajsa për njerzorët. Çdo gjë e prekshme dhe mjafton vetëm dëshira të shkosh përsëri atje. Ikën me ndjesinë e përhumbjes në Natyrë, në një perëndim dielli plot ngjyra të ndezura dhe ngopsinë e aromës së oksigjen të pastër.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.

Gropa e Portës

Kapërcyell në  Okol

Bima epidemike Eulfenja e Baldaçit

Maja e Bridashës

Maja e Çardakut (Rrabësi)

Maja Vukalit



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora