Mendime
Enver Bytyçi: Mesazhet e munguara të Presidentit Begaj në Kosovë!
E merkure, 17.08.2022, 07:55 PM
Mesazhet e munguara të Presidentit Begaj në Kosovë!
Nga
Enver Bytyçi
Presidenti
i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Bajram Begaj, po qëndron për vizitë dy ditore
në Kosovë. Takoi presidenten Osmani dhe po takon me radhë kryetarin e
parlamentit, zotin Konjufca, si dhe kryeministrin Kurti. Presidentja dhe
kryeministri mund të kenë folur edhe tet a tet (kopf an kopf), pra kokë më
kokë, në katër sy. Nëse po, atëherë së paku nuk ka patur nevojë të kenë
përkthyes. Sepse si e ka sjellë punën Edi Rama në marrëdhëniet me Kosovën, mund
të shkohet deri te përdorimi i përkthyesit për të dëshmuar largësinë midis
palëve. Por për presidentin Begaj është heret të mendohet kësisoj, edhe pse ai
është produkt i autokratit Rama.
Kjo
është vizita e parë e presidentit të ri jashtë vendit. Dhe ishte e natyrshme të
ndodhte kështu. Megjithatë do të doja të bëja një analizë empirike rreth
deklarimeve të presidentit shqiptar në Prishtinë. Në konferencën për shtyp zoti
Begaj u zotua për të njëjtat gjëra që zotohet edhe kryeministri Rama. Nuk doli
jashtë tyre. Pra nuk foli për çeshtje të cilat Iikonteston qeveria dhe
institucionet e Kosovës ose zoti Rama, sidomos në raportet midis kryeministrit
të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë, Open Balkans e tjerë.
Temat
që artikuloi ai kanë të bëjnë me vlerësimin e lartë për Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës, duke kujtuar se "asnjë raport i trilluar nuk e zbeh dot këtë
trashëgimi të lavdishme"! Pra duke risjellë në vëmendje si akt patriotizmi
rezolutën e parlamentit të Shqipërisë (në fakt të Edi Ramës) drejtuar Këshillit
të Europës. Në këtë rast do të mjaftonin fjalët dhe vlerësimet për UÇK-në,
ndërkohë që implikimi në një lloogari personale të Edi Ramës me Hashim Thaçin
ishte i panevojshëm. Sepse rezoluta, në kushtet që vetë i akuzuari, zoti Thaçi,
nuk e paditi Dick Marttyn në gjykatë, siç kishte premtuar, është me ndikim zero
për fatin e të akuzuarve në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Shkurt,
presidenti i Shqipërisë nuk duhet të bëjë vizita me axhendë të kryeministrit.
Nëse vazhdon me këtë stil, atëherë do të konsiderohet si noter i tij.
Presidenti
Begaj me të drejtë tha se “Liberalizmi i vizave për Kosovën është premtim i
vonuar…" Por ky është thjesht një konstatim. Madje edhe Beogradi nuk e ka
kontestuar ndonjëherë liberalizimin e vizave me Kosovën. Sepse kjo nuk cënon
"sovranitetin" serb në këtë vend të pretenduar nga kushtetuta e
Serbisë. A je i zoti zoti President t'i thuash Brukselit se "Nëse ju nuk
liberalizoni vizat deri në një kohë të dhënë, atëherë unë, kreu i shtetit
shqiptar, do t'u jap nënshtetësi qytetarëve të Kosovës së persekutuar"! E
bën dot këtë?! Jo të japësh shtetësinë, por më parë të japësh një afat të
arsyeshëm për BE-në. Nuk e bën dot o president "sovran" i një vendi
"sovran"!Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për t'iu qarë hallin,
ata duan t'ua zgjidhim hallin. Kot t'ju them: Të jeni i sigurt zoti Begaj se
nëse BE do të kishte vonuar liberalizimin e vizave për Serbinë, siç bëhet me
Kosovën, këtë kërcënim ndaj Europës do të kishte bërë Edi Rama! Po Kosova nuk
është Serbi edhe në këtë pikëpamje!
Ajo
çfarë më ra në sy ka të bëjë me angazhimin e zotit president të Shqipërisë për
të promovuar përmes Këshillit të Sigurimit shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo
është detyrë kushtetuese, të cilën do të duhet që presidenti t'ia kërkojë
publikisht kryeministrit dhe ministrit
të Punëve të Jashtme të vendit të tij. Për këtë ai duhet të ketë një
axhendë përgjegjësie, kontrolli e informimi. Nëse zotimi bëhet në emër të zotit
Rama, atëherë është diçka tjetër. Por kryeministri nuk do ta pyesë presidentin,
nëse në Këshillin e Sigurimit do të promovohet ose jo shteti i pavarur i
Kosovës. Nga ana tjetër ne kemi parë se si kryeministri promovon pa limit
shtetin e Serbisë dhe bën avokatinë e tij. Dy kunguj nuk mbahen në një dorë, aq
më tepër që këta dy kunguj rrokullisen për t'u përplasur me njëri-tjetrin. Në
këtë kuptim edhe kjo deklaratë është propagandë, premtim futurist!
E
vetmja deklaratë esenciale politike mbetet ajo për mbështetjen e plotë të së
drejtës legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen sundimit
të ligjit në veri të vendit. Dhe konstatimi se "Realiteti i Kosovës së
pavarur është i pakthyeshëm". Për mua ky angazhim i presidentit shqiptar,
Bajram Begaj, është obligativ. Por edhe kjo do ta vendosë atë në kundërshti me
kreun e ekzekutivit! Praktikisht unë kam dyshimet e mia të bazuara dukshëm në
prova dhe argumente, nëse kryeministri Rama e konsideron realitetin e Kosovës
së pavarur si të pakthyeshëm ose jo. Unë vazhdoj të besoj se Edi Rama vijon të
punojë për ndarjen e saj dhe zhbërjen e këtij shteti. Dua të jem i gabuar, por
ama nuk dua që presidenti im të jetë aq naiv, sa të mos e kuptojë intrigën e
lojës politike që bëjnë kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë
kundër Kosovës. Mjafton të lexojë agresivitetin e arrogancën anti-kosovare të
Aleksandër Vuçiq dhe heshtjen ose nganjëherë mbështetjen që atij i jep Edi
Rama!
Gjithësesi
vizita e presidentit të Shqipërisë në Kosovë është gjithnjë një ogur i mirë dhe
një përpjekje së paku për të sqaruar realitetet kundërthënëse midis Tiranës dhe
Prishtinës së sotme sa i përket çeshtjeve të përbashkëta. Çeshtje e përbashkët
është edhe qëndrimi ndaj Open Balkans. Shpresoj që zoti Begaj ta ketë marrë
mesazhin e zonjës Osmani dhe zotit Kurti për këtë lloj inciative që synon
pikërisht atë që thashë më lart, zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, për të cilën
presidenti thotë se është e pakthyeshme!
Fjalë,
zotëri, fjalë!