E merkure, 07.12.2022, 10:22 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Zgjohuni të vdekur se na mbytën të gjallët

E marte, 16.08.2022, 06:10 PM


ZGJOHUNI TË VDEKUR SE

NA MBYTËN TË GJALLËT

NGA KALOSH ҪELIKU

Eh, lexuesi im i nderuar, sikur këta politikanë shqiptarë, akademikë, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, “analistë” politik, patriotë me kësula të bardha në kokë e pa to, të punonin e reagonin me kohë për arsimin në gjuhën shqipe, kulturën shqiptare! Vërtetë, do të hapte një faqe të re historia shqiptare. Nuk do ta lodhnim shumë kokën me “Makedonska enciklopedia” e marrëzira të tjera, se: a jemi kaçakë, dhe a kemi zbritur nga mali?! Gazetat t’i mbushim kotnasikoti plot reagime e vajtime. Popullin ta thirrim në protesta paqësore në rrugë. E në të vërtetë, ai është në rrugë me vite, i papunë falë partive tona politike. Po, ja që nuk reagojnë burrat e botës në gazeta, nuk protestojnë në rrugë me parulla e pankarta në duar për arsimin e politizuar deri në palcë, nuk e ngrejnë zërin për liri. Përmëkeq, me të gjitha forcat reagojnë për “Makedonska enciklopedia”. Punë e madhe. Pamfleti politik, që na e dhuruan “vëllezërit”, duam s’duam ne, do të përfundojë në Bibliotekën Popullore Universitare të Qytetit: “Sv. Kliment Ohridski”, ose nëpër shtëpitë e lexuesve “maqedonas” e shqiptarë. Nuk më pengon kjo, dhe as që kam kohë të merrem me një pamflet të këtillë neokomunistë me fletët e të cilit nesër torbeshët do të shesin fara.

E rëndësishme është se, më pengon vetëvetja, politizimi katastrofal partiak i arsimit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Fatkeqësisht, e kemi nën nivelin e pas kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ne nuk kemi arsim shqiptar, ne nuk kemi kulturë shqiptare. E në anën tjetër, kemi kohë për të harxhuar energji për një pamflet akademik politik “maqedonas”.

O shqiptarë, mjaftë më punuat e luftuat për “vëllezërit” e Njerkës! Shtetin e shokut Tito, që pas Luftës së Dytë Botërore i polli Jugosllavija, e sot, i përkundin serbët në djep me ninulla shoveniste - nacionaliste. Popullin artificial pakicë të prodhuar nga shqiptarët, bullgarët, serbët, vllehët, turqit, torbeshët e romët. E ktheni kokën pas një herë edhe për shqiptarët, popullin shumicë në këtë Shtet të “përbashkët”, që me plot arsye u takon të udhëheqin me Qeverinë. Pse jo, le t’u kërkojnë shqiptarëve një herë edhe “maqedonasit” gjuhë amtare, shkolla, flamur, Universitet, Akademi të shkencave e të drejta kombëtare. Veten le ta provojë edhe ky popull “vëlla" në rolin e lypsit te Ura e Gurit. I bindur jam se, shqiptarët do t’ua jepnin me të dyja duart të gjitha këto të drejta kombëtare. E nesër?! Nesër, shohim e bisedojmë në Kuvendin shqiptar se, sa banorë “maqedonas” do të ketë ky shtet multietnik, që me këmbëngulje duam ta ndërtojmë ne shqiptarët. Edhe njëherë them: ktheni kokën, shikoni prapa në lëmë!  Arsimin dhe kulturën i keni në gjendje katastrofale si në kohën e komunizmit, me pak shpirt. Ende nuk keni shkolla fillore. Tekste shkollore. Lektyra shkollore. Abetare.

E këndej, ia futni pordhë politike në mes të ditës kundër “Enciklopedisë maqedonase”. Gojën plot e them: ju jeni edhe kundër fëmijëve të juaj në bankat shkollore. Vite me radhë i keni lënë pa lokale shkollore. Tekste mësimore. I keni lënë edhe pa mësuesë. Sot, doni t’i legalizoni, futni në klasë edhe shamitë... Ferexhezezat...

E them këtë se, më ka ardhë më deri në fyt. E kam vjellë ushqimin. E kam vjellë politikën. I kam vjellë edhe zorrët. Dhe, nuk kam më çka të vjellë nga barku.

Poezinë nuk e vjellë. Edhe librat. E di, politkanët trusakatë duan t’i vjellë edhe këto dhunti të Zotit, po ja që unë nuk dua t’i vjellë. Unë e vjellë politikën e tyre teknefese. Unë i vjellë argatët e tyre trusakatë brez pas berzi. Dhe, unë i vjell me gjithë zorrë spiunët e tyre shekullorë. Pse, do të thoni ju si lexues?!

Nuk ka problem edhe këtë fshehtësi do t’ua rrëfej si shkrimtar. Vetëm, nesër nuk dua të më ankoheni te partitë politike. Nëna e juaj Njerkë. Shkaku: ngase, Nëna e juaj Njerkë nuk u jep gji, qumësht si Nëna e juaj e vërtetë. Djepin nuk di ta përkund me ninulla shqiptare deri në mëngjes. Nuk ju merr në prehër si Nënë.

Punemadhe, do të thoni ju burrat e mejdanit me brekët nëpër këmbë. Nuk është ashtu, lexues i nderuar. Nuk është njësoj të pish qumësht te Njerka dhe të thithish gji nga Nëna. E them këtë se, thirrem në ligjet e Natyrës. Vërtetë, është e përkryer. Mëkot, mundohemi ne artistët t’i bëjmë konkurencë. Natyra është ajo, që momentalisht është e pakalueshme me kryevepra. Nesër nuk dihet, del ndonjë burrë nëne dhe e kalon edhe Nënën Natyrë.

Fatkeqësi kombëtare! Partitë politike, nesër kush do t’i marrë në gji?! Kush do t’i përkund në djep?! Kush do t’u jap tagji në grazhd?! Kush do t’i nxjerrë në rrugë çdo katër vjet në zgjedhjet lokale e parlamentare. Tymeflakë do të nxjerrin nga goja. Zërin do ta ngrejnë lartë nëpër fushata zgjedhore për Gjuhë shqipe. Universitet shqiptar. Akademi shqiptare. Shqipëri Etnike. Punemadhe. Edhe kësaj radhe le t’u jap Njerka gji me shtama. Vetëmse, një gjë duhet ta pranojnë: janë kopila. Kopila edhe do të vdesin brez pas brezi, hyjnë në varre. Profetike, ë?!

Kopilat, dihet e kanë Njerkën. Dhe, Babën e rrejshëm. Vetëm, nuk e kanë qumështin e Nënës. Gjirin, që edhe të vdekurin e çon nga varri. Qumështi i Nënës është jeta. Shpirti. Gjaku. Lufta që e bëjmë nëpër shekuj brez pas brezi për liri. Edhe doni të ju flas, shkruaj marrëzira?! Mjerim. Po, kur do t’ju dalë gjumi shekullor, ngrisni zërin si shqiptarë?!

Nesër. Ose, pasnesër. Vonë. E them këtë se, nesër më do të keni vdekur, gërhisni në varr. Ndodhë të sharroni shelgje. Ndonjëri, ndodhë të bëjë edhe çerepë. Saç me shpuzë nuk do të keni ta piqni bukën në mes të odës. Saç.

O Imzot, edhe kësaj radhe mos ua merr për të madhe! Nuk shohin. Nuk dëgjojnë. Ose, nuk dinë. Ua ke dhënë sytë, po nuk i shohin shenjat. Ua ke dhënë veshët, po nuk e dëgjojnë zërin e të vdekurve nga varret. Ua ke dhënë kokën, po nuk e kanë në qafë...

Halli?! Edhe një lutje: ua kthe trutë në kokë! Nuk e bëjnë këtë se duan, po nuk dinë. Patjetër, duhet dikushi t’u pri në ballë. Rrok për dore. Tjetër është ajo, se: këtij populli me vite i prinë në ballë partitë politike. Gjysëmanalfabetët. Edhe një herë ju lutem në emër të Krishtit e Muhamedit, mos i merrni më qafë!...

Dënimi duhet vuajtur gjithësesi, dëgjova një zë nga qielli. Atëherë, së paku le të jetë sa më i lehtë, pa dhimbje. Nëse është nevoja le të digjemi në zjarr të “Xhehnemit”! Njëherë e përgjithmonë t’i lajmë mëkatet si popull i zgjedhur nga Zoti.

Jo, përsëri bërtiti zëri nga qielli. Juve si popull, u ka nemur Turku. E nama, përderisa të zë vend fluturon në qiell e tokë. Fatkeqësisht, kësaj radhe zbriti në tokë, në mesin e shqiptarëve. Këmbëkryq u ulë në rendin e parë, në xhami. Hoxha i “Allahut” thirri në minare. Ferexhezezat me protesta “paqësore” dolën nëpër qytet për “liri” të barabarta me burrat?! Kohë, kur burrat duhet të dalin në protesta paqësore për të drejta të barabarta me gratë.

Ndihmë! Ndihmë, o Zoti Madh! Na shpëto edhe kësaj radhe nga robëria shekullore anadollake! Asimilimi. Ti e di se ne më nuk kemi edhe një Skënderbe, që të na çlirojë nga halldupët, heqi prangat. E patëm një, po edhe këtë duan të na e marrin “vëllezërit” e shtetit të “përbashkët”. U kemi dhënë mjaftë. Po, këta siç duket e kanë barkun e madh tinar. Thesit me arna, nuk janë duke ia lidhur grykën. Përmëkeq, e kanë një thes kanapi me arnë përmbi arnë. Specat u bien udhës. Patlixhanat. Kungujt e Stambollit...

Mëshirë, o Zot! Ecin e flasin jerm. Ndonjëri ka përmirë edhe në sofër të xhindeve. Rrugës flet vetmevete. Babashehu kot i fry në Tyrbe. Hoxha i “Allahut”, mëkot përpiqet t’ia këthejë në kokë me një hajmali përqafe. Nuk e zënë magjitë, xhindet e kanë në dorë. Natë për natë e hudhin dorë më dorë mbi çatia. Majë lisave. Nuk e dinë ku e kanë bythën e ku kokën. E sa di unë, bota do kokë në qafë, e jo bythë...

Zgjohuni të vdekur, se na mbytën të gjallët!...

(Nga libri: XHADIA (Shkup, 2011).



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora