E merkure, 24.04.2024, 05:16 AM (GMT+1)

Mendime

Vahit Nasufi: Fshati Prapadisht ngriti flamurin kombëtar

E hene, 15.08.2022, 08:01 PM


FSHATI  PRAPADISHT NGRITI  FLAMURIN  KOMBËTAR

Nga Vahit Nasufi

Prapadishti, është një fshat kodrinor, i cili shtrihet në anën veriore të komunës së Kërçovës, me një lartësi mbidetare prej 1150 m dhe me një sipërfaqe prej 603 hektarësh. Emri i këti fshati piktoresk, sipas hulumtimeve historiko - etnologjike, (por, jo të sakta), vjen nga ilirishtja e vjetër, që donë të thotë Prapa (mbas) dhe Disht (pyll). Banorët e këtij fshati me shumë elemente gërshetuese, janë me kombësi shqiptare dhe të besimit islam. Ajri i pastër, uji i ftohtë, kodrinat plot gjelbrim, por, jo vetëm, këtij fshati të bukur i japin gjallëri të përhershme. Përveç tjerash fshati Prapadisht, është plot histori, sport, art dhe kulturë.

Si shumë fshatra tjerë të treveës kërçovare, ashtu edhe Prapadishti ka trashëguar plagën e pa shërueshme të kurbetit, që pak a shumë ka boshatisur fshatin. Mërgimtarët e këtij fshati janë të shpërndarë nëpër Europë dhe Amerikë, por, pjesa dërrmuese pa dyshim jetojnë dhe veprojnë në shtetin Helvetik, të cilët për të ndërtuar një urë lidhëse mes tyre, më 21 shtator 2021, themeluan Shoqatën e Bashkuar, të cilën e emruan me emrin e fshatit, „PRAPADISHTI“. Kjo shoqatë në bashkëpunim me këshillin koordinues të fshatit, për herë të parë më, 31 korrik 2022 organizoi manifestimin kulturorë „PRAPADISHTI FESTON“, ku ishin të ftuar të gjithë banorët e fshatit, të gjithë ata që e kanë origjinën nga ky fshat si dhe shumë mysafirë të ndryshëm.

Në oborrin e gjërë të shtëpisë të vëllezërve Qefli dhe Qelebi Abdiu, i gjelbëruar dhe i stërmbushur me prapadishtas dhe me mysafirë të ftuar, para se të fillonte programi, të dy gjinitë bashkarisht luajtën ca valle të bukura tradicionale. Më pas moderatori i këtij manifestimi, Lulzim Limani, pasi prezentoi renditjen e manifestimit sipas skenarit të pregaditur, me një minutë heshtje, u nderuan viktimat e pa fajshëm të fshatit Prapadisht, që u vranë në luftërat ballkanike, por, jo vetëm. Këtë manifestim kulturorë, e hapi intelektuali me prejardhje nga fshati Prapadisht, veterani Vebi Aziri, i cili pasi përshëndeti të pranishmit dhe i falenderoi për pjesmarrjen e tyre, ai foli për viktimat e këtij fshati dhe lexoi emrat e tyre, pastaj trgoi edhe për artistët që kënduan dhe kultivuan këngët burimore, për mjeshtrit e çiftelisë, sharkisë, kavallit etj. Ai gjithashtu tregoi se dy figurat e larta me renome botërore, Vëllezërit Hasan dhe Omer Kaleshi, si dhe teologu shumë i famshëm, Mulla Qamil Limani, prejardhjen e kanë nga ky fshat heroik. Pastaj fjalën e mori prof. Nebi Bilalli, me origjinë nga ky fshat, i cili përveç tjerash, foli rreth organizimit të këtij manifestimi, me shpresë që ky eveniment të shëndrrohet në një manifestim tradicional.

Ai që dikur këndoi në shumë dasma të këtij fshati, që mbahen mend edhe sot, të cilin fshati Prapadisht nuk e harron kurrë, dhe në këtë manifestim ishte i ftuar si mysafir nderi, këngëtari i mirënjohur nga Gostivari, Maksut Dehari. Ai para të pranishmive tregoi rreth ahengjeve familjare, që është një këngëtar i preferuar në këtë fshat malor, i cili në shumicën e rasteve të gëzimeve familjare, është shoqëruar edhe nga këngëtari i melosit burimor, i lindur në këtë fshat me shumë tradita, i cili rrjedh nga një familje dëshmorësh, përndryshe shoku tij i ngushtë, ing. Vebi Aziri. Me pjesmarrjen e tij manifestimin e nderoi edhe plaku 99 -të, vjeçar, Mislim Sulejmani, icili nga fshati i lindjes, për arsye të ndryshme, ishte shpërngulur para 79 -të, vitesh në Gostivar. Xha Mislimi, me shumë nostalgji edhe pse në moshë të shtyer, ai i mbante mend akoma dhe rrëfente për kujtimet që kishte përjetuar, për vuajtjet dhe sakrificat!

Me rastin e këtij manifestimi u përurua edhe rruga brënda fshatit, që u ndërtua me një investim të përbashkët me komunën e Kërçovës, ku fjalën e mori kryetari i kësaj komune, Fatmir Dehari, i cili përveç tjerash premtoi se është i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin edhe për projektet e nevojshëm të fshatit, siç është renovimi i shkollës fillore, si dhe ndërtimin e një lapidari në qendër të fshatit, në nderim të historisë së lavdishme dhe në mënyrë lakonike për të përjetsuar viktimat e këtij fshati.

Në vazdhim të këtij evenimenti, fjala iu dha arsimtarit Remzi Arsllanit, i cili foli për historikun e fshatit, për t`ia lënë fjalën kryetarit të Shoqatës të fshatit Prapadisht me seli në Zvicër, Bashkim Ismailit, i cili në pika të shkurtëra tregoi rreth themelimit të Shoqatës së Bashkuar, për qëllimet dhe aktivitetet e saj. Më pas, të gjithë pjesmarrsit, shkuan në qendër të fshatit, për të ngritur flamurin kombëtar, i cili menjëherë filloi të valëvitet dhe u duartrokit fuqëshëm nga të pranishmit! Këtë manifestim, për ta bërë akoma më madhështor, ishin të ftuar edhe rapsodët e mëdhenj nga Republika e Shqipërisë, Vëllezërit Lleshi, të cilët kënduan ca këngë shumë të bukura folklorike burimore, që herë pas here në një atmosferë impozante, përcilleshin me duartrokitje frenetike nga pjesëmarrsit.

Pas përfundimit të këtij manifestimi kulturor, siç është traditë ndër ne, për të gjithë të pranishmit, u shtrua dhe një drekë shumë e begatshme me ushqime tradicionale shqiptare dhe lloj - lloj pijesh freskuese, e financuar nga Shoqata e fshatit, që vepron në Zvicër. Dhe në fund, duke u përshëndetur njëri me tjetrin, një nga një u shpërndanë me shpresë se përsëri do të takohen vitin e ardhshëm këtu në fshatin Prapadisht.

Kërçovë, gusht 2022



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora