Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Biografia e shkrimtarit dhe letërsia
E enjte, 18.08.2022, 07:34 PM
BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
Nga
Visar Zhiti
Nuk
ka biografi shkrimtari që nuk zbrazet në veprën e tij letrare, madje ajo, jeta
e tij, nuk mjafton dhe shkrimtari merr dhe jetë të tjera dhe shkruan dhe vepra
të tjera, kështu deri në fundin pafund…
Por
as letërsia e tij nuk është thjesht biografi e tij dhe cilado biografi, sido të
ketë qenë, gjithsesi s’eshte letërsi, edhe pse jetët dhe veprat janë të lidhura
midis tyre, ja, ashtu si enët komunikuese, më vjen krahasimi.
Në
fund të fundit, mendoj prapë, se ato janë dhe tjetër gjë, madje edhe të ndara,
po e vazhdoj krahësimin, ashtu si ena me atë çfarë ka brenda.
Nëqoftëse
do të biem në biografizimin e letërsisë, pra, dhe ta gjykojmë atë të nxitur
fatalisht nga biografia e autorit, atëhere duhet që një jetë zulmëmadhe plot
lavdi e famë, të ketë dhënë dhe një letërsi të tillë, etj, atëhere duhet të
detyrohemi të pranojmë që shkrimtari më i madh shqiptar mbetet të jetë
Skënderbeu.
Është
poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri që do të shkruante poemën për atë, pa patur
biografi kryengritësi dhe punoi në kryeqytetin e perandorisë me të cilën u
përball Skënderbeu. Poetit tjetër Kombëtar, At’ Gjergj Fishta, iu persekutua
vepra letrare për shkak të biografizimit barbar, kur sundonte Realizmi
Socialist dhe po sipas këtij vështrimi, diktatorin Enver Hoxha e trajtuan dhe
si shkrimtar kalibri, madje u arrit deri atje sa librin e tij memuaristik, të
zakonshëm, “Vitet e vegjëlisë” t’ja kundërvenë romanit të shkëlqyer “Kronikë në
gur”, autobiografik janë të dy dhe autorët janë nga i njëjti qytet,
Gjirokastra.
Po
hidhem në të kundërt, në jetët mjerane, bastarde të artistëve apo të
përndjekura. Njoh bashkëvuajtës burgu, qendrestarë të lartë, që kanë shkruar
vepra monumentale, por di dhe të rrënuar moralisht, të thyer, spiunë, por kanë
dhënë vepra të arrira. Të qënit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit nuk ka
qenë pengesë, mbase as avantazh, që të kenë dhe poezi, krijimtari të lavdëruar.
Po
marr dhe shembuj të huaj, se janë më sugjestionues: poeti amerikan Ezra Pound
ishte fashist, u dënua dhe si i tillë, por atë e mbajnë si ndër poetët më të
mëdhenj në botë të shekullit XX.
Pound
mbështeti dhe promovoi bashkëkohësit T. S. Eliot, James Joyce, Robert Frost,
Ernest Hemingway. Personalitete të tilla kërkuan dhe lirimin e tij nga burgu.
Biblioteka e Kongresit Amerikan e nderoi me Çmimin “Bollingen”. Vepra e tij si
poet nuk u gjykua prej biografisë së tij as si fashist e as si i sëmurë në spitalin
psikiatrik. Po kêshtu dhe Majakovski, edhe
pse Bolshevik i tërbuar, edhe në vepër, ai çmohet si poet futurist dhe
në Perëndim…
Prapë
nuk them se biografia e shkrimtarit nuk është e lidhur me letërsinë e tij.
Shumë fort madje. Por, thënë thjesht, janë si pema e lidhur me frutin e saj, ku
fruti s’është pema, askush nuk e ha sa krahu degën e mollës si mollë.
Ndoshta
unë dukem disi tendencioz në mosbiografizimin e letërsisë, nga që vetë jam
autor që kam qenë në burg, u dënova me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia,
refuzova bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, kjo e dokumentuar dhe s’dua të
komplesoj asnjë koleg, por mbi të gjitha s’dua që krijimtaria ime, poezi,
romane, ashtu siç janë ato, të varen prej biografisë time, por të bëjnë jetët e
tyre të pavarura.
Më
dhimbet dhe e dua letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, por nuk dua që
të shihet vetëm si e tillë, kur ajo është natyrshëm letërsi shqipe.