E merkure, 07.12.2022, 11:21 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Kakademiku

E premte, 19.08.2022, 06:33 PM


KAKADEMIKU

NGA KALOSH ҪELIKU

(Kritiku është ai që zgjedh

rolin e spiunit në kohë lufte,

ngaqë s’ka guxim të luftojë…).

Flober

Herë ec me njërën, herë me tjetrën këmbë. Në një dorë i mbaj brekët, me tjetrën shkopin. Njëri sy më shikon para këmbëve, tjetri në qiell. Veshi i djathtë e dëgjon Lumin, i majti Rrufenë. Kokën ma mban qafa, qafën e mbanë Rrufjani?! E, mua më mban toka. Kush e mban Diellin? Ja, këtij duhet t’i gjejmë një qafë të fortë, o njerëz! Ç’është e drjeta ai e ka qafën. Po, ne nuk e dijmë kush e mban Diellin? Si çdo kokë që e ka qafën e vet, ashtu duhet ta ketë edhe Dielli. Dielli duhet të ketë edhe këmbë… Duar… Veshë… Sy… Gojë… Në doni të dini më shumë, Dielli duhet të ketë edhe zemër. Ç’mendoni ju, po të mos kishte Dielli zemër? A do të derdhte rreze mbi tokë? Jo. Atëherë, në çfarë mjerimi do të mbytej bota? Mos pyet. Këtë e them, sepse s’kam guxim të të përgjigjem me ndonjë përrallë. Rrenë. E kam mbi kokë një tokmak. Sa herë që flas mendime të rrezikshme nateditë më dhemb kryet. Zemra më dobësohet, më dobësohet aq tepër sa mezi e vë në lëvizje gjakun nëpër trup. Trutë më ngushtohen, më dridhen në kokë si në konzervën e peshkut të fabrikeve neokomuniste. E ndjej veten të harruar si një lundër në det, mes stuhish e dallgësh. Mundohem not t’i afrohem, të dal në breg, por era më shtyn sa më thellë midis dallgëve. Është një luftë për jetë a vdekje.

- Plak -o, ta kam gjetur një nuse! E zgjoi nga këto mendime Kakademiku.

- Mbaje për vete, o burrë! Ia pafsh hajrin! Unë, kam nuse.

- Vërtetë ke nuse, por nuk është si ajo që ta kam gjetur unë pas shtatë malesve. Plak, është me faqe të kuqe. Flokët i ka pas shpine dëllinjë nga Dardhat Gorrice, deri në fund të këmbëve. Ashtu, siç i do ti te “Përroni i Thanës”. Bereqetin në lëmë nuk mund ta fusin në hambar as shtatë burra. Po të duash ta paguaj edhe biletën të shkosh në atë Qytet të Anadollit.

- Jo. Falemnderit. Nuk ka nevojë. Le t’i ketë të kuqe jo vetëm faqet, por edhe bereqetin e tundshëm e të patundshëm me gjithë rraqe përmejdani…

- E merrja me mend unë këtë punë. Ti je mësuar të jetosh këtu në varfëri. Ta mbajsh barkun me dorë për bukë nëpër ditë. Plak, ky është vend fukara. Vend i nemur nga Baba Dovleti. Dëgjomë mua, ec hipi trenit shko te nusja në Turqi!

- Për ty është i varfër, por mua nuk më lënë të ik varret…

- Ha - haa - haaa!... Plak, të kam ditur të mençur. Ti flet marrëzira.

- Nuk dua të më dish të mençur, unë e di ku ma ke bërë gropën.

- Ndalu pak, plak! Ngutesh. Mos fol ashtu, he burrë! Unë gropën?

- Fatkeqësisht, ti e ke mbuluar edhe me kashtë. Vetëm mos harro, populli thotë: Ai që ia bënë gropën tjetrit, bie vetë në gropë.

- Plak, unë e pata për të mirën tënde, desha të të dërgoj në një vend me lule.

- Ti më premton lule, por unë i dua ferrat, rrëzë Ҫuke!...

- Plak, thyeje këmbën e shejtanit!

- Jo. Më tepër e dua këtë vend! Atdheun. Të parët e mi… Nanën… Babain me dhjetë plagë në trup… Kurrë, nuk do t’ia arrish qëllimit të më përzësh nga kjo baltë. Edhe, e di pse?! Askund, nuk zure vend si kurva burrë më burrë, duke shëtitur parti më parti politike. Kurvës, tekefundit i ka hije. Mos them, ma përkujton edhe shtafetën e shokut Tito dorë më dorë, kur ia dorëzonin pionierët me nga një shami të kuqe përqafe për ditëlindje. Vetëm, se: sot, ti nuk ke kujt t’ia dorëzosh “shtafetën”?! Babai yt, hëngër fiq dhe vdiq, mbete qyqe mes sorrave.

Përçudi, kur u doli gjumi gati të gjithë të përzunë me një shqelm bythëve: Ibrahim Rugova nga Prishtina, Sali Berisha nga Tirana. Rehabilitim, kërkove në Shkup te njerëzit e penës, Pashallëku i Babait. Shkaku, se: këta mund t’i manipulosh më së lehti si kakademikë. Vrik ike pasi i përçave edhe këta “artistë” partiak dhe, bythekrye drejtë te Kabineti i Babait. Vite më vonë, pas lufte (2001), nga ku si i “përndjekur politik” do t’i sulesh për emërtime nëpër komisione të ndryshme institucinale e qeveritare edhe “Abazit” malit, e Sanço Panços shqiptar. Universitetit të Tetovës. Edhe këtu nuk të zuri bytha vend, duke u marrë me “veprime madhore patriotike”, dhe një ditë të përzunë si qen me zgjebe. Kohën e fundit, në kuadër të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, përsëri manipulon me njerëzit e painformuar të penës, përuron “kulturë madhore shqiptare” nëpër birucat e errëta njëpartiake nëpër “Bit-Pazar”. Hap debate kulturore sakatuese me vetevten pa asnjë zë kryengritës të ftuar që mendon ndryshe nga Klani juaj “sllavo - shqiptar”: rreth Encikopedisë maqedonase, Letërsisë maqedonase, planprogrameve shkollore, teksteve shkollore, lektyrave shkollore.

Gurë e dru hudh para të pranishmëve mbi “vëllezërit” e Njerkës si fajtorë. E harron se ti je fajtori kryesor, pyka e tyre teknefese: përpilues i teksteve shkollore, anëtar i komisonit për ndarjen e çmimeve në nivel republikan, manifestime kulturore. Fotografohesh para kamerave telelvizive pa fije turpi me dy - tre kalorës të arratisur e ndonjë Sanço Panço në emër të popullit shqiptar për Dylqinenë e Tobozës. E, harron se arsimi dhe kultura nuk i takojnë vetëm një partie politike, po mbarë popullit shqiptar. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të na përçash si shqiptarë, shesësh lirë te “vëllezërit” e Njerkës. Nesër, ku do të përfundosh me gjithë këtë “bagazh patriotik - artistik” mbi shpinë gjoja për “vëllazërim - bashkim” në shtetin e “përbashkët”?! E di, vështirë e ke të më përgjigjesh. Ja, po ta them unë si Profet shqiptar: Askund më larg se në ndonjë varr - hale. Përditë e më thellë fundosesh në hurdhë. Dora e valëvitur vetëm të ka mbetur jashtë mbi ujë për ndihmë. Përpiqesh ta mbash gjallë shpirtin, shpëtosh veten duke i fundosur edhe shpëtimtarët e pafajshëm në fund të hurdhës. Megjithatë, e kam për detyrë të ta përkujtoj: I mbyturi vetëm tre herë delë mbi ujë. Populli thotë: rrezik është të mbyturit t’ia shtrish dorën se, të tërheq me vete në rrymën e ujit. Ferra do të të çelin mbi varr në vend të luleve. Ferra, gomari me qerre. Fatkeqësia shqiptare: Përçudi, ende vazhdon t’i shesësh personalitet shqiptare për një drekë ose darkë edhe në kohën e sotshme demokratike. Edhe, merreni me mend: në Njëqindvjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë, duke prezentuar kulturën dhe letërsinë shqipe të coptuar nëpër kufinj politik. E di, ku: në fund të sallës të Panairit të librit Shkupi 2012 me kokën në brekë. Vend, në të cilin është dashur ta prezentoni siç i ka hije Shtetin Shqiptar në Njëqindvjetorin e Pavarsisë. Qoshk, në të cilin me Kakademikun në krye nuk patët guxim të mbani në atë mes kulturor as një përurim të librit, orë letrare. Përmëkeq, ju nuk i njihni as instuticionet shqiptare që me mund, djersë e gjak i kemi themeluar dhe mbajtur gjallë edhe para tytave të armëve: Fakultetin Pedagogjik, Katederën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Dy Unversitet e Tetovës, i treti edhe në Shkup. Dy Unione të Intelegjencisë të Shqiptarëve, Lidhjen e Shkrimatarve Shqiptar, Dy Lidhje të Arsimatarëve Shqiptar e disa Klube të Shoqatës së Shkrimtarve Shqiptar nëpër disa qytete. Dorën në zemër, ne i kemi themeluar si klube të shkrimtarëve, po ti me shokët partizanë na i ke coptuar në dy - tri katër institucione shqiptare. Përçani penat më të njohura letrare të kësaj ane nëpër parti politike. Rrugës ua hudhni nga një asht shpërblim, një torbë taxhi. E fshihni fytyrën e shëmtuar me shami të zezë. Mjerim, shqiptar.

- Plak, tani, më në fund u binda se me të vërtetë qenke i marrë. Ika.

- Hupu! Theje qafën! Për këtë vend, për këto varre jam i marrë. Jetoj i marrë… Ec i marrë… Kundërshtoj si si marrë… Dënohem si i marrë… Vdes i marrë…

Njerëzit që mendojnë për të mirën tënde i ke në çdo rrugë… Fshat… Qytet… Shtihen: njëri me lëkurë të lepurit. Tjetri me lëkurë të qengjit. Por, dikur kur i hap sytë t’i shohësh më mirë, i sheh me lëkurë të gjarpërit… Dhelprës… Ujkut… Derrit… Habitesh. Fillon kokës t’i biesh me grushta. Don të zgjohesh nga gjumi. Po, e gjithë kjo është e vërtetë, o plak! Ti nuk flen. Nuk sheh ëndrra. E ke trupin e pastër, të kthjellët. Vetëm sytë të erren. Në mesin e ditës të delë Nata me ferexhenë krahëve. Me një shami të zezë përdhunshëm t’i lidhë sytë. Gojën ta mbyllë me njërën dorë dhe të detyron ta lakosh rrugën. Që, t’u bindesh urdhërave të saja, herë pas here të mëshon shpinës me thupër. Bythët nga zori i mban me duar. Të kërcënohet. Ec përpara, plak i marrë! Ti gjithmonë duhet t’i kesh sytë të lidhur, me shami. Kështu me sy të lidhur nuk do të shohësh gjë, nuk di kend ke takuar rrugës. Zëri i kujt të ka thirrur pas shpine. “Xhenazen” e kujt e ke shkelur me këmbë. Do të ecësh me sy të lidhur si duan të tjerët, plak. Dhe, nuk do të guxosh të flasësh marrëzira. He, çfarë fjalësh të mençura do të nxjerrë ajo gojë… Mjaltë. Edhe ti pak shpinën do ta zbusësh, se e ke të egër. Dikur, ajo vetë do të mësohet t’i hipë dikush dhe ti do të ulesh ngadalë në gjunj, në tokë. Më vonë me kalorësin në shpinë do të vraposh me të katra rrugës së gjatë gropa - gropa…

Mundohem. Përpiqem me duar, edhe me këmbë: vetëm, pak ta heqi nga sytë shaminë para syve. Vetëm pak, të shoh dritën përtejë mali… Vetëm pak, të shoh ç’ndodhë rreth meje, midis këtyre njerëzve me dy e katër këmbë. Vetëm disa hapa të ec i marrë fushës… Maleve… Të shoh “xhenazen” e kujt shkeli udhës. Thuprën e kujt e kam pas bythëve. Cilin kalorës e kam në shpinë, dhe kush më thirr rrugës së yjeve qiellore.

Por, kot. Mu, kur dua ta heq pak më poshtë shaminë, dy duar të fuqishme ma shtrëngojnë fortë dhe ma lidhin nyje. Paraftyroj lisat anë e mbanë udhës kokë më kokë. Zogun e mbyllur në kafaz. Shkrimtarin e çmendur mbi libër. Piktorin, varur në atelje. Diellin të pikëlluar mbi kokë. Tatën e Madhe me një gjysëm buke para këmbëve të Kalit Skënderbeut, në “Bit - Pazar”…

Zemërohem. Ngrihem më këmbë… Bërtas… Dua të ec me dy këmbë! E dini ju kush ec me katër këmbë? Nuk dua më të më detyroni të eci si kafshë shtëpiake. M’i zgjidhni sytë!... Sytë!… Sytë!... Dua vetë ta shoh botën kaq të bukur, kaq të mjerë! Kaq të pasur, kaq të varfër! Kaq të zbukuruar, kaq të shëmtuar!...

Dy duar të fuqishme m’i zgjidhën sytë. Por, kur pash se ato dy duar ishin duart e mia! Qava. E putha njërën, pastaj tjetrën dhe i ngrita lart nga qielli. Heu, qiell! Këto duar m’i zgjidhën sytë… Këto duar, kur duan, thyejnë edhe pranga. Vrapova i marrë rrugëve. Ngadalë… Shpejt… Më shpejt… Edhe më shpejt…

Dikur u binda se të marrët qenkan njerëz të lumtur. Njerëz që nuk lejojnë t’ua lidhësh sytë. Nuk u binden urdhërave të asnjë kalorësi partiak. Nuk mundesh t’i blejsh me para. Natën s’e veshin ferexhenë e zezë. Ditën e bartin në duar. Natës ia zbulojnë me shkop marrëzirat e Kakademikut të lëshuara rrugëve. I nxjerrin punë Hoxhë Efendiut që të nesërmen në xhami, mëkatet e natës së kaluar t’ia mveshë Lugatit të Koçe. Grave dorëlira u shkruajnë letra dashurie të nënshkruara me emrin e Lugatit të Koçe, dhe u caktojnë takime te “Mulliri i Arapit”, rrëzë Çukës. Natën e caktuar të veshur me këmisha të bardha deri në fund të këmbëve, u dalin në takime si Lugat i Koçe, që t’u shtohet bereqeti në Lëmë para shëpisë…

Fundi. Ka ardhur fundi të flas marrëzira edhe në xhami. Nuk mund t’i duroj të gjitha rrenat e Hoxhë Efendiut. Kakademikut si rrufjan, që nga koha e komunizmit. Sot, Neokomunizmit. Fytyrat e tyre të shëmtuara mbjellin tmerr… Frikë… Vdekje… Nën petkun e tij “patriotiko - fetar kuqezi” fshihet Dreqi me dy brirë në ballë. Ai ditën ua këndon besimtarëve Kur’anin, ndërsa natën zgjohet lugat. Duart e tij që prekin Kur’anin dinë të marrin edhe shpirtëra. Suksese të pakapërcyera ka arritur te fëmijët. Nuk ma merr mendja Hoxhë Efendiu të jetë kujtuar vetë për këtë mjeshtri. Është dikush tjetër që e ka ushtruar dhe mësuar në këtë profesion. Mua më vjen çudi, se si njerëzit kanë aq besim në ato duar të përlyera me gjak, kërkojnë ndihmën e tij, u binden këshillave të tija edhe pse, ato duar u sjellin vdekje. Këto dreqni të hoxhës më friksojnë edhe mua plakun. Them: mos ndonjë ditë do të shkoj edhe unë vetë si qengji te kasapi, të kërkoj të më shërojë Hoxhë Efendiu?!

Ndodhë, Hoxha të m’i marrë mendtë, si dhelpëra kur ua merr pulave majë peme. E dini ç’thonë fshatarët për dhelprën dinake dhe pulat? Ndoshta, e dini. Dhelpra i shikon pulat nga poshtë, nën pemë. E ato i bien pa mend një nga një para këmbëve. Ndodh, Hoxhë Efendiu t’i ketë sytë e dhelprës… Dhëmbin e gjarpërit… Gojën e ujkut… Zemrën e derrit…

- Tungjatjeta, plak -o!

- Tungjatjeta, zoti Shkrimtar!

- Plak, nga të çojnë sot këmbët?

- Në xhami.

- Në xhami plak, është Hoxhë Efendiu me shokë. Kakademiku me “salep - intelektualët”, që i falin mbi qilima të Persisë pesë “vekte”, i luten Zotit për mëkate nateditë. Ditën rrinë me “patriotët kuqezi”, e natën kokë më kokë me “vëllezërit” e Njerkës. Të japin injeksion në kokë. Ta varin hajmalinë përqafe si torbë me taxhi për Ditën e Nesërme.

- Zoti Shkrimtar, nuk mundem më ta bind veten që të hesht para gjith këtyre marrëzirave. Një ditë do t’ia përplas në sy Hoxhë Efendiut para “xhematit”, të gjitha të mirat e të këqijat.

- Plak, me këtë ecje do t’u ngjitesh maleve.

- Mjaft më ndejta fushave, zoti Shkrimtar. Dua të pij edhe ujë burimi!...

- Plak, edhe mua më duket se këtu shkrimet e mia nuk kanë zë, do të hip në majë të Çelëvjollcës që e prek me kokë qiellin…

- Zoti Shkrimtar, më kot dua t’i zgjoj me shkop të vdekurit nga varret. E kanë gjumin e rëndë me vite nën ata gurë…

- Hesht, plak! Mos shih ëndrra! Unë, nuk mundem t’i zgjoj të gjallët nga gjumi, e ti kërkon t’i zgjosh të vdekurit…

- Zoti Shkrimtar, nuk zgjohen të gjallët me poezi e libra duke i rënë samarit, t’i teket gomarit, ashtu siç nuk zgjohen të vdekurit me shkop duke u rënë gurëve të varreve.

- Po, ç’të bëjmë hallit, plak?

- Të ngrihemi vetë më këmbë… Ta shajmë Natën me ferexhe… Zogun e keq, që na këndon mbi çati. T’i bërtasim Dimrit Madh… Përzëmë nga mesi ynë Hoxhën me shokë me ferexhenë krahëve. Kakademikun me “salep - intelektualët” hipur mbi gomarë.

Dielli me rreze, patjetër duhet të lindë maleve në Çelëvjollcë… Thërrasim Pranverën, Shqipërinë Etnike në minaret e xhamive shqiptare…

(Nga libri: RRUFJANI (Shkup, 2013).



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora