E merkure, 24.04.2024, 09:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Flora Sela - Kastrati: Parashikimet krijuese për ditën e nesërme

E marte, 16.08.2022, 07:33 PM


PARASHIKIMET KRIJUESE

PËR DITËN E NESËRME

NGA FLORA SELA – KASTRATI

ORIGJINALITETI KRIJUES FYT PËR FYTI ME VLERAT E DYSHIMTA LETRARE

Përderisa nëpër këto përsiatje hyjmë të notojmë mes dallgëve dhe në bregdetin e notit shikojmë forcën se si dhe cili mund të arrijë larg e më larg, edhe në krijimtari po kjo vlen që të maten nivelet krijuese. Shumë krijues hyjnë të bëjnë not dhe ngecin nga frika se mbyten në hurdhë, ose bashkëngjiten me peshqit e vegjël që dalin nëpër skaje ku bërrakat e ujit janë më të ngrohta duke u larë me bretkosat. Dhe, me këtë janë më të shikuar nga shumë vizitorë që arrijnë në ato çaste t’u drejtojnë shikimet nga bregu.

Në krijimtarinë letrare, kjo nuk është asgjë pos një elegancë dukjeje në vitrinën e paraqitjeve të këtyre vogëlushëve krijues që e heqin veten sikur janë ujqër. Dhe, me atë stil, po ata bëjnë përurime, bëjnë shitje e stërshitje të “veprave” të tyre të botuara, pa e ditur se në brendinë e kopertinave të atyre librave nuk ka asnjë gjellë dhe shije që do të shprehte individualitetin krijues. E si të arrijmë deri te këto matje të vlerave letrare? Ku janë masat (kandari)? Ku janë parametrat që bëjnë përkufizime? Ku janë kritikët letrar? Ku është opinioni lexues?

Përfundimisht, dua të them se në këtë kohë janë zhdukur shumë binarë që mund të vënë në lëvizje lokomotivën, e cila do të arrijë në stacionin e fundit, ku duhet të zënë vend pasagjerët e quajtur individualitete krijuese. Në atë stacion të gjithë kanë të drejtë të hyjnë nëpër vagona, por nuk kanë të drejtë të bëhen banorë të asaj kalaje me vlera të vogla, sepse aty, sipas gjithë asaj që flitet, mund të zënë vend po ata që vërtet kanë vlera të arrira shumë origjinale në krijimtari, çfarëdo qoftë ajo: poezi, prozë, dramë. Mund të jenë edhe ese, vështrime të të gjitha llojeve, edhe shkencë.

Po, nëse ndalemi të pyesim veten: Vallë, deri tani si kemi arritur të themi se kemi bërë krijimtari artistike pa i dalluar krijuesit me nivelin e tyre artistik? Nëse e morëm shembullin e notuesve në bregdet, bie në sy ai që di të bëjë not nëpër dallgë, jo sepse hyn e menjëherë lag brekushet, por sepse gjatë notit mund të hyjë në thellësitë e detit të notojë me pashkaqenët, ku shumë të tjerë edhe me anije të nisen kanë frikë. Ose, është më i madh se të tjerët ai peshk, jo sepse e shikon në bregdet që rri me tufat e peshqve, por sepse kur e zë me rrjetë di të të shpëtojë duke e grisur rrjetën nga pesha dhe forca që ka te koka, fletët dhe bishti. Edhe krijuesi është i tillë, jo sepse ka bërë shkarravina nëpër faqet e letrave të bashkuara me kopertinë dhe të adresuara me titull dhe autor, ku qëndrojnë si të mjerë recensentët dhe redaktorët pa thënë një fjalë, ose ata që japin të hollat për botimin e librit, por për thëniet dhe domethëniet origjinale të shprehura në librin, që arrin të shqetësojë trurin, të prekë zemrën dhe të trazojë vetë lexuesin për kënaqësinë që ndjen gjatë leximit. Edhe krijuesit janë si peshkaqenët, por jo ata që e arrijnë këtë me anë të citateve të vjedhura nga shumë krijues të tjerë, pa ua treguar fusnotat, ose duke i treguar ato të përgjysmuara, e duke mbushur shumë faqe, që të arrijë të duket se ka bërë një punë kolosale. Krijuesi është ujk në letërsi, jo sepse tregon që mundet të krijojë vetëm duke marrë shembuj dhe duke u ndikuar nga të tjerët për atë që shfaq me anë të paraqitjes së literaturës, por sepse me anë të fantazisë së tij të bujshme dhe me anë të mjeshtërisë së tij fantastike shfaq pikëpamjet parashikuese të shoqërisë për një Ditë të nesërme.

Prandaj, në përditshmërinë tonë, ashtu siç shfaqej edhe në të kaluarën në çdo etapë të brezave krijues, lind po e njëjta pyetje që here - herë arrin të marrë përgjigje, here - herë mbetet pa përgjigje; here - herë ndez shumë dialogje dhe me to çohet aq shumë mjegull dhe vetëtima, rrufe pa pikë shiu e pa pikë blerimi; e here - herë mbetet me një heshtje mortore që thuajse gjithçka është e ngrirë dhe nga ajo akullnajë e madhe paraqitet një vel në horizont që flet se pas heshtjes mund të pasojë një bubullimë e cila do sjellë stuhi për të dalë në breg pasi të ketë shtie rrufeja. Me këto paraqitje dilemash ende në agjendën e shqyrtimit qëndron pyetja:

Krijuesi lind, apo bëhet?

Për ta afruar objektivin tonë aty ku e kemi synimin, për të ndriçuar sadopak në atë errësirë të shtresuar të hapësirës ku ka vepruar me qëllim të keq një politikë shumë tekanjoze, për të zhvilluar krijimtarinë e gjithëmbarshme të njerëzimit, sërish do të përpiqemi të japim ca theksime. Dhe, ato janë theksime që e vënë në relacionin e përkrahjes apo të mohimit krijuesin. Sepse, i strehuar në mesin e shoqërisë, edhe ai si këngëtarët, si sportistët, si miss -et e mister -at, si kuzhinierët, si rrobaqepësit etj., del me mallin e vet në treg. Me librin, që ose mund të jetë krejtësisht origjinal, ose siç theksuam më lartë mund të jetë libër i tipit mulat, por sidoqoftë, në krahasim me këto që thamë, është më pak i vlerësuar nga kritika letrare.

Siç e thamë edhe më lartë, një këngëtare aspak profesioniste, por që di të dredhë e të dalë jashtë mbulesës, që di të shkundë, tundë e përdredhë bythët dhe belin e hollë, merr për një këngë që e këndon afërsisht pesë minuta po aq vlera materiale sa dhe shitjet e një libri të botuar të krijuesit me një ekzemplar rreth 1.000 kopje. Ose, për shembull, kemi dëgjuar të flitet për kontrata të shumë lojtarëve, që kanë vlera edhe më të mëdha se vetë vlera e çmimit “Nobel”, që ka marrë një krijues. Ose, nëse duam skajshëm ta banalizojmë karakterin e vlerësimit të krijuesit, themi se veprën e tij të shitur me copë ai e vlerëson sa një pjatë me çorbë, apo sa një pullë që rrobaqepësi i qep për kostumin. Ky krahasim aspak i shijshëm, por real, ka bërë që në këtë sipërfaqe të pushtuar nga mendësitë e ndryshme të mbijetimit, vështirë mund të flitet për individualitete krijuese.

Kurrë nuk ka ngjarë në histori të shkruhet se filani që u mor me një zanat, në prag të buzëvdekjes së tij, përfundoi aq mjerisht. Për krijuesit ka shumë shkrime biografike, shumë kronika, shumë letra dhe shumë kujtime se si ata, të mbetur në fijen e fundit të shpresës për një kafshatë buke, u drejtoheshin të dashurve të tyre, miqve apo shokëve për ndihma. Përse ka ndodhur kështu? Kush mund t’i përgjigjet këtij realiteti?

Atëherë, si ta vlerësojmë parashtrimin e pyetjes nëse krijuesi bëhet, apo lind? Jam me qëndrimin se nëpër shumë mese, nëpër shumë skuta, nëpër shumë vende me banim të njerëzve, përditë lindin gjeni. Por, për ata duhen gjetur mekanizmat se si duhet të zhvillohen, ecin dhiareve për në Baba Tomorr. Pastaj, mund të flasim edhe për individualitete krijuese...

PARASHIKIMET KRIJUESE PËR DITËN E NESËRME

Gjithë kohën, në çdo nivel të arsimimit, ndeshemi ballë për ballë me ndjesitë krijuese.

Na ka rënë të hasim gjithfarë nivelesh të shkrimeve, që nga nisma e deri në mbarim të shkollimit, kur kemi hasur pengesa të pakuptimeve, çoroditje të sintaksës. Por, duke i kaluar ato pengesa, ne kemi arritur të krijojmë ndjesitë krijuese. Përse këto përshtypje të pashpjeguara për këto shije të tilla pa kripë? Si t’i deshifrojmë në të ardhmen dhe të flasim me një qasje më studioze? Sa janë prezente shpjegimet për këto ndjesi shpirtërore? Ekzistojnë qasje më studioze për këto fenomene shumë komplekse, që pothuajse nuk ka lexues që nuk i përjeton mes atyre faqeve. Po, vetë krijuesit, çfarë përjetojnë gjatë kohës së krijimtarisë së tyre letrare?

Është shumë e domosdoshme të analizohen gjendjet e krijuesve. Ata përmes shkrimeve kanë arritur të bëjnë pasqyrime të ndryshme të dramës sonë jetësore. Ata mund të provohen gjithmonë dhe me to mund të krijojmë shumë ligjërime të natyrave që na përcaktojnë. Fjala bie, duke lexuar prozat dhe poezitë e Migjenit, çfarë do të ndjenim? Përse në ato çaste vetvetiu të lind një dëshirë për transformime rrënjësore të një shoqërie e cila ka ngecur dhe nga vuajtjet që përjeton të bën të klithësh? Vallë këto proza i kanë lexuar ata që duhet të japin një mundësi për të ecur shoqëria përpara? Ata që qëndrojnë mbi civilizimin dhe me dashje ndalojnë rrjedhat e dritës, ndalojnë rrezet e një dielli që sjell ngrohtësi, për të krijuar një acar në gjendjet dhe mirëqenien shoqërore.

Po të mbajmë llogari për këto plagë të krijuara dhe me një ilaç t’ia kurojmë plagën shoqërisë sonë, vallë do të arrijmë të jemi më të shëndetshëm nesër? Kam mendimin se kjo gjë mund të bëhet me një lehtësi shumë magjike. Fjala vjen, duke i dhënë dorën e përkrahjes secilit; duke ia lejuar me një mirëkuptim rrugën e mbarësisë; duke mos e yshtur për të bërë vepra të këqija. Kur e them këtë, kam parasysh dukuritë që tani janë bërë kulçedra me shumë krerë. Polipe, që edhe po të duash t’ua presësh një kokë, të tjera u rriten dhe u bëhen më të mëdha, vjellin flakë. Prandaj sot, kur duhet të krijohen vepra të niveleve artistike, janë pushtuar të gjitha informacionet, të gjitha kronikat, të gjitha rubrikat e gazetave dhe mediumeve për të spikatur zhvillimin e dhunës në familje dhe shoqëri, ashtu siç flitet për zhvillimin e një të keqeje të madhe siç është narkomania, droga apo prostitucioni. Po, si dhe ku zhvillohen këto prodhime “bujqësore” me afate të skaduara përdorimi?

Këto zhvillohen në medium, qyshkur qëndrojnë si top tema në shumë shkolla të mesme; qyshkur qëndrojnë si top tema në shumë fakultete; qyshkur qëndrojnë si top tema në universitete. Për çfarë të elaborojmë më parë si profesionistë?

Kur flas për këto fenomene të zeza, kam parasysh se të gjithë e kanë rrokur për fyti krijimtarinë dhe krijuesve ua kanë zënë frymën. Me pamundësinë e frymëmarrjes së lirë dhe të nevojshme, është krijuar gjendja tjetër që ka asgjësuar natyrshmërinë e zhvillimit natyror. Nga eksese të tilla ngurruan shumë prindër t’i dërgonin bijat e tyre për shkollim, ashtu siç nuk i dërgonin edhe meshkujt, se mund të dilnin nga feja, mund të hidhnin kësulën leckë nga koka dhe të bëheshin kaurrë të pa fe, mund ta transformonin traditën dhe pastaj ta pësonte gjithë trashëgimia. Por, kjo betejë u fitua me luftë. Tani, shkollat që frekuentohen nga nxënës e nxënëse janë plot. Vetëm në aspektin tjetër po zbrazen. Nëse ka synime që çdo nxënës dhe nxënëse të bëhet frekuentues i shkollimeve të larta, studimeve dhe shkollimit pasuniversitar, një lëngatë shumë aktuale është duke u bërë pengesë. Sot në parashkollore mungojnë foshnjat. Nëpër klasat e para mungojnë nxënësit. Domethënë, është numri i vogël që ka shënuar rënien e dukshme për hir të ndryshimit mental të lindshmërisë, por edhe zbrazja e bardhë që dita ditës familjet shqiptare zbarkojnë në shtigjet e Europës dhe të Amerikës, ku përpara disa viteve vetëm mashkulli shkonte të trokiste për punë. Tani, komplet ai si prind, me gruan dhe fëmijët, ia mësyn për t’u vendosur atje edhe me shtëpi, dhe për të siguruar kafshatën e bukës.

Si do të flasim për rrjedha të shëndetshme të krijimtarisë letrare, kur gjeneratat tona arritën me shumë vështirësi të bëhen me fakultete? Në të kaluarën flitej për tregun e shqiptarëve që dilnin ditën e “Shën Gjergjit” me një shkop dhe janxhik në krah për t’u bërë barinj, dhe niseshin pas atyre që kishin vendet e punës dhe pushtetin, që të shërbenin kështu si barinj dhe ndihmës të të gjitha llojeve të punëve, për të marrë pagë në ditën e “Shën Mitrit” dhe për t’u kthyer të gëzuar më pas, duke i siguruar familjes një kafshatë që të kalonin dimrin. Vite më vonë, kjo elitë barinjsh u nis me trenin e mërgimit për të pritur me net e ditë në kufirin e largët të Jesenicës, atje ku prekej Europa e zhvilluar dhe dallonte nga shkrumbi dhe balta, nga skamja e nga mjerimi i Ballkanit, që barinjtë e ndjenin sapo kalonin në trenin e Europës dhe hynin të bënin nevojën në pastrimin e thatë të WC -ve të tij. Ata shkonin për të punuar nëpër baushtellet e Europës. Atje, pos punëve me lopatë e me kazmë që u kishte kaluar afati, ata panë se si mund të merrnin në drejtim mjetet motorike. Dhe, pas një kohe të caktuar në kurbet, ata filluan të defilojnë (si për çudi të të gjitha atyre përshtypjeve nga paaftësia baritore) e të vijnë me vetura të shtrenjta luksoze.

Në këtë nismë ndjesish krijuese filloi transformimi, duke kopjuar pjesë nga moda, nga ndërtimtaria, nga ushqimi. Sërish, ajo që u bë më transparente ishte shprehia se si mund të harrohej uji si pije, se gjermanët nuk e përdornin, por në vend të ujit pinin birrë.

Ky ishte hapi i atyre që për shumë arsye krijuan dhe shprehi të tjera të luhatjeve dhe ndeshjeve në shoqëri, që të sillnin emrin e njeriut pijanec. Por, ky degjenerim nuk pati shumë mundësi t’i ndalë rrjedhat e të mirave që bëheshin nga mërgimi. Nëpër dekada që nuk i ngjajnë njëra - tjetrës, edhe ky vend i Ballkanit u pajis me zhvillimet teknike që vinin dita - ditës dhe ndryshonin mendësinë tonë të jetesës. Arritja e radiove, magnetofonave, videove, televizorëve, kamerave, dhe kohën e fundit edhe të kompjuterit, ishte një sfidë e vërtetë, ashtu siç nisën ndërtimet e shtëpive me planimetri të Perëndimit, ashtu siç depërtuan veturat luksoze për të treguar nivel, siç u krijua dhe shprehia e kursimit të mjeteve të deponuara në banka, që ata, barinjtë e dikurshëm me struke arnë mbi arnë, të tregonin se kishin arritur një nivel të lartë të kapitalit dhe se jetët e tyre i siguronin me kamatat që merrnin nga bankat.

Por, ajo ishte një ëndërr shumë e shkurtër, prezente nëpër dekada. Pastaj, filluan shumë peripeci. Mirëpo, ajo që nuk ndodhi ndonjëherë ishte vetëm ndjesia e krijuesit. Si nuk arriti elita intelektuale të shfaqej me gjithë këto mundësi që kishte dhe të arrinte shprehitë e krijuesve të Perëndimit? Fjala bie mjekët, juristët, ekonomistët, inxhinierët, të cilët udhëhiqnin institucione me rëndësi; po ashtu edhe shkrimtarët, aktorët, gazetarët që përpiqeshin të krijonin me metodën e narracionit vepra pa funksion, vepra mushka; si dhe të gjithë shkencëtarët që shpjeguan metodën socialiste dhe proceset e atij modeli që perëndoi, pa u shkuar ndërmend se teoria aq e zhvilluar kurrë nuk korrespondonte me praktikën, por ishte ndesh me realitetin. Dhe, ajo ndeshej gjithkund nëpër botë.

Mjeku ishte betuar përpara teorive të Hipokratit, por ai sapo merrte hapësirën në ordinancë, nuk e shikonte një pacient nëse ai nuk ia mbushte xhepin. E njëjta gjë ndodhte edhe me ata që punonin si gjykatës në institucionet e drejtësisë. Po ashtu dhe inspektorët, që për gjithçka mund të të bënin fletë - paraqitje, dhe ato t’i bënin të pavlefshme nëse ai që hynte në procedurat e akuzës ua mbushte xhepin. Kjo vlente edhe për udhëheqës të ndryshëm që kishin pushtuar sportelet e administratës dhe prej të cilëve vareshin dokumente tepër të domosdoshme për qytetarët, siç kishin nevojë edhe studentët e nxënësit që të merrnin provimet, por që pa u futur në indeks shumat e parave devizore, nuk arrinin dot të kalonin vitin.

Gjithë këto ndjesi krijuese të zhvillimit të shoqërisë, por edhe ndjesitë krijuese të krijuesve vetë, u ngulfatën. Duhej të ishe gjeni, që të arrije nëpër këtë mister të ishe origjinal, të ishe pa imitim e arnime që të notoje në oqean mes dallgëve krah për krahu me peshkaqenin. Ose, ujk të ngjitesh dhiareve drjetë majave të maleve, që një ditë të hipësh në Baba Tomor…

IMITIMET ARNUESE APO PENGESAT E GJENIVE SHQIPTAR

Nëse shpalosim gjymtyrët krijuese të shumë krijuesve që kanë mbetur të papërfunduar për rrethanat e jetës letrare, për disponimet nëpër fushëbeteja, për shumë peripeci që atyre u dolën në rrugë dhe i penguan në majat krijuese, mund të themi lirisht se puna e tyre krijuese nuk mund të vlerësohet ndryshe, por si imitim gjenial. E para, sepse kanë lënë vulën e një përmbajtjeje që është po aq e domosdoshme për të qenë në analet e krijimtarisë letrare, por nuk ka mundur të përjetojë një kërcim në letërsi. Me një fjalë, shumë vepra të krijuesve shqiptarë, ashtu siç duken shtëpitë e ndërtuara deri në karabina, kanë mbetur të papërfunduara, pa çati. Po të krahasojmë këto ngritje ndërtimesh, mungojnë edhe shumë gjëra, siç janë fasadat, dyert, dritaret, ballkonet, ose orenditë e brendshme të dhomave. Me këto principe, edhe veprave të shumta letrare të krijuesve, duke mos pasur si dhunti fantazinë krijuese, u mungojnë shumë dritare: metodat krijuese, simbolet, metaforat, si dhe strukturimet e ndryshme që mund t’ua shtojnë nivelin letrar.

Nëpër shumë proza të stërzgjatura, ku dominon narracioni, mund të bëhen shkurtime; ose shumë poezi kanë dalë padashur në sferën e një romantike që bie ndesh me realitetin; ose shumë të tjera janë po aq hermetike saqë nuk kanë lënë shteg për dalje, kanë krijuar një përshtypje se flasin për diçka dhe nuk tregojnë asgjë. Pra, mesazhet që vijnë e ndërtohen në këto vepra të shkruara letrare, janë mesazhe që kërkojnë një dhunti qiellore, që të kuptojë qëllimin dhe të mundet ta zbërthejë atë vlerë artistike. Por, si të zbërthehen nëse mungon kritika letrare? Nuk është çelësi i artë ai që hap rrjedhat se, ku duhet të arrijë krijimtaria artistike. Sa e ka luajtur ajo funksionin e vet në këto dekada? Te ne shqiptarët, sa kujdes i kanë kushtuar krijimtarisë artistike, që t’i bëjnë vlerësime racionale, që vepra e krijuar si e tillë të mundet t’u bëjë ballë nesër kohërave me shtrëngata?

Nuk është mundësuar krijimi i atyre grupeve komplementare dhe strukturave që do të mund të bënin matje të ndryshme, të cilat do të rrezatonin pasqyrime të plota për të sjellë bindjen se ne kemi po aq aftësi të krijojmë, saqë nuk arrijmë ta bëjmë siç duhet periodizimin e vlerave letrare.

Kjo është njësoj si puna e bujkut, i cili arrin të bëjë kositjen e gjithë livadheve, por në mungesë të vendit adekuat kasollës, ku do të mbajë gjithë barin e thatë, ai bën një mullar, që për hir të kushteve dhe ndërrimit të stinëve deri në pranverë, mund të jetë mullar i kalbur përgjysmë. Ashtu si krijuesit, edhe krijimtaria e tyre e ekspozuar nga shumë mekanizma, që të përballet me shumë pasoja që reflektojnë dobësi, shpesh përçudnohet me qëllim. Në pamundësi të shtypshkronjave, në pamundësi të institucioneve që do të përkrahin me mjete botimin e veprave letrare, shumë prej tyre e patën fatin të enden si dallëndyshet e para në pranverë që kërkojnë vende të përshtatshme për ndërtimin e çerdheve.

Sot mund të flasim për një numër të madh veprash letrare që u penguan dhe nuk dolën nga botimi në dritë.  Poashtu, kishte edhe një numër të madh krijuesish, të cilët në vend që të ishin në vendet përgjegjëse ku ishte e nevojshme të plotësoheshin boshësitë, u përndoqën keq si në kohën e shtrigave. Këtë fat ka pasur një numër i madh i shkrimtarëve në Shqipëri, ashtu siç kishte krijues të penguar e të ndaluar edhe në Kosovë. Një numër i madh i tyre nuk u shpëtoi as burgosjeve. Por ajo që ishte më e keqja, shumë krijues edhe u vranë nga pushteti. Me të njëjtën strategji ata të pushtetshmit vepronin edhe te krijuesit që vepruan e krijuan në Maqedoni. Pushteti i përndoqi ata, i vrau, i burgosi, i internoi, por nuk arriti deri në fund të ndalonte veprimet e tyre që hynin nga oxhaku, që dita ditës bëheshin jehonë kushtrimi dhe paralajmëronin kohën e ndryshimit të sistemit komunist.

Edhe pushteti nuk ishte indiferent. Ai kultivonte strukturat që i përfaleshin, krijonte krijuesit e vet të përkushtimeve dhe ata turreshin pas gradave që të arrinin kulmin duke shkruar tema kundër popullit të tyre, duke shkruar himne lavdie për ata që shtypnin e dhunonin liritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Është shumë e rëndësishme ajo periudhë, ku me dhunë u ndërprenë proceset e zhvillimit dhe të ngadhënjimit të shqiptarëve. Por, në arenën e zhvillimit u pozicionua një trumbetim mashtrues, se vinte në jetë “vëllazërim - bashkimi”, dhe internacionalizmi proletar. Edhe shqiptarët që përjetuan sakatime, robëri dhe shumë tirani, u rreshtuan të këndojnë këngë patetike, të manifestojnë, të bartin stafetën e rinisë dorë më dorë që nga Gjevgjelia e deri në Jesenicë për t’ia dorëzuar për ditëlindje më 25 maj shokut Tito në Beograd. Dhe, me krijimtarinë e tyre të orientuar drejt përkushtimeve, madhëruan projektin e robërisë, e shpallën tiranin si shenjtor dhe i mbajtën të anatemuar shumë heronj e martirë të idealit dhe të lirisë të shqiptarëve. Por nuk ishte vetëm kaq. Ata u përkujdesën me shumë përkushtim për krijimet e talentëve që rrezatonin të bënin me anën e simboleve, vargun e dykumtimptë e trekumptimtë, metaforave dhe shumë metodave të tjera që madhëronin të anatemuarit. Por, pikërisht struktura e graduar për të vënë në shënjestër këto ide përparimtare vepronte duke ndezur fitilat e institucioneve të tjera që ishin për të marrë masa dhe të vepronin ndryshe, duke i burgosur e duke i vrarë këto pena të talentuara që shfaqnin zgjime gjeniale për lirinë dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Kjo u bë një arenë e madhe, ku gjithë gazetat, radiot, revistat, televizionet dhe institucionet e tjera fituan të parët e tyre të besës, që krijonin përditë përkushtime për pushtetin dhe kryepushtetarin, të cilin e bënë pëllumb paqeje. Ndërsa, shqiptarët vriteshin vetëm sepse kishin marrë pjesë në orientime me ide balliste edhe atëherë kur organizonin të armatoseshin me dije, edhe atëherë kur dilnin në demonstrata për flamur, edhe atëherë kur kërkonin njësi të barabarta në federatë. Dhe, kjo ordi e këtyre krijuesve të përkushtimeve, që i merrnin diktimet nga shërbimet sekrete, arriti të shpikë dhe temat se për çfarë duhej krijuar në letërsi. E përjashtonin nga përpilimi i antologjive poetike krijuesin, vetëm e vetëm pse ishte djalë ballisti. Shembull konkret: përpilimi i antologjisë më të re të Kosovës: “Lulet në ballkon” (1982), ku redaktori i kësaj antologjie, besnik i “vëllazërim - bashkimit” titist, shkaku i propozimit në këtë antologji edhe të një poeti të “dyshimtë”, përpak gazetarët që kishin propozuar një djalë ballisti t’i hedhi nga vendet e punës te “Zëri i rinisë” i Prishtinës në rrugë.

Kanë mbetur në kodikun e kohës krijimet e atyre palaçove, që për një honorar, për një rrogë redaktori nëpër redaksi, si dhe për shkrimet editoriale të politikës ditore, nënshkruanin emrat e tyre se pajtoheshin me gjithë veprimet përndjekëse të pushtuesit, që e shpallnin të shenjtë pikërisht kur burgoseshin qindra e mijëra studentë, intelektualë dhe qytetarë të pafajshëm. Nëpër këto zgripe, ata krijonin dramën e një lumturie kolektive. Nëpër këto katandi të jetës së shqiptarëve, ata shpiknin një ardhmëri të lumtur të klaneve, të servilëve, të të nënshtruarve dhe atyre që natë e ditë si langonj turreshin t’u binin në gjurmë liridashësve që kërkonin atë që i takonte një populli, i cili jetonte në tokën e vet, por që i ishte nënshtruar ndarjes dhe përçarjes, për ta ngritur flamurin e robërisë në dasma e varrime, në festa e në përvjetorë. Nëpër këto ndrydhje e shtrydhje, edhe në krijimtari pati zgjime gjeniale, pati heroizma, u shkruan poema dhe tregime, u shkruan pamflete dhe afishe, u shkruan parulla me moto se nuk e duronin robërinë; ashtu siç u shkruan dhe vepra letrare, të cilat nuk patën mundësi të përjetonin përurime dhe ripublikime; ashtu siç nuk patën fatin të bëhen lektyra shkollore: tregimet si “Jozheku i vogël”, “Ura e Drinës” e Ivo Andriqit, “Përralla e përgjakur” e Desanka Maksimoviqit, “Duhanvjelësit” e Koço Racinit dhe shumë vepra të tjera, që i kishin shkruar shkrimtarët e Partisë Komuniste. Veprat e krijuesve shqiptarë nuk e patën atë fat të jetës, por u vunë në turrën e drurëve të zjarrit, ose u vunë në drynin e heshtjes nëpër podrume, ashtu si autorët që morën shpërblim plumbin, apo fituan të drejtën për të qenë banorë nëpër kazamatet e “Idrizovës” dhe “Goli Otokut”, ku do ta kalonin rininë për të dalë me eshtra të thyera jashtë, ose të çmendur rrugëve, që të shikonin se si i përndiqte pas shpine sërish hija e zezë e robërisë…

Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup, botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora