E hene, 28.11.2022, 01:52 AM (GMT)

Speciale

Jahja Drançolli: Në 580-vjetorin e Shkollës Arbërore në Venedik (1442)

E shtune, 20.08.2022, 06:57 PM


Në 580-vjetorin e Shkollës Arbërore në Venedik (1442)!

Nga Jahja Drançolli

Marrëdhëniet arbërore – venedikase datojnë së paku nga shek. XI. Nga kjo kohë e sidomos nga kapërcyelli i shk. XIV, Republika e Venedikut, pasi që kishte shtetin, fuqinë ekonomike dhe zotëronte gati me gjithë bregdetin e Adriatikut dhe me pjesën më të madhe të ishujve të Bizantit, pra edhe me disa qytete bregdetare të Arbërisë, qendra e saj ishte bërë jo vetëm një vend takimi i shumë mërgimtarëve, por edhe rrugë për afirmimin e kulturës së tyre në kulturën e Rilindjes Europiane. Këtej, sipas mërgimtarëve të ngulitur këtu, nisën të quheshin edhe pjesët ca më të vogla të qytetit. Në këtë kontekst, sipas komunitetit arbëror, i cili ishte në qytet dhe rrethe,  u quajtën gjashtë rrugë Calle degli Albanesi. Në zonën San Marco u vendosën edhe toponimet të cilat ndërlidhëshin me familjen bujare Zguri, të vendosur këtu nga kapërcyelli i shek. XIV. Pallati tyre gjendet në sheshin e Shën Mauricit, shumë afër objektit të Shkollës Arbërore. Përballë këtij pallati, po në këtë shesh, skaj shkollës në fjalë gjendet Pallati Molin, pronë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilin ia kishte dhuruar Republika me rastin e shpalljes së tij për qytetarin e nderit të Venedikut.

Valët më të mëdhenj të mërgatës arbërore në Venedik i ndeshim nga koha e pushtimeve të Dushani (1331-1355), dhe sidomos nga koha e pushtimeve osmane (1385-1571). Veç Venedikut dhe ishujve, mërgimtarët arbërorë i ndeshimit edhe në Ancona, Rimini, Pesaro, Vicenza, Padova, Treviso, etj. Në këtë rrugë ekzili ishin nisur arbërit nga Tivari, Shasi, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Drishti, Novobërda, etj. Për të gjithë këta të ardhur nga qytetet në fjalë, në perceptimin e përditshëm si dhe në dokumentet zyrtare venedikase është përdorë apelativi Albanese. Ata, gjatë tetorit 1442, në famullinë e San Severos në pjesën lindore të zonës së qytetit të quajtur Castello, kishin themeluar Shkollën Arbërore ose Scuola degli Albanesi. Bëhet fjalë për një lloj shkollash të vogla (Le scuole piccole), numri i të cilave ishte mjaft i madh. Shkolla në fjalë ishte një lloj qendre etnike për arte, artizanë dhe zejtarë. E konsiderojmë gjithashtu për qendër të parë fetare ku mbaheshin shërbesat në gjuhë arbërore. Organizimi i saj bazohet në shkollat e vogla të qytetit. Këtu, ajo kishte këtë strukturë: Banca, Gastaldo (ose guardiano), Vicario, Scrivano dhe Degani.

Shkolla Arbërore në fillimet e saj ishte kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, e quajtur edhe Nostra Signora di Scutari, si dhe Shën Galit. Që në vitin 1447 selia e shkollës ishte transferuar në famullinë San Maurizio,

në zonën e Shën Markut, pjesë e qendrës së qytetit.  Për fillim të rritjes së numrit të mërgimtarëve arbër, autoritet venedikase nga kapërcyelli i shek. XV u japin të drejtën u japin të drejtën për të përdorur varrezën në bazilikën e njohur dominikane SS Giovanni e Paolo, ku edhe sot ruhen shumë varre të bashkëvëllezërisë arbërore. Në varrezën e përmendur më sipër mund të ndeshim këtë mbishkrim: QUESTA SEPULTURA SI E DELLA SCHOLA DE/LA NATION DI ALBANESI MCCCCLXXXXI.

Godina e shkollës, që sot konsiderohet për atrakcionet turistike të Venedikut, ishte themeluar midis kishës së Shën Mauricit dhe kumbonarit, gjë që mund të vërehet lehtë edhe sot. Ajo kishte një ballinë të ngushtë me proporcion shumë të thellë, e cila mbështetej drejtpërsedrejti me kishën e Shën Mauricit. Fasada e Shkollës, duke qenë në një lini me kishën, shikonte sheshin Piovan. Shkolla zinte pjesën e pasme të godinës së gjatë. Në katin përdhesës është gjendur e ashtuquajtura Albergo da basso (Bujtina e poshtme), ku është vendosur një altar guri pak i ndriçuar, gjë që dëshmohet edhe nga radhonjat e Statutit ose Amzës së Shkollës. Kur është fjala për Statutin, respektivisht Amzën e bashkëvëllezërisë arbrërore ose si e ndeshim në dokumente Mariegola, respektivisht Matricola, është ruajtur vetëm kopja nga viti 1750, e cila sot ruhet në Arkivin Shtetëror të Venedikut dhe në Biblioteca Nazionale Maraciana.

Në aspektin vizualo-arkitektonik, tërheqin vëmendjën dy dritare të katit të parë, një pllakë nga guri i Istrisë me një basoreliev madhështor ku është paraqitur motivi i “Rrethimit të Shkodrës” (1474 - 1478-1479), i cili edhe sot shihet e lexohet mirë. Aty, veç konfirmimit dhe rëndësisë së qytetit të Shkodrës në politikën venedikase mbi Adraitik dhe Mediteran, shihet edhe rëndësia e mërgimtarëve shkodranë në historinë e mërgatës në Republikën e Venedikut. Nën mbishkrim janë paraqitur relievet e figurave plastike të Shën Galit, Zojës Virgjër me fëmiun, dhe Shën Mauricit. Autori i këtyre veprave mendohet të jetë Pirgoteli, një skulptor zulmëmadh i Renesansës.

Në fund, në arkitrarët e objektit vihet re mbishkrimi: SCOLA S. MARIA SAN GALLO DI ALBANESI. Vëllazëria arbërore, numerikisht dhe ekonomikisht më e fuqishmja, ishte pikërisht në kohët e vështira për ekzistencë, në vitet 1502-1508, për dekorimin e selisë së saj do të angazhoj piktorin e madh Viktor Karpaçin, i njohur për opusin e tij "Cikli i Arbërve". Lidhje të ngushta me këtë shkollë kishte edhe Mark Basaiti, një tjetër piktor i madh arbër. Këto lidhje nuk janë shkëputur kurrë nga intelektualë të tjerë arbërorë, të cilët ishin aktivë në Venedik dhe rrethinat e saj. Gama e tyre është goxha e madhe: Marin Barleci, Marin Beçikemi, Nikollë Leonik Tomeu me vëllazër, Gjin Gazulli, Martin Segoni, Lukë Paneti - Ulqinaku, Bernardin dhe Matej Vitali - Albanesoti, Nikollë Blashi e disa të tjerë.

Shkolla Arbërore ishte aktive deri në vitin 1780, vëllazëria u shpërbë në këtë vit dhe ndërtesa kaloi në duart e korporatës dei Pistori. Shumë orendi me vlerë të lartë do të shiten ose do të humbasin. Në sallën e shkollës do të ruhen 43 piktura. Gjashtë prej tyre janë nga Karpaçi. Ndërkohë për të tjerët nuk kemi njohuri. G. B. Mengardi i ka parë edhe këto gjashtë piktura të Karpaçit në vitin 1784, sipas të cilit kanë nevojë për mbrojtje urgjente.

Burimet: Arkivi Shtetëror i Venedikut dhe arkivi personal.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora