E premte, 19.04.2024, 09:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Lekë Mrijaj: U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovim libri

E marte, 16.08.2022, 07:26 PM


U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE

Shkruan: Lekë Mrijaj

Nën patronatin e Forumit të Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" në Klinë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës Klinës, në Asamblenë e komunës së Klinës, është mbajtur Akademi Përkujtimore me rastin e 85 vjetorit të lindjes së prof. Frrok Gojanit, njëkohësisht për nderë të tij është bërë edhe promovimi i librit:"FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE" autor Mikel Gojani.

Moderimin e kësaj Akademie Perkujtimore dhe promovimi të librit e bëri Valjeta Gojani (mbesa e prof. Frrokut) e cila veq tjerash tha se: "Profesor Frrok Gojani një jetë të tërë ja kushtoi dijes dhe arsimit shqip pikërisht dhe për këtë ideal të lartë i ngjan Qiriut Naimian, duke shkrirë veten për t'u bërë dritë të tjerëve. Gjatë gjithë rrugëtimit jetësor, profesor Frrok Gojani bëri përpjekje që midis nesh të sjellë sa më shumë dritë mendimi, sa më shumë dituri, sa më shumë vërtetësi. Ndërsa në vazhdim moderatorja Gojani. Këtë përkushtim dhe idealizëm të tij e konfirmoi edhe data e 28 Nëntorit të vitit 2020, kur në këtë Ditë më Kulmore të Kombit - Ditën e Flamurit Kombëtar, u shua nga jeta, duke na i lënë peng Selinë e dijës, mësimet, mesazhet dhe udhërrfimet që brezave të rinj do t'ju shërbejnë frymëzim në jetën e tyre. Tërë jetën punoi si misionar i denjë i arsimit për të gjallë të tij duke siguruar i siguruar vetës përjetësinë tha në fjalën e saj moderatorja, znj/sha Valjeta Gojani.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtues të pushtetit lokal, zv/kryetarja, znj. Marqe Tanushit-Selmanaj me stafin e saj, miq, familjarë të prof. Frrok Gojanit, bashkolegë e ish nxënës të tij Intelektual të lartë dhe qytetarë të tjerë nga Klina me rrethinë. Njëkohësisht morën pjesë edhe klerikët shqiptar të dy bashkësive fetare katolike e muslimane, dom Pashk Dani, mulla Xhevat Kryeziu dhe dom Ambroz Demaj.

Të pranishmit në këtë Akademi me nga një fjalë i kanë përshëndetur zv/kryetarja Marqe Tanushi-Selmanaj e Skender Maxharaj, drejtor i tanishëm, i shkollës së mesme "Luigj Gurakuqi" në Klinë.

Me pas në këtë Akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e prof. Frrok Gojanit, ka folur edhe prof. Pal Canaj, kryetar i Forumit të Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" Klinë i cili shpalosi disa mbresa kujtimi për prof. Frrok Gojanin duke thenë: “Mësuesi është përhapësi i dritës“ pohonte atdhetari dhe mësuesi ynë i madh  Luigj Gurakuqi “Një nxënës, një mësues, një libër dhe një laps mund të ndryshojnë botën”, ka thënë aktivistja e shquar pakistaneze Malala, laureate e Çmimit Nobel për Paqe. Kjo humaniste ishte shprehur kështu disa vite me pare, ndërsa profesori Frrok Gojani  para gjysmë shekulli, përmes  lapsit dhe librit, respektivisht arsimimit te gjeneratave të reja synonte ta ndryshonte botën e njerëzve të rrethit të tij, në Kosovën e atëhershme . Për profesorin Frrok Gojani si mësimdhënës , drejtor i parë i Gjimnazit “ Luigj Gurakuqi” në Klinë, për misionin e tij prej iluministi, ruajnë përshtypje shumë bashkëkohës të tij, mbresa të cilat vështirë të jenë shteruese, kushtuar kësaj figure të ndritshme të arsimit shqiptar. Madje Profesor Frrok Gojani, gjatë shkollimit të mesëm sa isha në gjimnaz,  ishte  drejtor i Gjimnazit ‘Luigj Gurakuqi” në Klinë, por ka pasur semestra që angazhohej edhe si mësimdhënës. Në të gjitha angazhimet e tij profesori Frrok Gojani ishte një kontributdhënës i një shembulli të rrallë. Figura e këtij pedagogu nga ish nxënësit dhe koleget e tij mbetet në kujtesë si vlerë e një periudhe historike. Mbresa kujtimi: Urtësia prej pedagogu e profesorit Frrok Gojani sikur ngjasonte me metodologjinë e Sokratit.  “Unë nuk mund t’i mësoj askujt asgjë, unë vetëm mund t’i bëjë ata të mendojnë” -shprehej Sokrati. Ndërsa Shkrimtari argjentinas Borges pati thëne “E kam imagjinuar gjithnjë Parajsën si një lloj biblioteke”, ndërsa shkrimtari Mikel Gojani, bibliotekën, ketë parajse të dijes e ka begatuar me monografinë kushtuar profesorit: “Frrok Gojani pedagog dhe misionar i denjë i shkollës shqipe”. Rruga jetësore prej pedagogu e  profesorit Frrok Gojani, ishte misioni i tij i përndritjes se mendjes tek gjeneratat e reja. Prandaj në përkujtim të mësuesit –profesorit  Frrok dhe pishtarëve të tjerë të arsimit, si dhe në shenjë te 30 -vjetorit të nismës Shtëpi- Shkollë,  në rrethanat e okupimit serb në Kosovë, sa bukur do të jehonte që një prej rrugëve në kahe të gjimnazit, në qytetin e Klinës të quhet “Rruga e Mësuesit”, tha në fund të fjalës prof. Pal Canaj.

Në pjesën e dytë të Akademisë përkujtimore në drejtimin e panelisteve: dr. Xhavit Bicaj, Luigj Gojani, Anton N. Berisha, Fatjona Gashi, drejtoreshë e kulturës, Mikel Gojani, autor i librit, u mbajt edhe promovimi i librit: "FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE" ku folen njohës të përmasave të larta letrare.

Shkrimtari dhe studiues i mirënjohur i letërsisë, i cili njëherësh është edhe redaktor i këtij libri, prof. Prend Buzhala veq tjerash tha se:  "Emri i pishtarit të arsimit Frrok Gojani është i njohur, jo vetëm në Komunën e Klinës, Dukagjin, Rugovë, por edhe në tërë Kosovë, Shqipëri dhe gjithë hapësirat tona etnike. Ky pishtar i dijes dhe i arsimit shqip,  një jetë të tërë ia kushtoi këtij misioni të shenjtë arsimimit dhe edukimit të shumë brezave shqiptarë. Ndërsa në vazhdim ka trajtuar librin "FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE" dhe foli për srukturen tekstuale e dëshmuese të librit si dhe bëri disa evokime në intermexo.  Me një fjalë, prof. Prendi tha se është sikundër e thotë dhe e pranon vetë W. Churchill: “Mësuesit e shkollave kanë një fuqi që kryeministrat vetëm mund ta ëndërrojnë". Dhe kjo dëshmi e kësaj fuqie misionare pedagogjike, e tejkohshme, na vjen edhe tani, nëpërmes kësaj monografie.

Shkrimtari dhe studiuesi më i spikatur letërsisë shqipe, prof. dr. Anton Nikë Berisha e vlerësoj prof. Frrok Gojanin veq tjerash ka thenë se secili autor që është marrë mirëfilli me studimin e letërsisë sonë gojore nuk e ka pasur të vështirë të bindet se në procesin e formimit, të gjallimit e të zhvillimit të popullit tonë kjo letërsi me llojet e saj luajti një rol të rëndësishëm dhe të vijueshëm që nga kohët më të lashta. Krijuesit gojorë nëpërmjet këngëve dhe llojeve të ndryshme të prozës (përrallës, kallëzimit, anekdotës) ose urimeve, mallkimeve, fjalëve të urta etj., shprehën botën e tyre të brendshme dhe shfaqën ndjenjat dhe mendimet për jetën, për veprimin dhe për fatin e njeriut, pastaj për natyrën dhe për dukuritë e saj tha prof. Anton Berisha.

Pedagogu, shkrimtari dhe studiuesi i cilësueshëm, prof. Hajdin Morina: Emri i profesorit Frrok Gojani është një nyjë ku lidhen ndryshimet, zhvillimet, sfidat dhe planifikimet për një arsim sa më të avancuar e cilësor, të mbështetur në tabanin tradicional historik dhe kombëtar, në komunën e Klinës, por edhe më gjerë. Ky personalitet e ka siguruar tashmë vendin në panteonin e arsimit shqip, pranë personaliteteve të tjera që dhanë mund e gjak për zhvillimin e shkollës shqipe dhe për shfrytëzimin e kapaciteteve të saj për emancipimin e popullit, për përparimin dhe pjesëmarrjen e tij në krijimin e integruar të vlerave evropiane dhe të produkteve që do t’u nevojiten brezave të nxënësve dhe të mësuesve të çdo kohe kur do të përballen me sfidat e reja të epokave të zhvillimit ekonomik e teknologjik dhe me kërkesat për ndryshim të kurrikulave mësimore në përputhje me prirjet dhe tendencat bashkëkohore, por të ndërlidhura gjithmonë me traditat e mira dhe pozitive të shkollës sonë tradicionale, me rrugën e saj plot mundime e sakrifica, flijime e vizion të qartë për perspektivat kombëtare dhe ato të integrimit në praktikat më të përparuara dhe më të dobishme të shkollës bashkëkohore në Europë e më gjerë. Profesor Gojani ka qenë me pikëpamje dhe ide novatore në fushën e mendimit pedagogjik dhe në fushën e emancipimit kulturor e qytetar. I kishte hije dhe ndikim fjala, rrëfimi për shkollën, për historinë e për pajtimin kombëtar. Nëpër ndeja, në raste gëzimesh e hidhërimesh, shprehte dëshirën ta marrin fjalën të rinjtë dhe kur krijohej një situatë e tillë e komunikimit, profesori bëhej një dëgjues aktiv dhe emocionohej. Kudo e thoshte fjalën e vet që rrezatonte dashuri, përvojë dhe interesim të dëgjuesve për ta kuptuar në tërësi domethënien, kuptimin dhe mesazhin që ishte aktual në kontekstin kohor. Kishte aftësi të rralla oratorike, kreative dhe komunikatave. Kudo ishte mësues i mirë dhe efektiv. Jo vetëm para nxënësve në shkollë. E kaloi një jetë vertikalisht. Asnjëherë, në asnjë rrethanë shoqërore e personale, nuk bëri kompromis për çështje të kombit, të arsimit dhe të gjuhës shqipe. Profesor Gojani është rilindës i kohës sonë. I devotshëm në parimet, qëndrimet dhe praktikat e tij njerëzore, qytetare, zyrtare dhe edukative. I devotshëm në qasjen ndaj gjuhës shqipe dhe produkteve të saj letrare. I pakompromis dhe kritik konstruktiv ndaj çdo shfaqjeje jo të mirë, diletante dhe pa etikë në kontekstin shoqëror qoftë në fushën politike e shoqërore, qoftë në fushën arsimore e kulturore. Unë kështu e njoh profesor Frrok Gojanin tha në fund të kumtesës së tij, prof. Hajdin Morina.

Publicisti, Lekë Mrijaj bëri një portretizim të figurës së prof. Frrok Gojanit dhe veprës dedikuar këtij pishtari të arsimit, shkruar nga prof. Mikel Gojani, duke thenë: Se “Historia është mësuesja e jetës”, më së miri e shohim në monografin "FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE" të studjuesi dhe shkrimtari Mikel Gojani. Ky autor, edhe pse vokacion kryesor ka artin shumdimenzional letrar, me stilin e tij tejët të veçantë, ka bërë një emër të fuqishëm në fushën letërsisë shqiptare por edhe në atë të historiografisë letrare dhe shkencore. Këtë kushtimisht e them se e deshmojnë veprat e tija të shumta monumentale të botuara, qe janë libra të zhanreve të ndryshme me ese, poezi, romane, studime, hulumtime, gazetari, opinione etj. Përmes, këtij recensioni të shkurtër unë pak a shumë jam munduar që t’i pasqyroj disa pika të rëndësishme të këtij projekti që ka një vlerë madhore në oqeanin e historiografisë sonë, gjë që ky libër siq e kam thenë edhe sipër, lirisht mund të themi se mund të jetë model edhe për hartimin e shumë librave të tjera nëpër kapituj të librit të cilat paraqesin një vlerë të madhe për galerinë e Selisë së dijës dhe arsimit tonë mbarshqiptar tha në mes tjerash publicisti, Lekë Mrijaj.

Me këtë rast të shenuar me një këngë rapsodike përkushtimore dedikuar doajenit të arsimit shqip prof. Frrok Gojanit, është prezantuar edhe rapsodi i mirënjohur, Bajram Haliti nga Skënderaj, me tekstin e shkruar nga krijuesi Zenel Zekolli. Ndërsa në emër të familjes së Frrok Gojanit, të pranishmit i përshëndeten dhe i falenderuan për pjesmarrje në këtë ngjarje, biri i tij Arianiti dhe autori i librit, prof. Mikel Gojani.

Në fund të organizimit autori i librit, prof. Mikel Gojani, ju ka dhuruar nga një libër të gjithë të pranishmeve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora