E marte, 23.04.2024, 09:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Bekim Fehmiu

E diele, 26.02.2006, 11:10 PM


Bekim Fehmiu, Uliksi shqiptar

Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu është një nga aktorët më të njohur me origjinë shqiptare. Ai ka lindur në Sarajevë në vitin 1936 nga prindër shqiptarë. Por fama e tij do të vinte në vitin 1966 me filmin ''Unë kurrë nuk kam parë një cigane të lumtur''. Deri në atë kohë ai kishte punuar me shumë shtëpi të njohura filmi në botë. Eshtë aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës se ish-Jugosllavisë. Tashmë Bekim Fehmiu përmendet si një personalitet që ka bërë historinë e kinematografisë së Ballkanit, pa mohuar edhe kontributin e tij në atë botëroren. Rolet e tij në ''Prova speciale, Odiseja, Aventurieri, Rruga, Vitet e ngrohtë, Dezertori, Përgjithmonë Xhulia'' permenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë ''Protesta, Eskadrionet e partizanëve dhe Të kuq dhe të zinj''. Fehmiu është parë përkrahë emrave të njohur të kinematografisë së huaj si Xhon Hjustonin, Olivija de Hevilland, Ava Gardner, Robert Shou, Fernando Rej, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Klaudia Kardinale, Kendis Bergen etj.
Karriera nga skenat e Prishtinës e deri në Hollivud
I martuar me një artiste serbe, ishte nga ata njerëz që nuk e braktisi, në asnje moment Beogradin dhe nuk iu tremb të qënit shqiptar. Shqiperinë e ka vizituar ne vitin 1973 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. I pyetur për dëshirën e tij ai ka thënë thjesht se ''Do të doja të njihja më mirë shqipen''. Në të gjithë hapësirën ballkanase është gati në përmasat e një miti. Ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet, që i biri quhet Uliks. Në vitin 1987, kur në mënyrë demostrative braktisi shfaqjen ''Madame Kolontine'' të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik ne Jugosllavi. Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t'i dhënë fund aktivitetit edhe në ngjarjet artistike botërore. Pak kohë më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, ''Shkëlqim dhe frikë'', në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.

Artisti
Bekim Fehmiu i takoi gjeneratës së parë shqiptare të Prizrenit që filloi dhe përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe. Pasi kreu shkollën e mesme regjistrohet në dramën shqiptare përkatësisht në Teatrin Popullor të Kosovës që edhe ishte i vetmi teatër profesional i asaj kohe. Në vitin 1956, regjistrohet në Akademinë e Teatrit në Beograd, në klasën e regjisorit të njohur prof. Mate Millosheviç, ku paraprakisht kalon provimin pranues, por kushtëzohet që sa më shpejtë të mësojë gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës i jep atij njw bursw për studime në Beograd , por meqë familja e tij ishte e dënuar nga sistemi i asaj kohe, bëri që Bekimit, vetëm pas dy muaj t'i ndërpritet bursa. Falë ndihmës dhe përkrahjes që i dha rektori i asaj kohe i Akadamisë së Teatrit të Beogradit, Bekimi vazhdon studimet. Në vitin 1960, Bekimi regjistrohet si anëtar i rregullt i Teatrit dhe dramës jugosllave, por vetëm shtatë vite më vonë ai tërhiqet nga teatri në shenjë proteste për trajtime dhe sjellje jo të mira ndaj tij, kështu që ai vazhdon karierën e tij si artist i lirë, kurse deri në këtë kohë ai kishte interpretuar 40 role episodike dhe kryesorë.

Hollivudi
Pas suksesit që arriti me filmin ''Mbledhësit e puplave'' në vitin 1967, në regji të A.Petroviç në rolin e Beli Bora, fitoi dy çmime në festivalin e filmit në Kanë në Francë. Ky film u nominua për çmimin Oscar në vitin 1968. Kështu Bekim Fehmiut i hapen dyert e Hollivudit duke nisur kështu edhe karrierën e tij ndërkombëtare. Ai ishte ylli i parë i vendeve ballkanike dhe shteteve të Evropës Lindore që depërtoi në Hollivud. Arrin marrëveshje afatgjate me producentin e njohur italian Dino de Laurentis. Pastaj i ofrohen edhe shumë oferta të tjera nga shtëpi e njohura filmike të SHBA-së dhe Evropës, derisa Bekimi kishte filluar xhirimet në të gjithe kontinentes e botës. Sot atë e kujtojnë në rolin e Odiseut të Homerit, ku si partnere kishte aktoren Irena Papas, arvanite nga Greqia me të cilë gjatë pauzave të xhirimeve bisedonin në gjuhën shqipe. Ai interpreton edhe në filma të tjerë me yjet më të njohur të asaj kohe si: Xhon Hjuston, Ricard Kren, Cak Konors, Vudi Strond, Ava Gardner, Dik Bogart, Frederik Forest. Roli i profetit Jozef, ishte roli i fundit që interpretoi për televizionin italian në filmin ''Fëmija me emrin Jezus'', në regji të Franko Rosi. Sot Bekimi 69 vjeçar, jeton i tërhequr së bashku me gruan e tij, aktoren e njohur Branka Petric dhe gjithnjë në kontakte me motrat dhe vëllezërit e tij në Prizren, Prishtinë e Beograd , kurse dy djemtë e tij Uliksi dhe Hedoni jetojnë në SHBA.

Familja
Babai i Bekimit, Ibrahimi, ka lindur më 1892 në Gjakovë në një familje tregtarësh dhe arsimdashës. Mbaroi medresenw në Shkup, klasa e mësuesisë. Biografia e Ibrahimit, mund të tregohet edhe nëpërmjet emrave të fëmijëve të tij, të cilët i pagëzoi ai vetë, duke u dhënë të gjithëve emra kuptimplotë shqip, për dallim të emrave të asaj kohe që zakonisht ishin arab ose turk. Vajzën më të madhe e pagëzoi me emrin Besa, pastaj vajzën tjetër e pagëzoi me emrin Shpresa; Bashkim është emri i djalit të parë, djali i dytë u quajt Arsim, i treti Fatmir për të mbërritur më pas te Bekimi e vajza e vogël Luljeta. Emri tij do të jetë përkrah atij të Bajram Currit apo Fan Nolit. Në vitin 1939 pas pushtimit të Shqipërisë, familja e Fehmiut vendoset në Shkodër, kurse Ibrahimi fillon punën si drejtor i shkollave fillore në Shkodër.

''Milosao''



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora